“Mjerimi s’don mëshirë, por don veç të drejtë”
Nga Albert Vataj
Ky varg i gjëmimshëm vazhdon të godasë plot pezëm e tërsëllëm ndërgjegjien e topitur të qytetërimit, të tashmen apatike të shpirtrave të drobitur nga dhembshuria dhe virtuoziteti mizor i mjeshtrave të së keqes.
Mëshira, bujaria, altruizmi, zemërbardhësisë; nga gjeste humanitare kanë marrë atributet e spektaklit tragjik. Individë, grupe dhe emisione televizive po pasurojnë deri në më të pështirën manifestim, butaforinë e bamirësisë dhe spektaklin e turpit. Po lind kështu shteti i mizerjes, shteti i së drejtës për ta ndjerë privilegj fatin e keq të të qenit i varfër.
Situata ka qenë dhe vijon të bëhet gjithnjë e më kritike. Në sytë që nuk shohin dhe veshët që nuk dëgjojnë; hekakeqe, e molisur, e verdhemtë dhe e shëmtuar, shpërfaq fytyrën e vet skamja, rreket t’i jepet rrokaqiejve të një britme të thekshme ankimi. Politika herë zgjedh të bëjë atin zemërdhembshur e nënën vetëmohuese, herë mjeshtrin e manipulimit dhe propagandës, por pa mundur dot të zgjedhë atë për të cilën obligohet; të dëshmojë dorën e plotpushtetshme dhe forcën e shtetbërjes dhe dalëzotjes së sovranit, të transformimit të territ në dritë, të mëshirës në drejtësi, të bujarisë në mundësi.
Njerëzit bujarë kanë hapur zemrat, duke i bërë vend përmes bujarisë, tragjikes së shumë njerëzve në nevojë. Një makineri mëshire gjëmon si një përbindësh alarmi, qyteteve, fshatrave, rrugëve, jetëve të njerëzve, të cilët rënkojnë. Fryma e së keqes së mjerimit bëhet padashur një “trend”. Një dorë që shtrihet të japë ndihmë, por pa dashur ajo vret tek ata çdo vullnet dhe forcë për të sfiduar, për t’i bërë ballë vështirësive të jetës, të cilat janë jo më pak të mëshirshme për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë zë të klithin, nuk kanë forcë të zvarriten, por kanë zgjedhur të ndeshen dhëmb për dhëmb.
Nuk më shqitet nga mëndja dëshmia plot trishtim e dhimbje e një kolegeje, e cila kujton me pikëllim dhe mirënjohje çastin e ndarjes përgjithmonë me të atin, të cilit ditë më vonë i gjeti në xhepin e xhaketës një copë presh, me të cilën ai shuante urinë për të mos privuar asnjë nga fëmijët e tij që të shkollohen. Babai im, sa mbaj mend, kurrë nuk e përfundoi racionin e bukës që nëna i jepte me vete, për ta bashkëndarë atë me ne. Jo fort vite të largëta në përballjen me shanset e Tiranës, për muaj të tërë më është dashur të fle në karrige dhe të ushqehem një herë në ditë dhe nuk pata kohë t’i ankohem as atij që më detyrohej, as fatit që po sillej kaq pamëshirshëm me mua, por nuk harrova anjëherë t’i isha mirënjohës mundësisë dhe shansit për të përmbushur një ëndërr. Kam njohur gra të braktisura që shitën gjakun e trupit për të mbajtur fëmijët. Kam parë njerëz duke ngrënë gjethe dhe rrënjë bimësh për të mbajtur shpirtin gjallë dhe askush nuk u kujtua për ta, askush nuk e dëgjoi zërin britës të tyre, askush nuk pati mëshirë. Të gjithë ia dolën vetë. Zgjodhën të ndeshen dhe fituan.
Mjerimi ka kafshatë të hidhur, por mëshira ka shije të helmët dhe jo çdo helm është ilaç. Mëshira, aq lart sa e ngre shpirtin e një bujarie, aq thellë e gropos sublimen e humanitetit dhe të drejtën e çdo krijese për t’iu nënshtruar ligjeve të vetë natyrës. Naiviteti i së drejtës për të valëvitur flamujt humanizmit mbi gërmadhat e keqqeverisjeve dhe abuzimeve nuk përligj fodullëkun e atributeve të të bërit Zotin në një realitet ku pakkush beson dhe pakkujt i pranohet përulja.
Edhe teoricienët do ta kenë tepër të vështirë tëkuptojnë se ç’po ndodh në të të vërtetë, por ajo që vërehet dhe rreket të kërkojë njohje të gjithëpranuar është krijimi i një rendi të ri social.
Kjo përmbysje, kjo kapriço e nevojës sonë për protagonizëm dhe nënshtrim kërkon të nënshkruajë fundin e vetë filozofisë së ekzistencës, duke shkurorëzuar nga miti vetë Sizifin. Ligjësia e pamëshirshme e natyrës po zmbrapset përpara kësaj armate histerike humanistësh dhe këtij vullneti kokëprerë bamirësie. E drejta për të shpresuar është një e drejtë për të besuar në diçka të lartë, në diçka të ndritshme. Forcat dhe energjitë përtëritëse po zhbëjnë çdo kushtrim dhe varrosin çdo vullnet që gëlon në themelet e vetë qenies, në sublimen e vetë jetës.
Mjeshtra të manipulimit, matrapazë dhe dallaveraxhinj, engjëj të baltosur të banalitetit po rreshtohen në këtë marsh “funebër”. Ngado po dëgjohen gjithnjë e më fuqishëm kambanat “morte” të fateve në udhëkryq. Asnjë zë i kurajës, përpjekjes dhe ngadhënjimit nuk mbërrin deri në dëgjesën e atyre forcave nxitëse, atyre energjive shtytëse, të cilat janë e vetmja shpresë, i vetmi shpëtim, e vetmja rrugëzgjidhje, i vetmi sensibilitet social.
Sy të përlotur, buzë që dridhen dhe përgjërime mjeruese, luajnë fatin e pafat në një skenë ku ngjiten dhe zbresin radhë fatkeqësh. Mëshira na thërret në këtë skenë pjesën më të brishtë të shpirtit tonë të drobitur nga pikëllimi dhe keqardhja. Të gjithë shtrijmë duart, duke nxjerrë njëri-tjetrin nga gropat ku kemi rënë. Të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës në këtë lojë makabre të realitetit. Të gjithë jemi vrasës dhe viktima në këtë skenë fatesh tragjike. Të gjithëve na dhemb ky kafshim dhe na çjerr kjo gërvishtje, na djeg ky lot e na dërmon kjo dihamë. Të gjithë jemi mjeranë në këtë skenë që në mënyrë pompoze tregon varfërinë si plagën e betejës dhe krenohet me skamjen, siç kërkon që një medaljon t’i varim në qafën që i jepet dorzanë mëshirës.
Deri kur do të vajtojë ky shpirt i drobitur nga fati i keq? Kjo dorë që zgjatet e ky zë që lëngon, ende do të kërkojë mëshirës t’i bëjë vend në kthinën e terrtë, plot lagështi dhe kudërbuar nga era myk, ku struket keqardhja.
Jo…
Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze porsi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.
Sepse..
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
E keqja që duhet luftuar, me çdo mjet e çdo çmim nuk është mjerimi dhe varfëria, por ajo bushtër e përdalë dhe ajo placentë e ndytë që ngjiz dhe nxjerr në jetë tragjizmin si të vetmen pjellë që meriton t’i gëzohet jetës.
Botë e mëshirës dhe sadakas’, e përulësisë dhe përkushtimit… një ditë nuk do të ketë më shpirt të ushqejë këtë përbindësh që sa vjen e gllabëron, ha dhe përpin gjithçka si një shtjellë terri. Atë ditë varfëria nuk do të shtrijë më dorën për mëshirë. Ajo që deri dje mjerimit iu dha si lëmoshë, si bujari, si bamirësi, si zemërbardhësi do të duhet t’i jepet si detyrim. Mëshira do të vazhdojë të japë, por tashmë jo, sepse e thërret në këtë solemnitet hyjshëm një vullnet i përkorë, por sepse e vë nënë zgjedhë vargonjtë që ka farkëtuar vetë ajo.