Monumenti i kultit saksono-gjerman në Artanë (Nuovabarda, Nouvamonte) i njohur së paku nga shek. XIII-XIV!
Nga Jahja Drançolli
Monument i kultit në fjalë në lidhje me dokumentacionin, që doli nga konservimi i vitit 1955 zotëronte këto dimensione: 27,70 x 12, 60. Ndërsa, sipas argjipeshkvit të Tivarit Marin Bici, i cili kishte vizituar këtë në vitin 1610, monumenti në fjalë ka mundur ti zinte rreth 3000 besimtarë. Emri i tij, siç e ndeshim në dokumentet e kohës, Shën Mëria ose kisha sase (Santa Maria chiesa canonicale in Nouamonte), u bë i njohur në botë edhe sipas shërbimit aty të humanistit Martin Segoni (?-1485). ). Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu janë njoftimet nga dorëshkrimet të cilat zbulojnë vetëm fillimin dhe fundin e rrugëtimit të jetës së Segonit. Fillimi ndërlidhet me Artanën, ku lindi në shtëpinë e t’et, Gjon Segonit, dhe fundi me Ulqinin (1482-1485). Duke bërë kërkime e arkivore në Padova për arbërit në Universitetin e Padovës, kam pasur privilegj, për të ndeshur me njoftime që shpiejnë në veprimatrinë e Segonit në Universitetin e Padovës gjatë viteve 1474-1475. Në universitetin e kësaj qendre të madhe të kohës, kishte mbaruar studimet dhe në shkurt të vitit 1475 kishte mbrojtur doktoratën nga e drejta kanonike. Jo vetëm në atë kohë, por edhe disa dekada më parë u bën të njohura marrëdhëniet në mes të Artanës dhe Universitetit të njohur në Padova. Brenda këtij kuadri Martin Segoni, njëri ndër humanistët më i cituar i kohës për tema të luftës, në latinishtën vulgare kishte shkruar dorëshskrimin e shkurtër kushtuar Skënderbeut: “Tregim mbi Gjergj Kastriotin […], i quajtur Skander Beg, Aleksandri i Madh”. Përveç këtij dorëshkrimi janë të njohura edhe disa shkrime të Segonit në latinisht në të cilat bëhet fjalë për rrugët e Eurpës Juglindore, si, rrugët që shpien për në Kosovën e sotme, të cilën e quan Dardani; rruga Egnatia, e cila që nga Durrësi dhe Apollonia shpie për në Lindje. Gjithashu, në dorëshkrimet e Segonit ndeshim njoftime për trevat e Arbërisë Veriore dhe Jugore.