23/12/2024

MËRGATA SHQIPTARO-AMERIKANE PËR KOSOVËN

0
u6_Sadiku-Mergata-Amerika3

EKSPOZITA “AMERIKA PËR KOSOVËN”

Nga Frank Shkreli

Ky është titulli i katalogut të ekspozitës tematike, “Amerika për Kosovën” në Muzeumin Kombëtar të Republikës së Kosovës, me autor, Dr. Riza Rrahim Sadikun, ri-botuar më 2018*.   Fatkeqsisht, unë nuk kam patur rastin të vizitojë ekspozitën në Prishtinë, por duke u mbështetur në katalogun e përgatitur mjeshtërisht e që më ra në dorë ditët e fundit, Projekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Amerika për Kosovën”, është një pasqyrim i saktë, ndonëse ndoshta jo gjithë përfshirës, i historisë së kontributit, që diaspora shqiptaro-amerikane dhe mbështetsit e tyre më të njohur në radhët e politikës amerikane, kanë dhënë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në përgjithësi.   Është një dokumentacion besueshëm i veprimtarisë patriotike të këtj komuniteti –i personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane dhe i orgnazitave të diasporës, duke filluar, ndër të tjera, me Federatën pan-Shqiptare Vatra, Lidhja Kosovare, Liga Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe organizata të tjera politiko-shoqërore, përfshirë qendrat fetare, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara — në dy tre dekadat e fund shekullit 20 dhe në fillim të këtij shekulli.   Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zën edhe kontributi i shumë përfaqësuesve të lartë të politikës amerikane, duke filluar nga nga politikanë amerikanë të nivelit vendor e shtetëror e deri tek Kongresi dhe Presidenca amerikane – përfaqsues të dy partive kryesore politike amerikane ndër, më të njohurit në Amerikë dhe në botë.

Megjithse është shkruar dhe folur mjaft për kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët tona — me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, këtë verë, do të mund të shikoni, të gjitha në një vend, një pjesë të konsiderueshme të historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe mbështetjen – nepërmjet protagonistëve kryesorë dhe vendimeve të tyre politike — të Amerikës zyrtare në mbështetje të drejtave të shqiptarëve, duke filluar nga pavarësia e Shqipërisë në fillim të shekullit 20 e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.

Andaj me të drejtë, që në fillim të katalogut prej 300 faqesh, autori shënon fillimisht me deklarata nga dy ish-presidentë amerikanë të fillim shekullit të kaluar, Theodor Ruzvelti dhe Uodrou Wilsoni.   “Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime që meriton të mbrohet dhe të vetqeveriset.   Dij që në shumë raste, turqit, grekët dhe serbët bashkoheshin dhe lidheshin me njëri tjetrin kundër shqiptarëve…Thuaju Shqiptarëve se dëshiroj ta shoh Shqipërinë të pavarur dhe që pavarësia e tyre të mbrohet dhe të garantohet nga fuqitë aleate, Amerika, Anglia dhe Franca.   Nga ana ime do të bëjë çdo gjë të mundur për të mbrojtur të drejtat e Sgqiptarëve”, është zotuar Theodore Ruzvelti në një bisedë dhënë Nolit dhe botuar në gazetën Dielli më 26 gusht, 1918.   Ndërsa Uodrou Wilsoni citohet në katalog të ketë thënë se, “Shqiptarët meritojnë të rrojnë të lirë e të pavarur, prandaj Shqipëria nuk do të preket.”

Ishin këto deklarata të herëshme nga udhëheqsit më të lartë të Amerikës të fillim shekullit të kaluar, të cilat mund të thuhet se kanë përcaktuar politikën amerikane ndaj kombit të vogël shqiptar, ç’prej atëherë e deri më sot.   Në katalog renditen të gjithë presidentët amerikanë, duke filluar nga Ruzvelti e Wilsoni e deri tek Xhorxh Bushi dhe Bill Klintoni si dhe senatorë e kongresmenë të shumtë, sidomos gjatë 5 dekadave të fundit, të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë pasur lidhje ose kontakte të herë pas herëshme me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti ose me shqiptarët e Amerikës në përgjithësi.

Autori i katalogut, “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”, Dr. Riza Rrahim Sadiku, parathënien ia kushton historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane gjatë shekullit XX e deri në fillim të këtij shekulli.   Por kryesorja e këtij projekti të Muzeut Kombëtar të Kosovës është roli që ka luajtur diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ç’prej Nolit e Konicës e deri në ditët e sotëme – në bashkpunim të plotë me përfaqësuesit më të lartë të brezave të ndryshëm të politikës amerikane – në mbrojtje të vazhdueshme të të drejtave dhe identitetetit të shqiptarëve, si njëri prej kombeve më të vjetra në botë, me gjuhë, me kulturë, me histori, tradita dhe vlera unike.   Ku pasqyrohen, sidomos, aktivitetet patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan të tre dekadave të kaluara, përfshirë edhe periudhën e luftës patriotike çlirimtare të UÇK-së.

Përveç personaliteteve të shumta të fushës politike amerikane, sipas katalogut që kam në dorë, ekspozita pasqyron shqiptaro-amerikanë të njohur dhe të thjeshtë, nga të gjitha fushat e jetës, si dhe organizata të ndryshme, të cilët sipas mundësive, kanë dhënë ndihmën e tyre për zgjidhjen, më në fund, të asaj që për të gjithë ne njihej si, “Çështja e Kosovës”.   Janë pra me qindëra e qindra personalitete dhe ngjarje që përfshihen në këtë katalog dhe që përbëjnë koleksionin mjaft të pasur të kontributit të shqiptaro-amerikanëve për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve dhe për të drejtat e tyre anë e mbanë tprjeve shekullore, e që do të ruhet përgjithmonë në Muzeun e Kombëtar të Kosovës si një testament i përherëshëm për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, se si duhet përgjigjur kur Atdheu është në rrezik.

Përveç përfaqsuesve më të lartë të politikës amerikane dhe të eskponentëve të dalluar dhe jo aq shumë të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan – të cilët kanë kontribuar për kauzën shqiptare në përgjithësi — në mënyrën dhe në kohën sipas mundësisë – në katalogun e ekspozitës në Muzeun Kombëtar të Kosovës, “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”, paraqitet gjithashtu edhe një numër i madh dokumentacioni historik në lidhje me veprimtaritë e organizatave dhe të personaliteteve të ndryshme shqiptaro-amerikane, duke pasqyruar dokumenta origjinale të periudhave të ndryshme.

Vizitori i kësaj ekspozite në Muzeun Kombëtar të Kosovës, këtë verë, mund të gjejë, ndër të tjera, memorandum, korrespondenca, kërkesa dhe deklarata nga përfaqsues dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan drejtuar udhëheqsve më të lartë ekzekutiv dhe legjislativ të Shteteve të Bashkuara, por pa përjashtuar entet dhe personalitetet ndërkombëtare gjithashtu.   Dokumentat origjinal të kohës, në faqet e katalogut, përfshijnë foto historike nga shumë demonstrata e protesta për të drejtat e shqiptarëve, kryesisht në Washington DC por edhe në qytete të tjera amerikane, gjatë dekadave.  Gjithashtu, flamuj e banera, materiale propagandistike,letra dhe deklarata mirënjohjeje nga politika amerikane për personalitete dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.   Aty gjenë edhe një numër të konsiderueshëm artikujsh nga media të ndryshme amerikane dhe të diasporës, si dhe regjistrime të mediave elektronike mbi krimet e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e shqiptaro-amerikanëve për t’i ekspozuar ato krime ndaj njerëzimit, para shoqërisë amerikane në veçanti dhe para botës në përgjithësi.   Ekspozita, “Mërgata shqiptaro-amerikane për Kosovën”, dokumenton, përveç tjerash, edhe një përpjekje me mjeshtri nga ana e diasporës shqiptare në Amerikë – me ndihmën e Shteteve të Bashkuara — për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në përgjithësi, gjë që mund të thuhet se ia doli me plot sukses.

Thuhet se ekspozita “Mërgata Shqiptaro-amerikane për Kosovën”, do të jetë e përherëshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe se mund të përbëjë bazën e themelimit të një muzeu të ri, me emrin, “Amerika për Kosovën”.   Është e qartë se nismëtarët e këtij projekti kanë bërë një punë të madhe jo gjithmonë me mbështetjen e autoriteteve përkatëse. Prandaj, duhet të vlerësohet puna e palodhëshme e Dr. Riza Rrahim Sadikut dhe bashkpuntorëve të tij në këtë projekt – një përpjekje kjo madhore për të dokumentuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara, në mbrojtjen, historikisht, të të drejtave të shqiptarëve, të lirisë dhe të pavarësisë së tyre, gjatë periudhave më të vështira të ekzistencës së Kombit shqiptar, përballë lakmive dhe grabitjeve të territoreve të shqiptare nga fqinjët armiqësorë.

Ekspozita nderon autorët që ideuan këtë projekt si dhe shtetin e Republikës së Kosovës për mirënjohjen që tregoi me ndihmesën për zbatimin e këtij projekti, por njëkohësisht nderon dhe tregon mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj veprimtarisë patriotike të shqiptarëve të Amerikës dhe të miqëve tanë këtu në Shtetet e Bashkuara.   Por, ndonëse, në këtë ekspozitë, siç pasqyrohet në katalogun që kam përpara, janë përfshirë shumë ngjarje, personalitete shqiptare dhe organizata shqiptaro-amerikane si dhe përfaqsuesit më të lartë të adminstratave amerikane –si demokrate ashtu edhe republikane –ky projekt të mos konsiderohet si i përfunduar, por të jetë si, “work in progress”, pasi ashtu e kërkon historia e vërtetë.   Gjithmonë dalin dokumenta dhe dëshmi të reja, të pa zbuluara ende, për periudhën që mbulon ekspozita – por edhe për periudhën aktuale dhe veprimtaritë e brezit të ardhëshëm të shqiptaro-amerikanëve, të cilët shpresojmë se do të vazhdojnë shembullin e komunitetit të shqiptarëve të Amerikës të shekullit të kaluar dhe tani, të cilët me veprimtarinë e tyre patriotike ndihmuan në themelimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë në fillim të shekullit të XX dhe Kosovës në fillim të këtij shekulli – duke ruajtur  dhe thelluar, njëkohësisht, edhe miqësinë e përherëshme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kombit shqiptar – pikërisht ashtu siç pasqyrohet në ekspozitën, “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”.

*Ndonëse projekti ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportittë Republikës së Kosovës, autori i katalogut prej 300-faqesh me fotografi dhe dokumentacione historike, autori Dr. Riza Rrahim Sadiku ka shënuar se për ribotimin e këtij katalogu iu desh të priste plot 7 vjet, ndërkohë që falënderon, “Veprimtarët e dalluar të çështjes kombëtare në mërgim, miqëve të respektuar Tomë Mrijaj dhe Tomë Jakaj nga Nju Jorku si dhe Kryetarin e Fush Kosovës, Z. Burim Berisha pa ndihmën e të cilëve nuk kisha mundësi ta nxjerrë në dritë këtë vepër, në të cilën kam punuar pesë vite”, shprehet ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok