MEHMET HAJRIZI – ATDHETARI QË NUK HESHT

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
Mehmet Hajrizi nëpër stuhitë e kohës
Emri i Mehmet Hajrizit nuk është një emër që kalon pa u vërejtur, as një zë që humbet në zhurmën e historisë. Përkundrazi, ai është i gdhendur thellë në ndërgjegjen kombëtare, si këndej, në zemrën e Kosovës, ashtu edhe andej kufirit, në të gjitha trojet ku rreh një zemër shqiptare. Ai nuk është vetëm një figurë e njohur, por një dritë udhërrëfyese për ata që e deshën dhe e duan ende lirinë, dinjitetin, atdheun. Ai asnjëherë nuk kishte nevojë për tituj të mëdhenj, as për lavdi të zhurmshme – emri i tij ishte i mjaftueshëm për të ngjallur respekt, për të përhapur frymëzim, për të treguar se çfarë do të thotë të jesh i lidhur me tokën tënde, jo vetëm me rrënjë, por me shpirt.
Figura e tij nuk njeh kufij – as gjeografikë, as shpirtërorë. Ai është një emër që kalon lirisht nga një cep i truallit shqiptar në tjetrin, sepse dashuria e tij për atdheun ështe e pakufishme, si vetë ideali për të cilin jeton dhe vepron. Ai është një simbol i përbashkët i një kombi që, edhe pse i ndarë me vija të vizatuara padrejtësisht, e njeh dhe e nderon të njëjtën frymë lirie.
Në zërin e tij nuk ka vetëm revoltë, por edhe urtësi. Në veprimin e tij nuk ka vetëm guxim, por edhe vizion. Ai nuk është vetëm dëshmitar i kohës së vet, por një ndër ata që e formësoi atë kohë, duke lënë gjurmë që nuk i mbulon as koha, as harresa. Mehmet Hajrizi nuk është thjesht një faqe në histori – ai është një ndjenjë që qëndron përjetë në gjoksin e atdheut. Dhe ky atdhe, kudo që shtrihet gjuha jonë dhe kujtesa jonë kolektive, e njeh dhe e ruan si bir të vetin më të denjë. Biografia e Mehmet Hajrizit është e pasur jo vetëm në ngjarje, por edhe në domethënie – një jetë e ndërtuar mbi themelet e sakrificës dhe dijes, e udhëhequr nga ideali i lirisë dhe dashurisë për atdheun. Ai nuk është thjesht një njeri që jetoi në kohë të vështira – ai është një prej atyre që ia dhanë kuptimin asaj kohe, duke mos u tërhequr përballë asnjë sfide.
Në të vërtetë, Mehmet Hajrizi e ndërton jetën si një akt të përditshëm përkushtimi. Ishte dhe ende është njeri i sakrificës, jo vetëm në kuptimin e vuajtjeve që përjetoi, por në mënyrën se si ai ia dorëzoi vetveten çështjes kombëtare, pa rezervë, pa kalkulim. Çdo hap i tij është dëshmi e një përkushtimi që nuk njeh as lodhje, as luhatje. Ështe i palëkundur në besimin e tij se liria, dinjiteti dhe e vërteta janë më të vlefshme se çdo rehati personale.
Por Mehmet Hajrizi nuk është vetëm simbol i rezistencës – ai është një intelektual i gjithanshëm, me horizont të gjerë dhe mendje të mprehtë. Dija për të nuk është stoli, por mjet për ndërtim. Ai i shihte librat si vegla të çlirimit shpirtëror dhe të emancipimit kombëtar. Është njeri që mendonte thellë, shkruan me përgjegjësi dhe flet me peshën e një mendjeje të stërvitur nga reflektimi dhe përvoja.
Ishte një udhëheqës shpirtëror për shumëkënd – jo nga podiumet e larta, por nga përulësia, nga vendosmëria, nga fjala e matur që buronte nga një shpirt i thellë e i kthjellët. Për këtë arsye, figura e tij nuk rresht së frymëzuari. Ai është një nga ata njerëz që koha nuk i zbeh, por i bën edhe më të ndritshëm – sepse janë ndërtuar nga ajo përbërje e rrallë: përkushtim pa kushte dhe mençuri pa arrogancë.
Në jetën e Mehmet Hajrizit gërshetohen forca e qëndresës dhe drita e dijes – një kombinim i rrallë që mbetet si një model i përhershëm për brezat që vijnë. Një jetë që nuk shkruhet vetëm me ngjarje, por me vlerë.
Atdhetari i madh Mehmet Hajrizi është një nga ata njerëz që historia i mban në mend jo vetëm për atë që bënë, por për mënyrën se si qëndruan përballë saj. Ai është një ish-i burgosur politik – një emër që përmban në vetvete një botë të tërë vuajtjeje dhe krenarie, një kryq të rëndë që pak e bartin me dinjitetin që ai tregoi. Por ai nuk është viktimë e kohës, është dëshmitar i qëndresës së saj. Dhe më shumë se kaq – është përkufizimi i saj.
Ai iu përball burgjeve me një qëndresë të rrallë, të papërkulshme, si një shkëmb që e mban fort veten përkundër dallgëve. As vitet e gjata të privimit nga liria, as muret e ftohta të burgjeve nuk arritën t’ia thyenin shpirtin. Sepse ai kishte një liri më të madhe brenda vetes – atë të mendimit, të ndërgjegjes, të idealit që nuk mund të burgoset nga askush.
Sot, ne – miqtë e tij, bashkëkohësit, ata që patëm fatin ta njohim – mburremi me të. Jo nga distanca, por nga afërsia. Sepse me të ndajmë jo vetëm kohën, por edhe bisedat e thella, ato biseda që nuk janë kurrë të zakonshme. janë fjalë që vijnë nga përvoja, nga thellësia e mendjes dhe zemrës, fjalë që frymëzojnë pa zhurmë, që ngjallin mendim dhe lënë gjurmë.
Të kesh mik Mehmet Hajrizit do të thotë të kesh pranë një pishtari të gjallë – të një njeriu që digjet për ideal, por që me flakën e tij ndriçonte edhe të tjerët. Dhe kjo është një nga ato dhurata që jeta i jep rrallë: ta njohësh nga afër njeriun që nuk shkruan vetëm historinë, por e mishëron atë.
Në shikim të parë, Mehmeti të lë përshtypjen e një njeriu të qetë, të urtë e fjalëpakë – një figurë që rrallë e ngre zërin, por që gjithmonë flet me peshë. Në dukje, ai është hijerëndë në përulësinë e tij, një njeri që e mban dijen e përvojën brenda vetes si një gur të çmuar, pa nevojë ta shfaqë me zhurmë. Por mjafton të gërmosh pak nën sipërfaqe, dhe aty zbulon një botë tjetër: një shpirt të angazhuar deri në palcë, një mendje strategjike, një arkitekt të qëndresës së heshtur por të qëndrueshme.
Në të vërtetë, Mehmeti është shumë më tepër sesa një figurë e qetë. Ai është një nga ndërtuesit më të palodhur të organizatave ilegale që vepronin në terr, në heshtje, por me qëllim të madh. I përfshirë jo vetëm si pjesëmarrës, por si mendje drejtimi, si një nga ata që hartonin programet, që kujdeseshin për rrjedhën e veprimeve dhe për koherencën e qëllimeve. Ishte një strateg në hije, që pa kërkuar lavdi, ndërtonte themelet e lëvizjes që do të trondiste kolonat e pushtetit.
Në ditët më të errëta të veprimtarisë ilegale, ai mbante mbi supe barrën më të rëndë – atë të përgjegjësisë. Si kryetar i OMLK-së, ai nuk ishte thjesht një emër në krye të një strukture; ai ishte zemra e saj, busulla morale, shtylla që nuk u përkul, edhe kur gjithçka tjetër rrezikohej të shembej. Ishte njeriu që nuk u zmbraps, që nuk kërkoi strehë në kompromise, por zgjodhi rrugën më të vështirë – atë të përkushtimit të plotë, të sakrificës, të qëndresës vertikale.
Në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, Mehmeti ishte aty – i qetë, por i pathyeshëm. Në heshtje, por me fuqi të brendshme që frymëzonte. Në kohët e ndeshtrashave, ai nuk lëkundi asnjëherë. Ishte si një lis i lashtë, i rrënjosur thellë në tokën e idealit, që përballoi çdo stuhi pa u thyer. Të tillë njerëz janë të rrallë. Dhe Mehmeti është pikërisht një nga ata – një burrë i heshtur në fjalë, por i madhërishëm në vepra. Një emër që nuk rresht së qëndruari drejt në historinë tonë.
Haxhere Sylaj-Hajrizi
Për Mehmet Hajrizin, mund të thuhet me bindje se ishte një njeri me fat — jo në kuptimin sipërfaqësor të fjalës, por në atë më të thellin, më njerëzorin, më të rrallin. Fati i tij më i madh nuk qëndronte vetëm në rolin e tij historik apo në idealet për të cilat qëndroi, por në bashkudhëtaren që pati në udhën e jetës: Haxhere Sylaj-Hajrizi – një grua e rrallë, me virtyte të larta njerëzore, me shpirt fisnik dhe zemër që rrihte njësoj për familjen, për atdheun dhe për të drejtën.
Në një kohë kur fjala “grua” rëndonte me kufizime dhe sakrifica të heshtura, Haxherja shkëlqente me një dinjitet të brendshëm, që s’kishte nevojë të shpallej me zë të lartë. Ajo ishte shtyllë, jo hije. Ishte frymëzim, jo prapavijë. Ishte bashkudhëtare, jo vetëm në jetën personale, por edhe në atë shpirtërore e kombëtare – një partnere që e kuptonte thellë rrugën që kishin zgjedhur, sfidat që i prisnin dhe sakrificat që nuk do të mungonin.
Me të, Mehmet Hajrizi nuk ndante vetëm jetën, por edhe barrën e saj. Në shtëpi, në punë, në rrethin e gjerë të përkushtimit kombëtar, ata qëndronin krah për krah, të heshtur dhe të vendosur, sikur ta dinin se dashuria më e madhe është ajo që i përballon furtunat së bashku. Ai ishte burrë i një epoke, por ajo ishte grua që i dha shpirt asaj epoke – e fortë, e urtë, e palëkundur.
Dhe ndoshta, prapa qëndrimit të pathyeshëm të Mehmetit, qëndronte një zemër që e ushqente me dashuri e përkrahje të heshtur, por të thellë. Ai ishte i fortë për popullin e tij, sepse kishte pas vetes një grua që i kishte mësuar ç’do të thotë të jesh i drejtë edhe kur dhimbja është e madhe, të jesh i qetë edhe kur rreth teje shpërthen furtuna.
Në rrëfimin e tij jetësor, emri i Haxheres nuk është vetëm një kapitull – është një themel. Sepse pas çdo njeriu të madh qëndron një dashuri e madhe, një shpirt që nuk kërkon dritë për vete, por ndriçon të tërin nga brenda. Dhe për këtë, po, mund të thuhet se Mehmet Hajrizi ishte me fat — sepse kishte për grua një zemër të madhe që nuk thyhej as nga koha, as nga dhimbja, as nga historia.
Në fillim, i bashkonte ideali, qëllimi i përbashkët, rruga e rrezikshme e rezistencës – ishin shokë në lëvizjen ilegale, bashkëluftëtarë në heshtje, pjesë e të njëjtës frymë që digjej për lirinë e Kosovës. Por më pas, ajo lidhje e frymëzuar nga atdheu u shndërrua në një lidhje jete – një bashkëudhëtim që i kaloi kufijtë e përpjekjes politike dhe u shndërrua në bashkim të zemrave, në një partneritet të rrallë që ndërtoi një jetë të përbashkët mbi themelet e besimit, dashurisë dhe përkushtimit të ndërsjellë.
Haxhere Sylaj – Hajrizi nuk ishte thjesht një bashkëshorte, ajo ishte një shtyllë e gjallë e lëvizjes, një grua që nuk qëndroi kurrë në hije, por në radhën e parë të çdo përpjekjeje, në çdo aksion, në çdo plan që synonte çlirimin e Kosovës. Ajo nuk e zgjodhi këtë rrugë rastësisht, e as nga ndikimi i dikujt tjetër – ajo ishte lindur me këtë ideal në gjak. Nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse vinte nga një familje që kishte dhënë djem për atdheun, ajo ishte motra e dy burrave- atdhetar – Gani dhe Ismail Sylës, dy emra që qëndrojnë me krenari në historinë e rezistencës shqiptare.
Guximi i saj nuk kishte zë të lartë, por kishte peshë. Angazhimi i saj nuk kërkonte duartrokitje, por i qëndronte besnik idealit edhe kur gjithçka lëkundej. Ishte grua që nuk ndalej para rrezikut, por e shihte atë si pjesë të rrugës së drejtë. Në një kohë kur shumëkush e pranonte heshtjen si mbijetesë, Haxherja zgjodhi veprimin – jo për famë, por për të mos lejuar që fjala “liri” të mbetej vetëm një ëndërr e parealizuar.
Dhe kështu, ajo dhe Mehmeti – shokë në rrugën e luftës, u bënë shokë në udhën e jetës. U bashkuan jo vetëm nga dashuria për njëri-tjetrin, por edhe nga dashuria për të njëjtin atdhe. E ndërtuan jetën mbi flakën e qëndresës dhe e mbajtën ndezur atë flakë, duke i dhënë kuptim çdo dite, çdo përpjekjeje, çdo fjale.
Edhe sot, ata qëndrojnë si një çift që nuk i lidhë vetëm ndjenja, por edhe ideali – dy shpirtra që u bashkuan për të njëjtën kauzë dhe që, në heshtje e përkushtim, ndërtuan një jetë që sot frymëzon. Haxheren, me plot të drejtë, mund ta quajmë Penelopa shqiptare – jo vetëm për qëndrueshmërinë e saj, por për fisnikërinë e padukshme, për heshtjen që mbante brenda një botë të tërë dhimbjeje e qëndrese, për përkushtimin e saj të palëkundur në vitet më të rënda të mungesës dhe pritjes.
Gjatë viteve të burgimit të Mehmetit, ajo mbeti shtylla e heshtur, por e pathyeshme e familjes. Ajo ishte dritë e shtëpisë në mungesë të diellit, ishte dorë e ngrohtë për fëmijët, zemër e fortë për prindërit, dhe një rrugë e pandalur për tek burri i saj, që gjendej prapa grilave, në një kohë kur fjala liri peshohej me dhimbje. Ajo i përballoi të gjitha, pa u ankuar, pa u thyer – me atë qëndrim të qetë që kanë vetëm gratë që kanë mësuar të duan me përkushtim dhe të vuajnë pa zhurmë.
Vizitat e saj të shpeshta në burgun ku ndodhej Mehmeti ishin më shumë se sa vizita – ishin akte të dashurisë dhe dinjitetit, pjesë të një lidhjeje që nuk i ndante as muret, as vitet, as dhuna e pushtetit. Dhe çfarë është më prekëse e më madhështore: në asnjë rast, përballë syve të ftohtë të hetuesve, përballë fytyrave të akullta të udbashëve, Haxheres nuk i rrëshqiti asnjë lot, asnjë ofkëllim, asnjë shenjë dobësie. Qëndroi me kokën lart, me shpinën drejt, me heshtjen që flet më shumë se çdo britmë – ashtu siç i ka hije një gruaje shqiptare, një gruaje të rritur mbi krenarinë e rrënjëve dhe mbi dashurin ndaj burrit, familjes dhe atdheut.
Në një kohë kur pushteti përpiqej ta thyente shpirtin përmes frikës dhe mungesës, Haxherja e mbrojti dinjitetin e saj si një mburojë të shenjtë. Ajo ishte Penelopa jo sepse thjesht priste, por sepse ndërtonte – ndërtonte jetën përtej mungesës, rritej me sfidat, dhe qëndronte si një mal i heshtur në një kohë të trazuar.
E tillë është figura e saj: një grua që nuk kërkon kurrë duartrokitje, por që e jeton madhështinë e saj në përditshmërinë e sakrificës. Dhe për këtë, emri i saj duhet të shkruhet me shkronja të mëdha – jo në librat e zhurmshëm të historisë, por në ndërgjegjen e një kombi që e di se liria ka qenë gjithmonë edhe vepër grash të mëdha si ajo.
Dhe thënë të drejtën, këtë shkrim e nisa me një qëllim krejt tjetër—me dëshirën e thjeshtë për të ndalur pak çaste mbi një poezi të Mehmet Hajrizit. Një varg i vetëm, një metaforë e ndërtuar me përkujdesje, më shtyu të ndalem, të reflektoj, të ndiej. Ishte një poezi që më tërhoqi si një fije drite, e cila, pa e kuptuar, më ftoi të eci më thellë në labirintin e një jete të jashtëzakonshme.
Por me secilën fjali që shkruaja, me secilin kujtim që më vinte përpara, e kuptoja se poeti brenda Mehmet Hajrizit nuk mund të ndahej nga njeriu, nga veprimtari, nga i burgosuri politik, nga burri i urtë, nga intelektuali i palodhur, nga idealisti që kishte ditur të qëndronte drejt përkundër gjithë rrënojave të kohës. Dhe atëherë, poezia u kthye në dritare, e jo në kufi. Ajo u bë hyrja në një botë shumë më të gjerë, shumë më të thellë.
Sepse kur shkruan për Mehmet Hajrizin, shpejt e kupton se nuk je më thjesht përballë një figure. Je përballë një epoke. Një kohe të mbushur me sakrifica, me burgje dhe lëvizje të heshtura, me dashuri të përmbajtur dhe qëndresë të zjarrtë. Ai është një figurë që të rrëmben në thellësitë e saj – sa më shumë përpiqesh ta përkufizosh, aq më shumë e kupton se nuk ka kufij. Sepse ai nuk është vetëm një njeri i kohës së vet, por një shenjë përtej kohës, një fjalë që rri pezull mbi breza.
Dhe kështu, pa e kuptuar, ky shkrim që nisi si një reflektim mbi një poezi, përfundoi si një evokim i heshtur ndaj një njeriu që nuk mund të përmblidhet në pak rreshta. Sepse ndonjëherë, një poezi është veç porta e parë që hapet… por pas saj, të pret një botë që nuk mbyllet me një fjali. Dhe Mehmet Hajrizi, me gjithë qenien e tij, është pikërisht ajo botë.
“Një ditëlindje një Shqipëri”
Rastësisht më ra në dorë një poezi me titullin “Një ditëlindje një Shqipëri”, një dorë e qetë që më ftoi në një udhëtim të brendshëm – dhe fare papritur, ajo që nisi si një lexim i shpejtë, u kthye në një përjetim të thellë. Ishte shkruar nga Mehmeti… dhe thënë të drejtën, nuk e kisha pritur. E njohur ishte figura e tij si veprimtar, si i burgosur politik, si intelektual me peshë – por ja që nëpër rreshta të thjeshtë, ai shfaqej edhe si poet i shpirtit, si ndërtues i ndjenjave me fjalë të pakta, por që digjnin thellë.
Nuk ishin fjalët që mahnitnin nga stolia, as metaforat nga zbukurimi i kotë. Ishte thellësia e mendimit, thjeshtësia e ndjenjës, pjekuria e shikimit të jetës – të gjitha të mbledhura në një poezi që s’kishte asnjë ngasje për të qenë e zhurmshme, por që të prekte në palcë. Aty nuk flitej vetëm për një ditëlindje në kuptimin kronologjik të saj, por për kohën që kalon me peshën e saj, për jetën që matet jo me vite, por me ideale, me durim, me liri të munguar, me përballje të heshtura.
Dhe ajo që më tronditi më së shumti ishte natyrshmëria me të cilën Mehmeti shpaloste ndjesitë. Si të ishte një udhëtar i lodhur nga rruga, por që ende shihte përpara me sy të kthjellët dhe me një zemër që nuk i dorëzohej asnjë stine. Poezia nuk kërkonte të na bindte për diçka, ajo vetëm ndriçonte – dhe në atë ndriçim, lexuesi gjen veten, pyetjet, rrugëtimet e veta të pambaruara.
Mbeta e mahnitur. Jo vetëm nga poezia si tekst, por nga poezia si dëshmi e një shpirti që dinte të duronte, të ëndërronte, të përqafonte jetën edhe atëherë kur ajo vinte e vështirë, e zymtë, e mbyllur në grila. Dhe në ato pak vargje të “Një ditëlindje një Shqipëri”, , Mehmeti më kujtoi se herë pas here, fjala më e fortë nuk bërtet, por thjesht qëndron – dhe le gjurmë.
Dhe nuk është aspak e çuditshme nëse, teksa lexon ato vargje, ndihesh i kapluar nga emocione të thella, ndërsa çdo përpjekje për të mbetur indiferent thjesht dështon. Sepse poezia e Mehmet Hajrizit nuk është thjesht një përmbledhje fjalësh – ajo është një rrëfim i heshtur i një shpirti që ka vuajtur dhe dashur thellë, një dëshmi e ndjerë që flet jo vetëm me zërin e poetit, por me zërin kolektiv të një populli që ka mbijetuar përmes dhimbjes dhe shpresës.
Në çdo varg, në çdo strofë, ndjehet si një pulsim i ngrohtë dashuria për atdheun – një dashuri që nuk kërkon lavdi, por që digjet pa pushim në brendësi të njeriut. Është një atdhedashuri që nuk shfaqet me fjalë të mëdha, por me dhembshuri të qetë, me mall të pashuar për një tokë që është më shumë se vend – është amanet, është ideal, është plagë dhe dritë njëkohësisht.
Dhe në sfond të çdo rreshti, si një pëshpëritje që nuk shuhet, qëndron ajo kauzë e shenjtë për të cilën Mehmeti dhe shumë të tjerë u përkushtuan me gjithë qenien e tyre – një kauzë që edhe pas kaq shumë vitesh mbetet një ëndërr e lënduar, një amanet që ende pret përmbushjen e plotë. Është e pranishme në vargjet e tij jo si peshë e rëndë, por si thirrje e qetë dhe fisnike për të mos harruar rrugën, për të mos u mjaftuar me gjysmën e lirisë, për të mos humbur esencën e qëllimit.
Ajo poezi, sado e thjeshtë të duket në shikim të parë, të përfshin në një dialog të brendshëm me historinë, me kujtesën, me ndërgjegjen. Dhe ndoshta kjo është fuqia e saj më e madhe – të të zgjojë nga brenda pa të detyruar, të të rikujtojë atë që në ngutjen e përditshmërisë mund të jetë zbehur, por kurrë nuk është harruar: se liria nuk është një fund, por një rrugë; dhe dashuria për atdheun nuk është vetëm ndjenjë, por përgjegjësi.
E tillë është poezia e Mehmetit – si një flakë që digjet butë, por vazhdon të ndriçojë edhe atëherë kur të gjithë janë larguar nga zjarri. Dhe pikërisht për këtë, ajo nuk të le të jesh indiferent. Sepse kushdo që ka pak mall, pak kujtesë, dhe pak zemër – në ato vargje do të gjejë një copë vete.
Autori i kësaj poezie nuk flet për ditëlindjen e vet, as për përvjetorin e një jete personale, por për një tjetër lloj lindjeje – atë të atdheut. Ai e shikon atdheun si një qenie të gjallë, që ka ditëlindje të veta, por që – fatkeqësisht – i ka dy. Dhe pikërisht këtu fillon dhimbja e tij poetike, thirrja e tij e qetë, por e thellë, e mbështjellë me mall dhe me një shpresë të pashuar.
Në vargjet e tij nuk ka revoltë të zhurmshme, por një trishtim të butë, një mall që buron nga vetëdija e thellë historike, nga plagët e një toke që është ndarë, e që ende nuk e ka përjetuar të plotë ditëlindjen e saj. Ai nuk pranon heshtjen si përgjigje dhe as ndarjen si realitet përfundimtar. Me një zë të brendshëm dhe me një ndjeshmëri të rrallë, ai pyet – me zemrën e një bije që i mungon shtëpia e bashkuar – kur do të bëhet një ajo ditëlindje?
Fjalët e tij nuk janë thjesht një kërkesë politike, janë lutje njerëzore. Ai nuk kërkon vetëm bashkimin e një territori, por edhe të kujtesës, të identitetit, të shpirtit të përbashkët që është ndarë padrejtësisht nga historia. Poezia e tij nuk është një dokument proteste, por një psherëtimë e thellë që i përket çdo shqiptari që ndien të ndarë gjakun dhe tokën, por që nuk e humb shpresën për një ditë ku festa të mos jetë e dyfishtë – sepse kur një atdhe ka dy ditëlindje, asnjëra nuk është e plotë.
Dhe ja, në këtë kërkim të njëshmërisë, ai nuk bërtet, por fton. Nuk urdhëron, por lutet. Ai thërret jo vetëm historinë, por edhe të ardhmen – ta përmbushë atë që u pre në mes. Dhe ndërsa e lexon këtë thirrje poetike, e ndien se ajo nuk është vetëm e autorit, por e çdo zëri që ka shpresuar, që ka pritur, që ka dashur ta shohë ditëlindjen e kombit si një – si një lindje e re e vetëdijes sonë kolektive.
Në thelb, kjo poezi nuk kërkon një datë, por një ndjenjë të përbashkët, një përqafim të vonuar, një rikthim në tërësinë që e meriton çdo komb. Dhe pikërisht për këtë, ajo mbetet më shumë se poezi – është një ëndërr e thënë me fjalë të qeta, por që jeton me zjarr në shpirt.
“Atdheu im, ti ishe dikur pa ditëlindje…” — kështu nis poeti rrëfimin e tij të thellë, një varg që tingëllon si një ofshamë që vjen nga thellësitë e kohës, nga shekujt e mohimit dhe të heshtjes. Në këtë fjali të vetme është përmbledhur një e vërtetë e madhe dhe e dhimbshme për historinë shqiptare: ne kemi pasur një atdhe, por për shumë gjatë ai s’ka pasur ditëlindje – sepse nuk ka pasur liri.
Ky varg nuk është thjesht poetik, është historik. Është përkujtim. Është plagë. Sepse Arbëria, dikur një tokë me identitet të qartë, u bë një vend pa ditë gëzimi zyrtare, pa festa që e shënonin lindjen e vetvetes, pa njohje dhe pa ndjeshmëri në hartat botërore. Ishim – por të padukshëm. Ekzistonim – por të mohuar.
Dhe pastaj, sot – thotë poeti – “Sot ke dy.” Në pamje të parë, një fitore. Por në thelb, një ironi tragjike. Sepse atdheu ynë sot feston jo një, por dy ditëlindje – një për Shqipërinë, një për Kosovën – dhe kjo ndarje, edhe pse në rrethana të ndryshme, flet për një të kaluar të copëzuar dhe një të tashme që akoma nuk e ka përmbushur ëndrrën e bashkimit shpirtëror dhe historik.
Çdo varg i kësaj poezie është një thirrje, një mesazh më vete – një gur në murin e kujtesës që kërkon të mos harrohet asnjëherë. Është një përkujtesë se historia jonë nuk është vetëm krenari, por edhe mësim. Dhe ky mësim nuk guxon të përsëritet. Nuk guxojmë më të jemi pa ditëlindje, dhe as të jemi me dy që mbajnë ndarjen gjallë. Poezia, me pak fjalë, i flet kohës, i flet popullit, i flet ndërgjegjes. Ajo na bën të kuptojmë se çdo festë e vonuar, çdo ndarje e imponuar, dhe çdo mungesë e zërit tonë në historinë botërore është një plagë që kërkon drejtim, jo vetëm në politikë, por në ndërgjegjen kolektive.
Dhe në fund, ajo që mbetet është pikërisht kjo: një poezi që shpalos jo vetëm ndjesinë e autorit, por përmbledh peshën e historisë sonë, për t’na kujtuar se atdheu duhet ta ketë një zemër, një zë, një ditëlindje — të vetën. Të plotë. Të pandarë.
Pastaj vijnë vargjet e tjera, të thella si rrënjët e historisë sonë, të mbushura me domethënie dhe peshë që nuk zbehet me kohën. Ato janë vargje që nuk lexohen vetëm me mendje, por ndjehen me zemër — sepse në to është përshkruar një kohë që na ka shënuar të gjithëve, një kohë që nuk na lë të qetë, që endet pas nesh si hije dhe shfaqet para nesh si kujtesë e gjallë.
“E para në Nëntorin e Dytë të lavdisë
Mëvetësi,
Tjetra në Shkurtin e dimrit pranverë,
Pavarësi.”
Në këto katër rreshta rrëfehet një epokë. Nëntori – ai Nëntor i Dytë – na kthen pas, në 28 Nëntorin e 1912-ës, ditën kur Shqipëria shpalli mëvetësinë pas shekujsh të gjatë nën pushtime. Ishte një akt i madh, por në të njëjtën kohë, një lindje e sakatuar – sepse një pjesë e trupit të kombit mbeti jashtë kësaj mëvetësie, duke pritur një ditë tjetër për të marrë frymë lirshëm.
Dhe ja ku vjen ajo ditë tjetër – Shkurti, i quajtur me të drejtë “dimri pranverë”, sepse më 17 shkurt të vitit 2008, pas një rruge të gjatë, të përgjakur e të përvuajtur, Kosova shpalli pavarësinë. Ishte ende dimër në kalendar, por në zemrat e shqiptarëve nisi të mugullonte pranvera. Ishte dita që shumëkush e priste si kthesë, si frymëmarrje, si rikthim i një pjese të munguar të historisë sonë.
Vargjet janë të thjeshta në formë, por me një thellësi që i ngjason vetë popullit shqiptar: të përvuajtura, të dhembshme, por plot dritë në fund. Ato nuk tregojnë vetëm dy ngjarje – ato kujtojnë dy akte të mëdha të vetëdijes kombëtare. Janë dy ditë që gëzojnë dhe njëkohësisht tronditin, sepse secila mbart gëzimin e fitores dhe kujtimin e asaj që mungon.
Poeti, me mjeshtri të rrallë, i përmbledh këto dy momente historike si dy pole të një zemre që rreh në të njëjtin trup: Shqipëria dhe Kosova. Dy data që duhet të ishin një, dy kulme që s’duhet të ndaheshin. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron emocioni më i thellë i vargjeve: në dëshirën për një bashkim shpirtëror që tejkalon kufijtë politikë – një bashkim që, edhe kur nuk është i plotë në letër, rron i pashkëputur në ndjenjë.
Në këtë mënyrë, këto vargje nuk janë thjesht përshkrim – janë pasqyrim i një ndërgjegjeje kombëtare që nuk ka pushuar së shpresuari. Janë një kujtesë e lavdisë dhe e plagës. Një thirrje që, edhe në heshtje, kumbon si një himn për bashkimin e shpirtit shqiptar në një ditë të vetme: të lirisë së plotë.
Sa me dashuri e mall e shkruan Mehmeti poezinë e tij – një shkrimtar që nuk e ndan dot të kaluarën nga e ardhmja, sepse për të, të dyja janë të lidhura me një fije të padukshme që quhet atdhe. Atdheu për Mehmetin nuk ishte thjesht një hapësirë gjeografike, as një term që përsëritet në ligjërime publike. Ai ishte ndjenjë, gjak, dhimbje që pulsonte vazhdimisht brenda tij, një plagë që nuk e njihte shërimin, por as nuk pushonte së dashuruari.
Për të, atdheu ishte një qenie e gjallë – një trup i goditur, një zemër e braktisur. Dhe këtë ndjesi e shpërfaq me një forcë të rrallë në vargjet e tij:
“Kope çakejsh të harbuar t’u vërsulën ty
Si jetime,
Trupin tënd të pambrojtur përgjakshëm ta bënë
Thërrime.”
Këtu ai nuk e poetizon dhimbjen, ai e përjeton atë – si dëshmitar, si bir, si mbrojtës i një nëne që është dhunuar përmes historisë. Fjalët janë të thjeshta, por tronditëse. Kope çakejsh – imazhi i egërsisë së shfrenuar, i dhunës që nuk njeh mëshirë. Ata që i janë vërsulur atdheut nuk janë më thjesht pushtues – janë kafshë të uritura, që e kanë parë tokën tonë si një gjah pa zot, si një jetime të pa pambrojtur.
Dhe çfarë i kanë bërë? E kanë shndërruar në thërrime – trupin e saj, që për Mehmetin është trupi i një nëne, i një dashurie të shenjtë, e kanë copëtuar, përgjakur, shkelur pa mëshirë. Por poeti nuk shkruan për ta ushqyer urrejtjen – ai shkruan për të dëshmuar, për të kujtuar, për të mos lejuar që kjo histori të mbulohet me harresë. Në këto vargje, e kaluara është e gjallë, dhe e ardhmja – e pasigurt, por me shpresë që rri pezull. Ai nuk resht së dashuruari vendin e vet, edhe kur ai është i rrënuar. Madje, dashuria e tij bëhet edhe më e fortë për shkak të plagëve. Sepse e do atdheun jo për lavdinë që ka pasur, por për dhimbjen që ka duruar. E do jo si triumf, por si amanet.
E tillë është poezia e Mehmet Hajrizit – një dëshmi që nuk ngre zërin për të bërë zhurmë, por për të ngjallur ndërgjegjen. Një dashuri që s’njeh as harresë, as kufij. Një mall që nuk shuhet kurrë. Një liri që në çdo varg ndien se ende është duke ardhur. Mehmeti, edhe në poezinë e tij, mbetet gjithmonë vigjilent — një vëzhgues i mprehtë i kohës dhe një zë i ndërgjegjes kolektive. Ai nuk shkruan vetëm për të kaluarën si kujtim, por edhe për të tashmen si paralajmërim, për të ardhmen si përgjegjësi. Dhe pikërisht në këto vargje, ai shfaqet me forcën e një luftëtari të paepur, të pashkëputur nga historia, të palodhur në vigjilencën ndaj rrezikut:
“Thonë po ngrihen sërish lugatër të rinj
Shqipëri,
Armiqë të hershëm e të vonë të kërcënojnë
Me batërdi.”
Në këto katër rreshta përvijohet një etje e pashuar për mbrojtje dhe për qëndresë. Lugetër — figura e errët e atyre që nuk vdesin kurrë plotësisht, që kthehen si hija të së keqes për të trazuar edhe kur beson se koha e tyre ka perënduar. Mehmeti nuk flet për një armik të zakonshëm; ai flet për rrezikun që zgjatet përtej historisë, për fytyrat që ndryshojnë, por qëllimet që mbesin të njëjta — për të shkatërruar, për të përçarë, për të errësuar gjithçka që është shqiptare dhe e shenjtë.
Ai e thërret Shqipërinë si një nënë që duhet të zgjohet, si një simbol i bashkësisë shpirtërore, jo vetëm të një shteti, por të një kombi që ndjen në çdo qelizë thirrjen për të qëndruar i bashkuar dhe i përgatitur. Sepse kërcënimi nuk është vetëm fizik — është një batërdi, një rrëmujë e organizuar për të shkatërruar moralin, identitetin, të vërtetën historike.
Poeti nuk shfaq frikë në këtë mesazh — ai reagon. Reagon me sensin e një njeriu që e ka parë errësirën, që e njeh tinëzinë e kohëve dhe që nuk i beson qetësisë së rreme. Është thirrje për kujdes, për vetëdije, për unitet. Sepse ai e di që historia përsëritet, sidomos kur harrohet.
Dhe në këtë qëndrim të tij poetik, Mehmeti nuk është vetëm një dëshmitar i vuajtjes, por një roje e pandërprerë e asaj që ende duhet mbrojtur. Ai flet jo për të trembur, por për të zgjuar. Sepse fjala e tij nuk është vetëm art, është armë, dhe çdo varg është një gur në themelet e lirisë që ende kërkon ruajtje.
Po, dhe në të vërtetë, nuk u befasova aspak — sepse nga një atdhetar i madh si Mehmeti, nga një shpirt i pakompromis që gjithmonë e ka thënë të vërtetën pa drojë, nuk pritet asgjë më pak se ky varg i fuqishëm dhe i ndriçuar nga besimi i thellë kombëtar. Ai që e ka jetuar dashurinë për atdheun jo si ndjenjë kalimtare, por si përkushtim të përjetshëm, do të shkruante vetëm kështu: drejt, thjesht, dhe me dritën e së ardhmes në mendje.
“Shqipëri e copëtuar ishe një, dy e tri
Me tradhti,
E do të jesh sërish një e bashkuar këtë
Shekull të ri.”
Në këtë strofë, Mehmeti nuk thërret me zë të lartë, por flet me një qartësi që trondit dhe frymëzon njëkohësisht. Ai e shikon Shqipërinë në pasqyrën e së shkuarës, të copëtuar e të rrënuar, të ndarë në një, dy e tri pjesë — jo për fajin e saj, por si pasojë e tradhtive që historia nuk i kurseu: nga të huajt, por edhe nga të vetët. Por ai nuk ndalet te dhimbja — ai e kthen shikimin përpara, aty ku rrezaton një shpresë e mençur, jo naive. Mehmeti beson se ky shekull i ri nuk është vetëm numër në kalendar, por mundësi për drejtësi historike, për bashkim shpirtëror e kombëtar, për të rikthyer në një trup të vetëm atë që u nda padrejtësisht në emër të interesave të huaja.
Nuk ka utopi në vargun e tij — ka qëndrueshmëri. Është një besim që buron nga njohja e thellë e historisë dhe nga siguria se asgjë nuk mund të ndalet përgjithmonë në copëzim, në ndarje, në harresë. Ka një vetëdije të thellë se bashkimi nuk është thjesht qëllim politik, por një domosdoshmëri shpirtërore për të qenë plotë, për të qenë vetvetja.
Kjo poezi nuk është vetëm një strofë e bukur, por një amanet i shkruar. Është një përkujtim se edhe kur jemi të ndarë në trup, në gjuhë, në realitete të përditshme — në thelb jemi një, dhe historia jonë e nesërme duhet të ecë drejt atij bashkimi që e kemi pritur gjatë. Sepse, siç e thotë Mehmeti me një qetësi që vjen nga thellësia e shpirtit: do të jesh sërish një. Dhe ky nuk është thjesht një shpresim poetik — është një zotim që e mbartin ata që, si ai, e kanë bërë atdheun pjesë të qenies së tyre.
Pas leximit të atyre vargjeve, dhe pas një meditimi të gjatë që më pushtoi krejtësisht, nuk mund të bëja gjë tjetër përveçse të ulesha dhe të shkruaja këto mbresa që më buronin natyrshëm nga thellësia e shpirtit. Sepse kur fjalët e dikujt të prekin kaq thellë, kur një poezi nuk është më vetëm poezi, por bëhet kujtesë, frymëzim dhe thirrje, atëherë heshtja është e pamjaftueshme — duhet folur, duhet shkruar, duhet ndarë me të tjerët.
Në vargjet e Mehmet Hajrizit gjeta shumë më tepër se një mjeshtëri letrare — gjeta një shpirt që ka kaluar përmes erërave të historisë dhe ende mban të gjallë zjarrin e dashurisë për atdheun. Ato vargje janë si zëra që vijnë nga thellësitë e kohës, por që flasin me një qartësi të çuditshme për të sotmen dhe të ardhmen. Ato janë dëshmi për ata që e kuptojnë se liria nuk është një dhuratë, por një amanet. Se atdheu nuk është thjesht një vendbanim, por një përgjegjësi e përditshme.
Ndaj, në këtë reflektim të ndjerë, më lind vetëm një dëshirë: që Mehmeti të ketë shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe dritë në mendje e në shpirt. Sepse kemi nevojë për zërin e tij — për mendimin e kthjellët, për ndjenjën e thellë, për fjalën që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë dhe për vargun që ngjall ndërgjegjen.
Uroj që pena e tij të mos ndalet, që shkrimet e tij të shtohen e të përhapen si dritë për brezat që vijnë. Breza që do të kenë nevojë jo vetëm të dinë historinë, por të ndiejnë përmes fjalëve se si ajo është jetuar. Të kuptojnë, përmes gjurmëve që lë Mehmeti në letër, se si ruhet liria dhe çfarë do të thotë të duash atdheun me gjithë shpirtin – edhe kur ai është i përgjakur, i ndarë, i pambrojtur.
Sepse janë pikërisht njerëz si ai që e bëjnë të pavdekshme kujtesën tonë kolektive. Dhe janë fjalët e tij ato që do të ndriçojnë rrugën e atyre që do të vijnë, duke i mësuar se dashuria për atdheun nuk është një emocion kalimtar, por një jetë e tërë në përkushtim të heshtur dhe të shenjtë.
Mehmet Hajrizi
NJË DITËLINDJE NJË SHQIPËRI
Atdheu im ti ishe dikur pa ditëlindje
Arbëri,
Ndryshe nga e gjithë bota rreth e rrotull
Sot ke dy.
E para në Nëntorin e Dytë të lavdisë
Mëvetësi,
Tjetra në Shkurtin e dimrit pranverë,
Pavarësi.
Kope çakejsh të harbuar t’u vërsulën ty
Si jetime,
Trupin tënd të pambrojtur përgjakshëm ta bënë
Thërrime.
Thonë po ngrihen sërish lugetër të rinj
Shqipëri,
Armiqë të hershëm e të vonë të kërcënojnë
Me batërdi.
Por ti nuk bëhesh më si feniksi shkrumb e hi
Përsëri,
Nuk mund të të trajtojnë Shqipëria ime
Si në histori.
Sikur në dekada e shekuj që përballove
Çdo stuhi,
Në këmbë qëndron si gjithmonë qëndrove
Shqipëri.
Shqipëri e copëtuar ishe një, dy e tri
Me tradhti,
E do të jesh sërish një e bashkuar këtë
Shekull të ri.
MH, 24 mars 2025