14/12/2024

Mos e ndani Albinin nga Vjosa dhe Donika!

0
Florim-Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa

Thurja e lavdeve të parakohshme për pushtetarët e rinjë, mbjellë iluzione tek qytetarët dhe shkakton mendjemadhësi tek politikanët e sapozgjedhur, akoma pa u akomoduar mirë në kolltuqet e tyre. Vlera e një politikani matet me mbajtjen e premtimeve dhe konsistencën e qëndrimeve politike e jo në bazë të lavdatave dhe prezencës mediatike.

Pse ne shqiptarët nuk dimë të lavdojmë dhe as kritikojmë!?

Sepse lavdatat kemi dëshirë t’i personalizojmë, ndërsa kritikat t’i gjeneralizojmë!

Sikurse për një sukses të përbashkët, që meritat u takojnë të gjithëve, edhe në rast të dështimit përgjegjësit janë të përbashkëta.

Sikurse çdo gjë tjetër, edhe lavdatat e kanë kohën e vet.

Çdo gjë që shkruajmë dhe themi në kohë fushate zgjedhore për një politikan (e) është në suazat e normales, por jo edhe pas zgjedhjeve, për shkak të kundërefektit dhe monotonisë.

Duke i lexuar dhe dëgjuar lavdatat e disa “rugovistëve” për Vjosen dhe Donikën si shpëtimtare të vendit pa e përmendur fare Albin Kurtin si protagonistin dhe më meritorin për suksesin e tyre, njeriu i zakonshëm e krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me dy realitete të ndara të një liste të vetme zgjedhore.

Për aq sa është e lidhur ngusht fitorja e Albin Kurtit me Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën, po aq është e lidhur fitorja e LVV-së me LDK-në dhe anasjelltas!

Pa votat e LDK-së, LVV-ja nuk do të fitonte kaq bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe as Vjosa Osmani nuk do t’i merrte më shumë se 100 mijë vota të elektoratit të LDK-së.

Nuk është se po e shpiki unë “ujin e nxehtë”, por këtë të vërtetë e tashmë e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Krahasime përtej imagjinatë njerëzore

Të anashkalohet në lavdata Albin Kurti dhe të ekzagjerohet me glorifikime për Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën, jo vetëm që është pandershmëri, është edhe mëkat njerëzorë.

Madje në disa raste lavdatat glorifikuese shkojnë përtej imagjinates njerëzore, duke i krahasuar zonjat e nderuara me të pakrahasueshmin dhe të paarritshmin Ibrahim Rugova!

Krahasimet e tilla përveqse banale, janë fyese për personalitetin e Ibrahim Rugovës, për shkak se ai asnjëherë nuk iu ka vardisur një ideali tjetër politik dhe as që iu ka nënshtruar presioneve të brendshme dhe të jashtme (ndërkombëtare) për ndryshimin e vizionit politik në shtetformimin e Kosovës.

Përderisa dy zonjat e nderuara, në veçanti Vjosa Osmani u zhvesh tërësisht nga ideologjia partiake dhe filozofia politike e Ibrahim Rugovës për kënaqjen e egos personale për t’u bërë presidente në njërën anë dhe për ruajtjen e besnikërisë ndaj Albin Kurtit në anën tjetër, ky i fundit, edhe pse përplot me hipokrizi, për të mos thënë ndryshe, u shndërru në vizitorin numër 1 tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin deri dje e injoronte në tërësinë e tij!

Sakrificat e dyanshme për pushtet

Përderisa Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla për Albin Kurtin rrezikuan të treten si personalitete politike, Albin Kurti e rrezikoi pushtetin e tij për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente!

Pa “zemërgjërësinë dhe gjenerozitetin” e LDK-së, sot as Vjosa Osmani nuk do të ishte presidente dhe as Albin Kurti sot nuk do t’i ishte i gjithëpushtetshmi në Republikën e Kosovës.

Si rezultat i këtyre veprimeve, qytetarët e Kosovës, e në veçanti elektorati i LDK-së nuk e kanë ende të qartë, se a është LDK-ja levë e pushtetarëve të rinjë apo e opozitës kosovare.

Për këtë arsye, të gjithë adhuruesit e Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës, në momentin që e vendosin t’u thurin lavdata zonjave në fjalë, pa tjetër duhet t’i falenderohen Albin Kurtit, më meritorit për postet që ato sot i gëzojnë, pa e harruar asnjëherë amëzën e tyre-LDK-në.

Për dallim nga “rugovistët”, militantët e LVV-së në lavdatat e tyre për Albin Kurtin nuk i ndajnë as Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën!

Mos e ndani as ju “rugovist” Albinin nga Vjosa dhe Donika!

Pas daljes së Adem Demaçit nga burgu, filluan t’i thuren këngë dhe lavde, ai kishte reaguar në këtë mënyrë; “Është herët për t’i kënduar Adem Demaçit, nuk i dihet jetës, sot jam i mirë, nesër mund të bëjë gabime…”

Prandaj, është mirë ta presim fundin e mandatit politik të kësaj qeverie dhe kësaj presidentje, pastaj t’ua këndojmë këngën që e meritojnë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok