03/12/2024
Mozaik me Gjak

Nga Edison Ypi

Një babi me çupën adoleshente për dore.

-Cilët janë ata xhaxhat atje lart mbi Muzeun Kombëtar o babi?

Janë pështirosja estetike dhe historike më e ndyrë dhe më e pështirë që më bën të vjellë sa herë e shoh, o bija ime. Në këtë pocaqi me pllakëza, 1% e Historisë 3 mijë vjeçare të Shqipërisë që përbën pjesën më kriminale dhe më të turpshme të asaj historie, zë 70 % të sipërfaqes së këtij mozaiku. Nga Perëndimi errësira. Drita dhe perspektiva nga Lindja. Botës i janë drejtuar armët. E gjitha duket si yxhym, si shpërthim. Dhjetë meshkuj, tre femra. Asnjë normal. Të gjithë të çartallosur, të armatosur. Asnjë gjurmë besimi, përdëllimi, meditimi, vetëpërmbajtjeje, apo thjesht qetësie njerëzore. Meshkujt, ai i dyti nga e djathta, ai hermafroditi me pushkë, ishte një zagar që i thoshin “Revolucionari”. Budallai me mustaqe me grushtin lart me granatë në brez, ishte një fshatar aq gdhë sa s’po ta rrëfej se luan mendsh. Tjetrit, atij me mustaqe dhe flamur, një i pa shpirt si i tërë ky mozaik, i thoshin “proletari”. “Proletari”, një qen-bir-qeni që s’dinte të bënte asnjë punë, veçse të llapte dhe të thurte intriga të ulëta, ka qenë i armatosur me një libër të kuq të cilin ia hoqën kur ti sapo kishe lindur. Proletari zhabulan që e quante veten “klasë në fuqi”, u thoshte vajzave; “O bushtra, mos përdorni pampersa borgjeze, përdorni lecka proletare”, dhe ai zgërdhihej, dhe ato heshtnin. Me atë rilindasin me papion që mban në dorë një letër të cilën ia kanë mbledhur tub që t’i ngjajë tytës së pushkës, një herë na gjeti belaja. Një kushëririt tonë i rrëshqiti goja u tha disa miqve se ai rilindas besonte Perëndinë. Mbledhje pas mbledhje, po si e the, po kur e the, po kujt ja the, ke lakra në kokë, je i paqartë politikisht, e ke kokën plot me mbeturina të rrezikshme mikroborgjeze. Ti shpirti i babit nuk e njeh atë kushëri. Ta kemi mbajtur fshehur. Në një nga ato mbledhjet kushuririt i ndali zemra ulur në karrige tek e kritikonin në një mbledhje kolektivi. Mirë bëri. Po të mos kish vdekur do ta burgosnin. Po atëherë, xhaxhain e një mikeshës time që ishte historian, e internuan sepse u ngatërrua me atë ilirin me hark dhe shtizë. Me atë në cep nga e majta pranë atij kokëlakrës që nuk ngjan si shqiptar por si viking. Edhe ai, njëlloj si kushëriri që nuk e njohe kurrë, tha diku se ilirët ndoshta nuk rrjedhin nga pellazgët. Kaq deshën akademikët, zemërnxirët, shpirtkatranët, dhe e kallëzuan, dhe erdhën i vunë hekurat. Ai pisllëk atje lart o perria e babit, është një pasaportë çmendurie kombëtare për të cilën ca hajvanë po thonë ta lemë aty ku është që të dëshmojmë Historinë, që të kenë ç’të fotografojnë turistat. Pra, të vinë turistët para kësaj vrrome me çapaçulë të thonë; “O Perëndi ç’të kemi bërë që na solle të shpenzojmë paratë në vendin e budallenjve vrasës”. Janë ata të teatrove dhe filmave me puntorë dhe fshatarë të lumtur, italianë qesharakë dhe gjermanë budallenj, që po thonë se ky mozaqik nuk duhet hequr. Unë, o bija ime, nuk kam qenë gjithmonë si jam katandisur. Kur isha i ri dhe i bukur, njëra nga ato komunistet që sheh këtu lart në këtë përdhosje, njëra të cilën unë s’e përfillja, bëri një intrigë kundër meje lidhur me atë kushëririn të cilit i pushoi zemra ulur në karrige. Ajo mute u bë sebep që nuk munda të marr për grua atë që desha, por, nga halli, mora atë e cila për këta përbindëshat këtu ka simpati, atë copën e mishit që ti e njeh mirë dhe e do shumë, mamin tënd. Kjo është arsyeja që ti sot duke mos qenë Bijë Pasioni dukesh si një thes me mish dhe surratin e ke si byrek me hithra.

Një mami me të birin adoleshent;

-Cilat janë ato tetat atje o mami?

-Ta kallxon mami ty cilat janë ato bushtrat e muzeut. Ja ku i ke; Tre femra, të tria me pushkë ndër duar. Ajo nga e djathta ishte një budallaqe aq e neveritshme sa s’bën ta dish se çekuilibrohesh mendërisht për tër’ jetën. Ajo katundarja që e mban pushkën poshtë, nuk ka ekzistuar, ishte imazh propagandistik. Kjo në mes, që duket si e pafajshme, ishte aq edepsëze sa një të tillë nuk e gjen dot në asnjë çmendinë. Pafuqia, paturpësia, dhuna, përulja, padituria, padrejtësia, frikacakllëku, burracakllëku, janë të gjitha atje në atë helm me pllakëza. Sipas kriminelëve gjoja “artistë” që e kanë bërë, deri nga mesi i shekullit të kaluar shqiptarët nuk kanë pasur fare femra, nëna, motra, bija, kushërira, të dashura, dhe seksin nuk e kanë ditur çfarë ishte. Erdhi u a mësoi ai kafsha, ai proletari në mes me xhaketën mbi sup. Nga mesi i shekullit të kaluar e tëhu, tre femra ndër trembëdhjetë personazhet e historisë. Është e gjitha një rrënqethje antiestetike shtazarake; Shpërpjesëtimi i kohës – ngërç Ainshtainian. Katër femra tetë meshkuj – paradoks Darvinian. Burra me mustaqe gra me pushkë – problem Frojdian. Proletar vetëm një, kazmë e lopatë asnjë – hall Marksist. I therur asnjë – pisk Stalinist. Një spiunllëk i ndyrë që ai proletari i gërrditshëm bëri në dëmin tim ngaqë më kishte qef, u bë shkak që u martova me babin tënd, me atë budallanë që vjen e loton këtu sepse kjo pamje i pëlqen, dhe jo me atë që e desha dhe që i thoshin “me biografi të keqe”. Kjo është arsyeja o biri im, që ti nuk je fort i fisëm, ecën si orangutang, koka të ka dalë me qoshe, dhe më pyet për këtë mozaik me gjak, këtë shëmti, këtë vrromë, këtë mënxyrë, këtë llaftari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok