24/03/2026

MESAZHET E QARTA KOMBËTARE TË LIBRIT “GJEOPOLITIKA DHE FUQIA USHTARAKE E SHQIPËRISË NË “LUFTËN E FTOHTË” E AUTORIT ZENO JAHAJ

0
Habazaj-Jahaj-Berdaj

Albert Habazaj, Zeno Jahaj e Agron Berdaj, Vlorë, 28.02.2026

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Qoftë edhe dy fjalë të shprehësh për një punim jo thjeshtë lartësisht profesional, por që i kap meritueshëm majat shkencore, si libri voluminoz “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në “Luftën e Ftohtë” me 523 faqe i studiuesit ushtarak dhe diplomatit Zeno Jahaj, është sinqerisht e vështirë. Për fat, na ndihmon vetë autori, që strukturën e tekstit, falë intelektit të plotë dhe zotërimit të sistemit të stileve, na e paraqet materialin e duhur me një gjuhë të pastër shqipe, me një leksik të pasur e shkrimtarì të kualifikuar, me një stil funksional, të thjeshtë e të rrjedhshëm, me synime fisnike dhe mesazhe të qarta kombëtare. Në këtë libër, autori shfaqet me profilin e tij si shërbestar i ndritshëm i kombit, sepse është modeli i diplomatit ushtarak, që me guxim e besim vihet tërësisht në shërbim të çështjes kombëatare. Një këtë libër ne shohim kompetentin shkrimor, që me njohuritë e thella, të plota e të përpikta që ka në një fushat e shkencës ushtarake e diplomatike, tregon siguri, aftësi dhe shkruan me kompetencë. Kam bindjes se çdokush që e ka lexuar apo do ta lexojë këtë libër do të njëmendësohet me mua, se Zeno Jahaj është një sakrifikues atdhetar. Kjo monografi sikur na jep mesazhin se nuk kemi të bëjmë thjesht me një tekst universitar të fushave ndërdisplinore për studentët ushtarakë apo ata që studiojnë për diplomaci, por me një botim të nivelit akademik, me një aparat bibliografik sipas standardeve shkencore.

Diturinë ushtarake dhe diplomatike të intelektualit Zeno Jahaj mund ta përmbledhim në trinitetin e përbërë nga treshja: lufta e ftohtë, gjeopolitika dhe fuqia ushtarake shqiptare, në rastin konkret të këtij studimi monografik lidhur të ngushtë ndërmjet tyre.

Tepër shkurt mund të themi se autori shkrimtarinë e tij e vendos në kohën, hapësirën dhe me personazhet e ngjarjeve të ndodhura në këtë Shqipërizën tonë të vogël hallerëndë, si pjesë e së tërës gjeopolitike në rajon e më gjerë, jo vetëm gjeografikisht midis Lindjes dhe Perëndimit.

Jahaj, Gjeopolitikën e trajton si një mënyrë të shikimit të botës, që merr parasysh lidhjen mes politikave dhe vendeve, mes gjeografisë, fuqisë dhe diversiteteve kulturore. Qoftë në rajonet e botës të përfshira nga luftërat, atje ku kufijtë bëhen çështje e jetës apo vdekjes, qoftë në SHBA apo Evropë, gjeopolitika është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme globale. Madhësia e një vendi, lokacioni, sovraniteti, dhe resurset, të gjitha këto kanë ndikim tek njerëzit që jetojnë dhe kanë ndërveprime me botën e gjerë. Për të përmendur shembuj që nga hartat historike, filmat dhe retorikën e liderëve politikë, të gjitha këto kanë të bëjnë me gjeopolitikën. Njohuritë dhe vëzhgimet me pjesëmarrje në terren gati shteruese në këtë rrafsh të autorit do të vërehen faqe mbas faqeje të librit, ku kjo degë e re e gjeografisë politike (shfaqur në vitin 2010) është përdorur për të përshkruar një spektër të gjerë të koncepteve, në kuptimin e përgjithshëm të përdorur si “sinonim për marrëdhëniet politike ndërkombëtare”, më saktë për të nënkuptuar strukturën globale të këtyre marrëdhënieve”, ku strumbullar është patjetër Shqipëria me fatet dhe antifatet e saj. Në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, autori e shikon gjeopolitikën si metodë të studimit të politikës së jashtme për të kuptuar, shpjeguar dhe parashikuar sjelljen politike ndërkombëtare nëpërmjet variablave gjeografikë, krahasimtarisht me Shqipërinë dhe Fuqinë Ushtarake të saj në kushtet e gogolit të padukshëm, por tmerrësisht sat ë frikshëm, aq të urryeshëm. Nuk mund të lemë pa përmedur se në kët tekst Jahaj përfshin studimet e zonës, klimën, topografinë, demografinë, burimet natyrore, sidomos burimet e naftës dhe gazit dhe shkencën e aplikuar për vendin tonë, të rajonit, sidomos të madhorëve sovjetiko-amerikanë që merr në shqyrtim se kanë qenë faktorë vendimtarë për vendet dhe popujt vogëlushë. Në këtë libër, Gjeopolitika përqendrohet në fuqinë politike të lidhur me hapësirën gjeografike. Në veçanti, ujërat territoriale dhe territori i tokës në korrelacion me historinë diplomatike në raport me të mëdhenjtë, superfuqitë e paevitueshme asnjëherë.

Mendoj se jo vetëm studiuesit dhe lexuesit e kualifikuar e kanë të qartë se Luftë e ftohtë u quajt lufta ndërmjet vendeve të Bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore, ose Lufta ku Traktati i Varshavës (Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite) dhe Blloku i Natos (Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre në NATO etj.) e kërcënonin dramatikisht rëndë njëri-tjetrin me tensione politike dhe ushtarake, me armatime të sofistikuara deri dhe me bombën bërthamore për periudhën e nervave të hekurta nga vitet 1945-1947 deri në vitet 1990-1991. Lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte luftë, lufta e ftohtë ishte dhe s’ishte paqe. Të jemi realist, të vërtëtë, sikurse autori dhe t’i shikojmë gjërat në kohën kur kanë ndodhur, të veshim lëkurën e asaj kohe për ta gjykuar sot. E kemi jetuar fort me përgjegjësi e përkushtim edhe ne atë kohë të stërvitjes ushtarake të popullit ushtar, të gatishmërisë së përhershme luftarake me ato  alarme të shtrira ritmisht dhe shpesh herë befasisht, që i kemi marrë me aq seriozitet, që i kemi vlerësuar aq drejtë e lartë, që i kemi realizuar si në luftë të vërtetë, edhe pse ajo nuk erdhi kurrë, as kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës, më 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga BS dhe forcat këtij pakti ushtarak të shteteve komuniste të Europës Lindore.

Termi “e ftohtë” është përdorur për shkak se nuk kishte luftime në shkallë të gjerë të drejtpërdrejtë mes dy palëve, edhe pse ka pasur luftëra të mëdha rajonale, të njohura si luftëra me prokurë.

Nuk mund të vijoj me analizën kronologjike të këtij megateatri global tragjikomik, sepse i përshkruan autori saktë, qartë, bukur e ndjeshmëri të theksuar kombëtare, por kujtojmë që  Lufta e Ftohtë dhe ngjarjet e saj kanë lënë një trashëgimi të konsiderueshme. Shpesh përmendet në kulturën popullore, veçanërisht me temat e spiunazhit dhe kërcënimit të luftës bërthamore.

Dëshiroj të flas pafund e me dëshirë, jo vetëm se libri më pëlqeu shumë, nga i cili, edhe unë, edhe pse kam qenë oficer karriere me Gradën Major, gradë e oficerit madhor të shkallës së parë, mësova apo freskova vërtetë shumë gjëra, por dëshira dhe mundësia në këtë rast nuk ecin paralel. Veçse dua të theksoj, që Fuqia Ushtarake e Shqipërisë ishte besim për popullin shqiptar, apo ëngjëlli mbrojtës, si i thonë sot. Ushtarakët ishin shumë atdhetarë. Populli ishte ushtar po aq serioz,  i stërvitur dhe i përgatitur po aqsa ushtari aktiv, me një moral të lartë e ndershëmri kombëtare të admirueshme nga të tjerët.

Pedagogu ushtarak, studiuesi i gjeopolitikës, këshilltari ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes, diplomati i shtetit shqiptar në Greqi, labi bujar me rrënjë në palcën e kombit Zeno Jahaj ka patur fatin të punojë me zell nëpër arkivat e botës për Shqipërinë dhe ka mirësinë që jo vetëm historiografisë ushtarake t’i japë monografinë e parë shkencore ndërdisiplinore të profilit të tij, por po i jep një ndihmesë të dukshme edhe historiografisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok