25/12/2024
Hueyda-El-Saied1

Nga Edison Ypi

Nuk i rezistova dot lutjeve të përsëritura të dikujt për të vajtur në një event ku zengjinët e rinj, njësoj si mafjozët e vjetër, takojnë njëritjetrin periodikisht.

Po edhe mua më duhet tu hedh një sy heraherës zengjinëve që mezi i kemi. Për t’i parë si janë me shëndet ata trima, sa u janë trashur qafat, sa u është fryrë barku, a u janë shtuar rrudhat, dhe të tjera hollësira që i di vetëm unë, dhe s’ja tregoj askujt.

Nisa tu u vërdallos mes të ftuarve si një kokërr misri që ka rënë brenda një tasi me supë orizi të nxehtë që po e trazon për ta ftohur luga e një të urituri.

J’u afrova një rrethi të çrregullt apo një shumkëndëshi thashethemexhinj mediatikë nga ata që e nuhasin lehtësisht njëritjetrin, dhe në kësi rastesh, ose thonë mes tyre gjëra pa lidhje, ose heshtin gjith kohës si guakë.

Mes të ngrirëve, krejt e shkrira dhe e shkrifëta, Ajo, Perla e Zezë, tashmë e ndjera, Hueyda El Saied.

Rrinte pranë tyre e shkujdesur, e painteresuar çfarë thoshin çfarë s’thoshin, çfarë bënin çfarë s’bënin. Ishte e zhytur në një gjysëm-dehje karakteristike për Femrat që e dinë sa janë aq joshëse sa meshkujt për ‘to mund të nisin, nga sherret banale, deri te shpallja e luftrave.

Dridhej lehtë si velë që e përkund puhiza.

Vibronte si tel kitarre nën gishtat e padukshëm të një kitarristi virtuoz.

Jo jo. As luhatej, as dridhej.

Për të provuar se nuk ishte prej mermeri por prej mishi, vallzonte me lëvizje të lehta të kurmit dhe gjymtyrëve, si motorri i makinës në minimo në pritje që dikush t’i shkeli pedalin t’i japi gaz, të ndizet dhe të fluturojë në vende të largëta, ku akrepat janë thyer, koha ka ndalur, pas një çasti do shpërthejë një Big Bang që do asgjësojë Universin.

J’u afrova asaj unaze bronxi pes’ lekshe me Perlë të Zezë miliona dollarëshe.

I them një kokshiniku;

-A nuk e ka hak filani t’ja ndash kokën më dysh me sëpatë ?

-Kjo që thua ti, tha barkderri, nuk është e sigurtë, duhet parë.

-Këtu, i thashë qaftulit, e vetmja gjë që “duhet parë dhe jo vrarë” është kjo këtu, Perla e Zezë.

Perla dëgjoi.

U drodh e tëra.

Kisha shkelur padashur pedalin e gazit !

I braktisi luhatjet, vallzimet, vibracionet, velat, puhizat.

Mu vërsul mua.

Më përqafoi.

Më puthi.

Në faqe.

Afrika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok