18/09/2024

Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha: “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË”

0

Në Bibliotekën Publike “Dr. Ibrahim Rugova” në Gjakovë, është promovuar libri “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË” i koautorëve Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha

Shkruan Lekë Mrijaj

Promovimi i librit monografik “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË” i koautorëve të mirënjohur, Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore në Bibliotekën Publike “Dr. Ibrahim Rugova” në Gjakovë,  pikërisht në Sallën “Teki Dervishi” ku figura e Luz S. Thaçit u nderua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të kombit shqiptar, kulturës dhe humanizmit.

Ky promovim i sotëm është organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikoll Kazazi” në Gjakovë, i cili shënoi një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe intelektuale, duke mbledhur miq nga Gjakova, Klina, Peja, dhe figura të njohura nga fusha e letërsisë, kulturës, politikës, akademisë, dhe të aktivitetit kombëtar.

Po ashtu në këtë ngjarje kulturure tê pranishëm ishin edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, gjeneral Anton Çuni, deputeti Armend Zemaj, ish nenkryetari i LDK-së dhe bashkëpunetori me i denjë i presidentit historik të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, profesor Anton Kolaj etj.

Promovimi i librit “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË” u hap në një atmosferë të veçantë, përmes një interpretimi muzikal me violinë tejet të ndjerë që përçoi emocionin e thellë të kësaj ngjarjeje kulturore. Pra një kombinim artistik, mes fjalës së shkruar dhe muzikës së violinës qe e e ngriti promovimin në një nivel të lartë ndjesor dhe kombëtar, kulturor duke nderuar më së miri figurën e Luz S. Thaçit.

Fjalët e para që u drejtuan të pranishmëve nga ana e moderatorit, prof. Engjëll I.  Berisha, përshkuan rëndësinë e koautorëve dhe subjektit të librit, Luz S. Thaçit dhe veprës së tij të jashtëzakonshme, duke krijuar një lidhje të ngushtë mes audiencës dhe temës qendrore të promovimit.

Në promovimin e librit “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË”, përveç autorëve, pjesë e rëndësishme e diskutimeve me kumtesat e tyre ishin edhe studiues të njohur si prof. dr.  Anton N. Berisha, prof. Hajdin Morina, prof. Pal Canaj, dhe publicisti  Lekë Mrijaj, të cilët kontribuuan me kumtesa të vlefshme që thelluan analizën e figurës së Luz S. Thaçit.

  • Prof. dr. Anton N. Berisha vuri në dukje dimensionet intelektuale dhe njerëzore të Luz. S. Thaçit, duke e vendosur atë në kontekstin e meritorëve të diasporës shqiptare në Gjermani. Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe, dr. Berisha, më pastaj foli rreth angazhimit dhe të veprimtarisë së zotit Luz Thaçi përpos në fushën politike, të humanizmit, por edhe atë të kulturës, ”Diaspora jonë, gjithherë, edhe në të kaluarën, por edhe në  periudhat e fundit  të rrjedhave të historisë, ka luajtur rol  të rëndësishëm në internacionalizimin e çështjes së Kosovës, por edhe të asaj shqiptare përgjithësisht, duke i dalë në ndihmë atdheut në kohët kur kishte më së shumti nevojë”, shtoi Berisha.
  • Prof. Hajdin Morina në kumtesën e tij veç tjerash theksoi se monografia e autorëve Gojani dhe Berisha është një vepër publicistike e madhe që trajton materialin gjuhësor dhe realizimin e personazheve, sidomos atë të Luz S. Thaçit, një intelektual i dalluar. Ajo përmban elemente të kronikës, prozës dokumentare, eseve argumentuese dhe përshkruese, si dhe pasazhe nga udhëpërshkrimet dhe letërkëmbimet. Përmes faksimileve dhe fotografive, autorët plotësojnë profilin e personazhit, duke ndihmuar lexuesin të ndërtojë mesazhe dhe nëntekste të reja nga leximi i tyre, duke zgjeruar kështu kuptimin e veprës dhe qëllimin e autorëve.
  • Prof. Pal Canaj, me kumtesën e tij zgjoi interesim tek auditoriumi prezent, i cili shkoqiti disa aspekte të rolit të diasporës sonë dhe kontributit që në momentet e nevojshme ka luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin  e Kosovës. Sipas profesor Canajt, diaspora jonë  është shndërruar në një institucion që na garanton një ndihmesë  të madhe për një zhvillim  dhe përparim  më të shpejtuar të vendit.
  • Nga moderatori Engjëll I. Berisha, u lexua edhe kumtesa e prof. Prend Buzhalës e cila është mirëpritur nga të pranishmit. “Do theksuar se autorët na bëjnë të kuptojmë që sfondi shoqëror dhe historik i një monografie është ndër elementet kyçe për ta kuptuar kontekstin në të cilin ky veprimtar e mërgimtar ka jetuar dhe vepruar. Ky sfond ofron kornizën në të cilën shtjellohet dhe kuptohet puna dhe ndikimi i tij, si dhe kushtet që i kanë formësuar veprimtarinë dhe qëndrimet e tij. Është sfond që shfaqet nëpër disa kontekste të tilla historike, nacionale e shoqërore, ashtu sikundër ka në kaluar nëpër to gjenerata e Luzit, thuhet në kumtesën e Buzhalës.
  • Publicisti Lekë Mrijaj, gjatë prezantimit të recensionit të tij për monografinë “LUZ S. THAÇI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I SHQUAR NË DIASPORË,” të shkruar nga koautorët Mikel Gojani dhe Engjëll I. Berisha, vlerësoi qasjen e autorëve në trajtimin e jetës dhe veprimtarisë së Luz S. Thaçit. Ai theksoi se libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë, e cila e bën të lehtë për lexuesin e zakonshëm të përfshihet në rrëfimin e historisë së Luz S. Thaçit, pa u ndërlikuar nga terma të vështirë akademikë apo profesionalë. Sipas Mrijajt, kjo e bën veprën të qasshme për një audiencë më të gjerë. Libri fillon me një fjalë hyrëse, në vend të një parathënieje tradicionale, ku koautorët theksojnë rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, e cila ka luajtur një rol kyç në përpjekjet për liri, demokraci dhe çlirim kombëtar të Kosovës. Kjo pjesë hyrëse i bën jehonë kontributit të diasporës në ndërtimin e një shteti të lirë dhe të pavarur të Kosovës, duke vendosur në qendër të vëmendjes angazhimin e figurave si Luz S. Thaçi, i cili është përfaqësuar si një veprimtar dhe humanist i dalluar në diasporë. Mrijaj vuri theksin edhe në mënyrën sesi autorët kanë strukturuar monografinë, duke paraqitur një qasje narrative që e përfshin lexuesin në jetën dhe kontributet e Thaçit në kontekstin më të gjerë të historisë dhe çështjeve kombëtare.

Këto kumtesa të këtyre studiuesve plotësuan dhe thelluan rëndësinë e librit të koautorëve, duke treguar se Luz S. Thaçi jo vetëm që ishte një figurë kyçe në diasporë, por është dhe mbetet edhe një frymëzim për brezat e ardhshëm në diasporë, Kosovë dhe Shqipëri.

Ishte koautori i librit prof. Engjëll I. Berisha, i cili foli për procesin e hartimit të monografisë dhe për sfidat që u përballuan gjatë grumbullimit të materialit mbi jetën dhe veprën e Luz S. Thaçit. Ata e përshkruan Thaçin si një figurë të madhe që, përveç angazhimit politik, kishte një shpirt humanitar të theksuar, i cili dallohej për mbështetjen e tij ndaj njerëzve në nevojë, si dhe për përkushtimin ndaj diasporës shqiptare.

Në fjalimin e tij prof. Berisha gjithashtu i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij libri të cilët ndihmuan në ofrimin e dokumenteve dhe informacioneve të rëndësishme.

Me emocione të veçanta foli edhe z. Luz S. Thaçi, i cili shprehu mirënjohje për autorët e librit, duke theksuar se ndjehej i nderuar që jeta dhe veprimtaria e tij në diasporë janë përjetësuar në këtë monografi. Ai vlerësoi librin si një dëshmi të rëndësishme jo vetëm për jetën e tij, por edhe për rolin e diasporës shqiptare në përpjekjet e tija për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ky libër i promovuar sot në ambientet e Bibliotekës Publike “Dr. Ibrahim Rugova” në Gjakovë, ofron një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprimtarisë së Luz S. Thaçit, duke qenë një burim i rëndësishëm për studiuesit, por edhe për publikun e gjerë që dëshiron të mësojë më shumë për historinë e diasporës shqiptare. Pas promovimit të librit nga organizatorët është organizuar një koktej rasti për të gjithë të pranishmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok