26/12/2024
Ajne-Iberhysaj

Ajne Iberhysaj

 

ME FRYMËN E DIELLIT

 

Të gjallët duhet të mësohen të buzëqeshin

edhe kur dhëmbët u kërcasin nga trishtimi.

Edhe atëhere kur plasin arsyet.

Ti buzëqesh

Edhe atëhere kur ulesh në bankën e zisë

Ti, mblidh plaçkat,

Udhëto bashkë me frymën e diellit

Atëhere kur shpirti digjet nën dritat e yjeve

natës së errët jepi frymën tënde

Errësirën ngope me kurmin e zjarrit

Ti, përqafo dhimbjet

Udhëto bashkë me frymën e diellit

E kurrë mos u ndal!

Njeri.

Të ftotin e dimrit ndize me sytë

Mallin, falja pranveres.

Vera të zhurrit me butësinë e fjalës

Vallëzo me gjethet e vjeshtës

Vallëzo, se shpirti bie tokës

I falet diellit e qiellit.

Kurrë nuk i falet të ftohtit të dimrit!

Njeri,

Frymo me frymën e diellit!

 

 

SHPIRT VJESHTE

 

Vjeshta rrezëllin, e ndiej aromën e saj

Sytë më mbesin tek çdo gjethe

kërkoj artin e syve tek secila pjesë

I përkëdhel, çdo gjethe sikur më flet.

Sa përmallshëm

fluturojnë për të fundit herë

Ndiej shushurimën e ajrit

Heshtjen, madhështin e hijes së erës

Gurgullimë shpirti, tallaz stuhie…

Notojmë me aromën e vjeshtës.

 

Asgjë nuk e frenon erën e shpirtit

Një tjetër valë ere, e ndiej

Bashkë me gjethet trishtohem

fluturojmë lart, tejpërtej qiellit

Etja ngre dallgë

Qetësia ka ikur…

Pika të rënda shiu bien nga sytë

Pika të forta të shtypura nga stuhia

Bien zhurmshëm në tokën e lotit.

Asgjë nuk e ndalon çastin

Asgjë nuk e frenon erën e shpirtit

E ndiej fort në shpirt aromën e vjeshtës

Gjethet vallëzojnë para syve tanë

Bëhen të përjetshme, si yjet

Puqem me mallin e vjeshtës

Zbërthejnë e zhveshin mendimet…

E ndiej shpirtin e vjeshtës…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok