Mirënjohja emblematike në botën e kafshëve, dhe një mesazh për marrëdhëniet e njerëzve

Nga Albert Vataj
Ka imazhe që nuk janë thjesht të bukura, por që ngërthejnë në vetvete një dramë të butë dhe fisnike, që flet me gjuhën e emocioneve më të thella. Një prej tyre është një fotografi që është bërë virale në rrjet, e publikuar fillimisht në National Geographic Wild Planet. Pavarësisht mungesës së të dhënave të sakta për autorin, vendndodhjen apo kontekstin e saktë të ngjarjes, kjo pamje ka kapur dhe shpërndarë në mënyrë të jashtëzakonshme një çast prekës: mirënjohjen e një deleje ndaj qenit mbrojtës të tufës.
Në këtë episod të paharrueshëm, qeni shfaqet i shtrirë për tokë, i lodhur dhe i rraskapitur nga një betejë që, me gjasë, ka qenë me një tufë ujqërish. Disa pika gjaku rreth qafës së tij shtojnë dramacitetin e çastit, por kjo gjakosje nuk është dëshmi e plagës së tij – është gjaku i ujqërve me të cilët është kacafytur. Qentë e staneve, siç e dinë të gjithë ata që jetojnë në harmoni me natyrën dhe kafshët, janë të pajisur me një qafore me gjemba që jo vetëm i mbron nga kafshimet, por i kthen përballjet në një mbrojtje të pandalshme të tufës.
Delet kullosin në qetësi, të padijshme për sakrificën që sapo ka ndodhur, por njëra prej tyre bën diçka që tejkalon instinktin – ajo afron kokën e saj mbi të qenit dhe qëndron aty, në një përqafim pa fjalë, në një falënderim të heshtur por të thellë. Është një çast që bart më shumë kuptim se njëmijë predikime njerëzore: një kafshë që falënderon një tjetër, një jetë që nderon jetën tjetër që i shërbeu, që e mbrojti.
Simbolika që buron nga kjo fotografi është universale. Nuk është vetëm mirënjohja e një kafshe për një tjetër, por një kujtesë për njeriun, që në nxitimin e tij për të dominuar, shpesh harron të jetë falënderues, harron të përulej përpara shërbesës, përpara sakrificës, përpara dashurisë së heshtur që shpesh vjen nga ata që nuk flasin me fjalë.
Ky imazh, pavarësisht se nuk na jep të dhëna të plota dokumentare, është një ikona që na mëson, na ndal, dhe na përul. Ai është një testament i gjallë i lidhjes mes qenieve, i detyrës që shpaguhet me përkujdesje, i heroizmit që nderohet me butësi. Në një botë ku mirënjohja po bëhet mall i rrallë, kjo dele na mëson një gjë të madhe: se ndonjëherë mjafton vetëm një përkulje koke për të thënë gjithçka.