04/12/2024

MELODIA E TRISHTIMIT DHE IMAZHI I VETMISË

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Për të hyrë në një analizë të imtë të poezisë “Letër Hamurabit” të Sadik Bejkos duhet që të dimë se: Hamurabi ishte një ndër sundimtarët më të famshëm të Babilonisë së lashtë, që sundoi rreth vitit 1792 p.e.s. deri në 1750 p.e.s. Ai ishte mbreti i gjashtë i dinastisë së parë babilonase dhe njihet më së shumti për krijimin e një prej kodifikimeve të para ligjore në histori, të njohur si “Kodi i Hamurabit”. Ai lindi dhe u rrit në Babiloni, një qytet-shtet në Mesopotaminë e lashtë (zona midis lumenjve Tigër dhe Eufrat),  trashëgoi fronin nga ati i tij, Sin-Muballit, dhe shpejt filloi të konsolidojë pushtetin e tij duke zgjeruar territorin e Babilonisë dhe forcuar administratën e shtetit. Një nga arritjet e Hamurabit është Kodi, një përmbledhje ligjesh që mbulonin aspektet e jetës në Babiloni, duke përfshirë çështjet penale, civile, tregtare, dhe familjare. Ky kod, i shkruar në gurë dhe i vendosur në vende publike për t’u lexuar nga të gjithë, është një nga shembujt më të hershëm të ligjit të shkruar në historinë e njerëzimit. Kodi përbëhej nga rreth 282 ligje dhe kishte synim të siguronte drejtësi dhe rend në shoqëri, duke vendosur rregulla të qarta për dënimet, varësisht nga veprat e kryera. Ky kod i Hamurabit mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme të qytetërimit të lashtë, dhe ndikimi i tij në zhvillimin e sistemit ligjor është i pamasë.

Në poezinë “Letër Hamurabit” të Bejkos, personazhi i “murgarit” i referohet një eremiti apo asketi, njeriu të vetmuar që banon në një shpellë dhe ka gjasa ta kalonte jetën me shkrime e lexime. Ky “murgar’ i shkruan një letër mbretit Hamurabi lidhur me detyrën e ngarkuar prej tij që ai, murgari të hartonte ligjet e mbretërisë, si njeriu më i ditur dhe më i pa korruptueshëm. Sipas përshkrimit, ky personazh banon në një shpellë të quajtur “Aram.”

Për saktësime historike sqarojmë se: Termi “murgar” është një krijim letrar që përdor autori për të shfaqur një figurë askete, tërhequr nga shoqëria dhe që jeton në një vend të largët, një shpellë. Në kontekstin e letërsisë, ky term mund të ketë një simbolikë të thellë dhe nuk është e thënë të lidhet drejtpërdrejt me ndonjë term historik të njohur. Sa i përket emrit “Aram,” nuk ka të dhëna historike që tregojnë se ka ekzistuar një shpellë e tillë, ose që “Aram” është emri i ndonjë personi të njohur të kohës së Hamurabit. Aram është një emër që ka kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme. Psh në Bibël, Aram i referohet një rajoni në Mesopotami (pjesë e Sirisë së sotme), por nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë shpellë ose me Hamurabin. Pra ky informacion na sugjeron se “murgari” dhe shpella “Aram” janë krijime letrare, përdorur nga autori për të ndërtuar një atmosferë mitike ose për të shprehur ide apo temë të caktuar në poezinë e tij. Pra, nuk janë elemente që kanë një bazë historike të dokumentuar, por janë më tepër pjellë e imagjinatës poetike të Bejkos.

I-Poezia “Letër Hamurabit” nga Sadik Bejko mund të vlerësohet si një poezi me një natyrë filozofike, por gjithashtu mbart edhe elemente të tjera që e bëjnë të vështirë kufizimin e saj në një kategori të vetme. Ja disa mënyra se si mund të vlerësohet kjo poezi:

  1. Poezia mund të vlerësohet si poezi filozofike, që reflekton mbi tema të rëndësishme dhe universale si drejtësia, pushteti, morali, dhe natyra njerëzore. Murgari, një figurë e urtë (e ditur) dhe e vetmuar, ngre pyetje mbi vlefshmërinë e ligjeve dhe ndikimin e tyre në një shoqëri që ai e sheh të korruptuar. Ky fakt e bën poezinë të pasur me reflektime filozofike . Pyetja qëndrore që ngrihet është nëse ligjet, edhe kur hartohen me qëllim të mirë, mund të arrijnë të ndreqin një shoqëri të përfshirë në konflikt të egër, antagonizma dhe brutalitet. Te vargjet: “Ti më thirre të gdhend ligje e kode për ta, imzot.

Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,

Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.”

murgari reflekton mbi kotësinë e përpjekjes së tij për të sjellë drejtësi npërmjet ligjit në një botë që përfshirë në konflikt, duke ngritur një pyetje filozofike mbi natyrën e ligjit dhe të drejtësisë.

  1. Në një nivel tjetër, poezia mund të interpretohet si kritikë e fshehur e shoqërisë dhe e institucioneve të saj. Murgari, përmes zërit të tij, shfaq një mosbesim të thellë ndaj aftësisë së ligjeve për të sjellë ndryshime reale, duke nxjerrë në pah një kontradiktë midis idealit të drejtësisë dhe realitetit të ashpër të jetës së përditshme. Kjo kritikë mund të shtrihet edhe më tej, duke iu referuar një sistemi të korruptuar ose të pashpresë, duke aluduar ndoshta në një kontekst politik apo social më të gjerë. Kështu vargjet:

“Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi,

me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.

Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes,

për ta s’ka më nënë, mik e të dashur,

janë më të ftohtë se një gur,

më të thatë se një dru.”

tregojnë një portret të zymtë të shoqërisë, ku njerëzit janë të mbyllur në vetminë dhe terrin e tyre të brendshëm. Kjo kritikë tregon një mosbesim ndaj efektivitetit të ligjeve dhe pushtetit për të sjellë ndonjë ndryshim real.

3.Në këtë poezi, ka një ndjenjë vetmie dhe kotësie të përpjekjeve njerëzore. Murgari shpreh një ndjenjë lodhjeje, duke e parë jetën dhe punën e tij si përpjekje e kotë përballë realitetit të pamëshirshëm dhe konfliktuaal të shoqërisë njerëzore. Ky ton ekzistencialist është i ngjashëm me ndjenjën e absurditetit dhe shpërthimit të pyetjeve mbi kuptimin e jetës, një motiv i zakonshëm në letërsinë ekzistencialiste. Psh te vargjet:

“Uji është drita e eshtrave të mija të thara.

S’më duhen teatrot, hipodromet,

stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe gjak?

Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.”

murgari shpreh një lodhje përballë jetës, duke refuzuar gjithçka që lidhet me botën materiale dhe brutalitetin e saj. Kjo ndjenjë e thellë ekzistencialiste reflekton absurditetin dhe kotësinë e përpjekjeve njerëzore.

  1. Poezia ka një natyrë meditative dhe reflektuese. Murgari, duke u tërhequr nga jeta e qytetit, preferon të kthehet në vetminë e shpellës së tij, ku ai mund të jetojë në paqe me natyrën dhe mendimet e tij. Kjo e bën poezinë një reflektim të qetë mbi natyrën e njeriut dhe mbi atë që është vërtetë e rëndësishme në jetë. Psh te vargjet:“Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,/te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.”

shprehet dëshira e murgarit për të lënë pas botën dhe për t’u kthyer në shpirtin e tij të brendshëm,(shpella) ku ai mund të gjejë paqen dhe urtësinë e vërtetë. Ai dëshiron të mbulohet me pluhur, duke simbolizuar kështu dorëzimin ndaj natyrës dhe ciklit të jetës.

Pra poezia “Letër Hamurabit” e Sadik Bejkos mund të shihet kryesisht si poezi filozofike, që njëkohësisht shfaq elemente të satirës, kritikës sociale, ekzistencializmit dhe mediti-meve të thella. Ajo përfshin një gamë temash dhe pyetjesh, duke e bërë atë një vepër të pasur dhe komplekse, që mund të interpretohet nga perspektiva të ndryshme. Kjo shumëkuptimësi i jep poezisë një vlerë të veçantë, duke e vendosur atë në një nivel të lartë artistik dhe intelektual.

II-Poezia “Letër Hamurabit” e Sadik Bejkos është një poezi moderniste dhe ka qasje me rrymën e ekzistencializmit dhe modernizmit kritik në letërsinë moderne,të cilat reflekto-jnë shqetësimet për ekzistencën, kotësinë e përpjekjeve njerëzore, dhe kritikën ndaj strukturave shoqërore dhe politike.

1.Ekzistencializmi fokusohet në pyetjet mbi ekzistencën, absurditetin e jetës e përpjekjen për të gjetur kuptim në një botë që duket plot kotësi. Në poezinë “Letër Hamurabit” murgari Aram shfaq një ndjenjë vetmie dhe kotësie, duke pyetur pse u nxorr nga shpella e tij dhe u ngarkua me detyrën e hartimit të ligjeve, kur ai e kuptonte që këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë.

“Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur

pse më nxore nga shpella ime,

nga budallallëku im pse më nxore?!”

Këto vargje shprehin zhgënjimin e murgarit me përpjekjet e tij për të sjellë drejtësi në një

botë që është thellësisht e korruptuar dhe e pashpresë. Vargjet pasqyrojnë ndjenjat

ekzistencialiste të absurditetit dhe kotësisë.

2.Modernizmi kritik angazhohet me shqyrtimin dhe kritikën e shoqërisë, politikës dhe kulturës. Në këtë poezi, Bejko kritikon pafuqinë e sistemit  legjislativ që, megjithëse ligjet e tij duken të drejta, në realitet nuk arrijnë të përmirësojnë jetën e njerëzve. Poezia reflekton mbi dështimin e misionit të ligjeve për të ndrequr problemet e thella shoqëro-re dhe ekonomike.

“Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,

Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.

… Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,

për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.”

Vargjet tregojnë se ligjet, pavarësisht nga qëllimi i tyre, nuk mund të kenë efektin e dëshiruar në një shoqëri ku dhuna dhe padrejtësia janë në rrënjët e saj. Kjo kritikë ndaj strukturave shoqërore dhe politike e bën poezinë të lidhet me modernizmin kritik.

III-Duke qenë se është një poezi moderniste, kuptimshmëria e saj mund të shihet edhe në kontekstin personal të poetit. Sadik Bejko e shkroi këtë poezi në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1996, kohë në të cilën ai e kishte mbaruar mandatin e tij si deputet dhe ishte tërhequr nga politika, por Shqipëria përjetonte tensione të mëdha sociale dhe politike, që i paraprinë vitit 1997, kur shpërthyen trazirat e mëdha pas rënies së firmave piramidale. “…për vendin tim në situatën kritike me botimin e këtij libri dëshiroja pak rend e mirësi për të gjithë ne” shprehej poeti në një intervistë. Duhet të kemi parasysh se Bejko nuk ka qenë asnjëherë pjesë e superstrukturës politike të vendit: para se të bëhej deputet, ai ishte krijues letrar i suksesshëm dhe pedagog letërsie, i dënuar nga shteti monist për prurje moderniste në letërsi dhe arte. Gjatë vuajtjes së dënimit në minierën e Memaliajt ai u njoh më mirë me kushet e mjerrueshme të jetës dhe të punës së klasës puntore dhe kjo e nxiti që ta pranonte propozimin e PD për të kandiduar nën siglën e saj në zonën e majtë të Tepelenës, ku ai gjithsesi fitoi me shumicë dërrmuese.  Duke qenë një deputet intelektual pati besim se fjala dhe vota e tij do sillnin një përmirësim në gjëndjen aktuale të jetës së popullit, por u zhgënjye. Zhvendosja nga krijimtaria letrare në politikë rezultoi një eksperiencë zhgënjyese për të gjë që shprehet te vargjet:

“Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur

pse më nxore nga shpella ime,

nga budallallëku im pse më nxore?!”

të cilat tingëllojnë aktuale në vitin 1996 dhe personale për poetin, i cili flet për nxjerrjen e tij nga “shpella” e krijimtarisë letrare dhe vendosjen në “pallatin” e legjislacionit, ku nqse në fushën e letrave ai ishte një mjeshtër i madh, në këtë pallat ai e ndjeu veten më pak se një çirak. Qasja është e dukëshme sepse poeti pas mbarimit të mandatit të deputetit u shkëput nga çdo angazhim politik duke ju kthyer letërsisë, mirëpo “… Të shkruash vjersha, do të thotë t’i bësh vetes Gjyqin e Madh” kam lexuar diku nga Knut Hamsen. Këtë gjyq po i bën vetes me poezinë “ Letër Hamurabit” Sadik Bejko” i veshur me zhgunin e “murgarit’.

Sadik Bejko e kryejti detyrën e tij si deputet, ai i votoi ligjet që pruri në parlament partia e tij, megjithatë, pa me keqardhje se jeta nuk po përmirësohej, ndaj shpreh zhgënjimin e tij përballë realitetit politik dhe ekonomik që që mbizotëronte.

“Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,

për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.”

Këto vargje janë më shumë një shfrym revolte e poetit se sa një dorëzim i hidhur nga ana e murgarit (dhe metaforikisht e Bejkos), i cili kuptoi se ligjet që ai votoi nuk mundën të përmirësonin gjendjen e njerëzve dhe ai nuk kishte fuqinë për të ndrequr realitetin e zymtë që e rrethonte.

