03/12/2024

Me rastin e pëvjetorit të 32 të themelimit të LDK-së

0
Presidenti Rugova ne Lezhe

Nga Gjon Keka

Siç shkruante shkrimtari, filozofi dhe poeti gjerman Johann Gottfried von Herder:

“Pa entuziazëm nuk ndodhi asgjë e rëndësishme në botë… Njerëzimit i kontribuan ata, të cilët në fillim u morën si ëndërrues. Përkundër gjithë ironisë, përkundër çdo përndjekjeje dhe nënçmimi, ata vazhduan zotimin e tyre… ecën dhe e sollën botën përpara”.

Si një lidership dhe personalitet frymëzues, Rugova u bë referenca kryesore, duke lënë te njerëzit e tjerë frytet, bindjen, vullnetin për të ecur më tej, si dhe vizionin e filozofisë e të mendimit të tij jetësor dhe politik.

Duhet ditur se presidenti Rugova që nga themelimi i lëvizjes kombëtare politike, respektivisht që nga formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në vitin 1989 e deri në fund ka udhëhequr një politikë të vendosur dhe largpamëse. Të gjitha këto veprime të mëdha të lidershipit të tij buronin nga filozofia dhe mendimi i tij politik, të vëna mbi piedestalin e qëndrueshëm të paraardhësve e të vlerave të mirëfillta të kombit shqiptar europian.

Frytet e përpjekjeve të tij politike-kombëtare, si president dhe lidership, ishin të mëdha; ato u panë e do të kuptohen qartë pas shumë viteve dhe gjeneratave, si në ditët e sotme ashtu edhe në të ardhmen, sepse liria, demokracia dhe pavarësia janë fryte të përpjekjeve të tij të mëdha e të vazhdueshme. Ai vetë ishte arkitekti i shtetit të Dardanisë së lashtë europiane apo, thënë në kohën tonë, arkitekt i shtetit të Kosovës europiane.

Gjithë procesi i lëvizjeve politiko-diplomatike të Kosovës në ndërtimin e raporteve të veçanta me bashkësinë ndërkombëtare e, posaçërisht me ShBA-në dhe BE-në, nuk mund të kuptohet pa politikën dhe lidershipin e presidentit Rugova. Gjatë asaj periudhe të vështirë për popullin shqiptar të Kosovës apo Dardanisë së lashtë, pastaj pas çlirimit të Kosovës nga skllavëria me ndihmën e ShBA-së, BE-së dhe NATO-s, si dhe procesit të njohjes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe europian, roli i tij ishte vendimtar.

Sigurisht që një udhëheqës i vërtetë duhet të jetë model për të tjerët, duhet të jetë frymëzimi më i lartë për ta, duhet të jetë shërbëtori i të gjithëve e, posaçërisht shërbëtor i të vërtetës së kombit të tij dhe i drejtimit të tij në rrugën e përparimit e të ardhmërisë së mirë për brezat në vijim. Vetëm liderët që kanë vizion të pastër, pasion dhe përgjegjësi të lartë mund të arrijnë gjëra të mëdha, të bëhen ndryshimi që nis nga vetja e tyre, me anë të shpalosjes së hapave të sigurta të filozofisë së tyre dhe mendimit rrezatues, e deri te ndryshimi i vërtetë për të mirën e të ardhmes së kombit të tyre, në përgjithësi.

___________________

Libri gjendet në :

Libraria Artini-Toena

Libraria Dukagjini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok