22/12/2024

Monstruozitetet që i kërkon apo i duartroket turma

0
Avdulla-Hoti

Nga Prof. Blerim Latifi

Njeriu që thërriste në facebook për kositjen e kokës së Avdullah Hotit, në gjykatë gjunjëzohet dhe me lot në sy i kërkon falje atij.

Si mund të shpjegohen këto dy situata, në të cilat protagonisti është i njëjtë?

Rrjetet sociale kanë kriju kushtet e një skizofrenie masive. Ato e kanë çarë në dy e më shumë pjesë karakterin e njeriut. E kanë bërë njeriun skizofren. Ky njeri ndryshe sillet, mendon dhe flet në komunikimin virtual të rrjeteve sociale, e ndryshe në komunikimin real face to face.

Në rrafshin virtual ku ligjet klasike të moralitetit janë duke vuajtur krizën e anomisë, ky njeri shfaqet si egërsirë që vret e pret pa iu dridhur çerpiku, ndërsa në rrafshin e socialitetit real, i njëjti shfaqet si një qenie që as mizën nuk do ta shkelte.

Mbase në analizë do të na ndihmonte ajo që thotë Aristoteli këtu e 2300 vjet më parë: njeriu brenda ligjit është qenia më e mrekullueshme midis krejt qenieve të gjalla; jashtë ligjit ai ua kalon të gjitha egërsirave.

Studiuesit e psikologjisë së turmave prej kohësh kanë hetuar se sjelljet skizofrenike të njeriut determinohen nga raporti i tij me turmat e grupet. Kur njeriu shkrihet brenda turmës, sjellja e tij ndryshon, arsyetimet e tij si individ zhduken nën efektin e emocionit kolektiv, dhe hezitimet e frikërat e tij individuale ia lëshojnë vendin guximit iracional. Në këto rrethana ai bëhet i aftë t’i kryej të gjitha monstruozitetet, të cilat i kërkon apo i duartroket turma.

Të tjerë fokusohen tek funksioni hipnotizues i ideologjive ekstreme. Ato i hipnotizojnë njerëzit me përmbajtjet e tyre mesianike e profetike. I shndërrojnë në qenie të paafta për të menduar me kokën e tyre dhe, rrjedhimisht, në vegla që dinë t’i bëjnë vetëm dy gjëra: të shpërndajnë dashuri të pafundme për grupin ideologjik a fetar të cilit i përkasin dhe urrejtje të pafundme për grupet rivale.

Rrjetet sociale u kanë kriju mundësi të pafundme këtyre llojeve të manipulimit me shpirtin njerëzor. Ato e kanë masivizu skizofreninë dhe delikuencën. Me fjalë të tjera: e kanë çmendur botën, të cilën mendohej se do ta iluminonin. Në këtë kontekst filozofia, psikologjia klinike dhe psikiatria janë para detyrave të reja. Si kurrë më parë bota ka me pasë nevojë për to.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok