MESAZHI I NJË TREGIMI
Shkruan: Violeta Allmuça, Shkrimtare
Angjelina Marku e ndërlidh tregimin e saj të shkurtër, me arsyen dhe titullin “Albani nuk flet shqip?”. Rrëfimi i çiltër, me një stil të thjeshtë përshkohet nga ndjenja të thella në mjedisin ku ne jetojmë larg atdheut tonë. Zëri i një fëmije të pezmatuar që ndikohet për shkak, se ai nuk ka mësuar të flasë gjuhën shqipe na prek të gjithëve. Krijimet artistike shpesh nuk janë një çelës që hapin gjithçka dhe kudo, por një mundësi për kthimin e vëmendjes drejt mësimit të gjuhës amtare nga shqiptarët e rinj.
Albani një nxënës që jeton në Vjenë, personazhi i vetëm në këtë tregim kërkon të bëhet shembullor. Sigurisht që ka edhe Albanë të tjerë që nuk flasin shqip. Autorja dhe të gjithë ne trishtohemi sepse në radhë të parë prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Po ashtu edhe mësuesit duhet të jenë të përkushtuar për t`u mësuar nxënësve shqiptarë gjuhën e të parëve. Në një shkollë tjetër në Austri nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin shqip, kishin kritikuar prindërit e tyre që nuk i çonin në orët e mësimit të gjuhës shqipe. Ishte iniciativa e fëmijëve dhe mësueses që të mësonin gjuhën shqipe. Pra vetë fëmijët shqiptarë duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Është e drejta e gjithsecilit të besojë fëmijët.
Tregimi i shkurtër i Angjelina Markut “Albani nuk flet shqip” përbëhet prej 200 fjalësh që autorja mund t`i zgjeronte edhe më shumë, skicave të Ali Bekteshit dhe Arbër Hajdarit që gjithashtu duhen vlerësuar, tre-katër personazheve të zakonshëm të cilët na zbulojnë temën dhe përmbajtjen e tregimit nëpërmjet gjuhës fëmijërore. Të shkruash sot për fëmijët është diçka e bukur. Mjetet shprehëse letrare dhe të figurshme si krahasimi, simboli e të tjera që përdor autorja na sjellin një tregim të zhdërvjellët.
Pasi i ka mëshuar fenomenit të mësimit të gjuhës shqipe çdokush kupton se integrimi njerëzor arrihet edhe me integrimin shpirtëror të gjeneratave, nëpërmjet gjuhës, traditës dhe vlerave shqiptare. Rëndësia e të qenit një model kuptimplotë e frymëzon Albanin që të bëhet inkurajues për veten dhe për të tjerët. Përmes këtij tregimi, fuqia e thirrjes së vendlindjes i kërkon Albanit të përballet me prindërit e tij që e kanë anashkaluar trashëgiminë e të mësuarit në gjuhën shqipe. Ai fajëson prindërit! “Pse ma keni vënë emrin Alban dhe nuk ma keni mësuar gjuhën shqipe? Unë mburresha me origjinën time! Unë krenohesha me flamurin kuq e zi dhe vendin e shqiponjave!”. Pse?
Kur një fëmijë e kupton sadopak jetën kërkon të mësojë prej saj. Albani nuk flet shqip, por neve na vjen keq, pasi ai dhe çdo fëmijë tjetër që nuk mëson edhe gjuhën shqipe e humbet identitetin e vet.
Dilema e Albanit ishte të njihte vendin e origjinës së tij. Kur u kthye në Vjenë i premtoi familjes, se kur të rritej do të kthehej në vendlindjen e prindërve.
A është ky një mesazh për të gjithë ne, familjen, shkollën dhe mësuesit që shqiptarët kudo që jetojnë të flasin gjuhën e etërve të tyre? Unë besoj se po! Ne ecim udhës së shpresës! Kështu mendon edhe Angjelina Marku e cila e mbyll tregimin me Happy end, (fund i lumtur) dhe na jep mesazhin më të qartë:
-Mësoni të flisni gjuhën tonë të bukur, të shkruani gjuhën e Naim Frashërit që ka thënë, se gjuha shqipe është: “gjuh që flisjin Perënditë”, At Gjergj Fishtës që shkruan: gjuha shqipe është, “porsi kanga e zogut t`verës”, Shtjefën Gjeçovi që ka thënë: “Gjuha është burim i dijes dhe fryma e një Kombi”, që siç thotë Populli: Gjuha ruhet, atje ku shkruhet.
Të mësosh gjuhën shqipe është krenari për çdo fëmijë shqiptar që e merr atdheun kudo me vete, në zemrën e tij. Atdheu është gjuha dhe gjeneza e çdo shqiptari.