14/12/2024

MJEKJA E TALENTUAR, EFROSINA (NINA) KAJO

0
Efrosina-Nina-Kajo

40 Vjet në shërbim të pacientëve, duke merituar respektin dhe mirënjohjen e tyre

Nga Fran GJOKA

Të flasësh për mjekët flokëthinjur nga pesha e viteve të tyre mbi supe nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë më shumë ndjenjë, pasion, dashuri e humanizëm, vlera,  të cilat ne i kërkojmë tek heronjtë. Jeta na mëson se heronjtë janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar në mjekësi, që sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. E tillë është  edhe mjekja e talentuar, Efrosina. Njerëz të tillë, që vazhdojnë e punojnë po me atë pasion dhe kanë sakrifikuar shumë nga vetja, padyshim kanë krijuar sot portretin e tyre, ndaj të shkruash për mjekët është jo vetëm një obligim, por dhe një nder dhe refleksion ndaj asaj që kemi lënë jashtë vëmendjes apo kemi neglizhuar. Sot kemi me qindra mjekë e infermierë, që mbajnë peshën e rëndë të viteve të punës intensive, ndaj them me plot gojën se bluzat e bardha dua të kenë të drejtën e inkurajimit shpirtëror e material.

Efrosina (Nina) Kajo, mjeke e talentuar dhe me përgatitje të lartë shkencore dhe intelektuale

Le të ndalemi tek njëra prej mjekeve të nderuara dhe shumë të respektuara, e talentuara Efrosina (Nina) Kajo, me origjinë nga Korça, lindur e rritur në Tiranë, ka kryer gjimnazin më me emër “Sami Frashëri”. Ndikuar nga babai i saji, Jorgji Adhami, i njohur tashmë për kontributin e shkëlqyer që dha dekada me radhë në zhdukjen e malaries në Shqipëri. Kjo vajzë tiranase filloi si një studente e thjeshtë, por mendjendritur. Diplomohet në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1979. E mbushur me besim në vetvete e plot entuziazëm për t’u shërbyer njerëzve. Me përfundimin e specializimit pasuniversitar për kardiologji, në vitin 1995, ajo ka punuar si kardiologe në klinikën e kardiologjisë pranë QSU-1 për 35 vjet. Këtu, dallohet për aftësi, përgatitje të lartë shkencore, seriozitet dhe humanizëm të lartë. Duke vlerësuar, që në rininë e saj të hershme, aftësitë në kardiologji dërgohet për një specializim më afatgjatë në një nga katedrat Kardiokirurgjikale më të mëdha të Evropës, në Gjermani, për Ecografi Kardiake. Kontributi i saj 42-vjeçar në Kardiokirurgji ka përfshirë: Diagnostikimi Ecokardiografik të pacientëve para dhe pas operacioneve dhe në mënyrë të veçantë tek të operuarit me valvula artificiale si dhe diagnostikimin dhe ndjekjen me përparësi të sëmundjeve të lindura të zemrës tek fëmijët dhe të rriturit.

Sot Nina Kajo u gëzohet aftësive të saj në shëndetësi, përpjekjeve dhe djersës, sakrificave ditën e natën në shërbim të sëmurëve, skaliti dhe portretizoi figurën e një zonje me vlera të mëdha intelektuale e bashkëkohore, duke marrë pas disa dekadave titullin e lartë “Prof. Dr. E Shkencave Mjekësore”. Duke parë vizionin intelektual e emancipues të saj, emërohet Shefe e Seksionit të Fiziologjisë Patologjike në Fakultetin e Mjekësisë, pa llogaritur anëtarësimin e saj në disa komisione vlerësimi apo në shoqatat shqiptare apo evropiane të kardiologjisë.

Duke biseduar me doktoreshë Ninen, të duket se dëgjon qindra zëra pacientësh në vite tek rrëfejnë se ajo ka bërë ç ‘është e mundur të kryejë detyrën e mjekes e të drejtueses së vërtetë. Dhe pse ka dalë në pension, për asnjë çast nuk është shkëputur nga mjekësia. Vazhdon të shërbejë po me atë zell e pasion në klinikën e saj, pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë përsëri nga shpirti i saj i madh e bujar gjithçka për pacientët, ku rrezaton kulturë komunikimi dhe me plot pasion u jep jetë dhe shpresë të sëmurëve. Një jetë e tërë si kardiologe me tituj e grada shkencore, e mbushur sot me shumë vlerësime të merituara.

Mjekë me emra të ndritur, shkollë dhe shembuj për brezat

Kujtojmë me respekt të veçantë shefin e kardiologjisë Dr. Prof. Petrit Gaçe, mjekët Veli Zogu, Ali Alushani, Fedhon Meksi etj. Komunikimi i tyre i veçantë, nuk ishte thjeshtë vetëm një element edukativ, por dhe mënyra për të transmetuar idetë te mjekët e tjerë me më pak përvojë, gjë që reflektohej në konsultat mjekësore, ku ata shquheshin për logjikën dhe intuitën e lartë shkencore. Sugjerimet dhe këshillat e tyre, transmetonin limitet e dijes, ndryshonin këndvështrimin, ndihmonin në perceptimin sa më real të shëndetit të pacientëve. Nuk rri dot pa thënë diçka për mjeken laborante Aurora Knuti, doktore e shkencave mjekësore, aktualisht punon pranë klinikës Kajo. Një bashkëkombëse dhe shoqe e ngushtë pune, prej 40 viteve, me Dr. Nina pranë qendrës spitalore. Dhe pse ka dalë në pension, vazhdon të shërbejë, po me atë pasion e vullnet, pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar gjithçka për pacientët e saj. Pas çdo analize laboratorike me një vullnet të paparë i këshillon pa përtim pacientët kardiakë. Kjo është Dr. Aurora, një grua fisnike e mbushur sot me shumë vlerësime të merituara.

E përkushtuar për të bërë vazhdimisht më të mirën për pacientët

Pyetjes, nëse ndryshimi i saj ka ardhur thjeshtë nga dëshira apo mundësitë që i janë afruar, Nina, do t’i përgjigjet sinqerisht se është një kombinim midis formimit të saj për të kontribuar, por dhe mundësive që i janë afruar në punë dhe në jetë nga shteti dhe shoqëria. Njeriu ka të vetën dhe të padiskutueshmen, aftësitë dhe intelektin e vet, dëshirat, vullnetin dhe këmbënguljen, të cilat, siç mund të kuptohen, mbetën personale dhe janë atribut i vetë individit. Pastaj është shoqëria që e bën vlerësimin që afirmon dhe e çon individin në piedestalin e lartë njerëzor. Është bukur dhe në interes të shoqërisë, që kur këto dy anë kombinohen, atëherë arrihet ajo që është më e mira dhe, për këtë, Nina vazhdon e punon çdo ditë me përkushtim për të bërë më të mirën për njerëzit në nevojë. Shpesh në punën e saj kujton thënien: “Jeta i jepet njeriut vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar me dinjitet”. Këtë devizë, doktoreshë Nina e ka pasur të njohur që në rininë  e hershme, kur ishte mjeke e përgjithshme, por edhe gjatë gjithë aktivitetit të saj. Kjo vajzë e grua e tiranase, për 40 vjet fisnikëroi veten, por njëkohësisht vlerësoi integritetin dhe inteligjencën, vlerësoi gjithnjë njerëzit në nevojë. Me këto mundësi, jeta dhe puna e Ninës në mjekësi ka marrë vlera të shumanshme e të respektuara nga komuniteti dashamirës. Këtu qëndron dhe respekti që kanë sot punonjësit në kliniken e saj. Këtu e ka burimin edhe gëzimi e kënaqësia e saj e madhe, sadisfaksioni i saj moral. Nuk është çështje që të jesh, por rëndësi ka se çfarë jemi dhe çfarë bën në jetë. Impresionet e mia për dr. Ninën janë të shumta, një grua zonjë, një personalitet i spikatur profesionalisht, që rrezaton cilësi të vyera humane, teksa në portretin e saj janë të pandara pamjet tejet e njerëzishme, buzëqeshja e sinqertë, pasioni e vullneti për t’i shërbyer gjithkujt me përkushtim të plotë, duke i qëndruar pranë si të ishte një i afërm i familjes, si një prind, si një motër, si një nënë, doktoreshë e vërtetë. Me vlerat e rralla njerëzore që ka shfaqur e që ka përcjellë te njerëzit, ajo ka fituar qindra mijëra miq në të gjithë Shqipërinë. Janë të panumërt ata njerëz të thjeshtë, intelektualë, qytetarë të shtresave të ndryshme, të cilët e kërkojnë dhe respektojnë shumë, i shfaqin shpesh mirënjohje për përkushtimin që ajo ka treguar dhe tregon ndaj pacientëve të tyre.

Në punë ajo u njoh me kolegun dhe bashkëshortin e saj, Ilir Kajo, mjek i talentuar dhe duarartë, i specializuar për Gastroenterologji-Hepatologji, i njohur jo vetëm në Tiranë, por dhe në mbarë vendin, një profesionist që bën pjesë në plejadën e mjekëve që tërë jetën e ka lidhur me shërbimin ndaj njerëzve. Dr. Nina shquhet gjithmonë për marrëdhënie korrekte me pacientët. Ajo i shikon si njerëz, ndaj të cilëve duhet bërë një shërbim cilësor dhe asnjëherë nuk i pa si “klientë”. Ajo është e ndjeshme dhe gjithmonë vendos marrëdhënie të paqme dhe shumë të mira me punonjëset e saj.

Humane, fisnike dhe e admiruar

Në çdo konjukturë politike që ka kaluar, Dr. Nina ka qenë dhe mbetët vetvetja. Ka një individualitet superior të shprehur nëpërmjet punës, pa poza e pa pretendime për t’u dukur. Pasuria më e madhe e saj mbetët ruajtja e personalitetit njerëzor e shoqëruar me sjellje e kulturë, që i kanë dhënë lumturi e mirëqenie shpirtërore. Dituria profesionale e intelektuale janë velloja e artë që ka zbukuruar personalitetin e saj shoqëror. Në një kohë aventurash, si kjo e sotmja, ku njerëzit kanë rëndur pas fitimit për t’u pasuruar me çdo çmim moral, duke braktisur diturinë. Ata që mbetën njerëz në ndjesi, i kemi sot të paktë në mjekësi. Zilia e të tjerëve ia ka prishur ndonjëherë qetësinë, por dr. Nina ka arritur të ruajë gjakftohtësinë. Kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e saj dhe kur ishte përballë përfitimeve të të mirave materiale dhe famës shoqërore. Vazhdon dhe mbetet e dashur me të vërtetën dhe e rreptë me padrejtësitë. “Për mua,- thotë dr. Nina, – një rëndësi të madhe në jetën time profesionale ka mirënjohja njerëzore dhe mbetesh në memorien e popullit tënd, ky është vlerësimi më i madh i jetës time”. Por fatkeqësisht gjejmë jo rrallë që s’kanë asnjë ndjesi shpirtërore, si rezultat i zbrazësive karakteriale, mangësisë dhe vulgaritetit të përmasave të kufizuara intelektuale. Dr. Nina ruan respekt të veçantë për punonjësit e saj të shërbimit, ku me devotshmëri ju shërbejnë qytetarëve dhe pacientëve në klinikën e saj private, ku ajo drejton, e shoqëruar me një rregull e disiplinë dhe pastërti shembullore të admiruar.

Shembull për fëmijët dhe brezin e ri

Cilësitë e vyera, edukata familjare dhe kultura e lartë  komunikimit, dr. Nina e përcolli dhe te dy fëmijët. Me kujdesin e një nëne të arsimuar dhe kulturuar, dr. Nina, së bashku me bashkëshortin e saj të talentuar, dr. Ilirin, u kujdesën për rritjen, edukimin dhe shkollimin e tyre. Djali dhe vajza u shkolluan në universitetet më me zë të Evropës, aktualisht jetojnë e punojnë në Shqipëri, ku u gëzohen kulturës dhe dijes së tyre. Këta dy pasardhës shikojnë tek prindërit e tyre modelin e prindërve të devotshëm, babain e tyre të mirënjohur e shembullor në gjithçka, të nënës së tyre që personifikon modelin njerëzor, figurën e nënës së dhembshur, të dashur, profesioniste e rrallë, që rrezaton kudo dhe kurdoherë humanizëm dhe mirësi, një qytetare tiranase me emancipim bashkëkohor. Një gjyshe, ku reflekton përkujdesje dhe dashuri për nipat dhe mbesat e saj, duke i quajtur me plot gojën ëmbëlsirat e shpirtit. Unë si autori i shkrimit i uroj dr. Ninës shëndet dhe jetë të gjatë bashkëshortore!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok