04/12/2024

MUSINE KOKALARI – IKONË E OPOZITËS ANTIKOMUNISTE, SHKRIMTARJA E PARË NË HISTORINË E LETRAVE SHQIPE

0
Musine-Kokalari

Nga Sadik Bejko

13 gusht 1983, u nda nga jeta Musine Kokalari…

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

  1. Jetëshkrimi

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në  Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. Me pseudonimin “Muza”  Musine Kokalari u shfaq në shtypin e atyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu   shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e distertacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.

Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.

Dhe se e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në  vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk  ishin vetëm komunistët  por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”.

Zgjedhjet e vitit 1945. Musineja kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve në Tiranë për të marrë pjesë në zgjedhje me subjektin e saj politik. Në këto zgjedhje u votuan vetëm kandidatët e një subjekti politik, të Frontit demokratik, komunist. Ndërkombëtarët e braktisën, nuk e mbështetën në kërkesën për të qenë subjekt zgjedhor jashtë Frontit.

11 janar 1946 Shqipëria u shpall Republikë popullore nga asambleja e dalë nga zgjedhjet e vitit 1945. 23 janar 1946, Musine Kokalari u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.

Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri.  Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

  1. Kredo intelektuale

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës.  Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

Këto fjalë mund të gdhendeshin në bronz në një memorial të saj.

  1. “La mia vita universitaria”…..

Antropologu italian Mauro Geraci botoi në Itali  një punim kritik të ditarit – roman të M. Kokalarit, “La mia vita universitaria”. Botimi u artit   në bashkëpunim me Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, e cila ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje, mendime të shtuara.

“Jeta ime universitare” (2016) është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditar i shkruar në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës studentore. Libri sjell një përvojë,  dhënë kjo me detaje, përjetime, ngjarje deri me rrëfimet e saj mbi dashurinë për një djalë italian.

Në vitet 70 PEN-Clubi italian e bëri problem të UNESKO-s, të OKB  përndjekjen e M. Kokalarit. Protesta i shkoi në tryezë diktatorit Hoxha. Ai u përgjigj: Gjallë qenka kjo vrroma?

Nga arkivat sot është deklasifikuar dosja formulare, ku dokumentohet përndjekja nga Sigurimi e Musine Kokalarit.

Vepra e  saj është botuar në dy vëllime.

Ajo është nderuar me dekorata të larta të shtetit të sotëm shqiptar.

  1. Dëshmi të saj mbi fundin tragjik:

Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”….  “Këtu, (në spitalin onkologjik) kuptova një gjë. Për mua, jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”.

  1. Epilogu

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje”.

Një Nesibe Dobi nga Gjirokastra, poete me një poezi shqip në dorëshkrim, shkruar me alfabet arab, njihet si shkrimtarja (poetja) e parë grua në letrat shqipe.

Musine Kokalari ka gëzuar statusin e shkrimtares së parë në letrat shqipe, shkrimtare me tre libra të botuar që me gjalljen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok