07/01/2026

Mërgata dhe polarizimi politik në Kosovë

0
Milazim-Zeqiraj

Nga Milazim Zeqiraj

Prej vitesh në Kosovë, mërgata shpesh trajtohet me një gjuhë përjashtuese, herë në formë etiketimesh e herë si ndarje artificiale mes saj dhe qytetarëve rezidentë. Në fillim u quajt “schatza”, më pas “gërnaqa”, ndërsa së fundmi është krijuar narrativi se mërgata qenka një trup i veçuar politikisht nga shoqëria brenda vendit, që kur ka zgjedhje vjen dhe i prish rregullat e lojës “si me shkop magjik”. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk i shërben as demokracisë, as vendit.

Mërgata është pjesë e Kosovës. Ajo ndihmon zhvillimin dhe ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Nuk është e vërtetë se mërgata voton në mënyrë të njëanshme për një subjekt politik, dalluar nga votuesi rezident. Dihet se në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, LVV ka fituar pa votat e mërgatës.

Mërgata nuk voton për t’i shkaktuar vendit ose popullit moskënaqësi; ajo voton sepse ka të drejtë vote, dhe në përqindje nuk dallohet nga votuesi rezident në Kosovë. LVV nuk e ka krijuar mërgatën; ajo është formuar nga e majta, PDK dhe LPK, për të sulmuar të djathtën, LDK. Kjo nuk ka asgjë të keqe; partitë janë dhe do të jenë përherë në garë politike, dhe fiton ai që e bind sovranin.

Mërgata në zgjedhjet e fundit votoi ngjashëm me votuesit rezidentë. Dihet se në zgjedhjet e fundit kanë votuar më shumë për LVV si vendasit, ashtu edhe mërgata. LVV ka fituar në të gjitha komunat e Kosovës. Partitë që udhëheqin komunat duhet të bëjnë analizën e duhur dhe të mos akuzojnë pa baza.

Sot, qytetarët në mërgatë janë banorë të respektuar në vendet ku jetojnë; ata drejtojnë kompani dhe institucione shoqërore me peshë në të gjitha fushat, duke ndikuar pozitivisht edhe për Kosovën.

Polarizimi politik nga disa eksponentë të organizatës LVV ka kaluar kufijtë e debatit publik dhe ka hyrë brenda familjeve. Ka raste kur lidhjet familjare janë dëmtuar seriozisht për shkak të bindjeve partiake. Gjuha agresive e organizatës LVV me përkrahësit e vet politik është e ngjashme me atë që shihet në debatet televizive, ku 99% e debatit kalon jashtë arsyes, madje edhe me përplasjet fizike si mjet komunikimi politik.

Një problem serioz mbetet mungesa e vetëkritikës brenda subjekteve politike. Përkrahësit e bindur shpesh refuzojnë të pranojnë arsyen dhe të vërtetën, duke tentuar të shesin broçkullat si të vërteta, me armën e zhurmës. Njëri tjetrin e akuzon për korrupsion, bashkëpunim me Serbinë, për marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Më e tmerrshme është kur fillojnë të mbrojnë korrupsionin ose gabimet e partisë së tyre, duke arsyetuar edhe marrëveshje të dëmshme për shtetin. Në këto raste, mbrojtja e individit apo e partisë kthehet në qëllim personal, ndërsa interesi i Kosovës mbetet në plan të dytë.

Kosova ka nevojë për debat politik të shëndoshë në nivel të përgjithshëm dhe brenda partive, jo për ndarje të reja mes qytetarëve të saj, brenda apo jashtë vendit. Partitë politike duhet të debatojnë fitoret dhe të analizojnë humbjet.

Mërgata nuk duhet parë si kundërshtar politik, por si pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare. Polarizimi aktual është i madh dhe pasojat e tij janë të dukshme; vazhdimi i kësaj rruge vetëm sa e thellon hendekun shoqëror dhe e dobëson shtetin.

Përgjegjësia për ta ndalur këtë polarizim politik i takon pushtetit.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok