18/11/2024

MJERË NE, TË MUNDURIT!

0

Nga Mihal Gjergji

S’dua të lëndoj askënd. Të mundurit po sosen dita-ditës në agoninë e thellë, ndërsa idhujtarët e verbër të perëndive të vdekura s’kanë arsye të revoltohen, as të ngarkojnë në shpinë mëkatet e të tjerëve. Dëshiroj që gabimeve tona tu japim një emër, ndryshe, martirët për të cilët po shkruaj do mbeten pa të shkuarën e tyre, kurse vrasësit e pashpirt do mbeten pa të ardhme. Lexuesit mund të falin çdo gjë, mund të pranojnë dhe gënjeshtrat, por jo të vërtetat, ato s’duan t’i dëgjojnë sepse janë të papërballueshme. Ja pra, e shikoni që duhet pak durim dhe vëmëndje. Dhe mos u nxitoni, sepse çmimet janë të dukshme, jo vlerat e njerëzve, ato mbeten përherë jashtë peshores që përdor arsyeja e shëndetshme. Pas viteve ’90 një vajzë niset nga Rusia e largët dhe mbrinë në Tiranë. I mungonte gjysma e atdheut. Erdhi të vendoste një tufë lule te varri i babait të saj. Irina i kërkoi takim Fatos Lubonjës për ta ndihmuar, por ky i fundit, veç dhimbjes dhe përjetimeve të dikurshme, i rrëfeu se çfarë kishte ndodhur në ferrin e të gjallëve. Ishte vajza e intelektualit atdhetar Vangjel Lezho, i lindur në Fier në vitin 1932. Studimet e larta për gazetari i filloi në Universitetin e Leningradit dhe i përfundoi në atë të Moskës. Atje u dashurua me një vajzë ruse, me Inën, dhe u martuan. Lindën dhe një vajzë të quajtur Irina (asokohe 5 vjeçe). Pas përfundimit të studimeve, që prej vitit 1959 punoi si gazetar i sektorit të kulturës në Radio Tirana. U arrestua më 1963 në Pogradec, bashkë me një grup njerëzish që po përpiqeshin të kalonin kufirin. Dëshironte të bashkohej me bashkëshorten dhe vajzën. Më 6 dhjetor të po atij viti u dënua me 25 vjet heqje lirie. Më 29 nëntor 1978 u dënua për së dyti bashkë me Fadil Kokomanin, për një letër dërguar Komitetit Qendror. Teksa vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më 18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje, me pushkatim. U ekzekutua më 28 maj të po atij viti. Janë tronditëse dëshmitë që ka sjellë Bujar Bakalli. Bëjuni kurreshtarë, vetëm disa caste. “Në 1000 raste gjatē jetës janë vajzat që i shkaktojnë vuajtje dhe dhimbje baballarëve dhe ndodh një rast në 1000 që është babai që i shkakton vuajtje dhe dhimbje vajzës së tij, e ky baba jam unë, thoshte Vangjeli, miku ynë i vrarë nga komunistët me plumb pas koke. Sa dua ta takoj një ditë vajzën time të vogël e t’i them: “Mos më fal bijë nëse s’mundesh por më beso se për mua je e do të mbetesh e vetmja dashuri e kësaj jete të mjerë…”. Vangjeli se pa dot kurrë vajzën e tij. Atë e vranë të lidhur me litar. Dhe s’ishte vetëm. Krah tij ishin dhe Fadil Kokomani me Xhelal Koprenckën. I vranë sepse ata guxuan të ngrejnë zërin, të thonë fjalën e lirë dhe të shpallin bujshëm bindjet e tyre. Në errësirë i qëlluan pa ua hequr litarët. I ekzekutuan ndanë udhe dhe i hodhën diku. Ashtu ikën, në vetmi dhe të braktisur në fatin e tyre, pa qefin, pa lule dhe fjalë lamtumire. Ende s’është gjendur vendi ku prehen eshtrat e këtyre martirëve të Burgut të Spaçit. Me siguri që s’janë tretur. Janë ca plagë që s’shërohen asnjëherë. Vrasësit i kanë mbyllur kujtimet në kasafortat e krimit dhe jetojnë të qetë e të patrazuar, sepse mbetën parsëri ata, trashëgimtarë të pushtetit të ri të quajtur demokratik. Janë ngjethëse ato që mësojmë, ndaj ligështohemi dhe kërkojmë me sy kryefronin e dashurisë. Atje janë ulur këmbëkryq barbarët, qyshkur. Kjo na bën të besojmë se shpresa jonë ka mbetur e verbër. Mjerë ne, të mundurit!

Tiranë, Maj 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok