23/11/2024

Më 16 tetor 1448 është zhvilluar Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare…!

0

Nga Jahja Drançolli

Derisa, për Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiografia e sotme ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar, në anë tjetër Beteja e Kosovës së vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet për njërën ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare. Së këtejmi, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e inspiruesve të luftërave kundërosmane në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeun. Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë mejdan midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan Muratin II. Arbrit në krye me Skënderbeun qenë në anën e aleancës europiane.

Në verë të vitit 1448, pasi që kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin, doli në Krushevac. Që këtej, arriti në Kosovë. Në anë tjetër, Murati II, pasi që ishte informuar nga despoti Brankoviç, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje kishte tubuar rreth vetës të gjitha repartet, të cilat numëronin 50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinte 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta treditëshe mbaroi me disfatën e ushtrisë së aleancës.

Premtimet që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë, e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për ketë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar me trupat hungareze. Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e despotit Brankoviç, aleat i dhëndrit Muratit II, që ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Pjesa e madhe e burimeve, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pa shkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi që kishte marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vushtrrisë, u përpoqë me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit. Tërheqin vëmendjen sidomos burimet, që dolën pas betejës, të cilat së bashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejë së Parë me ato të Betejës së Dytë të Kosovës. Si shembull, këtu, duhet shikuar veprën me përmasa evropiane të humanistit raguzan, Mauro Orbini (1601), e ndonjë tjetër pas tij…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok