24/12/2024

MIRDITA NË ARKIVIN E VATIKANIT

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Më 14 korrik 2021, në Akademinë e Shkencave, Tiranë, paraqitet libri “Mirdita në Arkivin e Propagandës Fide në shekujt XVII-XX” (“Shoqata e Jezuitëve”, Tiranë 2020), shqipëruar dhe përgatitur për botim nga Arben Ndreca, që ka botuar përkthime nga letërsia amerikane, angleze, ruse dhe kroate, si dhe kontribute origjinale në lëmin e shkencave albanologjike, duke qenë për shumë vite (2006-2015) bashkëpunëtor i ngushtë i revistës “Hylli i Dritës” dhe prej vitit 2016 anëtar i kolegjumit të së përkohshmes “Shejzat”.

Është hera e parë që botohet një libër me dokumente arkivore për Mirditën, aq më tepër me materiale të nxjerra nga Arkivi i Vatikanit, çka do të ishte e dëshirueshme për çdo trevë, pasi ndihmon në njohjen shkencore të së kaluarës, ku për shkak të mungesës së dokumenteve, shpesh historia është trajtuar në mënyrë folklorike.

Libri mori udhë në një nga takimet e bordit drejtues të “Unionit Mirdita” (Tiranë), kur studiuesi Ardian Ndreca, akademik, propozoi botimin e një vepre të tillë, që gjeti menjëherë mbështetjen e Bashkisë Mirditë, si një projekt i përbashkët me “Qendrën e Studimeve Albanologjike “Shejzat – Pleiades” dhe Unionin “Mirdita”. Kopertina e librit, shtypur në shtypshkronjën “Shkodra”, paraqet një objekt unikal, “Arkën e Shejtit” (Orosh), fotografuar në vitin 1937 nga Geg Marubi, relike në kushtim të Shën Llezhdrit, me një histori disashkullore.

Siç dihet, me transkriptimin, përkthimin dhe përgatitjen për botim të relacioneve të vizitorëve apostolikë të Vatikanit në Shqipëri, që nisin nga fillimet e shekullit XVII, janë marrë studiues e përkthyes të mirënjohur, si Injac Zamputi, Peter Bartl etj., së fundi dhe Arben Ndreca, që zgjodhi dhe përktheu lëndën e këtij vëllimi. Në të përfshihet një tubë dokumentesh historike për krahinën e Mirditës dhe trojet përreth saj, origjinalet e të cilave ruhen në Arkivin Historik të Kongregatës së Propagandës Fide në Vatikan, shkruan në parathënien e librit Gëzim Gurga. Ato janë relacione, letra e raporte të ipeshkvijve të Lezhës e abatëve të Mirditës drejtuar Selisë së Shenjtë, përgjatë tre shekujve, nga i 17- i në të 20-in dhe përmbajnë të dhëna kishtare, mbi popullsinë, jetën sociale, përpjekjet e pareshtura kundër islamizimit etj., duke pasqyruar realitetin e famullive të Mirditës etj. dhe u përkasin ipeshkvijve të Lezhës (nga varej abacia e Mirditës deri në vitin 1888) imzot Benedetto Orsinit, imzot Gjergj Vladanjit, abat Gjergj Stampaneos, vizitorit Nikollë Vladanji, imzot Ndue Kryezezit, abat Pal Dodës, imzot Mëhill Kryezezit, abat Prend Doçit dhe imzot Luigj Bumçit.

Më 1929, ndër të tjera, Orsini i bënte me dije Propagandës Fide se kishat famullitare të Dibrrit (që nuk i ishte nënshtruar turkut), si Shën Mëria e Shpërdhazës (Kaçinar), Shën Gjergji i Gjunalës, Shën Mëhilli i Kashnjetit, Shën Elia i Gazullit dhe Shën Demetri i Fanit të Madh (Kalivares), “të gjitha janë rrënuar nga osmanët, pa kumbona (i kanë futur nën dhé), pa dyer, pa altare, pa këlshenjta, pa paramente dhe pa asnjë prift”. Kjo ishte përgjithësisht gjendja dhe në kishat e tjera veriore në atë kohë dhe misionarëve iu lypej shumë mund për rimëkëmbjen e tyre; shto këtu dhe problemet e pazgjidhura të kufijve mes dioqezave, si asaj të Lezhës me atë të Arbërisë etj. Por shpesh ndryshimi zgjaste me dekada. Ipeshkvi i Lezhës Gjergj Vladanji, në vitin 1663, i shkruantë kardinal Azzolinit: “Disa kisha gjysmë të rrënuara kanë nevojë për meremetime, dhe posaçërisht kisha e Shën Lleshit e Mirditëve (Oroshit), ku dyndet shumë popull. Imzot sekretari thotë se kjo kishë nderohet fort për shkak të një relikje të famshme që gjendet aty”, që ishte Arka e Shenjtë, e cila në ditë procesionesh të mëdha mbartej dhe në famulli të tjera si në Spaç, Fan etj. Një vit më vonë, Vladanji shkruan: “…Kur një fshat, afër ipeshkvisë sime i kishte rënë mohit fesë, banorët e tij renden tek unë që t’iu dërgoja reliken e Shën Lleshit Martir, që gjendet në një pështah argjendi, sepse dhe herë të tjera ishte vënë re ndihma e këtij shënjtori”. Prifti i Oroshit Gjon Pal Trumshi (Roma) kishte titullin e abatit, por jo gjithnjë ishte në marrëdhënie të mira me ipeshkvin e Lezhës, për çështje të administrimit të famullive, pasi ordinari (ipeshkvi), sipas tij, vazhdonte të ushtronte një pushtet që i përkiste abatit.

Në libër tërheq vëmendjen relacioni, do të thoshim tronditës, i abatit të Shën Llezhdrit të Mirditës Gjergj Stampaneo, i vitit 1685, që paraqet jo vetëm gjendjen e popullit, kishës dhe klerit në abacinë e tij, por të gjithë katolikëve shqiptarë dhe jo vetëm atyre: Selitës, Kthellës, Matit, Fanit të Madh e Fanit të Vogël, Lurës, Macukullit, Qidhnës, Pukës, Iballes, Va Spasit (Kukës), Kurbinit, Lezhës, Krujës, Shkodrës, Pultit, Postribës, Kelmendit, Kuçit, Tivarit etj., që ku më shumë e ku më pak ishin të shtrënguar t’i paguanin haraç pushtuesit turk. E gjitha kjo kishte shkaktuar përballje të forta të banorëve me pashallarët turq etj. Relacioni i mësipërm rrefen një histori sa krenare aq dhe tragjike… Mirditasit patën vrarë para 4 vjetësh Qehajanë (kujdestarin  përgjithshëm) e Hoxhollëve me 29 turq të tjerë që e shoqëronin. Kjo bëri që pashai Hoxholl të grumbullonte një ushtri prej tetë mijë ushtarësh dhe të shkonte në Mirditë e ta shkrumbonte atë shtëpi për shtëpi, si dhe kishën e Shën Mërisë në Ndërfanë, duke prerë vreshtat dhe pemë të tjerë frutorë e vënë flakën gjithçkaje, ku zjarri do të korrte viktima të shumta, si dhe 70 mirditorë u morën skllevër. Lexuesi përmes fletëve të këtij libri do të kalojë nëpër një rrugëtim të paimagjinueshëm dhe të pazakontë, çka e bën atë një libër të rëndësishëm dhe fort të lavdërueshme punën e shqipëruesit të këtyre relacioneve kishtare.

Relacioni i Abat Prend Doçit i vitit 1892, që në këtë vëllim zë 37 faqe, është si një libër monografik më vete për Mirditën, pasi e rrok atë në anën gjeografike, historike, kishtare, pse jo dhe gjeopolitike, kur trajton padobinë dhe rrezikun e një traktati të përfolur mes Selisë së Shenjtë dhe Portës së Lartë për Mirditën, duke mbrojtur vlerat e protektoratit austriak të kultit etj. Një ndër argumentet kundër asaj marrëvshje ishte: “Në vitet 1876-1877, vetëm lajmi se qeveria turke kishte ndërmend të hapte shkolla turke në këtë zonë, e çoi në këmbë popullin në kryengritje dhe solli pasoja të zeza që ende sot ndjehen ngado në këtë krahinë”. (f. 207). Abacia e Mirditës në Orosh, me dekretin papnor të 25 tetorit 1888 kishte fituar statusin e ri nullius (me varësi të drejtpërdrejtë në Vatikan) dhe tashmë Abati përpiqej për konsolidimin e saj, për çka kërkon ndihmën e Vatikanit. Kundraja e gjithanshme e Doçit sjell informacion intersant me karakter njohës dhe për vjetërsinë dhe juridiksionin e abacisë së Sh’Llezhdrit dhe Malit të Shenjtë, kuvendin bendeiktin të hershëm, kishën e Shëlbuemit, kultin e Shën Gjonit etj., pronësinë e dikurshme kishtare (para pushtimit otoman) dhe mungesën e burimeve financiare për mbajtjen e klerit në fundin e shekullit XIX etj.

Libri iu vjen në ndihmë studiuesve të historisë, përpiluesve të “hartës” së vjetër kishtare të trevës së Mirditës, mësuesve të historisë, punonjësve të monumenteve, muzeve, turistëve, lexuesve të tjerë të interesuar rreth dokumentimit të së kaluarës. Aq më tepër, kur janë ndërmarrë nisma për të shkruar libra historie, monografi e gjer enciklopedi krahinore, botime si ky janë të nevojshme, pasi bëjnë që të mbetet sa më shpejt mbrapa një fazë “amatore” e shkrimit të historisë në tranzicion, nga jo profesionistë dhe pa burime shkencore të mirëfillta.

“Unioni Mirdita”, me kryetar zotin Nikolin Jaka, shoqata që është dhe “kumbara” i këtij libri, synon dhe botime të tjera të kësaj natyre në të ardhmen, duke ndërmarrë dhe projekte në terren në fushën e trashëgimisë kulturore, si “Tur nëpër Artin Shkëmbor në Mirditë” të prirë nga studiuesi i ri i historisë, Julian Vlashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok