14/10/2024

Mulla Mustafë Fazliu-Barja (1880- 1968)

0

Nga Hilmi Saraçi

Mulla Mustafë Fazliu- Barja  u lind në vitin 1880 në fshatin Vidishiq të Shalës së Bajgorës dhe ndërroi jetë me 1968. Kreu “mektebin” dhe  medresënë “Isa Beg” në Mitrovicë. Mulla Mustafa ishte i njohur si fetar dhe atdhetar. Ai zotronte mirë gjuhën  arabe, turke dhe  persiane. E njihte mirë gramatikën arabe (surfin) dhe sintaksën (nahvin). Ai gjithashtu ishte njohës i mirë i shkencës së “Fikhut” dhe “Feraidit” e cila ka të bëjë me trashëgiminë  sipas dispozitave të sheriatit dhe u përmbahej rigorozisht mësimeve të shkollës hanefite- ishte njohës edhe i shkencës të “tevsirit” dhe “hadihit”, prandaj ishte mjaft i përgatitur si fetar dhe atdhetar, por edhe guximtar i njohur. Shquhet për debatin dhe kundërshtimin ndaj një misionari nga India që kishte ardhur në Mitrovicë me 1936,  i cili në mënyrë të shtrembëruar e interpretonte fenë islame. Ai ishte strehuar në shtëpinë e Sherif Vocës dhe kundërshtonte (refuzonte) të gjitha shkollat juridike islame e për themeluesit e tyre thoshte : “Humur-rixhal ve nahnur-rixhal”, që do të thotë: “ Ata janë burra, e edhe ne jemi burra”. Askush nga hoxhollarët e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë nuk patën guxim  t’i kundërvihen, me përjashtim të Mulla Mustafës, i cili publikisht në shtëpinë e Sherif Vocës, në praninë e shumë hoxhollarëve dhe të parive iu kundërvu misionarit nga India duke e lënë  pa koment, e detyroi që të gjunjëzohet e të pranonte se ajo që pretendonte, nuk ishte ashtu se realiteti ishte krejtësisht ndryshe. Me atë rast Sherif Voca ishte ngritur në këmbë dhe kishte thënë : “ Ku je, he hoxhë i Shalës, e mujte hoxhën e Indisë”!… Pas këtij debati misionarit të Indisë nuk i kishte mbetur vend në Mitrovicë dhe mënjëherë ishte larguar dhe kishte shkuar për Shqipëri…

Pas Luftës së Dytë Botërore mbyllen të gjitha shkollat fetare (medreset) për tu hapur përseri në vitin 1952 medreseja “Alaudin” në Prishtinë. Gjatë këtij ndalimi Mulla Mustafa odën e vet e shndërroi në një lloj medreseje nga e cila dolen shumë hoxhollarë të njohur Ndonse arsimimi fetar ishte i ndaluar me ligj  nga pushteti. Në vitin 1956  kur  filloi shpërngulja masive e shqiptarëv për Turqi, njerëzit vinin të hoxha dhe e pytnin për shpërnguljen. Hoxha u përgjigjej me fjalet: “Shikoni me mua, derisa të jetë vetëm një shqiptar në Kosovë  unë do të qëndroj këtu, e kur mos të ket mbetur asnjë , atëherë edhe unë do të shkoj pas tyre”. Mulla Mustafa ishte kundërshtar i  madh i kësaj ideje. Ai me autoritetin e tij ndikoi që aso kohe nga Shala e Bajgorës të mosshpërngulet askush me përjashtim të vetëm  dy familjeve.  Ishte bashkëluftar dhe mik me Ahmet Selacin (komandant i njohur kundër sistemit komunist ) me të cilin u dallua si luftëtar i madh kundër pushtuesve të popullit shqiptar.

Mulla Mustafë Barja si ideolog dhe trim i madh , në xhaminë e Barës gjatë “vajzit” (ligjeratës)  para “xhematit”  haptas kishte kritikuar dhe sulmuar sistemin komunist. Për qëndrimin e tij kundër pushtetit komunist shihet në dëshminë e vërtetimit nga Sekretariati për Punë të Brendshme (UDBA) në Mitrovicë, nr. 3365 të datës 23.  VII. 1952 ku thuhet:  “Gore imenovani je uvrshen u nepriatele jer je govorio da se treba  boriti protiv komunista i njihove borbe”( i lartëpërmenduri  është i shënuar  në radhën e armiqve, sepse ka folur se duhet të luftohet kundër komunistëve  dhe luftës se tyre)….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok