22/12/2024

“Minishengen” në rrënojat e tërmetit!

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Sikur të mos mjaftonte tërmeti i 26 nëntorit dhe viktimat e shkatërrimet që ai shkaktoi, nesër, Edi Rama ka vendosur të shfaqë në Tiranë dhe Durrës komedinë e radhës të titulluar “Minishengeni Ballkanik”! Nesër Tirana në fillim e më pas Durrësi do të presin tre liderët e kësaj nisme, përkatësisht presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zajev dhe mikpritësin shqiptar, Edi Rama. Do të mungojë Kosova e cila ndjehet e diskriminuar prej treshes inicuese.

Të tre këta do të flasin sit ë integrohen me njëri-tjetrin nga njëra anë dhe si ta izolojnë Kosovën, si dhe do të derdhin lot për tragjedinë e Durrësit. Më pas mikpritësi shqiptar, kryeministri Rama, do të përmendë fjalët lavdëruese e falenderuese për Aleksandër Vuçiq dhe “kontributin” që ai dha me një skuadër ushtarësh në ndihmë të Durrësit. Madje do të përpiqet që duke evokuar ndihmën serbe ta paraqesë atë si shpëtimtare për jetët e shqiptarëve. Dhe e gjitha kjo me një regji të caktuar, e cila synon “bashkim-vëllazërimin” shqiptaro-serb dhe anatemimin e solidaritetit të Kosovës me shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit! Ai do të përpiqet që ta qetësojë mikun e tij të Beogradit nga pagjumësia që ka fituar për shkak të solidaritetit të Kosovës me Shqipërinë në këto ditë fatkeqësie. Edi Rama është mjështër i përdorimit personal të përsonazheve dhe ngjarjeve, si edhe i provokimeve kundër atyre që nuk ia dëgjojnë fjalën.

Në këtë rast Rama është përballur me mikun e tij, Hashim Thaçi, i cili refuzoi pjesmarrjen në takimin e Durrësit. Fillimisht ishte kryeministri Ramush Haradinaj, ai i cili refuzoi ftesën e homologut të tij nga Tirana për pjesmarrje në maskaradën Rama-Vuçiq të minishengenit durrësak. Por Rama me arrogancë e inat reagoi ndaj deklaratës së Haradinajt, duke thënë se “Nuk kishte ftuar kryeministrin në ikje, por kishte dërguar ftesë për presidentin në detyrë”! Ishte kjo deklaratë e Ramës një lloj joshje për Thaçin, me qëllim që ai ftesën e Ramës ta konsideronte dhe të ishte i pranishme të shtunën në Durrës.

Thaçi nuk ra në kurthin e Edi Ramës. Deklaroi se nuk do të ishte pjesë e kësaj maskarade. Madje thumboi kryeminstrin e Shqipërisë kur tha se “Kosova, në dallim nga Shqipëria, vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet, nga Serbia”. Kjo ishte një kritikë e rreptë për Tiranën zyetare të Edi Ramës e marrëdhëniet e tij të ngushta në dëm të interesave të Kosovës. Presidenti i Kosovës ka ndryshuar qëndrim, pas daljes në opozitë në zgjedhjet e 6 tetorit të kaluar. Ai foli për genocidin serb kundër Kosovës. Kjo do të thotë se 6 tetori ia ka dhënë atij një mësim të madh. Duke e nxjerrë në opozitë, sovrani i dëshmoi presidentit të vet se nuk pajtohet me politikat e tij të mëparshme, kur sillej si monark në emër të interesave serbë në Kosovë.

Edi Rama nuk priste as refuzimin, as anatemimin e mikut të tij në Prishtinë. Kësisoj, shqiptarët në Kosovë me votën e tyre bënë të mundur që politikisht t’i presin fijet e lidhjeve të ngushta me Thaçin dhe Tirana të drejtohet drejtopërdrejt në lidhjet me Beogradin. Samiti i nesërm nuk është samit për ndonë minishengen. Ky samit është një shfaqje tjetër tatrale në formën e komedisë ballkanike. Sepse ballkanasit politikanë ose shfaqen në përmasat e tragjedisë, ose të komedisë. Dramën njerëzore, dhimbjen njerëzore nuk e njohin as Edi Rama, as Aleksandër Vuçiq. Sa për Zaevin, ai di thjesht të jetë një qëngj i vogël që shkon mbas të ëmës. Aq kapacitete ka.

Megjithatë shqetësimi dhe problemi i madh i shqiptarëve është Edi Rama. Nuk është Zaevi apo Vuçiq. Përsëri Rama ka filluar t’I akuzojë liderët e Kosovës për vetizolim, duke I ardhur në ndihmë propagandas së njëjtë të serbëve që kur Ramush Haradinaj vendosi taksën për mallrat serbe. Çeshtja shtrohet se sa do të durojnë shqiptarët që kryeministri i Shqipërisë të përqafojë dhe përpiqet të imponojë politikat serbe në Ballkan. Kosova ka dhënë tashmë verdiktin e vet në këtë lojë politike serbe të mbështetur nga Edi Rama. Po shqiptarët në Maqedoni kur do të reagojnë?! A do të duhet që ata ta lejojnë lidershipin e Shkupit të plotësojë enturazhin e Vuçiq dhe Edi Ramës?! Ndërkaq shqiptarët në Shqipëri, së paku për një kohë afatmesme, nuk pres të ndjehen. Ata janë mpirë, sepse doza e kokainës që merr kryeministri i tyre, mesa duket ka prek damarët e shqiptarëve të Shqipërisë Londineze. Ne në Shqipëri jetojmë në një paralizë ekstreme!

Shkruar ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok