22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Një numër rrethanash rastësore dhe fatlume bënë të mundur që gjatë ditëve të eksodit të kosovarëve drejt Shqipërisë të kem fatin dhe kënaqësinë të udhëtoj në disa kampe refugjatësh me gazetarin e shquar Jolyon Naegele.

Qafë-Thanë.

Jolyon tregon kartën e akreditimit. Nuk na nxjerrin pengesa. Në një dhomë të vogël të pisët me karrige të thyera, me disa defterë të qelbët përpara, zdërhallen katër policë me uniformë të çrregullt dhe në pozicione jo serioze.

Komandanti, që po ashtu si doganieri i Konicës te “Doktor Gjilpëra”, të kujton një polic dogane tipik të filmave në kufirin mes dy Banana Republikave diku në Amerikën Qendrore, është një buçko pa kapele që duke i dhënë dorën Jolyonit gromësin dhe fshin buzët nga lyra që i ka mbetur nga ngrënia e ndonjë cope mishi.

Ai dhe kolegët e tij fodullë kanë atë shëndetin e fryrë të vonuar të njerëzve që fati ose rrethanat më së fundi u ka bërë të mundur ngrëniet e bollshme në moshë të vonë, por prapëseprapë shenjat e fukarallëkut të fëmijërisë u kanë mbetur mbi fytyrë dhe në sjellje.

E kam vënë re këtë dukuri të shëmtuar kur kryeja shërbimin ushtarak, tek oficerët e rinj të ushtrisë me fytyrë të skuqur te të cilët ka qenë shumë i dukshëm ai që e shpotisnim si “shëndet i makaronave” etj.

Komandanti llafazan që bën përpjekje qesharake për t’u dukur serioz, thotë se gjithçka ka shkuar mirë me refugjatët që kanë kaluar andej, se i kanë regjistruar etj. Mirëpo, kur Jolyon i kërkon ndonjë regjistër me emra apo diçka të tillë, hutohet dhe tregon disa formularë standard që plotësohen për të gjithë kalimtarët. Pra, gënjen për regjistrimin që në ndonjë mënyrë është bërë, por jo prej tij apo grupit të tij, por ndoshta prej ndonjë NGO-je të huaj që andej në këto ditë janë me shumicë. Thotë se UÇK-ja në ato anë nuk ekziston. Ankohet se “qytetarët maqedonas që kalojnë pa leje kufirin shqiptar trajtohen mirë prej nesh, ndërsa qytetarët shqiptarë që kalojnë pa leje kufirin maqedonas, jo vetëm rrihen pa mëshirë, por dy prej tyre në muajin e fundit janë vrarë”. E shpjegon këtë me arsyetime të tipit: “Qyshkur shteti ynë u shkatërrua ne ’97-n, ata nuk na marrin seriozisht”. Desha t’i them se kolegut të tij maqedonas që ndodhet aty afër, i mjafton dhe i tepron pamja e tij pa kapele për ta përçmuar jo vetëm Shqipërinë si shtet, por edhe atë vetë, por u përmbajta dhe mirë bëra.

Kur po largoheshim vura re një hollësi dëshpëruese: Sporteli nga ku disa hallexhinj, pasi janë kërrusur thellë, kanë futur kokat dhe zgjatur duart për të komunikuar me policat, është i vogël dhe i ulët si sportelet e kohës se Diktaturës që bëheshin të tillë qëllimisht për ti përulur, poshtëruar dhe frikësuar sa me tepër shqiptarët.

Dogana në këto vite është ndërtuar dy herë sipas modeleve evropiane, dhe sportelet në projekte s’do mend janë parashikuar si gjithë sportelet e dynjasë, në lartësi normale që të arrihen pa u përkulur, por një mendje e kalbur i ka ndryshuar.

Për të ardhur keq, por jo për t’u çuditur, të tilla mendje nuk janë të rralla. Dy-tre kilometra më tutje në fshatin Piskupat pamë një kamp me çadra. Buzë rrugës, afër Liqenit, në një farë distance, duket si i vizatuar në kompjuter, aq i rregullt. E kanë ngritur një repart i vogël i ushtrisë greke. E menaxhon Kryqi i Kuq grek. Kampi, i rrethuar me tela, me hyrje të rregullta të ruajtura me ushtarë me helmete me gishtin në këmbëz është vendosur në një pllajë të sheshtë dhe pak të pjerrët rreth pesëqind metra nga liqeni. “Landscape” përrallor. Jolyon mahnitet. Komandanti ushtarak nuk pranon të takohet me Jolyon dhe roja, që më shumë mirësjellje na e bën të ditur këtë refuzim, na përcjell në çadrën e një civili që mesa duket është përgjegjës për Kryqin e Kuq.

Civili, me fodullëk, urdhëron të na përgatitet nga një “frappé” dhe na tregon, po me fodullëk dhe mburrje, funksionimin e kampit etj. Çfarë thotë për kampin janë të vërteta, sepse ne kemi mundësi ti verifikojmë pa lëvizur vendit, vetëm duke hedhur sytë.

Kampin e ruajnë ushtarët, gatuajnë ushtarët dhe të gjitha transportet i bëjnë po ata.

Aty afër duken kuzhinat e ushtrisë që nxjerrin tym, të vendosura me radhë dhe të pastra. Pjesa ushtarake, roja, shtabi, fjetoret e ushtarëve, kuzhinat, mjetet etj., dhe pjesa civile e kampit, pra Kryqi i Kuq dhe çadrat, janë të ndara qartë. Asnjë ushtar te çadrat dhe asnjë civil te pjesa ushtarake. Ankohet se tregu shqiptar nuk ekziston dhe i duhet që gjithçka ta blejë në Greqi.

Futemi në pjesën e çadrave, ju afrohemi kosovarëve.

Është ora e drekës.

Djem dhe vajza nga një përfaqësues për çdo familje, presin të qetë në radhë përpara një çadre të madhe.

Unë mahnitem dhe prekem sepse, sipas përfytyrimit tim shqiptaresk, ata duhet të shtyhen dhe të rrihen dhe të shqyhen dhe t’ju derdhen tasat pasi t’i kenë mbushur pas gjithë atyre përpjekjeve.

Tasat, pjatat, lugët, thikat, pirunët, kanë një shkëlqim që më bezdis.

Fare pranë çadrave, mes gurëve, rrjedh duke shkrumbëzuar një përrua i vogël ku graria lajnë rrobat.

Çadrat janë të tendosura mirë. Kanë taban të trashë prej dërrase për t’i mbrojtur nga lagështira.

Kampi është projektuar për dy mijë vetë, por tani për tani atje janë vetëm 800. Fillimisht, aty kanë ardhur 1300, por pastaj janë larguar, nëpër kampe të tjera apo sistemime të tjera.

Shumica janë nga Prishtina ose fshatrat përqark Prishtinës. Rrëfimet ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. Disa prej tyre tregojnë se para se të kishin vendosur për tu larguar kanë bërë disa tentativa zhvendosjeje nga fshati në mal, nga një fshat në tjetrin, nga fshati në qytet, ose nga një lagje e qytetit në një tjetër. Pra, nuk kane vendosur t’i lënë shtëpitë e tyre shpejt e shpejt, por janë larguar vetëm pasi ka qenë krejt i pamundur qëndrimi.

Të gjithë janë të sigurt se do kthehen shpejt. Por, pyetja e Jolyonit se si ata e mendojnë konkretisht kthimin, i huton dhe ua pakëson sigurinë.

UÇK-ja nuk është parë kurrë andej. Djemtë e rinj thonë se janë gati tu bashkohen radhëve të saj. Por, është reagim emocional. Nuk kanë asnjë ide konkrete.

Kur i pyesim se çfarë mendojnë për dy qeveritë dhe dy ushtritë e Kosovës, përgjigjen në mënyrë diplomatike naive se “Të gjitha për Kosovën punojnë dhe luftojnë etj.”.

Biseduam me një familje tipike kosovare. Ishin tre vëllezër me tri nuset dhe të tjerë të familjes, qytetare të Prishtinës. Nuk kishin lidhje me kurbetin, rronin me punën e tyre. Dukeshin që ishin njerëz shumë punëtorë. Kishin ndërtuar shtëpi me shumë mundim dhe shenjat e atij mundimi dukeshin qartë. Rrëfimet e tyre ishin vërtet interesante. U nisëm në një kamp tjetër, në Lozhan të Maliqit.

Në perëndim të Maliqit është një rrugë jo fort e keqe që duke ndjekur rrjedhën e Devollit të çon në malësitë e Gores dhe Oparit e deri në Gramsh.

Nuk kisha qenë kurrë më parë në atë rrugë.

Matanë lumit miniera të mbyllura qymyri.

Kampi është vendosur rreth 20 kilometra nga Maliqi në gjashtë kapanone të mëdhenj ku dikur kanë qenë “Rezervat e Shtetit”. Këtu kujdeset një NGO britanike që na thanë se është e vendosur diku me larg.

Familjet janë të vendosura brenda kapanoneve të mëdhenj, pa krevate, vetëm me dyshekë sfungjeri, drejt në beton, rrëzë mureve të kapanoneve. I habitur pyes një përgjegjës shqiptar i Shqipërisë pse nuk bëjnë të paktën shtresa druri. Më thotë se po i përgatisin, por edhe më siguron se ato dysheme nuk kanë lagështirë, sepse janë të izoluara mirë, pasi ato kapanone dikur kanë shërbyer për magazinimin e grurit dhe ushqimeve.

“Përgjegjësi” sqaron se është përfaqësues i pushtetit lokal të Partisë Socialiste dhe mburret se fshataret aty rrotull i kanë mbrojtur vetë magazinat nga shkatërrimi në mars ’97.

Sidoqoftë, këtu punët duken mirë. Ka ushqime me bollëk, po ndërtohen banja të reja, ka ujë plot, dhe në përgjithësi rregull.

Të shumtët janë qytetarë. Dëgjuam atje rrëfimin e çuditshëm të një kosovari rreth të pesëdhjetave, i cili prej 25 vjetësh punonte kuzhinier në Beograd. Kishte ardhur të shihte familjen në Prishtinë dhe bashkë me të tjerët e kishin rrasur në një tren për në Maqedoni. Fliste krejt i çakërdisur. S’kishte asnjë ide se ku mund të ishin familjarët e tij dhe si mund t’i gjente.

Ndërsa, Jolyon fliste me një kosovar të ri që kishte ardhur nga Munihu për të organizuar marrjen e familjes, ndodhi diçka befasues. Një tjetër kosovar me i madh në moshë se kosovari i Munihut, pasi u afrua dhe dëgjoi disa fjalë nga biseda, tha: “Ç’merreni me atë (kosovarin nga Mynihu) e kane sjelle serbet, i kanë dhënë 500 marka dhe i kanë thënë të vijë këtu”.

U tmerrova dhe me kujdes e tërhoqa Jolyonin nga ndonjë sherr i mundshëm. Edhe tani nuk jam i qartë si mund të ketë qenë ajo pune. Ndoshta mund të jetë e vërtetë se mes kosovareve mund të këtë kontraste të fshehta, por për mua kjo ishte hera e parë dhe e fundit që e dëgjova.

Ka ardhur një grup artistik nga Korça. Këndojnë këngë patriotike socrealiste, nga ato që në rrethana të tjera më bëjnë të vjell, por këtu me prekin.

Publiku, pothuajse të gjithë kosovarët e kampit me përjashtim të disa pleqve e plakave, qëndron në këmbë.

I ndjekin me vëmendje këngët patriotike dhe i duartrokasin me respekt e dashuri, dhe me atë solemnitetin kosovar pas të cilit unë çmendem. Ja them në një farë mënyre këtë Jolyonit. Shpjegimi i tij është i thjeshtë dhe i prerë. “Nuk ka në jetën e tyre, as Enver, as Sigurim, prandaj reagimet e tyre janë normale”.

Largohemi.

Në fshatrat e Korçës nuk ka refugjatë kosovarë. Nuk e kuptoj pse. Nuk i kam kuptuar kriteret e lëvizjeve të refugjatëve. Ndoshta s’kishte të tilla kritere. Ose ndoshta ka lidhje me origjinën e tyre, preferencat e zonës nga vijnë, mundësitë e komunikimit, kushtet materiale etj.

Korça është e tëra gërmadhe. Dy hotelet kryesore janë plotë me halabakë dhe prostituta. Në mëngjes nisemi në Ersekë, me propozimin e Jolyonit, i cili është kurioz për ta parë atë qytet. Pra, vajtëm vetëm për ta parë Ersekën, duke mos pasur asnjë të dhënë për prezencë refugjatësh, dhe mbetem atje mbi gjysmë dite. Janë disa qindra kosovarë të vendosur në dy kopshte fëmijësh pranë njëri-tjetrit. Të gjithë qytetarë të Prishtinës.

Dinjitoze dhe serioze, disa prej tyre flasin rrjedhshëm anglisht. Jashtëzakonisht interesante rrëfimet. Qytetaret i tregojnë eksperiencat e tyre me më tepër ngjyrime. Ndoshta kanë ardhur kaq larg për t’ju ruajtur kontaktit me vlugun, a ndoshta këtu i ka sjellë fati, s’merret vesh. Kolonjarët sillen plot respekt me refugjatët. Ka policë të rregullt te dera, ka ushqime të bollshme, po ndërtohen banja, dushe etj. Ndihmon një NGO britanike.

Shumë kosovarë janë sistemuar në shtëpitë e kolonjarëve.

Numrin nuk e gjejmë dot. Në kthim shkojmë në fshatin Starje që është nja 2 km nga Erseka.

I tregoj Jolyonit diçka nga historia e familjes time. Thotë me shaka: Pra, pas pak do kemi kënaqësinë të shohim “Ypi Museum”.

Futemi te “Klubi i Fshatit”. Tre katër pijanecë që janë zhdëpur me raki dhe qepë. Prezantohemi. Shitësi entuziazmohet dhe, siç bëjnë kolonjarët në të tilla raste, fillon të flasë për gjeopolitikën botërore, interesat e superfuqive etj.

I shihni këto fshatra, thotë klubisti duke treguar në perëndim, të gjithë nga Starja janë.

E pyes për “Ypi”. Shpërthen në të tjera delire.

Ku i kanë pasur shtëpitë, e pyes. Fillon të tregojë me zell jo këtu, po atje. Por, e shoh se pas pak entuziazmi i tij zbehet. Habitem, por e nuhas çfarë ka ndodhur. Shkaku është se ai, ose ndonjë i afërm i tij, ka ndërtuar shtëpi të re mbi themelet e një shtëpie të vjetër “Ypi”. Ndoshta i vete mendja se kam ndërmend të kërkoj pronat. Sa budalla. Thotë për Eduard Ypin: Është djalë i mirë. Të gjithë e duan. Halli se kandidoi për PD, të cilën këtu nuk e duan. Po të kishte kandiduar si i pavarur, do të kishte fituar.

Duke ikur i them klubistit: Ndërtoni shtëpi, por mos harroni se “themelet” janë të miat.

Fare afër Korçës, në Qatrom, është një kamp i madh në mes të fushës. Po e ndërtojnë gjermanë dhe britanikë. Janë rreth 800 çadra të projektuara për pesë mijë vete. Deri tani kanë ardhur dy mijë. Të tjerët priten të vijnë.

Magazina, kamionë, vinça, buldozerë dhe deri makina për asfaltimin e rrugicave mes çadrave, njëlloj si kampi grek që pamë mes Linit dhe Pogradecit është konceptuar për të qenë i vetëmjaftueshëm. Ngrihen dhe ulen vazhdimisht helikopterë.

Edhe këtu si në gjithë këtë zonë, janë vendosur të ardhurit kosovarë nga Maqedonia. Përbërje e përzierë, qytetare dhe fshatare.

Rrëfimet ngjajnë. Shkatërrime, djegie, grabitje, udhëtime me këmbë për dite te tera, familje te ndara etj.

Duke shëtitur mes çadrave, në njërën prej tyre, ishte shkruar një si farë kërcënimi: Haki, po na ngacmove përsëri, do të vrasim.

U habita dhe ia përktheva Jolyonit. Iu afrova asaj çadre. Nisëm një bisedë. I pyeta me kujdes se ç’kuptim kishin fjalët e shkruara me germa të mëdha mbi atë çadër. Njëri prej tyre, rreth të pesëdhjetave, nisi të qeshë: Është thjesht një shaka, tha, një djalë i ri nga një çadër tjetër (tregon me dorë) na e ngacmon një “Çikë” tonën, punë rinie.

U larguam të qetësuar. Ku një djalë ngacmon një vajzë, ka jetë.

Pas dy orëve shëtitje brenda kampit, shoferët e nja njëzetë kamionëve gjermane, i gjeta ku i lashë, brenda kabinave të kamionëve në pritje të urdhrave. Heu çfarë disipline!

U larguam.

Ndalesën tjetër e bëmë në Tushemisht, në Postën e Policisë së Doganës.

Komandanti fillimisht nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Jolyonit. Foli sa foli në radio me eprorët, dhe bëri sikur u bind.

Ndërkohë, Jolyoni tha se me këtë është e kotë të vazhdojmë, nga tipa të tillë të pandjeshëm s’ke ç’pret. I bëri nja dy tre pyetje, dhe e mbyllëm shpejt “intervistën” me Komandantin, të cilit i kishte mbetur ora te Berisha që e urrente për vdekje sepse, sipas tij, ishte personalisht Berisha shkaku që kishte mbetur disa vjet pa punë. Mes të tjerash, me tha mua se “ne”, d.m.th. PS, po sillemi shumë mëshirshëm me PD që na hoqi atëherë nga puna etj.

Një polic i Doganës dhe piktor e kombinoi bukur rendin, biznesin, stomakun kur tha se “punët” e tij mund t’i shihnim varur në mur në një restorant, ku po të donim edhe mund të hanim.

Rrugës për në Tiranë pamë në Labinot Fushë një kamp të madh që po e ndërtonin francezët.

Të nesërmen drejt e në Kukës.

Rruga për në Kukës nuk është aq e keqe sa e tregojnë, vetëm se është tepër e gjatë me kthesa që nuk mbarojnë kurrë dhe shumë trafik.

Kamionë të panumërt me refugjatë, me ushtarë të huaj, italianë, amerikanë, francezë, belgë, arabë, me mjete dhe ushqime.

Kamionët e mëdhenj ushtarakë që lëvizin ngadalë pengojnë lëvizjen e mjeteve të vogla, sidomos nëpër kthesa. Arrijmë në Kukës rreth orës nëntë në mbrëmje. Vetëm sa e prekim qytetin, dhe drejt e në “Hotel Turizmi” për të gjetur vend për të fjetur. Për çudinë tonë vende ka dhe nuk janë të shtrenjta. Marrim nga një dhomë secili. Jolyonit i kërkojnë 50 dollarë për një natë, ndërsa të tjerëve, për të njëjtat kushte, nga 20 mijë lekë të vjetra. Dhomat për ibret.

Freskohemi pak dhe dalim në qytet.

Ka shumë lëvizje. Edhe pse është natë, kamionë të shumtë drejtohen në Jug të qytetit ku na thonë se po ndërtohet me shpejtësi baza për Apashet.

Telefona të improvizuar varur nëpër mure.

Para telefonave dhjetëra kosovarë presin të qetë radhën.

Dritaret e apartamenteve janë të hapura. Kuptohet menjëherë se janë përplot.

Siç e pamë, të nesërmen me sytë tanë, në periferi të qytetit ka mëse 100 mijë refugjatë nëpër çadra, makina, traktorë etj., por ata nuk e kanë përmbytur qytetin, ashtu siç eventualisht do kishin bërë shqiptarët e Shqipërisë në një rast të ngjashëm.

Nëpër mure “Rroftë UÇK”.

Vende-vende, edhe “Vdekje agjentëve të UDB”, ose “Vdekje UDB”.

Nëpër rrugë ka shumë të rinj, madje vetëm të tillë nga njëzet deri në tridhjetë vjeç.

Në qendër zien “Bar-Hotel Amerika”.

Largohemi prej andej. Atmosferë e rrezikshme. Turli lloj frikacakësh zhurmëmëdhenj që i shesin “nacionalizëm” njëri-tjetrit.

Aty më thanë se ka nisur një biznes i fëlliqët, të cilin vajta e pashë me sytë e mi nga mbrapa hotelit. Njerëz të ndryshëm paguajnë për të filmuar njerëz të çfarëdoshëm veshur me uniformën e UÇK dhe të armatosur duke bërë sikur po stërviten ose po shkojnë të luftojnë, pastaj videot ua shesin me çmime të larta televizioneve perëndimore.

Disa nga këto turpe i kanë dhënë edhe televizionet private të Tiranës.

Në Barin e madh të një hoteli prijnë birrë disa dhjetëra reporterë të huaj shoqëruar nga interpretet shqiptare. Nuk janë interesant. Janë të ftohtë. Nuk e bartin as nuk e ndjejnë dramaticitetin e çështjes. Kryejnë thjesht punën, rutinën, prandaj edhe duken njëlloj të gjithë, sikur të ishte një njeri i vetëm.

Ka edhe lokale të tjera, me hallexhinj gjithfarësh.

Qindra djem të rinj që vijnë vërdallë thonë me mburrje se kanë ardhur nga Diaspora t’i bashkohen UÇK.

Gjallëri e madhe, por jemi të lodhur dhe shkojmë të flemë. Nesër do ngrihemi herët për të vajtur në Qafën e Morinës.

Në orën pesë të mëngjesit, përpara telefonave po ajo radha e mbrëmshme që sigurisht ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Jemi në Morinë në orën 6 e pesë minuta të mëngjesit.

Shkojmë deri në centimetrin e fundit që quhet “Shqipëri”, e prekim hekurin e postbllokut me dorë.

Heshtje këtej dhe andej.

Pas disa minutave, nga një ndërtesë del një polic rom pa kapele dhe pa rrip mesi. Është i përgjumur. Pas pak vjen në vete. I them se kush jemi. Ka qejf të flasë. Qëndrojmë përpara postbllokut me fytyrë nga posta serbe.

Polici tregon:

Mbrëmë, NATO hodhi tri bomba mbi një depo municioni serbe (tregon majën e një kodre rreth një kilometër larg dhe disa çati të shkatërruara që duken me vështirësi). Me thënë të drejtën u frikësuam. Se para ca ditësh, në Qafën e Prushit NATO shkatërroi Doganën serbe, pastaj, pas gjysmë ore, serbët erdhën hodhën në erë Doganën tonë te Qafa e Prushit. Na kapi frika se ndoshta do vinin mbrëmë te na hidhnin dhe neve ne ere. Mes ca drurëve, nja 50 metra përpara-majtas postbllokut, rrinë 7 a tetë serbë në gatishmëri me tytat e mitralozave të drejtuara këtej (mitralozat duken qartë mes pemëve). Mbas majës së kodrës (nga e majta e postbllokut nja dyqind metra) është një skuadër tjetër me ushtarë serbë që qëllojnë vazhdimisht. Dëgjohen vetëm krismat. S’kuptohet ne ç’drejtim. S’dihet pse nuk i ndezin kurrë dritat e postës. Qysh kur kanë filluar bombardimet, ushtarët serbë largohen natën, shkojnë flenë brenda disa shtëpive ende të pashkatërruara ose ende të padjegura të shqiptarëve aty rrotull. Deri disa ditë me parë qëllonin mbi muret e postës sonë. Duken shenjat. Por tani, u ka rënë morali. Shumë “goranca” janë veshur ushtarë të Serbisë.

Presim sa presim, por nga ana tjetër nuk ka shenjë jete.

Ndërkohë, u ka dalë gjumi dy ushtarëve të tjerë të postës shqiptare. E shoh që kërkojnë një mënyrë për të na kërkuar t’i çojmë deri në Kukës. Nuk kemi dëshirë t’ua bëjmë këtë nder, aq më tepër që duken arrogante. E bind Jolyonin t’i marrim për në Kukës, duke iu marrë më parë premtimin që si ushtarakë që janë, të na takojnë në Kukës me ndonjë autoritet të policisë lokale.

Rrugës bëjmë muhabet. Janë polica që bashkëpunojnë me banditët. Njëri prej tyre, i zi dhe me mustaqe (ndoshta rom edhe ky) thotë se në Tropojë 40 % komandon shteti dhe 60 % kriminelët. Kur e pyes se cilët janë kriminelët, e bënë lëmsh. Të gjithë tropojanët, thotë, janë hajdutë, banditë, kriminelë. Pastaj e ngatërron edhe më tepër lëmshin: Fatmir Haklaj bashkëpunon mirë me shtetin për vendosjen e rendit. Hajde merre vesh policin. Për UÇK, asnjë fjalë. Ndoshta nuk di gjë, ose di vetëm gënjeshtra dëgjuara nga të tjerë.

Në Kukës, ai lloj polici s’mund ta mbante fjalën. S’takuam dot asnjë të Policisë. Një si farë shefi që po luante bilardo, as e ktheu kokën të na shihte.

Përpara se të ktheheshim në Morinë bëmë një xhiro të shkurtër të kampeve në juglindje të qytetit.

Kampi italian fantastik.

Kampi gjerman po i tillë.

Kaluam pranë një kampi arab me çadra karakteristike.

Ishte kamp shkele shko organizuar nga njerëz jo kompetente. Ushtarë mbi 40 vjeç, që drejtonin turmat e refugjatëve, pa autoritet, si pazar.

Kthehemi në Morinë. Rrugës na shfryhet një gomë.

Një bari dhe një kalimtar shqiptar shohin indiferent fatkeqësinë tonë dhe largohen.

Kalon një djalë i ri kosovar. Thërret shokun e tij që ndodhej pak me larg. Shoku vjen menjëherë. I vëmë të gjithë duart makinës, e ngremë. Shoferi monton rrotën rezervë dhe, u krye. Dy kosovarët na përshëndesin dhe ikin në punë të tyre. Gjatë minutave që na ndihmuan, na thanë se ishin nga Prizreni dhe se janë sistemuar pranë një familjeje në fshatin rreze malit.

Në Morinë dhjetëra reporterë nga gjithë bota presin refugjatët.

Rreth orës 13:00, u dukën makinat e para.

Nga larg i pamë si qëndronin disa minuta para një ndërtese matanë kufirit, pastaj niseshin ngadalë për këtej.

Si na thanë, afër postbllokut shqiptar kalimi është i minuar, me përjashtim të një hapësirë të ngushtë lënë për të mundësuar kalimin e vetëm 1 makine.

Para disa ditësh, rrota e një makine me kosovarë shkeli atje një minë. Katër prej tyre mbetën të vdekur. Mesa duket, shoferët e traktorëve dhe kamionëve plot me kosovarë që vinë këtej, e dinë tashmë këtë, dhe kalojnë me kujdes nëpër atë shtegun e ngushtë të parrezikshëm, anash pesë atyre piramidave të famshme prej betoni me nga një hekur në majë që duken çdo natë në ekranet e televizioneve.

Pak metra në brendësi, te postblloku shqiptar, Policia bën një regjistrim.

Menjëherë pas regjistrimit, Kryqi i Kuq italian u jep të ardhurve pije, pastaj batanije dhe disa ushqime të gatshme ose ndonjë gjë të ngrohtë përgatitur nga një kuzhinë fushore që ndodhet aty pranë. Disa dhjetëra metra deri në portën e Doganës fatkeqët duhet t’u përgjigjen lukunisë së gazetarëve: nga vjen, si quhesh, si është gjendja atje, a t’i morën paratë, a e ke të gjithë familjen, a do ktheheni, si e mendon kthimin, kur mund të ktheheni etj.

Dalja nga porta e Doganës është rrëqethëse.

Pasi kanë dalë në “liri”, shumë prej të shpërngulurve i merr të qarët.

Disa grupe familjare qajnë ulur në tokë në formë rrethi.

Jolyoni u afrohet. Unë nuk mundem.

S’do mend se qajnë, përderisa pikërisht atje vërsulen halabakët e Shqipërisë me para shqiptare ne duar për t’u zhvatur te fundit marka a dollarë, nëse u kane mbetur, demek për t’ua këmbyer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok