25/12/2024
Musine-Kokalari

Nga Kastriot Dervishi

Musine Kokalari u gjykua si drejtuese socialdemokrate në procesin ndaj anëtarëve të Koalicionit Demokratik, një formacion i përbërë edhe nga monarkistët e Qenan Dibrës dhe grupi i rezistencës së Sami Çeribashit. Veç tyre ajo flet edhe për një korrent të katërt, i cili mundet të jetë i përfaqësuari nga Suat Asllani apo Gjergj Kokoshin, të cilët kishin bërë pjesë në Frontin Demokratik. Ata u akuzuan vetëm pse kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve deri në organizim të opozitës, të kishin të drejtën e fjalës si dhe të shpalosnin lirisht programet e veta. Këtë të drejtë, regjimi e artikuloi edhe me çështje të tjera të sajuara. Procesi gjyqësor ndaj 37 të pandehurve (4 ishin bashkëpunëtorë Sigurimi) u zhvillua më 17 – 30 qershor dhe vendimi u dha më 2 korrik 1946. Musineja u arrestua më 23.1.1946 (u lirua nga burgu më 8.10.1961) dhe u dënua me 20 vjet burgim.

Musineja nuk i pranoi akuzat. Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorit. Prokurori reagoi duke thënë se ajo ishte zhytur në tradhti, qysh kur bënte pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar të drejtuar nga Mit’hat Frashëri. Musineja nisi të lexonte mbrojtjen por nuk e lanë ta vijonte. Iu tha se teksti do të administrohej në dosje. Në ditën e lindjes së Musinesë, më poshtë paraqitet një pjesë nga fjala e mbrojtjes së saj, e cila nuk u lejua të lexohej. Musinja u nda jeta në moshën 66 vjeçare në internim.

Pjesë nga fjala e mbrojtjes:

Propaganda e shëndoshë, e trumbetuar për rezistencë që i vë të rinjtë në lëvizje të cilat duke mos patur një kriter të shëndoshë ideologjie, të ushqyer vetëm me fjalën nacionalizmë të thatë, të cilat duke mos kuptuar se lufta kundra një vije që i bëhet Ballit ose Legalitetit është luftë kundër një vije politike kompromisi ose koncepti shoqëror feudal, në vend që t’i afrojë, i largon pa ditur as ata vetë duke menduar se po luftohet ose nuk i duan. Të hyjmë si numër në gjirin e Frontit, s’e kemi bërë dot dhe mbetëm jashtë. Ahere një tentativë bëhet dhe ka efekt, duke shkëputur andej nga janë vetëm atëherë kur i gjithë elementi jashtë Frontit të jetë vënë në lëvizje dhe kur e gjithë prapaskena të jetë vënë në pamundësi të bëjë gjë dhe në qoftë se ka ndërmend dhe me ojë nuk e ofroi, me një qëndrim zyrtar të prerë duke mos ushqyer shpresa, në çastin e demokratizmit për t’u dëftyer për mirë a për keq, ashtu siç është me të vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok