05/12/2025

Me Hasanin e veprën e tij, koha veçse na afron

0
Llesh-Ndoj

-Orë letrare në përkujtim të shkrimtarit Hasan Hasani-Përkola-

Nga Llesh Ndoj

Me 1 dhjetor 2025, në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, u përkujtuar 5 vjetori i kalimit në amshim të poetit e shkrimtarit, studjuesit e publicistit kosovar me origjinë mirditore, Hasan Hasani – Përkola.

Takimi u mbajt nën organizimin e Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Xhaferr Deva”, kryesuar nga zoti Xhevat Syla, me bashkëpunimin e drejtuesve të shkollës “Ismail Qemali”. Takimi u hap nga mësuesja e letërsisë së asaj shkollës, pastaj recituan e përshëndetën disa fëmijë, fjalë që ngjallën plot emocione të bukura dhe na bënë të rrjedhë, si pa e kuptuar, edhe ndonjë pikë loti. Fjala e zotit Xhevat Syla, drejtues i Karvanit, i cili prezantoi bukur qëllimet e takimit, veprën shumëplanëshe të shkrimtarit dhe ne të pranishmëve në atë takim të organizuar si “Orë letrare”, u ndoq me shumë vëmëndje.

Të pranishëm ishin edhe bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, zj.Ruke Hasani, djemtë Blerimi dhe Butrinti, vajzat e nderuara, nipa edhe mbesa të tij. Mbesa Eliza, me fjalën e saj na emocionoi të gjithëve, ndërsa Mali, nipi i zemrës e frymëzimi i përjetshëm i shkrimtar Hasanit, të cilit I ka kushtuar pjesë cilësore të krijimtarisë së tij: “Kur fle Mali” (poezi për fëmijë) dhe “Monolog me Malin” (poezi-amanet për të rritur, botimi I fundit në të gjallë të shkrimtarit-2020), nuk i përmbajti dot as lotët. Ishin të pranishëm dhe folën në takim shkrimtarët e nderuar zoti Ibrahim Kadriu, zoti Jonuz Fetahaj, zonja Kismete Hyseni dhe zoti Skënder Zogaj. Edhe unë e mbajta fjalën time si më poshtë vijon, fjalë e cila u prit mirë nga të pranishmit.

Ishte një aktivitet për t’u përgëzuar.

***

Përshëndetje të gjithëve!

Kurrë më e afërt se sot nuk më është dukur udha nga Lezha për në Prishtinë, e kjo se mezi e prita çastin të dëgjoja se miqtë e shokët bashkëudhëtarë të si vllaut tim Hasan Hasani – Përkola, kishin vendosur ta përkujtonin atë ndryshe në këtë 5-vjetor të ndarjes së tij fizike prej nesh. Gjej rastin t’i falenderoj përzemërsisht organizatorët, folësit e pjesmarrësit.

Natyrisht që Hasan Hasanin dhe veprën e tij, Ju si shkrimtarë, bashkëpunëtorë e bashkëkohës të nderuar, i njihni më mirë nga unë, por si njëri nga ata që e kam lexuar thuajse të plotë produktin e tij letrar, të materializuar në 74 libra të botuar në të gjallë të tij, përveç atyre të lëna në dorëshkrim, për të cilat bashkë me djemtë, Blerimin e Butrintin, u kujdesa të gjenin dritën e botimit pas ndarjes së tij nga jeta më 1 dhjetor të vitit 2020, më lejoni sot t’i them edhe unë dy-tri fjalë, pa radhë.

Kam bindjen e plotë dhe të konsoliduar se figura e shkrimtarit Hasan Hasani dhe vepra e tij letrare, me kalimin e viteve, jo vetëm nuk do të zveniten e harrohen, por do të vijnë përherë e më të afërta dhe më të dashura për lexuesit, studjuesit e kritikët e letërsisë shqiptare. Një takim si ky i sotmi, pa asnjë mëdyshje, është hapi i duhur e me shumë rëndësi në udhën e përafrimit të tyre me të vërtetën, që nuk mund të heshtet. Dhe më vjen jashtëzakonisht mirë se ky hap hidhet sot nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, aty ku Hasani shërbeu mbi tridhjetë vite dhe ku shkroi jo pak por plot 11 vepra në poezi e ku punoi e drejtoi revistën “Pionieri” si redaktor e kryeredaktor, duke qenë ndoshta edhe më jetëgjati (nuk jam i sigurt për këtë!) në ato funksione. Fëmijët janë gazi i të sotmes dhe drita e së nesërmes, e unë uroj që edhe kjo veprimtari të jetë një ogur i mirë në shpalosjen e transmetimin tek brezi i ri të aktivitetit e të produktit letrar të shkrimtarit të ndjerë.

Kur në fundin e jetës së tij po përgatitja për botim librin monografik “Hasan Hasani-Përkola: Dushkaja emër, Mirdita mbiemër”, thuajse me të vjedhur e pa ia treguar qëllimin, i mora atij një intervistë në distancë, njëra nga pyetjet e rëndësishme kishte të bënte pikërisht me letërsinë për fëmijë. Përgjigja e tij më hodhi shumë më larg se sa unë e paramendoja atë. Pse? Sepse Hasani e vlerësoi këtë zhanërr të letërsisë si njërin nga më të vështirët dhe më thotë se këtë e kam nisur si një detyrim, jo si natyrshmëri, duke më kujtuar se në vitet 1971-1977, pas një kritike fundosëse që kishte marr si shkrimtarë për të rritur, autor i librit me poezi “Dallgët e vërrinit”, e ku kritika konsideronte se “…tema dhe motive të tilla,…, nuk mund të sillnin kurrfarë mendimesh të thella, kurrfarë ndjenjash të fuqishme, kurrfarë vizionesh interesante të jetës…”, pasi kishin mbetur pas e nuk ndiqnin ritmet e jetën e re nën socializëm etj. Atëherë, thotë shkrimtari, nuk guxonte kush t’i botonte më vjershat e mija, prandaj iu kushtova punëve redaksionale dhe letërsisë për fëmijë. E flet qartë këtë edhe fakti se shkrimtari, për çdo vit të jetës së tij na ka lenë mesatarisht nga një vepër të botuar, por po të vështrosh këto vite kemi prej tij vetëm dy: “Më bekoi pa gjuhë” (1971) dhe “Suferinë” (1977). Edhe cikli i krijimatrisë për fëmijë për Hasanin, që nisi me “Ajkuna e Rrugovës” (1978) dhe u mbyll me “Kur fle Mali” (2016) erdhi prej tij thuajse i njëjti, por duke qenë disi i maskuar pas zërave fëminorë, mbeti larg syve të kritikës së lartë e me syze ideologjike dhe e gjeti natyrshëm udhën e publikimit.

Për brezin e ri të sotëm, është me vlerë të kujtojmë se krijimtaria letrare në 5 dekadat e fundit të shekullit të XX-të, nuk ka qenë e lehtë për shqiptarët. Në Shqipëri, ideologjia shihte me lupë zmadhuese çdo fjalë të shkruar, e burgu mund të ishte çmimi i një krijimtarie që në qendër nuk kishte Enverin, socializmin, partinë e ideologjinë marksiste-leniniste. Për shkrimtarët nën ish-Jugosllavi, veç ideologjisë, regjimi vinte në pikëpyetje edhe çdo fjalë të tyre që nuk i thurte lavde Serbisë e nuk e pranonte hegjemoninë e saj, nën parullën e bashkim-vllazërimit të popujve. Por letërsia hyn në atë kategori gjerash që shtypja e represioni, jo vetëm nuk e ndalin dot, por e “detyrojnë” atë të bëhetedhe më cilësore. Hasan Hasani, si shumë të tjerë shkrimtarë të Kosovës të atij brezi, e vuajti përndjekjen serbe, për fat jo me burgosje si shumë prej tyre. Në intervistën e më sipër përmendur, e fundit e dhënë prej tij, më shpalosi të paktën tri raste evidente të rrezikut nga represioni serb i kohës. Rasti i parë i treguar prej tij ka të bëj me librin Gurëkala: Ishte viti 1981, kur ai pas mbresave të fituara nga vizita e parë në Shqipëri, së bashku me një koloni shkrimtarësh kosovarë, kishte përgatitur për botim këtë libër (Gurëkala), por atëhere, siç ka ndodhur me shumë prej brezit të shkrimtarëve të kohës, regjimi serb, duke kërkuar “gjilpërën në kashtë” e kishte pikësynuar edhe Hasanin në radhën e irredentistëve, si i quanin ata që frymonin shqip. Vetëm Nazmi Rrahmani, do të kujtonte shkrimtari, e kishte shpëtuar atë nga një burg i sigurt, duke e fshehur tirazhin e librit të sapobotuar e të pa dalë nga shtypshkronja, diku në magazinat e shtëpisë botuese, dhe duke e mbuluar atë kryesisht me libra nga shkrimtarët e huaj dhe ata jugosllav. Libri doli nga “vetburgosja” 10 vite me pas, në vitin 1991, kur era e lirisë frymoi edhe në Kosovë. Rasti tjetër ka të bëj me një tregim të Sabri Rustemit, botuar në “Fjala” ku ai ishte redaktor. Me shkas nga ai shkrim ishin burgosur vetë shkrimtari Sabit Rrustemi dhe kryeredaktori Sabedin Haliti, e ku vetë Hasani, vetëm për pak, nga i thirrur dëshmitarë në gjyq, kishte rrezikuar të kalonte në i akuzuar! Ndërsa rasti i tretë i përket vitit 1987, dhe lidhet me monografinë kushtuar social-demokratit jugosllav Dimitrie Tuciviq, hartuar nga Zekeria Cana (1983), të cilit Hasani i botoi një intervistë të gjatë në “Fjala”, ku ishte redaktor përgjegjës për atë kategori shkrimesh, por që i kushtoi atij kalimin (si dënim) si redaktor i revistës “Pionieri”, ku shkrimtari prej atëhere e derisa dha frymën e fundit, ju kushtua asaj reviste e krijoi lerërsi të arrirë për fëmijë, duke u bërë edhe më i plotë si shkrimtarë. Se kot nuk thonë: Jo çdo e keqe, vjen veç për té keq!

Thashë më lart se figura e vepra e Hasanit, me largimin e viteve do të na bëhen më të afërta, dhe se kjo është bindja ime e bazuar! Ku? Është e bazuar tek thelbi i tij si karakter dhe i veprës së tij madhore si shkrimtarë. Të gjithë e dimë se Hasani thuajse nuk shkruante asgjë fluturake e të pa bazuar në frymëzime konkrete, fakt që thuajse për shumë vite e çoi veprimtarinë e tij krijuese në një ferr – gijotinë nga kritika e kohës, kur pas “Krojeve të bardha” që e ngritën në qiell, “Dallgët e Verrinit” rrezikuan seriozisht ta marrin me vete! Kjo karakteristikë, mbështetja në frymëzime reale, kënga për atdheun, vendlindjen, traditën e bukur, heroizmat shqiptare dhe dashuria për to, e ngrenë lart e do ta mbajnë përherë të afërt produktin e tij letrar. Modernizmat po na përfshinë shpejt edhe ne si komb shqiptarë, e ato krahas të mirave të paçmueshme, po na shkaktojnë edhe plot plagë e dhimbje. Trojet tona sot po e lotojnë mungesën e rinisë, punët tona po vuajnë mungesën e krahëve të punës, odat tona s’po dëgjojnë më tinguj të çiftelisë e lahutës, as kangët e Bajrush Dodës, pakuptimësitë mes nesh nuk po zgjidhen më nga burrat e urtë ndër oda kuvendesh, por në gjyqe që as nuk flasin shqip, letërsia jonë po bëhet përherë e më e largët me realitetin, e të gjitha këto, herët a vonë do t’na referojnë tek Krojet e Bardha, tek Dallgët e Verrinit, tek Gurëkala, Ajkuna e Rrugovës, Abetarja e UÇK-së, Kur fle Mali, Ulërima, Kodi i gjakut e të tjera vepra madhore të shkrimtarit, tashmë të ndjerë, Hasan Hasani.

Jo vetëm kaq, por të shkruarit me dashuri, me ndjenjë, me shpirtin që i paraprinë mendjes e dorës së shkrimtarit, do të na referojnë drejt tij e brezit të tij. Shkrimtarët e sotëm, natyrisht jo të gjithë, po shkruajnë pa ndjenjë, pa dashuri, pa kënaqësinë e kontributit për brezat, pra shkruajnë ftohtë e të bëjnë të mos ndjehesh mirë në zhguallin tënd, kur i lexon. Për më tepër të shkruash për fëmijë pa përmasën e dashurisë së pa kufi për ta e të përgjegjshmërisë për t’ua përzgjedh atyre, në përputhje me moshën, materialin që ua përcjell, ose është e pamundur  (kot nuk thuhet se i rrituri që humbet krejtësisht fëmijërinë brenda tij, nuk është i plotë!), ose kontribon në të kundërtën e misionit të letërsisë, duke mbetur i shkëputur dhe i pa kuptuar nga lexuesi.

Hasan Hasani, në jetën e vet e plotësoi mirë misionin hyjnor si njeri, së pari në familje duke rritur fëmijë, nipa e mbesa për t’i patur zili, dhe sigurisht edhe si shkrimtarë me punë e vepra të arrira, që nuk mund të harrohen lehtë.

Lavdi emrit e veprës së pavdekshme të Hasan Hasanit!

Faleminderit që më dëgjuat!

Prishtinë, më 1 dhjetor 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok