14/12/2024

MULLA HAKI EF. SERMAXHAJ- VETËM DUKE E LUFTUAR OKUPUESIN DO TË JENI TË VLEFSHËM PËR KOMBIN, ATDHEUN DHE VETEN

0
Mulla-Haki-Sermaxhaj

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1916- nga maltretimet vdiq më 1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Patrioti i madh Mulla Haki ef. Sermaxhaj u lind më 14 tetor 1914 në fshatin Hogosht, komuna e Dardanës (ish Kamenicë). Baba kishte Selim Sermaxhaj dhe nënë Hamiden e lindur Ragipi. Shkollën fillore e kishte kryer në vendlindje, ndërsa Medresenë e filloi në Gjilan dhe e përfundoi në Shkup, më 1940. Në këtë qytet kishte qëndrua mbi 13 vite. Më 1938-1939 kishte kryer shërbimin ushtarak në Valevë, qytet në Serbi, ishte rreshter. Ndërsa nga viti 1940, një kohë kishte punua si mësues feje në Gjilan pastaj edhe si ndihmës i Myderrizit në medresenë e Gjilanit deri në fund të luftës.  Fliste gjuhën shqipe, serbe, turqishten dhe më pak gjuhën arabe. Edhe Mulla Hakiu sikurse edhe shumë atdhetarë të tjerë duke e parë se vendi i tij po gllabërohej nga okupuesi shekullor, ai  angazhohej për të mbrojtur trojet shqiptare. Ishte organizator i mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore, anëtarë i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për nënprefekturën e Gjilanit. Më 1945 i bashkëngjitet Lëvizjes së NDSH-së dhe zgjidhet Kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të kësaj nënprefekture dhe anëtarë i KQ të ONDSH-së në Shkup. Po ashtu Mulla  Haki ef. Sermaxhaj ishte pjesëmarrës i Kongresit të Katërt të ONDSH-së që u mbajt në Shkup më 1 qershor 1946. Me zbulimin e veprimtarisë së ONDSH-së, zbulohej edhe veprimtaria atdhetare e Mulla Haki ef. Sermaxhajt. Arrestohet më 13 tetor 1946 dhe kishte 29 vjet. Ishte i martuar dhe kishte një fëmijë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit me nr. P. Nr. 18/47. Haki  ef. Sermaxhaj ishte arrestua më 13 tetor 1946. Pas arrestimit e dërgojnë në burgun hetues të Ferizajt. Pas maltretimeve e torturave të gjata në burgun e Gjilanit, duke u marr në hetuesi në kohë e pa kohë në orët më të imta të natës. Ai u mor  në pyetje me 4 gusht dhe me 13 tetor 1946. Në pyetje e kishte marr majori serb Dimitrije Kollkoviq, që ishte “ekspert” për dhunë e terrorizim ndaj shqiptarëve. Mulla Haki efendi Sermaxhën e sjellin para gjyqit të dërrmuar dhe të sëmurë nga dhuna që kishin ushtruar ndaj tij. Tregojnë pjesëmarrësit e procesit gjyqësor se ai e kishte shumë të vështir edhe qëndrimin në ulësen e tij në gjyqe. Megjithatë gjyqi kishte filluar procesin gjyqësor në Gjyqin e Qarkut në Gjilan, në përbërje të këshillit penal të përbërë prej kryetarit të gjyqit Zaharije Orgjinikidze dhe anëtarëve të këshillit gjymëtarëve: Stane Damjanoviq dhe Nezir Rrahman Doda, si anëtar të këshillit dhe procesmbajtësit Millorad Nikolletiq në lëndën penale kundër Haki Taibit për shkak të veprave nga neni 3 pika 7, 8 e Ligjit për vepra Penale kundër popullit dhe shtetit, i cili gjendet në paraburgim, ndërsa e mbron Petar Todoroviqi, avokat nga Gjilani, në bazë të hetuesisë së mbajtur më 26 mars 1946, ndërsa aktpadinë e ka përfaqësuar i autorizuari i prokurorisë për Kosovë në Gjilan, Ahmet Mehmeti dhe në bazë të propozimit të padisë përfundimtare ku do të shpallet fajtor, si dhe propozimi i mbrojtësit ndaj të akuzuarit që të jetë i dënuar sa më lehtë, ka marr këtë vendim.

Në procesin gjyqësor të Gjilanit iu shqiptua dënimi prej 20 vitesh burg të rëndë. Duke e akuzuar se ai ishte fajtor se në muajin korrik 1946, kishte vu kontakte me KQ të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup dhe po ashtu ka marrë pjesë në kongresin e IV-të të organizatës, dhe nga anëtarët e saj u caktua anëtarë i Komitetit Qendror të NDSH-es, me seli në Shkup. Po aty, Haki ef. Sermaxhaj  mori edhe udhëzimet e para nga Komiteti Qendror dhe u caktua si përgjegjës për të formuar komitetet e organizatës të NDSH-së në rajonin e Gjilanit nga të cilat më vonë ka dërguar raporte për punën e komiteteve në rrethin e Gjilanit.

Veprimtaria patriotike e Haki ef. Sermaxhaj ishte e shumtë dhe e bujshme. Ai kishte punuar dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me Maliq Sahitin dhe me Rexhep Shemë Dajkocin. Bashkëpunonte ngushtë me Halim Oranën dhe me Kemajl Skenderin. Hakiu gjatë pjesëmarrjes në punimet e kongresit të katërt në Shkup, nga Kemajl Skenderi kishte marrë një proklamatë që ta shpërndaj në Anamoravë. Pas kthimit nga kongresi ai kishte mbajtë një mbledhje me shokët Maliq Sahitin dhe Rexhep Dajkocin, duke iu përcjell direktivat që i kishte marr dhe në atë mbledhje marrin qëndrim që të formohet komiteti i NDSH-së në Gjilan dhe komitetet në fshatra të Anamoravës. Dhe ishte me prioritet që sa më shumë njerëz të angazhojnë në radhët e ONDSH-es. Po ashtu u formua komiteti i rrethit të Gjilanit dhe në të u angazhuan që të tre: Haki ef. Sermaxhaj, Maliq Sahiti dhe Rexhep Shema. Për kryetar u zgjodh Haki ef. Sermaxhaj, ngase ishte i shkolluar  dhe e kishte titullin e Myderrizit.

Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, Haki ef. Sermaxhaj, posa arrin në Gjilan i rreket punëve me përkushtimin më të madh. Me shokët formon komitetet të shumta në terren dhe intensivisht bënin propagandë për përfshirjen e anëtarëve të rinj në organizatën e NDSH-së. Atdhetari Haki ef. Sermaxhaj, shpesh iu thoshte shokëve e popullit se: Vetëm duke luftua armikun, dhe duke qenë në radhët e NDSH-së do të jeni të vlefshëm për kombin, atdheun dhe vetën. Vetëm me anëtarësim në radhët e kësaj organizate do të kryeni një detyrë të shenjët kombëtare dhe do të jemi të lirë nga zgjedha e huaj etj.

Për të funksionuar puna më mirë në terren, ata ndërmorën dhe bënë shumë ndryshime organizative, dëshmon Kemajl Skenderi në hetuesi kur thoshte se: ” Para Kongresit IV komitetet e fshatrave dhe të komunave nga rrethi i Gjilanit ishin të lidhura drejtpërdrejt me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup, e jo me komitetin e rrethit të Gjilanit. Kjo formë pune na pengonte, prandaj prej kongresit të IV, Haki ef.  Sermaxhaj ishte udhëheqës kryesor për rrethin e Gjilanit, dhe në këtë aspekt punët dhe organizimi i punëve ishte më i suksesshëm në çdo drejtim të aktivitetit.

Si obligim tjetër, që morën pjesëmarrësit e kongresit, ishte edhe dokumenti “Skema organizative” dhe “Programi i LPLTSH” që nga një kopje e morën me vete, dhe se secili e kishte për obligim, që në mbledhjet e ardhshme ta diskutojë me anëtarët e tjerë të komiteteve, që ata të japin sugjerime dhe ta shpërndanin ilegalisht në terren. Obligimi ishte që çdo veprim i më vonshëm që do të kryhej si bazë do ta kishte dokumentin në fjalë, të cilit do t’i përmbahen me përpikëri.

Haki ef. Sermaxhaj në Shkup kishte shkua edhe njëherë tjetër, dhe mu atëherë kishte raportua me gojë për punën, formimin dhe angazhimin e komiteteve në  Gjilan dhe rrethin. Ai i kishte informua se gjatë kësaj periudhe kishin arritur që të formonin komitete në komuna dhe shumë fshatra të Gjilanit dhe gjatë kësaj periudhe kishin grumbullua mbi 292 pushkë, 8 mitraloz të lehtë dhe 3 minahedhës në terren. Pas këtij raportimi, aktiviteti i anëtarëve të organizatës shtohet dukshëm dhe si epiqendër e veprimtarisë në këtë anë ishte vet Haki ef. Sermaxhaj. Pas kësaj u shtua aktiviteti  në grumbullimin e ndihmave  si në veshmbathje, në ushqime dhe në armatim për luftëtaret që luftonin në male etj.

Qysh në fillim të vitit 1946, me gjithë angazhimin e forcave të mëdha ushtarake dhe organeve të ndjekjes, me gjithë dhunën, vrasjet, burgosjet, aktiviteti politiko-ushtarak i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave jo vetëm që nuk u shua, por përkundrazi, vazhdoi luftën për lirimin e tokave shqiptare në kushte të reja të riorganizimit. U zgjerua rrjeti organizativ i KQ të ONDSH-së, në Shkup, me formimin e komiteteve të reja në Kosovë e Maqedoni, duke u shndërruar në lëvizje masive. Duhet cekur se edhe vet krerët e OZN-së u detyruan të pranonin se atëbotë në kuadër të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave, të udhëhequr nga KQ i ONDSH-së, vepronin mbi 30.000 mijë veta, ushtar, ndihmëtarë e bashkëluftëtarë, pra anëtarë aktiv, të organizuar në 54 komitetet dhe njësi të shumta guerile në territoret shqiptare nën okupimin jugosllav. Këtë të dhënë e vërteton edhe NDSH-isti i njohur nga Kaçaniku, Rexhep Bunjaku , kur thotë se “Sipas evidencës dhe të dhënave që i kishte sekretari i KQ të NDSH-së në Shkup, në maj të vitit 1946, u theksua se anëtar aktiv të komiteteve të qyteteve dhe të fshatrave janë 30.000 veta”

Në pranverë të vitit 1946, në Gjilan u formua Komiteti i Rrethit i ONDSH-së, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ishte i lidhur me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup. Vlen të spikatet se në këtë komitet ishte përfshirë një numër i madh i intelektualëve të asaj ane, një pjesë e madhe e tregtarëve dhe një numër i konsideruar i nëpunësve, që punonin në organet shtetërore, se fundja edhe në Programin e NDSH-së, ishte e cekur se sa më shumë anëtarë të NDSH-së, të futen në radhët e partisë komuniste, të pushtetit, që sa më lehtë të zbulohen qëllimet e pushtuesit. Vlen të përmendim se anëtarë të Komitetit Qarkor të Gjilanit ishin: Myderriz Haki Efendiu (37 vjeç), Hamdi Berisha (20 vjeç), Maliq Sahit Çollaku (38 vjeç), Mumin Jakupi (30), Ramadan Agushi (26 vjeç), Jakup Malisheva (40 vjeç), Arif Salihu- Rogaçica (40 vjeç), Mulla Riza Osmani ( 42 vjeç) dhe Destan S. Budrika (33 vjeç). Nga radhët e kësaj kryesie, dy anëtar ishin edhe anëtarë të KQ të NDSH-së në Shkup si: Myderriz Haki Taib Efendiu dhe Hamdi Mulla Ymer Berisha. Për nga mosha, anëtarët e Komitetit Qarkor të Gjilanit ishin relativisht të pjekur për të gjykuar dhe relativisht të rinj për të zhvilluar aktivitet në terren.

Sipas të dhënave që kemi, del, se veç ONDSH- që vepronte në Anamoravë, në këtë teren në mënyrë mjaft aktive veproi edhe Komiteti Demokratik i Rinisë Shqiptare e cila kishte shtrirë aktivitetin e saj deri në fshatrat e Dardanës (ish- Kamenicë). Këtë komitet e udhëhiqte Hamdi Berisha, Haki Efendi Sermaxhaj, Ramadan Agushi, Destan Budrika, Jakup Malisheva etj.

Haki ef. Sermaxhaj, pasi se nuk kishte qenë mirë me shëndet edhe në Shkup kishte kërkua që të lirohej prej udhëheqësit të komitetit, por kryesia e KQ të NDSH-së në Shkup kishte marr qëndrim që kërkesën e tij ta shqyrtonin më vonë.

Ndërsa, në mbledhjen që e thirri ai vet, menjëherë, posa u kthye nga Shkupi, myderrizi kërkoi që të lirohet nga pozita e kryetarit të Komitetit Qarkor, duke propozuar që kryetar operativ, të emërohej Rexhep Shemë Dajkoci, personalitet aktiv dhe i vendosur. Myderrizin e donin dhe e çmonin shumë anëtarët e komitetit, megjithëse iu vinte vështir që ai të largohej nga vendi i kryetarit, me sugjerimin e të pranishmëve, Rexhep Shema do të pranojë formalisht postin e kryetarit, sa për ti kryer punët në terren, ku nuk mundte të shkonte Haki Efendiu, kurse kryetar nominal i komitetit, do të mbetet edhe më tutje Myderriz Haki Efendiu . Sipas të dhënave që ekzistojnë, mund të konkludojmë se fal Rexhep Shemës dhe Maliq Sahitit, gati në të gjitha fshatrat e Anamoravës u formuan komitetet e NDSH-së .

Lidhur me mbajtjen e Kongresit të Pestë të NDSH-së, anëtarët e Komitetit Qarkor të Gjilanit dhe anëtarët e tjerë të NDSH-së në Anamoravë ishin njoftuar përmes Kemajl Skenderit. Ky komitet aty nga 21 korriku, kishte mbajtur mbledhjen e kryesisë. Kjo mbledhje është mbajtur në shtëpinë e Maliq Sahitit, po aty u aprovua vendimi për mbajtjen e kongresit. Nga ky Komitet u caktuan edhe delegatët të cilët do të marrin pjesë në të siç ishin: Rexhep Shema- Dajkoci, Hamdi Berisha dhe nëse kishte mundësi Myderriz Haki Efendiu, ndërsa Maliq Çollaku e kishte propozuar edhe Ramadan Agushin, por ky ato ditë nuk kishte qenë mirë me shëndet, prandaj edhe nuk kishte mundur të marri pjesë në Kongres, ku do të mblidheshin krerët e ilegales shqiptare.

Situata e krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufirit, dhe gjendja e rëndë për shqiptarët që ngelën jashtë shtetit amë – Shqipërisë, imponoi që brenda një kohe të shkurtër LNDSH-ja, të mbante tre kongrese. Kongresi V , u thirr të mbahet më 25 qershor 1946 në malet e Blinajës së Drenicës, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë që u përdor nga ana e udhëheqësish së NDSH-së, pati sukses, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në kongres merrnin pjesë mbi 250 delegatë, andaj edhe llogaritet se ishte më masivi në ilegalen shqiptare të Kosovës.

Në gjysmën e dytë të vitit 1945-1946, organet e ndjekjes duke parë aktivitetin e shtuar të forcave të rezistencës, filluan të shtojnë ndjekjet dhe ndërruan taktikën e të hetuarit. Po në këtë vit, organet e ndjekjes arritën gati-gati të depërtojnë në të gjitha grupet, që vepronin në ilegalitet. Kështu sipas disa të dhënave thuhej se për një kohë të shkurtër u likuiduan 15, dhe u plagosën 12 prijës dhe personalitete të rëndësishme të grupeve të armatosura që bënin rezistencë të hapur kundër okupuesit. Me qëllim që në mbarim të vitit 1946 të kalohet në aksione të gjëra kundër lëvizjes së rezistencës. Aksionet më vonë vazhduan me arrestimin e jatakëve dhe mobilizimin e gjerë të masave popullore të shoqëruara me aksione urgjente ushtarake.

Në prag të mbajtjes së Kongresit, më 14 korrik, 1946, burgoset Hamdi Berisha dhe dy ditë më vonë arrestohet pjesa më e madhe e anëtarëve të KQ të ONDSH-së në Shkup, prandaj në Kongresin e Blinajës si përfaqësues i Komitetit të Rrethit të Gjilanit morri pjesë vetëm Rexhep Shema, kurse në emër të veprimtarëve të NDSH-së të anës së Dardanës, me propozimin e Rexhep Shemës , mori pjesë Bajram Kryeziu nga Rogana (Rogaçica). Ndërkaq në emër të forcave të armatosura të rezistencës së Kosovës Lindore mori pjesë Shytë Mareci, me 3-4 përcjellës.

Gjykimi i Haki ef. Sermaxhës u mbajt ndaras nga grupi i tij ngase hetuesit e kishin malltretuar dhe rrahur brutalisht dhe ai ishte shumë keq me shëndet. Ishte i shtrirë në spitalin e Gjilanit dhe kishte humbur shumë në peshë. Procesi gjyqësor që u mbajt me  26 mars 1947, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ndërsa aktgjykimi me numër P. Nr. 18/47 u shpall me 27 mars 1947. Pas shqiptimit të dënimit, atë e dërgojnë për mbajtjen e burgut, në burgun më famëkeq në  Mitrovicë të Sremit. Nga maltretimet e  mëdha që pati nga gardianet dhe nga mungesa e kujdesit mjekësor dhe nga kushtet tejet të vështira, atdhetari Myderriz Haki  ef. Sermaxhaj, vdes më 27 mars 1948, vetëm pas 8-9 muajve qëndrimi në spitalin e Burgut të Mitrovicës së Sremit. U varros nga shokët e burgut në varrezat e Burgut të Mitrovicës së Sremit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok