21/12/2024

MUHAMMED YUNUS KREU I RI I QEVERISË SË PËRKOHSHME TË BANGLADESHIT DHE SHQIPTARËT

0
Mohammed-Yunus

“Bankieri i të varfërve”, Profesor Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqes për vitin 2006, duke folur në darkën gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, pasi iu dorëzua “Çmimi për Arritje Jetësore”, me 17 shtator, 2013 në Nju Jork

Nga Frank Shkreli

Mediat botërore njoftojnë se Profesori Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqës për vitin 2006, arrijti në Bangladesh për të bërë betimin si udhëheqës i përkohshëm i atij vendi.  Z. Yunus, në moshën 84-vjeçare, arrijti në vendin e tij, vetëm disa ditë pasi Kryeministrja Sheikh Hasina – gruaja që ka qeverisur Bangladeshin me një dorë të hekurt autoritare për 15 vjet – u detyrua të hiqte dorë nga detyra e saj dhe të largohej nga vendi pas prtoestave më mëdha popullore që kërkonin largimin e saj.  Ajo u detyrua të jepte dorëheqje nga detyra e Kryeministres pas protestave të forta kundër qeverisë së saj. Protestat shpesh të dhunshme, të udhëhequra nga studentët – prej të cilave mbetën të vrarë qindra protestues — u ashpërsuan, për fat të keq, dita ditës përball refuzimit të Kryeministres Hasina të jepte dorëheqjen.

Një prej kërkesave kryesore të protestave të udhëhequra nga studentët ishte që Profesori Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqe (2006) të emërohej në krye të qeverisë së përkohshme – me shpresën se i ashtuquajturi “bankieri i të varfërve”, do të rivendos demokracinë në Bangladesh pas disa viteve të një regjimi autokrat në atë vend.  Sipas lajmeve në mediat botërore, vendimi për të emruar Profesorin Yunus në krye të qeverisë së përkohshme është marrë pas një takimi konsultimesh midis Presidentit të vendit, Mohammad Shahabuddin, udhëheqsve ushtarakë dhe udhëheqësve të studentëve protestues kundër regjimit të kryeministres së vendit.

Në një deklaratë mbi zhvillimet e fundit dramatike politike në vendin e tij, Profesori Yunus përshëndeti “Studentët trima të cilët dolën në krye të përpjekjeve për të bërë të mundur Ditën e dytë të Fitores”, dhe falënderoi “popullin që i dha atyre mbështetjen e plotë”. “Le ta përdorim”, shtoi ai, “fitoren tonë të re” ndërsa u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të qetë dhe të “përmbahen nga çdo lloj dhune”.  Ai ftoi të gjitha partitë politike por dhe të gjithë ata që nuk merren me politikë që të jenë të qetë gjatë kësaj periudhe të vështirë në historinë e vendit të tij. “Ky është vendi ynë i bukur, që ofron shumë mundësi të shkëlqyeshme. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta bejmë edhe më të bukur për të gjithë ne dhe për brezat e ardhëshëm”, tha ndër të tjera udhëheqsi i emëruar për të qeverisur përkohsisht vendin dhe për të organizuar zgjedhje te reja.

Profesorit Yunus, i njohur anë e mbanë botës si “Bankieri i të varfërve”, iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2006, pikërisht, për ndihmën — që nepërmjet bankës së tij Grameen Bank, të cilën ai e themeloi në vitin 1983 — u jepte miliona njerëzve mundësinë që të dilnin nga varfëria, e të cilët nuk kishin mundësi të përdornin bankat e zakonta për marrje kredishë.  Ishte, pikërisht, ky program mikro-financimesh, veçanërisht për femrat, që frymëzoi projekte të ndryshme mikrofinancimesh në dyzina vendesh në botë –- e që tërhoqi vëmendjen dhe eventualisht edhe mbështetje nga shumë udhëheqës botërorë, gjatë viteve.

Në rregull, mund të thotë dikush, por çfarë ka të bëjë me Shqipërinë dhe me shqiptarët ky bankier i të varfërve, fitues i Çmimit Nobel për paqe, me origjinë nga Bangladeshi?  Ishte Janari i vitit 2013. Profesori Yunus, si fitues i Çmimit Nobel për paqe, falë ideve të tija të kredive mikro për shtresat e varfëra të shoqërisë, konsiderohej si një prej 100-personaliteteve më të njohura në botë. Në vitin 2011, qeveria shqiptare i kishte bërë ftesë atij të vizitonte Shqipërinë për të parë nga afër se si po zbatohej në praktikë teoria e tij e ndihmës teknike për hapjen e bizneseve shoqërore për shtresat më në nevojë të atij vendi.

Unë nuk di, pasi nuk e kam ndjekur zbatimin e këtij programi gjatë viteve në Shqipëri, por më kujtohet se në atë kohë komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me organizatën më të fortë për nja dy dekada në Washington – Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) — e mbështeti idenë e projekteve në Shqipëri të mikrofinancimeve të Bankës së themeluar nga Profesor Yunus. Mos gabofsha, sikur kjo nismë ka filluar të zbatohej në prill të vitit të vitit 2011-12, kur, aktualisht, nisën të mbështeteshin dhe të hapeshin të ashtuquajturat bizneset e para sociale në Shqipëri.

Për të inkurajuar vazhdimin e këtij programi në Shqipëri, por jo vetëm, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) kishte vendosur të ftojë Profesorin Yunus që të takohej me përfaqsuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke i akorduar atij, “Çmimin Për Arritje Jetësore”, në darkën vjetore gala, në shtator të vitit 2013. Ashtu siç ishte traditë çdo vit, NAAC kishte ftuar në atë darkë udhëheqsit politikë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur në Nju York për mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.  Morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, kryebashkiakja e Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa, mndër të tjerë.

Atë natë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqës, Muhammad Yunus, si persona që kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen.  Me atë rast, Mohammed Yunus, foli para qindra shqiptaro-amerikanëve duke shpjeguar programin e tij bankar nepërmjet shembujve konkretë se si funksionon programi i tij për kredi të vogla, për të varfërit.  Profesori Yunus para audiencës në darkën e NAAC-ut qe shprehur optimist për interesimin – sidomos nga të rinjtë në Shqipëri — për këtë lloj biznesi shoqëror duke shtuar se, fillimisht kishte vërejtur një entuiziazëm shumë të madh në Shqipëri, në atë kohë.

Unë nuk mund të vlerësoj programin dhe projektet e zhvilluara në Shqipëri gjatë viteve nga Banka e Profesorit Yunus Mohammad — pasi siç thashë më lartë, nuk e kam ndjekur — por e dij se ai vet ishte shumë i interesuar për të ndihmuar Shqipërinë në atë kohë, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me organizatën Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) ishte serioz në mbështetjen e projekteve mikrofinanciare të tij që ai kishte në plan për Shqipërinë.

Për mirë ose për keq, kjo ishte lidhja e udhëheqsit të ri të përkohëshëm të Bangladeshit me Shqipërinë dhe shqiptarët – nepërmjet komunitetit shqiptaro-amerikan,  kryesuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Është gjithashtu e vështirë të thuhet nëse emërimi tij në krye të qeverisë së Bangadeshit është diçka e mirë ose jo për të personalisht dhe për vendin e tij në këtë periudhë të vështirë politike. Çmimi Nobel për Paqe që i është dhenë atij për punën në fushën e mikrofinancës, nuk besoj se i garanton atij ose vendit të tij sukses në fushën politike.  Por ajo që unë besoj është se edhe në një vend, megjithë problemet e mëdha politike, korrupsionit dhe varfërisë së madhe me të cilat përballet një shtet, siç është Bangladeshi – gjithmonë ka mundësi dhe shpresë për ndryshime pozitive. Kjo është edhe arsyeja që protestuesit bangadeshas, të udhëhequr nga studentët, nepërmjet protestash kërkuan kthimin në atdhe të Profesor Yunus Mohammed në krye të qeverisë së përkohëshme, me qëllim për të bërë ndryshimet e nevojshme politike dhe ekonomike, nepërmjet zgjedhjeve të lira dhe drejta.

Frank Shkreli* –*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok