21/12/2024

Milosao, Princi i Skutarit të Moresë ose ringjallja e ndërgjegjes etnike të arbërëve

0
Dorian-Koci

Nga Dorian Koçi

Në shekullin e XIX  kujtesa kolektive shqiptare e ruante shumë zbehtë kujtimin e emërtimit etnik mesjetar për shqiptarët, “Arbër”.  Kujtesa e këtij emërtimi më së shumti lëvronte në qarqe të shkolluara të elitës shqiptare, kryesisht në ato që përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbëre të Skënderbeut në shekullin e XV nga leximi i veprave të Barletit  dhe tek tuk i mbetur në emërtime si Labëria , ku në mënyrë të pavetdijshme ishte fiksuar si emërtim por jo se kishte një njohje të origjinës së tij nga banorët që e përdornin.

Shkaqet për këtë kujtesë të zbehtë të këtij emërtimi etnik shumë të rëndësishëm në mesjetë për gjithë Gadishullin Ballkanik nuk janë plotësisht të njohura por mund të supozojmë se pas shkatërrimit të Arbërisë Mesjetare dhe pushtimit të saj nga otomanët, gradualisht humbi dhe koncepti i një Arbërie të krishterë, të organizuar me institucione dhe entitet shtetformues të bazuar në qytetërimin europian të kohës dhe përkundrejt gjithë këtij ndryshimi thelbësor nisi të marr jetë një simbiozë tjetër kulturore që përfshinte tashmë edhe elementë të rëndësishëm të qytetërimit osman. Por nëse në vet territoret arbëre ky toponim sa vinte dhe zbehej në vetëidentifikimin e popullsisë, përkundrejt Arbërisë mesjetare, në Italinë e Jugut por edhe në Greqinë kontinetale dhe ishuj, si pasojë e një emigrimi të hershëm të popullsisë arbëre, ky emërtim dhe kjo kulturë gjallonte fort pavarësisht presioneve të forta kulturore të helenizmit dhe kulturës italiane të iluminizmit dhe romantizmit.

Mjeku Tasos Nerucos, një nga aktivistët e hershëm arvanitas shqipfolës, që rindërtoi saktësisht dy poezitë popullore të mbledhura nga Bajroni dhe Hobhousi sipas një kërkese të albanalogut Meyer,  në të folurën arbëreshe athiniote i shkruante këtij të fundit në 1888 se arbëreshët e Greqisë nuk i njohin fjalët shqip, shqiptar e Shqipëri;veten ata e quajnë arbër, dhe arbërorë, kurse atdheun e të parëve të tyre Arbëri dhe Arbëni.[2]E njëjta gjë mund të pohohet dhe për arbëreshët e Italisë, të cilët kishin emigruar edhe ata  herët në Italinë e Jugut. Emigrantët shqiptarë që u ngulën atje( në Itali-shënimimi im) në mesjetë, gjatë dhe pas vdekjes së Skënderbeut, vazhduan dhe vazhdojnë të identifikohen qartas mes njëri-tjetrit me emrin “arbëresh”Me po këtë emërtim unik “Arbëresh” u thëriten jo vetëm shqiptarët e emigruar direkt nga territoret e Arbërisë dhe të vendosur në brigjet italike , por edhe refugjatë shqiptarë të cilët banonin prej dekadash emigrimi në territoret kontinentale dhe ishullore greke.[3]Midis popullsive arbëre që vinin nga Arbëria Mesjetare dhe asaj nga Greqia Kontinetale dhe ishujt nuk ekzistonin dallime të mëdha esenciale pasi që të dyja i përkisnin të njëjtit grup etnik, por më së shumti mes tyre kishte një larshmëri kulturore mbi çka atë që ata përfaqësonin.

Në fakt, dallimet nuk përvijoheshin shumëmes tyre sepse arbëreshët e Greqisë kishin disa dekada të shkëputur nga trualli i drejtë për së drejtë i Arbrit, sesa nga ekzistenca e  një simbiozë kulturore më të larmishme të arbëreshëve të Greqisë sesa ata të Italisë, për shkak se këta të parët përmblidhnin edhe  ndikime arbërore-bizantine( tek të dytët ndikimi bizantin ishte më i zbehtë) para se të mërgonin dhunshëm për në Itali si rezultat i pushtimit të Moresë më 1461 nga osmanët. Tashmë është një fakt i pranuar gjerësisht se origjina e popullsisë së  shumicës së ngulimeve arbëreshe të vendosura në Kalabri i përkasin popullsisë së Shqipërisë së Mesme, së Jugut dhe kolonive arbëreshe në Greqi, pasi popullsia shqiptare e Shqipërisë së Veriut u vendos më tepër në Ankona dhe Venedik.Ky realitet pasqyrohej edhe në dialektin gjuhësor që në Kalabri dhe Sicili ishte ai tosk, por edhe në besimin fetar ku pjesa më e madhe e popullsisë arbëreshe i përkiste besimit ortodoks që e kish sjellë me vete nga vendi i origjinës. Megjiatë jo gjithçka dukej se ishte e prerë përsa i përket identiteve, pasi ashtu si Arbëria Mesjetare kishte qenë një monadë kulturore e Ballkanit, situatë kulturore të cilen e kish trashëguar Shqipëria që sipas Shuflait në të pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e veta latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot vezullojnë kristale të shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa themelore etnike të Gadishullit Ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u dha gjuhëve ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në krijimin e një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike,[4]ishte e natyrshme që ky kontekst kulturor të ishte transportuar edhe në brigjet matanë Adriatikut. ,Ky kontekst kulturor e social do të transmetohej i pacënuar në shekuj për shkak se shoqeritë rurale të Kalabrisë ishin kryesisht shoqëri të mbyllura gjatë Mesjetës dhe për më tepër një pjesë e madhe e kolonive arbëreshe dispononin statuse të veçanta , të vulosura me dokumente diploma dhe priviligje[5], çka garantonte ruajtjen e një origjinaliteti dhe autonomie kulturore të pranueshme për kushtet e kohës.

Një rol tjetër të madh në këtë drejtim kishte luajtuar edhe identiteti fetar i arbëreshëve, i ndryshëm nga popullsia vendase. Pavarësisht faktit se në fillimet e shekullit të XVIII edhe ortodoksët kaluan në kultin latin qoftë vullnetarisht, qoftë kur shtyheshin nga autoritetet, në fillimet e këtij shekulli ata patën mundësi të kishin edhe seminaret e tyre , të destinuara për formimin e klerit të ritit grek (thotë Clayer por ndoshta më mirë do të ishte termi ortodoks), që dhanë po ashtu ndihmesën e tyre në formimin e një elite laike greko-shqiptare[6].Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme tëIluminizmit, luftërave Napoloniane dhe Romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhësendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit të XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e ndryshme letrare që ia janë bërë “Këngëve të Milosaos” që nga botimi i parë i saj e deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik  të pasqyrimit të kohës historike  në të cilën De Rada vendos ngjarjet, toponimisë së vendeve të përmendura në poemë dhe simboleve kulturore të veçanta.

Titulli i poemës “ Këngët e Milosaos, Despotit të Shkodrës” ka tërhequr vëmendjen që në botimet e para në shqip për të gjetur origjinën e emrit Milosao, një emri jo shumë të përdorur në këtë formë mes arbëreshëve. Sipas Shuteriqit bëhet fjalë për emrin Milo Shini që në arbërisht shqiptohet Milloshin si shqiptojmë dhe ne Millosh për Milosh-po këtu i ruajmë trajtën që tashmë është përhapur. Kështu arbërisht shqiptohet edhe Millosa, kurse ne ruajtëm trajtën e konsakruar Milosa. Vetë emrin Milosa, De Rada duhet ta ketë nxjerrë nga Milloshin.[7]Origjina sllave e emrit Miloshin, ku De Rada tek Rapsoditë ia shkruan emrin Milo Shini, duke marrë pjesën e dytë të emrit si llagap,kurse ajo është pjesë përbërëse dhe, sllavisht, do të thotë“djalë”[8]tregon edhe njëherë tjetër mbi identitete jo fort ndarëse në Arbërinë Mesjetare ku nuk kanë ekzistuar … vija të qarta ndarëse gjeografike ose shoqërore. Përzierja e grupeve dhe popullatave në gjuhë të ndryshme në një hapësirë të ngushtë nxiste shumëgjuhësi, simbiozën kulturore,[9]që ka ardhur në formën e emrave. Një interes më të madh merr toponimi në origjinal Skutari që në shqip ka ardhur si toponim Shkodër ku në të gjitha botimet kritike të poemës referohet si qyteti mesjetar i Shkodrës. Kështu e përmend Shuteriqi, Varfi, Klara Kodra, Jup Kastrati etj duke i atribuar një qyteti të administruar nga venedikasit të gjithë eposin De Radian  të Milosaos. Ky konstatim ka sjellë edhe analiza letrare të detajuara ku në mikrokozmosin e Makies dhe rrethinave në Kalabri të mendohet për një shtegtim subjekti që zë fill në memorjen kolektive të kolonisë arbëreshe me Shkodrën si kryeqendër të zhvillimit të ngjarjeve. Mirëpo nga një shqyrtim dhe  lexim i vëmendshëm i tekstit dhe një analizë e disa simboleve kulturore të veçanta duket që ka disa mospërputhje midis emërtimit Skutari në poemë dhe qytetit të Shkodrës.

Së pari konteksti gjeografik i toponimit Skutari të nënkuptuar për Shkodër në poemë, na vjen në ndihmë ti përqasemi sa më afër asaj që ka pasur në mendje De Rada kur e ka përmendur këtë toponim. Në poemë ndihet një atmosferë deti dhe e rrezikut që vjen prej andej (Kënga V), çka e bën të vështirë të mendosh se poeti i referohet Shkodrës pasi dihet mirë që Shkodra nuk është një qytet bregdetar dhe osmanët eskursionet për në Shqipëri i bënin zakonisht përmes tokës, e luginës së Shkumbinit. Atmosfera e detit si sqaron me të drejtë studiuesi Moikom Zeqo ndihet kudo në poemë. Në Këngën e VIII të “Milosaos” shkruhet: “Ra bora përmbi det/ Dhe mbi leshterikë/ Dhe mbuloi krahët e shqiptëzës”. Është një panoramë e mrekullueshme, të tërheq vemendjen detaji, që flokët e borës mbulojnë dhe krahët e pulëbardhës, (shqitëzës). Në këngën e X janë vargjet: “Kundrejt kodrave dhe detit/ Buzëqeshi ditë e kaltër.” Në këngën e XI thuhet: “Kundrejt detit të kaltër rrinte  Zonjë e madhe dhe vërente. ”Në këngën e XIV shënohet: “Ajo detin kish ndër sy/ Hijen e shtëpisë në zemër.”Në Këngën e XV janë këto vargje: “Zemra jote e dhemshur/ Le të hapet plot hare/ Si anije plot me trima/ Që nga mezi i detit shohin Atdheun e dëshëruar. ”Kënga e XVIII nis me vargun krahasimtar: “Porsi një tallaz në det”. Në Këngën e XXIV janë vargjet: “Për së pari kur u zgjova/ Nga Buzati hënëza Mbi det po dritëron.” Në Këngën e XXVI evidentohet thirrja: “Vëllezër hipni në anijet!” E famshme është dhe Kënga XXIX ku janë vargjet madhështore: “Bije po s’dua të fle/ Mos ma mbyll ti derën/ Të më fryjë era e detit.[10]Po kështu në këngën V[11] e XX[12] e gjithandej sa i referohet Skutarit, De Rada shkruan fjalën “katund”, pra fshat kur dihet që Shkodra ka qenë një qytet mesjetar i zhvillur për kohën.

Për të kuptuar më mirë enigmën e këtij toponimi na vjen në ndihmë konteksti dhe disa simbole  kulturore si dhe disa fjalë kryesore që ndihmojnë të deshifrojnë vendndodhjen e Skutarit. Milosao quhet Despoti i Skutarit, një titull tipik bizantin që i jepej një dinjitari të lartë fisnik që qeveriste në emër të Perandorit Bizantin. Një nga personazhet qëështë prezent që në fillim të poemës, por asnjëherë e përshkruar është nëna e Rinës, e quajtur Kalogre që do të thotë kalogre (murgeshë), fjalë që përdoret  në ritin ortodoks, mund të përdorej dhe si emër personi[13]. Po kështu në të njëjtin qerth kulturor është përmendja e Shën Mërisë të quajtur Mesosporite në këngët III,XV,XXI etj apo Konstandinopolit, që lusin arbëreshët e Makit;festa e saj bie në 21 nëntor , midis kohës të së mbjellave si e thotë dhe emri i saj në greqisht[14]

Fshati Makia është themeluar herët si vendbanim. Toka ku Makij do të themelohej, rreth “viteve njemijë” i përkiste manastirit ortodoks të Shën Nilit Juniore, në Rosano. Ky ishte një vend “i virgjër” i përbërë në pjesën më të mëdhe nga pyje të padepërtueshëm. Sidomos për këtë, do të zgjidhet në shekullin e dhjetë, nga asketi i ashpër dhe i shenjti ortodoks Nilo, si një vend ideal për krijimin dhe mbrojtjen e Manastirit të tij të shenjtë kushtuar shenjtorëve aziatike Adrian dhe Natalia. Sipas një “traditë e lashtë gojore shenjtorit tonë, për t’i shpëtuar syrit të njeriut, i pëlqente shumë  për të bërë shëtitjet e tij  “hyjnore ” duke shkuar shumë herë” fshehurazi “për në Makij. Në vazhdim më prezencën gjthmonë e më të shumtë të emigrantëve greko-shqiptarë, të cilët vinin mbi të gjitha nga Korona (fortesë venedikase në bregdetin grek e rënë në dorë të turqve në vitin 1533-34)” mori emrin e  Makij.Vetëm nga viti 1863, në vazhdim të bashkimit të Italisë, i jepet emri aktual i italianizuar Makia Albanese.[15]Duke qenë e banuar me këtë përbërje popullsie që i përkiste besimit ortodoks edhe kishat kryesore të Makij ishin kisha të ritit bizantin që popullsia e kishte sjellë me vete nga Korona.E banuar nga shqiptarë,  rreth  1600 Makia filloi të mbahej vetë, duke ushtruar kultin, në ritin grek, në kishën e Shën Marisë së Kostandinopojës. Një kupolë, më e vjetra, e ndërtuar pranë një shkëmbi, ishte ajo e Shenjta e Shën Iliës. […] Makia, në 1642, posedohej nga kardinali Brankaco (Brancaccio), i cili ushtronte juridiksionin civil dhe si abat  Commendatario i Shën Adrainti, posedonte të gjitha territoret dhe kërkonte të drejtën e casalinaggio, ndërsa D. Antonio Kastriota ushtronte juridiksionin kriminal  dhe në një farë mënyre kishte të drejtën e casalinaggio. Të dy baronët, më pas mbanin në shtëpitë e tyre kapitenin  e vet.  “Në numërimin e zjarreve të shtëpive në 1543 në Makia ishin familjet:  Argondizza, Belluscio, Caparella, Cochiloni, D‟Avati, Flocca, Lisciosta alias Greco, Marchianò, Rado (cfr. Rada), Turchio. Midis emrave të femrave është një karakteristikë:: Scalfiza (cfr. Carfizzi), gruaja e Teodorit Marchianò, i cili posedonte “vineam et boves” .“Mbiemrat më të zakonshëm ishin: Alfano, Archiopolo, Belluscio, Brunetto, Cagnazzo, Chiurco, Clivezzo, D‟Avati, Di Pace, Drames, Ligori, Longo, Maimone, Manesi, Marchianò, Marino, Masi, Mastranga, Ponte, Rada, Rebecco, Zara.[16]

Si dihet para se De Rada të shkruante Milosaon u morr me mbledhje folklori. Në vitin 1833 Jeronim De Rada, pas mbarimit të kolegjit, mori një letër ng një avokat që i kërkonte të mblidhte këngët popullore të kolonisë së tij. Duke u ushtruar në këtë punë, poeti i ri gjeti aty frymëzimin dhe me botimin e përmbledhjes së ti të parë në 1836 ( i ndihmuar nga profesori Emmanuele Bidera), u bë “shpikësi” i një letërsie kombëtare që paraqitej si poezi popullore me zanafilla që në shekullin e XV.[17]Influenca folklorike tek Milosao ndihet gjithandej ku shpesh herësi evidentohet dhe nga Shuteriqi te parathënia e veprës së plotë të botuar në Prishtinë më 1980 ekstrate të tëra janë përfshirë në vepër. Si pasojë e kësaj pune De Rada pasuroi shumë për veten e tij fjalorin e arbërishtes dhe arriti të ringjallë një memorie kolektive të kolonisë përmes mbledhjes së këngëve. Kjo përqasje e letërsisë së kultivuar  me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga elementët themelorë të botkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimatria e mirëfilltë poetike dhe dhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuhohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt romantikët gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij.[18]Një emërtim interesant  që ndihmon sërish për të kuptuar se qerthulli kulturor ku u krijuan Këngët e Milosaos është i largët nga Shkodra aktuale, është emërtimi i kapitujve të këngëve si kangjele, një fjale që nuk egziston në shqip por që gjendet në dialektin arvanitas.Kangjelet janë dy llojesh: i vogël dhe i madh. Kangjeli i vogël kërcehej në njoftimin e fejesës kurse kangjeli i madh në njoftimin e martesës.[19]

Këngët e Milosaos si tekst letrar kanë si motiv kryesor dashurinë e Milosaos me Rinën, bijën e Kalogresë dhe gjithandej ndihet atmosfera e dashurisë së tyre si në takimet në vende të ndryshme në fshat që mund të quhet një fejesë apo dhe më vonë në martesën e tyre. Kangjelet duket sikur janë ilustrim i ndjenjës së tyre. Motivi që vë De Rada në bazë të kësaj vepre , dashuria fatkeqe  e dy të rinve që i pengon mjedisi. Përzgjedhja e një dhe rrethanat që të jenë të lumtur, është shfrytëzuar dhe në letërsinë romantike sentimentale, por poeti i ka dhënë një freski e origjinalitet të jashtëzakonshëm[20].Zgjedhja e titullit origjinal si Kangjele në vend të Kanto që është me origjinë latine dhe që sigurisht ishte më influent në Kalabri për shkak edhe të presioneve kulturore që ushtronte një kulturë e strukturuar  si ajo italiane mbi një mikro kulturë periferike  të kolonive arbëreshe, rrëfen sërish për jehonën e largët që “Këngët e Milosaos” sjellin më tepër jehonën e një vendbanimi arvanitas në Greqi sesa territorin e sotëm shqiptar.

Faktet e mësipërme të qëmtuara në poemë, qoftë si vendndodhje gjeografike, simbole kulturore apo dhe fjalë të drejtë për së drejta në leksik me origjinë nga gjuha greke na shtyjnë të mendojmë se De Rada gjeti në këngët popullore  si një reflektim i një memorie kolektive dhe një simbioze kulturore arbërore-bizantine, një toponim të Moresë, Skutarin. Studiuesi Moikom Zeqo me rastin e dyqind vjetorit të vdekjes së De Radës, hodhi tezën se Skutari ndodhet në Himarë. Skutari është marrë deri tani si formë italianizuese e emrit Shkodër. Në të vërtetë përballë fshatit Vuno të Himarës është një mal me emrin Skutara. Këtu ka patur shumë familje që kanë emigruar në Itali. Poshtë fshatit Vuno gjenden gjurmë të një vendbanimi më të vjetër që unë e kam parë me sytë e mij.Mato mendon që Skutari i De Radës nuk është gjë tjetër veçse Skutara e Vunoit në Himarë. Për mendimin tim kjo lidhet në mënyrë konkrete dhe substanciale me poemën “Milosao”. Skutara mund të shpjegohet si një emër i formuar nga fjala skutë, (gropë, qoshe). Më e çuditshme është se emri Skutara ose Skutari lidhet edhe me emra njerëzish. Studiuesi arbëresh M.Belushi në një libër të tij me përmbledhje folklorike përmend zonjën arbëreshe Roza Skutara, e cila ka rrëfyer shumë nga baladat arbëreshe.Mundet që kjo zonjë të ketë qenë më origjinë nga Skutara e Himarës. Vendbanimi Skutara mund t’i nënshtrohet një gërmimi arkeologjik për të dhënë fakte të reja.[21]

Argumentimi i mësipërm nuk është shterrues. Lëvizjet më të mëdha të popullsisë drejt Italisë janë vërejtur nga gadishulli i Moresë sesa nga Himara. Po kështu lidhja e fjalës skutë me skutar nuk dëshmohet qartë, kurse një hipotezë tjetër mund të jetë se fjala scutar është një emër që shënon gladiatorët romakë që mbanin mburoja si shqyte. Ndoshta nga scutar kemi edhe fjalën shqip shqyt. Aerali kulturor i Moresë arbërore dhe ishullit të Hidrës ndihet si aeral përcaktues tipologjik kulturor në poemë. Pikërisht në bregdetin e Manit , në një nga këmbët e para të Gadishullit të Moresë edhe sot egziston një qytetth i vogël i quajtur Skutari, që si datë themelimi ka vitin 1453 pas rënies së Konstandinopojës dhe popullsi arbëre të ardhur nga rrethinat dhe që shenjtorin mbrojtës kanë Shën Marian e Konstandinopojës që nderohet dhe flitet dhe në “Këngët e Milosaos”. Vendi ka qenë një fushë beteje e vazhdueshme e popullsisë arbëre me osmanët sidomos gjatë pushtimit të Moresë në 1461, në kryengritjen e Krokodil Kladhës dhe deri në rënien përfundimtare të Koronës dhe Methonit në 1534. Prania e elementit arbër në gadishullin e Moresë është e dëshmuar nga shumë burime historike dhe autorë si Hercberg, Gregorovius, Neruco, Konstandinidhi, Lamrinidhis dhe Pashalis. Zënia vend e arbrit në Siujdhesën e jugut të Greqisë, e cila në dokumentet mesjetare të para shek.XV, njihej më tepër me emrin More, ndikoi dukshëm në ndërtimin dhe rindërtimin e një strukture të re etnike, pas një boshllëku të madh demografik në këtë pjesë të botës mesjetare greko-bizantine.[22]Emigrimi i banorëve të këtyre viseve drejt Italisë është plotësisht i dokumentuar por si vala më e madhe mbahet ajo që konsiderohet si shpërngulja e katërt e njohur me emrin e Moresë dhe Koronit( Koronit, Modenës, Nafplios, Methonit,etj) të vendosur në Bazilikate,Shën Konstandin,Shën Pal,në Pulje , Sicili…pas një marrëveshje me mëkëmbësin e mbretit të dy Sicilive, Don Pedro të Toledos,[23]

Emërtimi Skutari ka shumë gjasa që ti referohet origjinës së largët të banorëve nga Shkodra e Shqipërisë si ka ndodhur dhe me toponime  të tjera arvanitase Avlonaqi për Vlora, Ekalio për Hekal etj, por ky emigrim kish ndodhur vite dekada më parë se viti 1478 kur është e dokumetuar përmes veprës së Barletit “Rrethimi i Shkodrës” se qytetarët e Shkodrës braktisën qytetin dhe u vendosën të gjithë në Venedik. Një pyetje gjithësesi mund të ngrihet në këtë drejtim është se përse De Rada vet nuk e ka përcaktuar saktë origjinën e heroit të vet aq më tepër që për disa studiues kjo poemë e quajtur ndonjëherë dhe roman në vargje është konsideruar si roman autobiografik e frymëzuar nga dashuria e parë e poetit me një fshatare arbëreshe[24]. Gjithësesi është e rëndësishme në këtë drejtim për të mos  ngatërruar origjina e këngëve popullore që mblodhi De Rada në koloninë arbëreshe në Kalabri dhe që e nxitën atë të shkruajë krijimin e vet letrar “Këngët e  Milosaos”, pra heroit të krijimtarisë së De Radës, ku në poemë gjejmë motive si luftëtari parganiot Milo Shini apo Luizën nga Hidra që dëshmojnë sërish qerthullin kulturor arbër-bizantin të poemës , me vet origjinën e poetit. Ai dëshmon në autobigrafinë e tij se të parët e tim eti ishin ndofta një farë Pjetër Anton Rada i Shqipërisë, prej të cilit në Arkivin Venet të vitit 1300 gjendet një sinalagmatikë shitblerje me Doxhën.[25]Gjithsesi Makia, fshati i De Radës, dihet që është një koloni epiriote[26]dhe në këtë kontekst duket pak e vështirë që jehona dhe ngjarjet e Arbërisë së Veriut me kryeqendër Shkodrën duke pasur parasysh komunikimin shumë të vështirë në Mesjetë të jenë përcjellë në formën e poezisë orale deri në Italinë e Jugut.Për më tepër në kushtim të librit, De Rada theksonte se këto këngë do të jenë dëshmi të lidhjeve shpirtërore me zakonet më të lashta ndër njerzit e shpërndarë të Epirit( Shqipërisë –shënon Jup Kastrati, por duhet të jemi shumë të kujdeshëm kur një konotacioni gjeografik i japim një ngjyrim më përgjithësues)[27]duke mos përmendur një koncept më të madh gjeografik ku përfshihej dhe Shkodra. Edhe vet forma e së shkruarit të Milosaos me vargje tetë  rrokësha e kombinuar me gjashtë rrokësha, një imitim i metrikës së këngëve popullore, hedh dritë mbi origjinën e ngjarjeve dhe motiveve të përshkruara në poemë.Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë;madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore  tradicionale italo-shqiptare-sic është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të përzjerë me ndonjë shtatë rrokësh dhe gjashtë rrokësh;që të gjithë të marrë sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone.[28]

Përcaktimi qartë i origjinës sëkëngëve, toponimisë dhe ngjarjeve që inspiruan De Radën të shkruajë poemën e tij promovuese “Këngët e Milosaos”ka një rëndësi të veçantë për rrugëtimin kulturor e etnik të arbërëve në mesjetë dhe të ringjallur për fat të mirë nën ndikimin e Romantizmit sërish në shekullin e XIX. Trekëndëshi Shqipëri-Greqi-Itali nuk është vetëm një trekëndësh gjeografik i zakonshëm i Europës Jug Lindore , por mbi të gjitha një trekëndësh kulturor që ka influencuar mjaftueshëm në qytetërimin botëror, nëpërmjet dy qytetërimeve të mëdha, grek dhe latin. Përkrah tyre ka gjalluar dhe një qytetërim arbër që në momente të caktuara ka dominuar në fatet politike të gadishullit por ka shërbyer edhe si mburojë e këtyre qytetërimeve që nga Dalmatia e deri poshtë në More. Nxjerrja në pah i këtyre gjurmëve edhe përmes teksteve tona të shkruara si janë “Këngët e Milosaos” i jep shumë më tepër larshmëri dhe diversitet kulturës sonë dhe ndihmon për të imagjinuar sesi ishte jo vetëm Arbëria Mesjetare por edhe Arbëria tjetër që emigroi dhe krijoi etnitete dhe identitete të veçanta kulturore në More dhe në Itali të Jugut.

[2] Jup Kastrati. Historia e Albanologjisë.Tiranë:2000, Aergeta LMG dhe Fondacioni Soros, fq 744

[3] Dr Irakli Koçollari. Krokodil Kladha.Kryengritësi i dy popujve. Tiranë:2009, Botime Dudaj, fq 38

[4]Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006, fq 49

[5] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë. Tiranë:2009, fq 122

[6] Po aty, fq 122

[7] Dhimitër Shuteriqi, Parathënie tek De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja, fq 217

[8] Po aty fq 217

[9]Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006 fq 127

[10] Moikom Zeqo. “Këngët e Milosaos”, Skutari në Himarë, jo në Shkodër .

[11]De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja, fq 88-89

[12] Po aty fq 158-159

[13] Dhimitër Shuteriqi, Parathënie tek De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja, fq 205

[14]De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja, fq 206

[15]ARVANITIS NAZORAIOS: STORIA DI MAKIJ.Collana “HISTORÌ E VËRTETË” “ISKRA”Sito di riferimento: www.makj.jimdo.com, fq 18

[16]ARVANITIS NAZORAIOS: STORIA DI MAKIJ.Collana “HISTORÌ E VËRTETË” “ISKRA”Sito di riferimento: www.makj.jimdo.com, fq 18

[17] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë. Tiranë:2009, fq 160

[18] Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë;2014, fq 26

[19] Aristidh Kolia. Arvanitët. Tiranë:2002, Toena, fq 333

[20] Klara Kodra. Poezia e De Radës.Tiranë:1988. Akademia e Shkencave të RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, fq 53

[21] Moikom Zeqo. “Këngët e Milosaos”, Skutari në Himarë, jo në Shkodër http://shqiptarja.com/kulture/

[22]Shkëlzen Raça. Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi shek.XIII-XVI.Instituti Albanalogjik i Prishtinws. Prishtinë:2004, fq 131

[23] Irakli Kocollari. Arvanitët. Tiranë:1994, Albin, fq 114

[24] Klara Kodra. Poezia e De Radës.Tiranë:1988. Akademia e Shkencave të RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, fq 53

[25] Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera, fq 250

[26] Po aty, fq 250

[27] Jup Kastrati. Jeronim De Rada. Tiranë:1979, Shtëpia Botuese 8 nëntori, fq 39

[28] Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera, fq 178

Bibliografi:

1-    Aristidh Kolia. Arvanitët. Tiranë:2002, Toena,

2-    De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja

3-    Dr Irakli Koçollari. Krokodil Kladha.Kryengritësi i dy popujve. Tiranë:2009, Botime Dudaj

4-    Dhimitër Shuteriqi, Parathënie tek De Rada Vepra 1. Prishtinë:1980, Rilindja

5-    Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë: 2014

6-    Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera

7-    Irakli Kocollari. Arvanitët. Tiranë:1994, Albin

8-    Jup Kastrati. Historia e Albanologjisë.Tiranë:2000, Aergeta LMG dhe Fondacioni Soros

9-    Jup Kastrati. Jeronim De Rada. Tiranë:1979, Shtëpia Botuese 8 nëntori

10-  Klara Kodra. Poezia e De Radës.Tiranë:1988. Akademia e Shkencave të RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

11-  Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar.Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë. Tiranë:2009

12-  Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike1392-1479” K and L, Tiranë, 2006

13-  Moikom Zeqo. “Këngët e Milosaos”, Skutari në Himarë, jo në Shkodër http://shqiptarja.com.

14-  Shkëlzen Raça. Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi shek.XIII-XVI. Instituti Albanalogjik i Prishtinës. Prishtinë:2004

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok