Mësimdhënësit shqiptarë të viteve ’90, heronj të heshtur që sakrifikuan gjithçka për arsimin dhe identitetin shqiptarë
Nga Lekë Mrijaj
Në mesin e vuajtjeve të shumta që populli shqiptar i Kosovës përjetoi gjatë regjimit represiv serb, arsimi shqip mbeti një nga shtyllat kryesore të qëndresës kombëtare. Gjatë viteve ’90, kur dhuna, diskriminimi dhe përjashtimi ishin instrumente të përdorura nga regjimi i Milosheviqit për të shtypur aspiratat për liri dhe demokraci, arsimi shqip u shndërrua në simbol të mbijetesës kulturore dhe kombëtare.
Duke shfletuar shtypin ditor të asaj kohe, hasa në një artikull të gazetës “Bujku” të Kosovës, gazetë qe pasqyronte një nga shumë aktet e padrejtësisë ndaj arsimit shqip. Në artikull rikujtohej se si drejtori i dhunshëm Rashid Alia, përfaqësues i regjimit serb, urdhëroi largimin nga detyra të profesorit të historisë, Sadri Rexhepi, vetëm sepse ishte shqiptarë.
Dhuna mbi arsimin shqip në Kosovë
Pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, regjimi serb ndërmori masa të rënda për të shkatërruar arsimin shqip. Mbyllja e shkollave, largimi i mësimdhënësve shqiptarë dhe vendosja e strukturave të dhunshme në institucionet arsimore ishin pjesë e planit për të asimiluar shqiptarët dhe për të zhdukur identitetin e tyre kombëtar e kulturor. Në këtë periudhë, Kosova humbi të gjitha kompetencat legjislative dhe ekzekutive, përfshirë edhe ato mbi arsimin, ndërsa të gjitha vendimet për kurikulat dhe librat shkollorë merreshin në Beograd.
Shkollat shqipe në mbarë Kosovën u përjashtuan nga infrastruktura publike dhe u detyruan të operonin në kushte të jashtëligjshme. Mësimdhënësit përballeshin me kërcënime të vazhdueshme, arrestime dhe dhunë nga policia serbe, ndërsa nxënësit ndiqnin mësimet në shtëpi private, bodrume apo ambiente të tjera të papërshtatshme. Arsimi shqip nuk ishte vetëm një proces mësimor, por një akt i fuqishëm heroizmi dhe rezistence ndaj pushtuesve.
Rasti i Sadri Rexhepit, pedagog në shkollën fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë
Ngjarja e dokumentuar në gazetën “Bujku”, më 24 nëntor 1992, pasqyron një nga shumë aktet e dhunshme të regjimit serb ndaj mësimdhënësve shqiptarë. Drejtori i dhunshëm i atëhershëm Rashid Alia, duke zbatuar politikat fashiste të regjimit serb, përjashtoi profesor Sadri Rexhepin nga shkolla fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë. Ky veprim ishte një shkelje flagrante e të drejtave të tij si mësimdhënës dhe një sulm ndaj sistemit arsimor shqip. Ky incident nuk ishte rast i izoluar. Drejtorët e emëruar nga regjimi serb vepronin si zbatues të shtypjes, duke përdorur dhunë psikologjike dhe fizike për të frikësuar mësimdhënësit dhe për të imponuar rregullat që synonin asimilimin dhe zhdukjen e gjuhës shqipe.
Arsimi paralel i viteve ’90 – Simbol i qëndresës kombëtare
Në këto rrethana të pamundura, shqiptarët krijuan një sistem paralel arsimor, duke zhvilluar mësimin jashtë strukturave të kontrolluara nga pushteti serb. Ky sistem përfshinte:
- Shkolla të improvizuara: Mësimet zhvilloheshin në shtëpi private, të hapura nga familjet shqiptare.
- Përkushtim kolektiv: Mësimdhënësit shpesh punonin pa pagesë, me mbështetje minimale nga komuniteti.
- Materiale të kufizuara: Tekstet dhe pajisjet mungonin, por improvizimi dhe solidariteti bënin të mundur vazhdimësinë e mësimit.
Ky sistem jo vetëm që siguroi mbijetesën e arsimit shqip, por shërbeu si një akt i fuqishëm për ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar. Ai përgatiti terrenin për lëvizjen çlirimtare, duke mbjellë shpresë për liri te brezi i ri.
Heroizmi i mësimdhënësve shqiptarë
Mësimdhënësit shqiptarë të viteve ’90 ishin më shumë se edukatorë; ata ishin heronj të heshtur që sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur arsimin dhe identitetin kombëtar. Siç u shpreh pedagogia dhe veteranja e arsimit shqip, zonja Marije Nekaj, profesori Sadri Rexhepi ishte “një fanar drite në qëndresën kombëtare.”
Ky mësimdhënës si dhe mësimdhënësit të tjerë nëpër shkollat e Kosovës, sfiduan dhunën dhe frikën, duke qëndruar të palëkundur në misionin e tyre fisnik. Ata mbetën të pathyeshëm, duke mbrojtur me çdo kusht të drejtën për mësim dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
Mesazhi i trashëguar nga sakrifica e viteve ’90
Ngjarjet e viteve ’90-ta na kujtojnë se arsimi është një armë e fuqishme për mbrojtjen e identitetit dhe kulturës së një populli. Sakrificat e mësimdhënësve dhe nxënësve shqiptarë të asaj kohe na mësojnë rëndësinë e ruajtjes së arsimit shqip si një thesar kombëtar që nuk duhet harruar ndër breza.
Në një periudhë të terrorit dhe shtypjes, mësimdhënësit shqiptarë dhe nxënësit e tyre mbetën të pathyeshëm, duke mbrojtur me heroizëm arsimin shqip dhe vlerat kombëtare.
Lavdi dhe mirënjohje për prof. Sadriun dhe për të gjithë ata që sakrifikuan, përfshirë familjet shqiptare që hapën dyert e shtëpive të tyre për të mbrojtur arsimin shqip nga terrori serb i Sllobodan Milosheviqit!