22/12/2024

Mësimdhënësit dikur “edukonin” me dhunë nxënësit, ndërsa sot ushtrohet dhunë ndaj edukatorëve

0
Gjeke-Gjonaj

Nga Gjekë Gjonaj

Rrëfimet e gjeneratave më të vjetra  tregojnë për traumat e fituara në shkollë si pasojë e dhunës fizike nga mësimdhënësit. Edhe pse prindërit e nxënësve kanë qenë në dijeni, kanë pasur shumë “respekt” për mësuesit. Ka pasur raste kur fëmijët e asaj kohe nuk kanë guxuar të tregojnë në shtëpi që janë rrahur nga mësuesi, sepse  një shuplakë  ua kanë dhënë edhe prindërit. Kështu  ka ndodhur  në kohën kur  mësimdhënësit gëzonin në shoqëri një autoritet të lartë, kur ata vlerësoheshin dhe respektoheshin  në vendin e punës dhe jashtë shkollës, kur dihej se kush është mësimdhënës e kush nxënës, kur  ka pasur  bashkëpunim të frytshëm  mes prindërve dhe mësuesve për të mirën e fëmijës.

A është kështu sot? Jo, gjithçka është ndryshe. Mësimdhënësit nuk guxojnë të ushtrojnë dhunë fizike tek nxënësit e tyre. Prindërit u dalin në mbrojtje fëmijëve dhe nëse ka raste të tilla reagojnë menjëherë. Sot ka një solidarizim  mes prindërve dhe fëmijëve në dëm të mësimdhënësve. Sot është mësimdhënësi  ai që duhet të dëgjojë dhe respektojë si fëmijën ashtu edhe prindërit dhe sistemin shkollor. Mësimdhënësit  dikur “ edukonin” me dhunë nxënësit, ndërsa sot  ushtrohet dhunë  edhe ndaj mësimdhënësve.  Një anketë mbi dhunën ndaj mësimdhënësve , në të cilin morën pjesë 1.300 punonjës të shkollës  të bërë nga Sindikata e Arsimit të Malit të Zi përfundoi me rezultate  shqetësuese.

Përafërsisht  një e katërta e mësimdhënësve nuk ndjehen të sigurt në vendin e tyre të punës

Duke i prezantuar rezultatet e  sondazhit të Ministrisë së Arsimit  të Malit të Zi  psikologia Zorica Miniq nga Qendra e Provimeve të Malit të , theksoi se pothuajse një e katërta e mësimdhënësve nuk ndjehen të sigurt në vendin e tyre të punës dhe ndjenja e sigurisë është më e vogël sa më i madh të jetë numri i shkollave. “Kur bëhet fjalë për dhunën nga ana e menaxhmentit të institucionit, mësimdhënësve u  kërkohet që të kryejnë detyra që nuk janë në përshkrimin e tyre të punës. Disa nga llojet e dhunës që ushtron administrata ndaj mësuesve janë bërtitja, ngritja e zërit, kërkesa për rritjen e notave, gënjeshtra, të cilat të gjitha njihen nga rreth një e treta e punonjësve të anketuar”, theksoi Miniq. Përafërsisht një e katërta e mësuesve që morën pjesë në hulumtim përjetuan frikësim dhe mohim të të drejtave të garantuara nga administrata. “Pothuajse çdo i pesti i anketuar ka përjetuar tallje, poshtërim, kërcënime për humbje të punës, ngacmime me mesazhe dhe të ngjashme. Forma më e shpeshtë e dhunës e përjetuar nga  mësimdhënësit  nga administrata – kërkesa për kryerjen e detyrave që nuk janë në përshkrimin e tyre të punës, është më e ekspozuara ndaj punonjësve në shkollat ​​e mesme dhe në krye të kësaj janë bashkëpunëtorët profesionalë dhe personeli jomësimdhënës. “, tha Miniq.

Në shkolla të mesme e gjimnaze presioni më i madh vjen nga drejtuesit

Ndërhyrje të papërshtatshme në punë, si presioni gjatë vlerësimit, është përjetuar herë pas here/shpesh nga 14.8 përqind e mësuesve dhe rrallë nga 20.5 përqind.   Drejtuesit e shkollave të mesme dhe gjimnazeve, siç ka treguar edhe hulumtimi, këtë lloj dhune e shfaqin ndaj punonjësve të tyre më shpesh sesa drejtuesit  e tjerë në arsim. Toni ngrihet rrallë në institucionet parashkollore. Në shkollat ​​më të mëdha, rreth 40 për qind e të anketuarve kishin përvojën e presionit të administratës për të rritur notën. Kjo lloj dhune është më e zakonshme në shkollat ​​e mesme dhe pothuajse çdo punonjës tjetër e ka përjetuar atë.

Frikësimi dhe presioni për rritjen e notës

Në shkollat ​​me mbi 500 nxënës ka dukshëm më shumë presion nga prindërit me synim rritjen e notave. Më shumë se gjysma e mësuesve të anketuar kanë ndjerë këtë lloj presioni. Presionet më të shpeshta për rritjen e notës ushtrohen nga prindërit e shkollave fillore dhe të mesme. Ngritja e zërit, të bërtiturat dhe frikësimi janë gjithashtu forma të dhunës nga prindërit që janë më të zakonshme në shkollat ​​e mëdha dhe fillore (rreth 30 përqind e mësuesve e kanë këtë përvojë).

Mësimdhënësit  të marrin statusin zyrtar

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Radomir Bozhoviq, ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme do të kërkojnë  që punonjësit e arsimit të marrin statusin zyrtar derisa janë duke punuar në institucion. Ata gjithashtu do të kërkojnë që prindërit të kenë sanksione më të rrepta (financiare  ose të tjera) në rast se fëmija i tyre kryen një sulm fizik ndaj punonjësve të një institucioni arsimor. Ata propozojnë, siç tha Bozhoviq, përshpejtimin e projektit me roje në shkolla, si dhe përforcimin e bashkëpunimit me prindërit përmes shërbimeve psikologjike dhe pedagogjike në kuadër të programit për parandalimin e dhunës. Bozhoviq theksoi se gjendja aktuale në shkolla është e tillë që pedagogët dhe psikologët janë të stërngarkuar me punë që i largon nga fëmijët, gjegjësisht u janë ngarkuar detyra, për shkak të të cilave ata kanë gjithnjë e më pak kohë për t’u marrë me fëmijët dhe me parandalimin.

Shmangia e situatave të papërshtatshme

Sindikata do të kërkojë  rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë në shkolla, si dhe  forcimin e bashkëpunimit me qendrat për punë sociale, me qëllim të reduktimit të dhunës ndaj mësuesve në shkolla. “Ne gjithashtu do të kërkojmë  që presioni i administratës, prindërve dhe nxënësve ndaj mësimdhënësve  në lidhje me vlerësimin të trajtohet si formë e dhunës ndaj mësimdhënësve ”, tha Bozhoviq. Ai u shpreh  se ka keqpërdorime të shpeshta në seancat e këshillave të dikastereve, në të cilat marrin pjesë anëtarë të administratave, edhe pse nuk duhet. Janë pikërisht këto situata kur u bëhet presion kolegëve për të dhënë një vlerësim më të lartë. Si një nga shembujt ai ka thënë se në një shkollë në Podgoricë, e kështu është, pohoi  ai, në të tjerat, në dhjetë vjet, asnjë fëmijë nuk ka përsëritur klasën. Bozhoviq nënvizoi  se sindikata propozon të vendosen protokolle që do të përcaktojnë mënyrën se si prindërit mund të komunikojnë me mësimdhënësit, në mënyrë që të shmangen situatat e papërshtatshme. Ata sugjerojnë që në faqet e shkollave të publikohen kriteret dhe protokollet për çdo lëndë dhe klasë për vlerësimin e nxënësve, si dhe të bëhen protokolle të qarta të veprimeve në institucione për rastet e dhunës ndaj mësuesve. Ata do të kërkojnë  krijimin e një programi të mbështetjes psikologjike për mësuesit në mënyrë që të reduktohen efektet e stresit.

Rasti i sulmit  të dhunshëm të mësimdhënësit në Ulqin

Dhuna ndaj mësimdhënësve  për fat të keq është e pranishme edhe në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.  Në tetor të vitit 2015 mësimdhënësi i matematikës ( S.K)   është dhunuar në  korridorin  e Shkollës Fillore “ Boshko Strugar” në Ulqin  nga një prind ( C.D)  për  shkak se nuk ishte i kënaqur me  notën e fëmijës së vet. Kjo ngjarje e shëmtuar ndaj,  siç pohojnë punonjësit   e shkollave  të këtij qyteti, njërit     ndër mësimdhënësit më të përkushtuar në profesion dhe njëheri  edhe ndër më korrektit. Rezultatet  nga hulumtimi i fundit të Sindikatës së Arsimit   tregon qartë se  sa shkolla  është ekspozuar ndaj fyerjeve, mallkimeve, kërcënimeve dhe llojeve tjera të dhunës në dekadën e fundit.

Të eliminohet  atmosfera e frikës   në shkolla

Psikologët  vlerësojnë se dhuna ndaj mësimdhënësve  është pasojë e rrënimit të vlerave dhe mungesës së komunikimit. Sipas tyre  dhuna ndikon jo vetëm në jetën e viktimës, por edhe në të gjithë sistemin arsimor – mësimdhënësit  nuk mund të mbajnë ligjërata cilësore, ndërsa  nxënësit   i respektojnë ata  gjithnjë e më pak. Mësimdhënësit kërcënohen në klasë, shahen në internet. Jeta e përditshme e disa edukatorëve   në Mal të Zi  është shpesh e pakëndshme.  Kjo situatë e ushtrimit të dhunës fizike apo verbale ndaj  mësimdhënësve, sikurse edhe e dhunës mes nxënësve   do të duhej të jetë  ndër prioritetet e punës  të institucioneve arsimore.   Rezultatet më të mira mund të arrihen nëse shkolla nxit një atmosferë respekti, mirëkuptimi dhe tolerance të cilën mësuesit, arsimtarët  dhe profesorët, e më pas i gjithë sistemi shkollor, duhet ta krijojnë dhe të punojnë që në fillim. Vetëm në një shkollë ku ka një atmosferë të këndshme, ku të gjithë aktorët mbrohen dhe respektohen, ku problemet zgjidhen me metoda jo të dhunshme, mund të mësohet jo dhuna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok