Monolog mes një burri dhe një gruaje
(pjesë me dy akte)
Nga Kujtim Morina
Gruaja: Kam parë një ëndërr mbrëmë sikur i kishe bërë një dhuratë të majme njërës për vit të ri. Nuk ia mësova emrin por të pashë që e kishe përgatitur dhe po ia çoje.
Burri: Hahaha! Dhe ti e merr seriozisht?
Gruaja: Po, seriozisht e marr. Se sa herë kam parë diçka në ëndërr, më ka dalë pastaj në të vërtetë.
Burri: Është ëndërr oj grua. Nuk përbën provë.
Gruaja; Po të paralajmëroj, po qe e vërtetë, gjej vrimë ku të futesh. Se jam lodhur me ty e njerëzit e tu.
Burri: Qetësohu tani. Po të bëj bé se nuk i kam bërë dhuratë askujt.
Gruaja: Jo se tani është Viti i Ri. Tregohesh i kursyer me gruan por të tjerave vuuu. Kur duhet të jetë e kundërta. Ta mbash gruan mirë njëherë pastaj edhe ato të tjerat.
Burri: A do të vish, të pimë kafe?
Gruaja: Me ty!. Tradhëtar! Harroje.
Burri: Po iki atëhere.
Gruaja: E shikon, po ikën se ndiehesh fajtor!
Burri: Këtë historinë tënde do ta bëj tregim.
Gruaja: Fëlliqu më shumë se ç’je. Guxo e bëje. Jam e sigurtë se herët a vonë do t’i dalë era kësaj gjëje.
Burri: Mos e vraj mendjen grua.
Gruaja: Jo, se kështu më ndodhi edhe vjet me ty. Të paralajmërova dhe pastaj të lexova mesazhin.
Burri: Po ai ishte mesazh urimi.
Gruaja: Ishte me nënkuptime. Nuk ishte si mesazhet e tjera. Ç’do me të, kur nuk i shkruan tërë vitin.
Gruaja: Pse ke shikim fajtori? E kam gjithçka të faktuar, nuk kam halucinacione.
Burri. S’kishte asgjë të vërtetë grua.
Gruaja: Po të paralajmëroj edhe njëherë, mblidhe mendjen ose ndryshe nuk më sheh më këtu. Merresh me kurvat e dynjasë që janë plaka tashmë.
Burri: Hahaha!
Gruaja: Mos qesh. Nuk e ke më atë liri të shfrenuar. Mos të martoheshe.
Burri: Mos i beso ëndrrave oj grua. Edhe nëse ndodh diçka e vërtetë, dysho, jo më…
Gruaja: Jo more! Kur do të zësh mend ti! Ngele adoleshent tërë jetën.
Ditën tjetër në mëngjes
Burri: Grua, pashë një ëndërr sikur po dilje me një burrë. Ishe veshur bukur, po çuçuritnit diçka me zë të ulët.
Gruaja: Nuk më thirre?
Burri: Të thirra por ti nuk më dëgjove.
Gruaja: Sa i poshtër! Këto janë sajesa për ëndrrën që pashë unë dje.
Burri: Jo, nuk janë sajesa. Është e vërtetë ëndrra.
Gruaja: Po kur u ktheva?
Burri: Nuk e di kur u ktheve, e di kur ike.
Gruaja: Po si nuk reagon. E le gruan që shkon me burrin e huaj dhe nuk flet një fjalë?
Burri: Reagova por ti ishe në qiellin e shtatë. Nuk ma vure veshin.
Gruaja: Po nga shkuam?
Burri: Po shkonit në drejtim të parkut. Pastaj nuk mbaj mend më.
Gruaja: Sa i shpifur që je? Për këtë thonin herët, burri duhet burrë, jo qullac si ti.
Burri: Pse çfarë të bëja unë, të gjuaja me allti?
Gruaja: Jo me allti por as pa reagim fare ashtu.
Gruaja: Përse nuk më zgjove kur të doli gjumi?
Burri: Më erdhi keq të ta prish gjumin.
Gruaja: Nuk u acarove nga ajo që pe?
Burri: Nuk më erdhi mirë por thashë, lëre se është ëndërr.
Gruaja: Po a e di se ëndrrën dhe zhgëndrrën i ndan një fije e hollë peri?
Burri: E di por u luta, mbaje zot vetëm në ëndërr, mos e kthe në të vërtetë.
Gruaja: E sheh, kur nuk je i zoti, të marrin edhe gruan.
Burri: Vetëm nëse do ajo vetë.
Gruaja: Kush ishte ai burrë, ishte i ri apo i vjetër?
Burri. Si moshë mesatare dukej, nuk ia dalloja qartë konturet
Gruaja: Nuk ishte i ri, lëre fare.
Burri: Me sa pashë, nuk ishte aq i ri.
Gruaja: A kishte makinë të mirë apo jo?
Burri: Me siguri duhet të kishte por unë pashë që po dilnit nga shtëpia, nuk ju ndoqa deri në fund.
Gruaja: Hajde burrë hajde. Të ikën gruaja me një burrë tjetër dhe nuk i vihesh në ndjekje.
Burri: Hë mo se ëndërr ishte.
Gruaja: Jo po ëndërr por mund të ndodhë edhe në të vërtetë dhe ti nuk e luan gishtin.
Burri: Kur do vetë gruaja, çfarë të bësh
Gruaja: Ëndrrat e tua që i lë gjërat në mes. Ashtu si në jetë.