Pas përfundimit të mandatit të tij si deputet, Bejko vendosi të tërhiqej nga politika, duke preferuar të kthehej në jetën e tij të mëparshme si krijues dhe pedagog. Kjo reflektohet në poezinë e tij, ku shpreh dëshirën për t’u kthyer në “shpellën” e tij, duke u tërhequr nga bota politike dhe duke u fokusuar përsëri në atë që është më e rëndësishme për të:

“Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,

te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.”

Këtu, kthimi në “shpellë” simbolizon kthimin në krijimtarinë letrare dhe në një jetë më të thjeshtë dhe të qetë, larg kompleksitetit dhe korrupsionit të botës politike.

Pra, poezia “Letër Hamurabit” si një poezi moderniste mund të shihet si një reflektim i zhgënjimit personal të Bejkos nga përfshirja e tij në politikë dhe përpjekjet për të sjellë ndryshime përmes ligjeve në shoqërinë shqiptare të kohës, të  përfshirë nga korrupsioni dhe tensionet sociale, pa siguruar bazën ekonomike të vendit dhe njerëzve, mbi të cilën të mbështetej ky legjislacioni. Sigurisht që te kjo poezi nuk vihet gishti mbi asnjë parti politike, por është dhe pa vend hamendësimi se kjo poezi shprehet kundër monizmit. Komunizmi nuk e pranonte termin “imzot”, ai përdorte cilësorin “shok”. Te kjo poezi më shumë është në shinjestër periudha e pluralizmit politik pas viteve ’90 se sa koha e monizmit.

III- Megjithëatë le të kthehemi te murgari I cili shfaq mosbesimin e tij qysh në fillim jo thjesht për shkak të mungesës së autoritetit të mbretit, por për shkak të një kuptimi më të thellë prej tij të natyrës njerëzore dhe realitetit social. Ai nuk e vë në dyshim fuqinë e Hamurabit për të imponuar ligjet, por dyshon në pranimin e shoqërisë për t’i zbatuar ato në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme. Ja disa arsye pse murgari shfaq këtë mosbesim:

  1. Murgari e sheh natyrën njerëzore si të prirur ndaj egoizmit, dhunës, dhe padrejtësisë. Ai përmend se njerëzit “janë më të ftohtë se një gur, më të thatë se një dru,”duke sugjeruar se ata kanë humbur ndjeshmërinë dhe humanizmin e tyre. Kjo ftohtësi dhe thatësi morale është ajo që, sipas murgarit, pengon zbatimin e drejtë të ligjeve. Ai e di se pavarësisht ligjeve të shkruara, nëse njerëzit nuk kanë një bazë të fortë morale dhe etike, ato ligje do të shkelin ose do të përdoren për qëllime egoiste.
  2. Murgari Aram, si personazh i urtë(i ditur) dhe i përvojtur, është i vetëdijshëm se ligjet nuk mund të funksionojnë vetëm mbi bazën e moralit dhe filozofisë, por duhet të mbështeten në një strukturë ekonomike të qëndrueshme dhe të drejtë. Në poezinë “Letër Hamurabit,” edhe pse murgari nuk e shpreh këtë fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai lë të kuptohet se përpjekjet për të sjellë drejtësi përmes ligjeve janë të pamjaftueshme dhe të kota në një shoqëri që nuk ka një bazë ekonomike të fortë dhe të drejtë. Te vargjet:

“Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.

… Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,

për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.”

të cilat  tregojnë se, pavarësisht nga përpjekjet e murgarit për të hartuar ligje të drejta, ai e kupton se ato nuk do të funksionojnë nëse nuk mbështeten nga një sistem që siguron mirëqenie ekonomike. Ligjet e vendosura nga Hamurabi, ndonëse të fuqishme dhe të mbrojtura nga mbreti, nuk mund të respektohen dhe të zbatohen në një shoqëri ku bazat ekonomike janë të paqëndrueshme ose të padrejta. Murgari Aram e di se për të ndrequr shoqërinë, nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por duhet një transformim më i thellë që përfshin dhe bazën ekonomike të shoqërisë. Kjo i shton poezisë një dimension të rëndësishëm të kritikës ndaj sistemeve që nuk arrijnë të krijojnë një themel të qëndrueshëm për zbatimin e ligjit dhe drejtësisë.

3.Është e natyrëshme pyetja se pse ankohet murgari: mbreti Hamurab e mori nga jeta asketike dhe sigurisht, kundrejt nje pagese të majme e porositi të hartonte legjislacionin e një shoqërie në nivel të epërm kulturor e marrdhëniesh dhe jo legjislacionin e shoqërisë aktuale, të molepsur nga korupsioni dhe kontraditat. Murgari e hartoi legjisla-cionin mbi baza filozofike, për një shoqëri ideale mirëpo ky legjislacion nuk i shërbente  shoqërisë. Një legjislacion ideal do kishte në themel të tij barazinë ekonomike dhe lirinë e individit por këto dy parime legjislative do kërkonin më së paku shëmbjen e mbretërisë. Një legjislacion ideal për mbretërinë do sanksiononte shfrytëzimin e skajshëm të njeriut në interest të mbretërisë, por murgari kishte marrë detyrën për të bërë një legjislacion filozofik, gjë që ishte kontraditore me mbretërinë. Kjo është arsyeja që murgari ishte i mërzitur pse ju ngarkua atij kjo detyrë e pamundur.

  1. Shoqëria që shfaq murgari është shoqëri që ka një “bodrum të zi”brenda çdo individi, e cila simbolizon errësirën morale dhe shpirtërore. Kjo errësirë është aq e thellë dhe e rrënjosur saqë njerëzit janë rezistentë ndaj ndryshimeve pozitive. Ata janë“egërsuar” dhe janë të prirur për të “shqyer” njëri-tjetrin, duke sugjeruar një tendencë të natyrshme drejt konflikteve dhe padrejtësisë që nuk mund të kontrollohet plotësisht nga ligji.
  2. Edhe pse ligjet vendosen nga mbreti, murgari dyshon se ato do të zbatohen në mënyrë të drejtë nga ata që janë në pozita shtetërore. Ai përmend “këshilltarët e urtë” dhe “gjeneralët” e mbretit, duke sugjeruar se këta janë të prekur nga korrupsioni dhe prirja për të përdorur pozitën për interesat e tyre. Ky skepticizëm ndaj njerëzve në pushtet është një tjetër arsye për mosbesimin e tij në suksesin e ligjeve.
  3. Murgari argumenton se njerëzit kërkojnë “dhëmbët e qenit”dhe “shkopin e xhelatit,” duke theksuar se dhuna dhe nënshtrimi përmes frikës janë mjetet që ata kuptojnë dhe respektojnë. Ligjet e drejta, që bazohen në parime morale dhe etike, mund të mos kenë fuqinë për të ndryshuar një shoqëri të prirur drejt dhunës dhe egoizmit, ku forca e pushtetit është më e vlerësuar se drejtësia.

IV-Poezia “Letër Hamurabit” e Sadik Bejkos është tepër e pasur me figura artistike që shërbejnë për të thelluar dhe pasuruar kuptimin e saj. Saadik Bejko është mjeshtër I përdorimit të figurave artistike, ai përmes simboleve, metaforave, personifikimeve dhe imazheve poeti krijon një univers poetik kompleks, i cili reflekton shqetësimet sociale dhe ekzistenciale të individit dhe shoqërisë.

1.Në analizën e simboleve veçojmë:

Shpella: në këtë poezi simbolizon izolimin, vetminë dhe mënjanimin nga shoqëria, vendin e meditimit dhe të dijes, ku murgari  kalon jetën e tij i përkushtuar ndaj studimit dhe urtësisë. Shpella është vendi ku murgari ka qenë i mbrojtur nga ndikimet negative të botës së jashtme ghjer në atë shkallë sa që ai ndjehet i njësuar me atë (shpellën):

“Jam shpella ime e përvojtur, imzot…

eshtrore, e gurtë… Mjaftohem me pak dritë.”

Ligjet dhe kodet: simbolizojnë përpjekjet për të prurë drejtësi dhe rregull në shoqëri, ndonëse në kontekstin e poezisë, ato simbolizojnë gjithashtu kufizimet dhe dështimet e sistemit juridik për të ndrequr shoqërinë në mënyrë të vërtetë.

“Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,

për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.”

Shpata: simbolizon pushtetin, dhunën dhe autoritetin. Murgari shprehet se nuk mund ta mbajë dot shpatën, duke simbolizuar refuzimin e tij për të përdorur forcën ose dhunën për të imponuar ligjet. “Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.”

Pluhuri: simbolizon kalimin e kohës, harresën, pavlefshmërinë e përpjekjeve njerëzore përballë realitetit të pamëshirshëm të botës. Ai shpreh dëshirën e murgarit për t’u kthyer në një gjendje të thjeshtë dhe pa pretendime.:”te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.”

2.Metafora “Tullat e librave ha, i brej si brejtësit” krahason përkushtimin e murgarit ndaj dijes me brejtjen e librave, duke nënkuptuar se ai jeton dhe ushqehet me njohuri. Është një metaforë që ilustron obsesionin e tij për të mësuar dhe për të reflektuar mbi jetën.

Metafora:”Uji është drita e eshtrave të mija të thara“: tregon për rëndësinë e ujit si burim jete dhe freskie për murgarin, duke e barazuar atë me dritën që i jep jetë eshtrave të tij të thara.

3.Personifikimi:”Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu” ku thinjat, që përfaqësojnë urtësi-në dhe përvojën, janë personifikuar si të afta të trembin gjeneralët e mbretit Hamurabi. Kjo nënkupton se mençuria dhe mosha e murgarit janë më të fuqishme se forca ushtarake.

Personifikimi:”Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes” ku bodrumi i vetes është personifikuar si një vend i errët dhe i thellë ku njerëzit bien, duke nënkuptuar rënien e tyre në depresion, egoizëm dhe izolim emocional.

  1. Poezia “Letër Hamurabit” nga Sadik Bejko është e pasur me imazhe komplekse dhe të gjalla që përshfaqin një botë të ndarë midis shpirtërores së folësit dhe realitetit të jashtëm. Këto imazhe krijojnë kontraste të fuqishme dhe përmbajnë ngjyra të ndryshme që pasqyrojnë ndjenjat e trishtimit, vetmisë dhe reflektimit të thellë. Ja disa nga imazhet më komplekse dhe plot ngjyra të poezisë:

– Te vargu:”Jam shpella ime e përvojtur, imzot… eshtrore, e gurtë…” figura simbolike e shpellës përfaqëson izolimin dhe mënjanimin e folësit nga bota e jashtme. Shpella përshkruhet si “eshtrore” dhe “e gurtë,” duke i dhënë asaj një ndjesi të ftohtë dhe të fortë, sikur të jetë një mbetje e një gjëje të vdekur. Ky imazh është kompleks sepse ndërthur një përvojë të thellë të plakjes dhe jetesës asketike, duke sugjeruar që shpella është një pjesë e brendshme e folësit, një vend ku ka gjetur paqe në vetmi, por që është gjithashtu e ngurtë dhe e pa jetë.

-Imazhi vizual:”Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës” përmban një kontrast të thellë midis luksit të jashtëm dhe përvojës asketike të folësit. Shandanët që ndriçohen nga ari i tërë botës përfaqësojnë pasurinë dhe fuqinë që janë të huaja për murgarin, që e përjeton botën në mënyrë shumë më asketike. Kjo përplasje ndërmjet dritës dhe arit me botën e brendshme të folësit shton një dimension të thellë filozofik dhe emocional.

-Te vargu:”Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu, këshilltarët e tu të urtë.” thinjat, simbol i plakjes dhe urtësisë, përbëjnë një kontrast të fuqishëm me fuqinë e gjeneralëve dhe këshilltarëve. Ky imazh është plot ngjyra sepse ndërthur ftohtësinë e thinjave të bardha me fuqinë dhe frikën që ato ngjallin tek njerëzit e fuqishëm. Ngjyra e bardhë e thinjave kundërshton fuqinë e këshilltarëve, duke treguar se përvoja dhe urtësia kanë një forcë të vetën që nuk mund të injorohet.

-Imazhi:”Uji është drita e eshtrave të mija të thara.” është një imazh metaforik shumëngjyrësh që kombinon dy elementë thelbësorë: ujin dhe dritën, të cilët bashkë krijojnë një simbol të jetës dhe shpëtimit në një trup të tharë dhe të lodhur. Uji këtu nuk është vetëm një element fizik, por edhe një burim shprese dhe ushqimi shpirtëror, duke krijuar një pamje të ndritshme brenda errësirës dhe tharjes.

-Te vargu:”Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi, me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.”kemi nje pamje komplekse që krijon një atmosferë të rëndë dhe të zymtë. Bodrumi i zi dhe hambari i territ përfaqësojnë pjesën e errët dhe të fshehtë të njerëzve, që ata mbajnë mbi shpinë dhe në mendjet e tyre. Kjo ngjyrë e zezë e errët dhe e ngushtë përshkruan një peshë të brendshme që i shtyp dhe i izolon njerëzit nga njëri-tjetri dhe nga bota e jashtme.

-Vargu:”u derdhtë më pak gjak dhe lot i purpurt.” Shfaq një imazh të mbushur me ngjyrë dhe simbolikë. Gjaku dhe loti i purpurt përfaqësojnë vuajtjen dhe dhimbjen që janë përjetuar, ndërsa ngjyra purpurt shton një dimension mbretëror dhe të thellë, duke sugjeruar dhimbje të përzier me një formë të lartë pasioni ose sakrifice.

Pra, këto imazhe komplekse dhe plot ngjyra jo vetëm që pasqyrojnë trishtimin dhe izolimin e murgarit, por gjithashtu krijojnë një botë të pasur me simbole dhe kontraste të fuqishme që ndërveprojnë dhe ndihmojnë në ndërtimin e një poezie të thellë dhe e menduar, duke përdorur ngjyrat dhe figurat për të pasqyruar ndjenjat e brendshme të folësit dhe për të shtuar një dimension të lartë artistik dhe filozofik

V- Poezia “Letër Hamurabit” e Bejkos përmban një tonalitet të ulët dhe një melodicitet të trishtueshëm që përshkruan  ndjenjën e vetmisë, përvojën e hidhur dhe përplasjen midis botës së brendshme dhe asaj të jashtme. Këto cilësi theksohen në poezi nëpërmjet zgjedhjes së fjalëve, ritmit të vargjeve, dhe përdorimit të imazheve të errëta dhe të heshtura.

1.Tonaliteti i ulët i poezisë krijohet nga zëri i përvuajtur dhe i heshtur që rrjedh nga vetmia dhe përvoja jetësore e folësit. Ky zë i ulët reflekton një ndjenjë përuljeje përballë botës dhe detyrës së dhënë.

Qysh te vargjet e para:”Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur / pse më nxore nga shpella ime” shfaqet një zë i qetë dhe i lodhur, që kërkon të kuptojë pse është nxjerrë nga vetmia “shpellore” e tij. Fjalët “plakun e përvojtur” dhe “shpella ime” krijojnë një atmosferë të rënduar nga përvoja e gjatë e vetmisë.

Te vargjet:”Jam shpella ime e përvojtur, imzot… / eshtrore, e gurtë…” folësi identifikohet me shpellën, duke e përshkruar si një vend të fortë, por të ftohtë dhe të vdekur. Përdorimi i fjalëve si “eshtrore” dhe “e gurtë” i jep poezisë një tonalitet të errët dhe të rënduar.

2.Melodiciteti i poezisë është i ngadaltë dhe i trishtueshëm, duke përforcuar ndjenjën e izolimit ndaj botës së jashtme. Ky melodicitet vjen nëpërmjet ritmit të vargjeve dhe zgjedhjes së fjalëve që janë të ngarkuara me emocion të thellë dhe melankoli. Te vargjet ”Mjaftohem me pak dritë. / pak ujë, vaj për kandilin, pak bukë”  përsëritja e fjalës “pak” krijon një ritëm të ngadaltë dhe monotone që reflekton modestinë dhe mjaftueshmërinë e folësit. Kjo mjaftueshmëri e ulët dhe trishtueshme shton tonalitetin e hidhur të poezisë.

Te vargjet: “Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu, / këshilltarët e tu të urtë.” kontrasti midis thinjave të bardha dhe fuqisë së gjeneralëve tregon për moshën dhe përvojën e folësit që kundërshton fuqinë e dhunës. Këtu, melodiciteti trishtues vjen nga ndjenja e pa fuqisë për një  përballjetë drejtë.

Vargu:“Uji është drita e eshtrave të mija të thara.” është një metaforë e fuqishme që ilustron nevojën për dritë në errësirë, por në të njëjtën kohë tregon trishtimin dhe tharjen e brendshme të folësit. Melodiciteti këtu është i qetë, por i ngarkuar me trishtim, si një e folur plaku të mundur nga jeta.

3.Melodiciteti i poezisë “Letër Hamurabit” I Bejko është i ndërtuar me mjeshtëri, duke u mbështetur në ritmin e vargjeve, rimën e brendshme, dhe përdorimin e kujdesshëm të zanoreve, të cilat krijojnë një ndjesi të trishtueshme dhe një atmosferë reflektive. Këta elementë kontribuojnë në përforcimin e tonalitetit të ulët dhe ndjenjës së izolimit që përshkruan tërë poezinë.

-Ritmi i poezisë është i ngadaltë dhe i matur, duke reflektuar një ndjesi përmbajtjeje te vetes si pasojë e një përvoje së gjatë jetësorë. Ky ritëm krijon një ndjesi të zvarritur dhe të rënduar, e cila përforcon melodicitetin e trishtueshëm.

Te vargu:“Mjaftohem me pak dritë. / pak ujë, vaj për kandilin, pak bukë” përsëritja e fjalës “pak” ngadalëson ritmin e vargjeve, duke dhënë ndjesinë e një përjetimi të zgjatur dhe të kujdesshëm. Ky ritëm i ngadalë kontribuon në atmosferën melankolike të poezisë.

Te vargu: “Uji është drita e eshtrave të mija të thara.” ritmi është i qetë dhe i ekuilibruar, duke krijuar një ndjesi të qetësisë së trishtuar që shfaq tharjen e brendshme të folësit.

4.Rima e brendshme, megjithëse jo e theksuar, është prezente në mënyrë delikate në poezinë e Bejkos, duke shtuar një strukturë të qëndrueshme dhe një rezonancë që thekson tonin e ulët të poezisë.

Te vargjet: “Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu, / këshilltarët e tu të urtë.” përsëritja e tingullit “t” dhe “r” krijon një rime të brendshme që ndihmon në lidhjen e elementëve të ndryshëm të vargut, duke dhënë një ndjesi të mbyllur dhe të izoluar që përforcon temën e vetmisë dhe trishtimit.

Te vargu: “Tullat e librave ha, i brej si brejtësit.” rima e brendshme midis “ha” dhe “brej” krijon një ritëm të shkurtër dhe të përsëritur, që i jep vargut një ndjesi të mbyllur dhe të përqendruar, duke reflektuar aktin e përtypjes së dijes në një mënyrë të trishtuar dhe të përvuajtur.

5.Përdorimi i zanoreve në poezi ka një ndikim të madh në melodicitetin e vargjeve, duke

krijuar një rezonancë që shton tonalitetin e ulët dhe ndjesinë e trishtimit. Zanoret si “a”, “u” dhe “ë” janë përdorur për të krijuar një ndjesi të mbyllur dhe të kufizuar, që i shton vargjeve një ndjesi të ngushtësisë dhe lodhjes.

Te vargu:”Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur / pse më nxore nga shpella ime“, përdorimi i zanoreve “a” dhe “u” krijon një ndjenjë rezonance të ulët, që shton peshën emocionale të vargut dhe përforcon ndjesinë e trishtimit dhe lodhjes.

Te vargu:”S’më duhen teatrot, hipodromet, / stadiumet e vulgut…” – Zanoret “u” dhe “o” krijojnë një tingull të errët dhe të rënduar, që shton tonalitetin e ulët dhe ndjenjën e refuzimit ndaj botës së jashtme.

Pra, melodiciteti i poezisë “Letër Hamurabit” të Bejkos është rezultat i një kombinimi të kujdesshëm që poeti I bën ritmit të ngadaltë dhe të matur, rimës së brendshme delikate, dhe përdorimit të zanoreve të errëta dhe të thella. Këta elementë bashkëpunojnë mes tyre për të krijuar një poezi të mbushur me ndjenjën e trishtimit dhe vetmisë, duke i dhënë lexuesit një përvojë të thellë dhe reflektuese poetike.

Përfundimisht poezia “Letër Hamurabit” përdor tonalitetin e ulët dhe melodicitetin e trishtueshëm për të krijuar një poezi introspective, të mbushur me ndjenja të përvojës së hidhur dhe ndarjes nga bota e jashtme. Kjo poezi na çon në një udhëtim të brendshëm, duke përdorur tingujt e qetë dhe të zymtë për të ndërtuar një botë ku folësi është i plakur, i pafuqishëm, izoluar dhe i vetëdijshëm për kufijtë e tij.

Sarandë, gusht 2024

Sadik Bejko

Letër Hamurabit

 

nga murgari i shpellës Aram

Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur

pse më nxore nga shpella ime,

nga budallallëku im pse më nxore?!

Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës

sot po e shkruaj rreshtin e fundit në kode.

Jam shpella ime e përvojtur, imzot…

eshtrore, e gurtë… Mjaftohem me pak dritë.

pak ujë, vaj për kandilin,pak bukë

Tullat e librave ha, i brej si brejtësit.

Më mjafton plasa e mekur e diellit në mur.

Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu,

këshilltarët e tu të urtë.

Uji është drita e eshtrave të mija të thara.

S’më duhen teatrot, hipodromet,

stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe gjak?

Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.

Lavirhanet e tregut e të valleve

për gjakun tim të paktë

nuk ngrenë dot rrjeta, as lak.

Pse më torturon, zoti im, me sjellje të këso bote?

Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi,

me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.

Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes,

për ta s’ka më nënë, mik e të dashur,

janë më të ftohtë se një gur,

më të thatë se një dru.

Në atë bodrum ata shqyhen egër mes veti.

Ti më thirre të gdhend ligje e kode për ta, imzot.

Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,

Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.

… Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,

për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.

Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,

te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.

Dhe uroj: në hipodromet, stadiumet, lavirhanet e tua

nga bodrumet e zinj të njerëzve,

u derdhtë më pak gjak dhe lot i purpurt.

fq 132.-33 libri “kalorësit e shiut” onufri, 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok