08/01/2026

Mbylli sytë në Boca Raton, Florida, pinjolli i Derës zëmadhe të familjes Berisha të Dardanisë, aktivisti i shquar Ismet Ukë Sadik Berisha (1933-2025)

0
Mrijaj-Ismet-Berisha3

Me hidhërim të thellë mësuam lajmin e hidhur, se me datën 27 dhjetor 2025, pushoi së rrahuri zemra e nacionalistit të shquar, Kryetarit të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit Ismet Ukë Sadik Berisha (1933-2025). Ai mbylli sytë në Boca Raton, Florida, në shtëpinë e tij, i rrethuar nga vëllai i tij Selimi me familje.

Ismet Berisha për shumë dekada sa jetoi dhe punoi në SHBA, ai ishte një figurë e madhe, që nderohet dhe respektohet vazhdimisht në mesin e shqiptarëve patriotë dhe atdhetarë, si një personalitet i shquar në botën shqiptare, si simbol i patriotizmit, anti-komunizmit, anti sllavizmit serb, dhe si një qendrestar i vendosur i misionit historik, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, në një shtet të vetëm etnik rreth nënës së dashur Shqipëri.

Ai me mendje dhe zemër të madhe, vuri të gjithë fuqitë e tij intelektuale, influencën e tij patriotike dhe antikomuniste në shërbim të vendlindjes së tij Kosovës dhe shtetit amë Shqipërisë.

Shteti i New York-u, dallohet nga çdo vend tjetër, ku janë të vendosur sot shqiptarët, për më shumë së gjysmë shekulli, ku në mënyra të ndryshme kanë vepruar dhe punuar në të mirë të çeshtjes shqiptare, figura të shquara kombëtare për lirinë dhe për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Nga Tomë Mrijaj

Shtetet, kombet, qytetet, komunat, komunitetet dhe familjet, kanë historitë e tyre. Ata zënë fill që herët në shekujt e kaluar, për të ardhur në ditët tona, kur studiuesit, historianët, analistët dhe gazetarët gërmojnë ose hulumtojnë (investigojnë) vazhdimisht në arkivat e tyre, duke ndriçuar gradualisht atë pjesë të lavdishme të faqeve të ndritura të historisë të lënë në heshtje dhe harresë me ose pa qëllim gjatë shekujve.

E tillë ishte dhe mbeti ndër dekada edhe familja zëmadhe e mirënjohur në Dardani e nacionalistit të vendosur antikomunist dhe antisllav Ismet Ukë Sadik Berisha, të cilën do të përpiqem ta zbardh dora-dorës me modesti dhe fakte, dokumente dhe dëshmi të shumta të lënë në dorëshkrim nga bashkëkohësit, arkivat e pasura të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit me qendër në New York, SHBA, për të ardhur gradualisht tek arkivat e pasura private, që ruante me kujdes dhe dashuri pinjolli i tyre nacionalist.

Ai sot mbylli sytë i qetë, për të mbetur i pavdekshëm në zemrat dhe mendjet e të gjithë bashkadhetarëve, dashamirësve të familjes Berisha dhe popullit martir të Kosovës, të cilës iu përkushtua me mish dhe shpirt deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Historia e kësaj familje të madhe, është e lidhur me vetë historinë e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit të Parë, të Dytë dhe të Tretë, që vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një veprimtari të gjërë dhe të pasur patriotike me vijimësi të pandëprerë të punës së palodhur dhe aktivitetit patriotike 1962-2026.

Historia e familja së Sadik Ramës ndër shekuj

Në historinë e popullit shqiptar, familjet e mëdha fisnike brez pas brezi, kanë transmetuar dhe ruajtur përherë cilësitë më të mira të popullit shqiptarë, si: bujarinë, trimërinë, urtinë, mirësinë, atdhedashurinë, duke luftuar gjithnjë me pushkë dhe pendë në dorë dhe mendje të shëndoshë (për ndërgjegjësimin e të gjithë shqiptarëve patriotë), në mbrojtje të interesave të shenjta të Atdheut.

Herë pas here, në historinë e çdo kombi, fati e sjell që të provohet forca morale dhe vendosmëria e mbijetesës nder shekuj nga bijtë më të shquar të tij.

Këto raste të jashtëzakonshme historike, janë monomente të privilegjuara, ose shpesh herë tragjike, por tregojnë fisnikërinë e masave popullore dhe në mënyrë të veçantë guximin e tyre të jashtëzakonshëm, dhe si të thuash, fati i fton të tregojnë burrërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj Atdheut, në formën e saj më të lartë.

Ata hyjnë natyrshëm në larminë e heroizmit, për një moment të vetëm, që është momenti suprem i jetës së tyre. Dhe kësisoj, ata bëhen heronj të pavdekshëm me jetën dhe veprën në dobi të interesave të larta të kombit shqiptar, flamurit të Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit, të cilin e lanë vazhdimisht me gjakun e tyre të pastër.

Këtë fat dhe privilegj të mirë e kemi ndeshur fatmirësisht, gjatë hulumtimeve tona në tre brezni të familje heroike Berisha, të mirënjohur nga të gjithë shqiptarët ndër shekuj.

Familjet më të njohura të Dardanisë, ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Sadik Ramës së Gjurgjevikutgjatë luftrave për Pavarësi, që zhvilloheshin për mbrojtjen e Kosovës.

Më vonë të njëjtat familje ishin përkrahës të Ukë Sadikut, në mbrojtje të vazhdueshme të interesave të larta të Atdheut.

Të gjithë këto familje të njohura nacionaliste dhe anti-nazikomuniste më vonë, që cituam më lart, e kanë pësuar (vuajtur) vazhdimisht shumë rëndë, gjatë periudhës së sundimit të errët të nazikomunizmit shqiptaro-sllav, duke kaluar nëpër kalvarin e madh të përsekutimit, masakrimeve, djegie shtëpish etj.

Kujtojmë, se e njëjta histori tragjike në të gjithë krahinën e Kosovës, është përsërit vazhdimisht në fund të shekullit XX dhe më saktë në vitin 1999.

Në ditët tona, të rinjtë dhe të rejat pasardhës pinjoll të këtyre dyerve të miënjohura në Kosovë, në emigracion dhe vendlindje, me përkushtim ndihmojnë pa kursim këtë familje, gjatë aktivitetit patriotik të përhershëm të “Lidhjes së Tretë të Prizrenit” (1962-2026), me qendër dhe zyrat e saj sot në SHBA.

Dhurimi i Arkivave të Organzatës “Lidhja e Tretë e Prizrenit” me qendër në New York, SHBA

Dorëzimi apo dhurimi me bujari i arkivave të organizatave të ndryshme panshqiptare të SHBA-së, në drejtim të shtetit amë, si në: Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, është një nismë e re bujare, që duhet vlerësuar shumë në disa drejtime në vendlindje.

Fatmirësisht shteti i ri i Kosovës, dorëzimin e dokumentëve të shumta historike të arkivit original të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit me qendër në SHBA dhe zyrat e saj në New York e vlerësoi si një nismë me shumë rëndësi historike, për rishkrimin e historisë së komunitetit tonë nga studiuesit kosovarë.

Historia e nismës së dorëzimit të materialeve të pasura arkivore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në drejtim të shtetit të ri të Kosovës, ka qenë një ëndërr e kryesisë, kryetarit Ismet Berisha, një pinjoll i shquar i familjes së mirënjohur të Derës së Sadik Ramë Gjurgjevikut, nacionalistëve të shquar Ukë dhe Shaban Sadiku, Ismet Ukë Berisha, kryetar i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit dhe Sekretarit të Përgjithshme të saj Tomë Mrijaj.

Gjatë kontakteve të vijueshme të studiuesit Mrijaj me prof. Muhamet Shatrin, që nga viti 2013, historiani Shatri i kishte kërkuar, që të interesohej në komunitetin e madh shqiptaro amerikanë tek shoqatat dhe miqtë e tij të sigurojë materiale arkivore historike, me vlera për pasurimin e Arkivit të Kosovës.

Asokohe organizata në fjalë, doli me një deklaratë publike, ku ndër të tjera theksonte, se: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit me qendër në New York, ShBA dhe degët e saj në shumë shtete të botës, i dhuron Agjencisë Shtetërore të Arkivave (AShAK) të Kosovës të gjithë dokumentacionin nga viti 1962-2014…

NJOFTIM:

Vellai i të ndjerit Selim Berisha me familje, së bashku me Kryesinë e Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit hapin të pame (presin ngushëllime) ditën e Diele me 25 Janar 2026 nga ora 11:00 am deri në ora 4:00 pm, në adresën:

(Inside: 165 Tuckahoe Rd. Yonkers, NY, 10710, Royal Regency Hotel, Aroma Trattoria Restorant.)

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok