21/11/2024

Nga Edison Ypi

Të rinj të panumurt të veshur e të mbathur, të ngrënë e të pirë, që kanë mbaruar edhe shkolla, që kanë edhe diploma, por janë aq gdhë sa s’dinë të lidhin dy fjalë, s’munden ta rrëfejnë qartë një adresë të thjeshtë apo çfardo vendndodhje urbane apo rurale.

Baballarë, nëna, vëllezër, motra, kushurinj, kushurira, që vriten e priten me njëritjetrin për interes të Kilokar Megagopit me kazma, sqepara, kalashnikova.

Pa numurim djem, vajza, derra, dosa, me brekë, pa brekë,  nëpër rrugë, rrugica, kafenera, plazhe, ekrane, që më tepër se vetes dhe njëritjetrit i besojnë Internetit, celularit, virtualitetit.

Adoleshentë të armatosur dhe të droguar që ngasin si të çmendur makina të mëdhaja e të shtrenjta në kërkim të ethshëm të vdekjes duke u përplasur me turlilloj bordura, betona, pengesa.

Spitalet plot me pacienta që paguajnë çmime astronomike me pare që s’merret vesh ku i gjejnë.

Mijra shtëpi të reja me çmime aq të frikshme sa duket sikur s’kanë për tu shitur kurrë, por megjithatë dalin pafund klienta që i blejnë pa iu dridhur qerpiku.

Banka që vidhen ditën për diell me lehtësinë e pirjes së një gote uji, zbulohen nga kamerat kush i vodhi, pastaj historia, meseleja, telenovela, përpihet dhe humbet pa nam e nishan në  Babelin e kronikave dhe banaqeve.

Parlament gjoja i zgjedhur nga populli, por në fakt i projektuar nën rrogoz nga banditë dhe mafjozë mbi bazë aritmetikash të pista elektorale dhe llogarish të fëlliqta biznesi, pa absolutisht asnjë lidhje me parime politike dhe vlera njerëzore.

Parti gjoja të majta që zbatojnë programe të djathta pa e rrezikuar elektoratin.

Parti demek të djathta që luftojnë për kauza të majta që i rre menia se mund të ekzaltojnë turma me thirrje revolucionare që s’i dëgjon kush.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok