Mësuesit që lanë gjurmë në jetën time
Nga Miradije Gashi
Që në hapat e parë të shkollimit, kam mësuar të respektoj çdo mësues e profesor, pa dallim. Por disa prej tyre kanë mbetur të gdhendur thellë në kujtesën time.
Në shkollën e vendlindjes, kujtimet më të forta më lidhen me mësuesit Latif Gashi, baba i arsimit për Drenasin, dhe Fadil Shala, muzikant i talentuar. Ata nuk ishin vetëm transmetues të njohurive, por edhe shembuj të gjallë të edukatës dhe humanizmit.
Në shkollën e mesme, dy figura u dalluan në mënyrë të veçantë. Xhevat Krasniqi (Xhuda), historian, biri i atdhetarit të njohur Metush Krasniqit, më mësoi të shoh të kaluarën jo si ngarkesë datash e faktesh, por si një udhërrëfyes për të kuptuar të tashmen. Profesoresha e kimisë, Makfire Sylejmani, më la mbresa të veçanta me qasjen e saj të përpiktë shkencore.
Në Shkollën e Lartë Pedagogjike, takova figura që formësuan jo vetëm dituritë, por edhe vizionin tim për arsimin. Jusuf Shushka, metodist, Idriz Rexha, sociolog, dhe Rexhep Hoxha, shkrimtar dhe profesor i letërsisë, nuk ishin vetëm pedagogë, por frymëzues të vërtetë. Përmes tyre kuptova se të jesh mësues është një mision i madh.
Në Fakultetin Filozofik, ndikimi i disa profesorëve ishte i jashtëzakonshëm. Aferdita Deva-Zuna, pedagoge, u dallua për kulturën e gjerë të komunikimit modest. Ndërsa pedagogu i madh Demë Hoti ishte një shembull i rrallë i profesionalizmit dhe i urtësisë akademike. Nga ai mësova se dija nuk është thjesht pushtet, por edhe përgjegjësi morale.
Shpreh mirënjohje të thellë për këta mësues e profesorë, të cilët mbeten gurë themeli në ndërtesën e personalitetit tim.
