MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRËS
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
E kam zakon që cingërimat në telefonin e xhepit nga numra të panjohur të mos i hapi, por kur pas pak minutash përsëri cingëroi numri i njëjtë, u bëra kureshtar, sepse numri ishte nga një vend i huaj. Andaj e hapa. Në telefon më prezantua dhe më përshëndeti Florim Useni. Pas fjalëve të rëndomta, siç është zakon, më njoftoi se Shoqata Kulturore “Kërçova” në Zvicër do të mbajë një tribunë shkencore mbi të folmet e Kërçovës dhe një nder referuesit më kishin caktuar mua dhe prof. dr. Qemal Muratin. Pasi u njoftova me aktivitetin që do ta realizojë shoqata, fillimisht nuk i dhashë fjalën e prerë, por e luta të më presë derisa të bëja disa konsultime me mjekun amë se a mund të udhëtoja, duke pasur parasysh sëmundjet që i sjell pleqëria. U konsultova me mjekun dhe pas tri ditësh përsëri u paraqit Florimi, me ç’rast biseduam gjerë e gjatë rreth udhëtimit dhe organizimit. Kështu edhe unë pranova me dëshirën më të madhe.
Në Zvicër kisha qenë njëherë, dikur kah vitet e nëntëdhjeta, sepse i kisha vëllezërit, por si atëherë, ashtu edhe sot, shumica e shqiptarëve kurbetçinj ishin nga Kërçova. Por, tani kishte një dallim të mdh – nuk ishin ata që kishin shkuar në gjysmë shekullin e kaluar, por ishin fëmijët e tyre, që i kanë krijuar edhe familjet e tyre. Me secilin që bisedonim vëreja se kjo gjeneratë e shkolluar, sigurisht të punësuar dhe me biznese, jo që e fliste bukur gjuhën shqipe, por mendjen e kishte që vitet e pleqërisë t’i kalojnë në vendlindje. Kjo është gjenerata që kur janë shpërngulur në dhè të huaj, i kanë marrë me vete kujtimet e vendlindjes.
Kërçova në Ollten
Pasi zbritëm në aeroportin e Bazellit dhe i kaluam të gjitha kontrollet, e takuam një shqiptar nga Kosova, të cilin e lutëm të na i lidhë celularët për të komunikuar me organizatorët. Nuk shkuam as 5 minuta dhe drejt nesh po vinte një djalosh shtatlartë dhe i buzëqeshur. Quhej, Bukurim Xhaferi.
E pyesim si kalojnë aty? Ai na përgjigjet se ata e kanë siguruar mirëqenën sociale, por një nevojë nuk e përmbushin kurrë – mallin për vendlindje. Ne – thotë Bukurimi – po mundohemi që etje-dhimbjen ta shuajmë përmes vizitave të herëpashershme. “E sa u përket fëmijëve tanë, që veç më janë integruar në shoqërinë zvicrane, po mundohemi në forma të ndryshme t’ua ngulisim lidhjet me vendlindjen, që ta ruajnë gjuhën tonë të shenjtë shqipe, duke berë vizita me farefisin ose nëse na pyesin, të martohen me shqiptarë”, shpjegon dhe qeshet Bukurimi.
Unë dhe Qemali e kuptojmë Bukurimin, sepse ai i takon gjeneratës së dytë që kanë vajtur në Zvicër bshkë me tërë mozaikun shpirtëror të vendlindjes. Gjithë kjo gjeneratë shprehet në këtë mënyrë, sepse te ata shprehet një presion i brendshëm që prindërit ua kanë imponuar – që të mos i harrojnë kujtimet dhe të mos shkëputen nga rrënjët e tyre, për të mos e harruar gjuhën, identitetin, zakonet, besimin.
Para se të hyjmë në qytetin Ollten, Bukurimi e kërkon një shok dhe pyet a punon restoranti. Pasi mori përgjigje, na dërgoi drejt te restoranti “Garana”, ku pronar ishte një bashkëvendës nga fshati Garanë. Djali i pronarit, Fluturimi, nga gostiti me kafe dhe ujë, bile na luti që të darkojmë. Iu falënderuam. Pronari na tregoi se ai jo vetëm që e posedonte restorantin, por e kishte bërë edhe motel, njësoj si shtëpinë ku banonte me familjen. Fluturimi na tha se prefekti i Bazellit ka thënë se “pa shqiptarë nuk do të kishte Zvicër”.
Pastaj u nisëm drejt hotelit në qendër të Olltenit – hoteli “Astoria”. Para se të arrijmë në hotel, në celular u paraqit kryetari i Shoqatës, z. Resul Mehmedi, i cili na uroi mirëseardhje. Pasi u vendosëm në hotel, shkuam për të darkuar. Zgjedhjen e ushqimit ia lamë në dorë Bukurimit, sepse ai ishte njeri ndër bizismenët e mishit atje, madje edhe shkollën e kishte të mbaruar për përpunimin e mishit. Andaj edhe porosia e tij ishte me shije të veçantë.
Pasi shkuam të pushojmë, nuk vonoi shumë edhe na telefonoi z. Florim që të na vizitojë, por ne e lutem që të pushojmë se ishim të lodhur prej udhëtimit.
Në mëngjes, pasi hëngrëm kafjall, bashkë me Qemalin ia bëmë një vizitë Olltenit, duke ecur rrugëve shumë të bukura dhe të pastra. Ajo që na bënë përshtypje që në kontaktin e parë me qytetin ishte qetësia në hapësirë dhe tek njerëzit. Neve na mungonte zhurma, buria e veturave, britmat e njerëzve, ajo që në Shkup e Prishtinë është evidente. Në këtë qytet ndihej një ekuilibrim ndërmjet natyrës dhe njeriut.
Koha ikte me të shpejtë. Ende pa u kthyer në hotel, aty kishte ardhur z. Florim Useni, i cili na mori që të shkojmë në sallën ku do të mbahej kuvendi i Shoqatës dhe ku do të mbhej tribuna shkencore. U ulëm në fujaenë e klubit dhe aty na njoftuan në detaje me projektin e ardhshëm. Ai gjithashtu na tha se ka biseduar edhe me bizismenë nga Maqedonia e Veriut për realizimin e mega-projetit. Ai na njoftoi se aty do të ndërtohej një kampus i madh, në të cilin do të funksiononte edhe shkolla edhe xhamia, edhe hoteli edhe salla sporti, edhe biblioteka edhe atelieja etj.
Pas një çerek ore u drejtuam te salla ku do të mbahej tribuna. Në korrdior takuam shumë bashkëvendës: disa na njihnim prej më parë e me disa po njoftoheshim. Aty na ua afrua edhe profesori Rexhep Bajrami, i cili na përgëzoj dhe na uroi mirëseardhje. Ai u gëzua shumë, por të gjithë kishin dëshirë që të na takojnë. Kishin ardhur edhe miq e dashamirë edhe nga qytetet e tjera të Zvicrës, si dhe nga Gjermania.
Para sallës u takuam edhe me z Resul Mehmedin. Pasi u përshëndetem, u futëm në sallën ku do të mbahej tribuna shkencore. Neve dhe pjesëmarrësi na përshendeti kryetari i Shoqatës z. Resul Memehedi dhe më pas sipas programit, nën udhëheqjen e moderatotit z.Florim u paraqitëm me kumtesat, që me shumë vëmendje e ndiqnin pjesëmarrësit dhe në fund pasuan edhe pyetjet dhe përgjigjet, tribuna mbaroi.
Pastaj, pas fotografisë së përbashkët, shumë pjesëmarrës bashkëvendës kishin dëshirë të ketë një kujtim me mua dhe me Qemalin.
Më pas, bashkë me z. Resulin, Florimin, Dearin, Bukurimin……. etj. shkuam për darkë. Vajtëm në restorantin e një prizrenasi, ku ushqimi ishte fantastik – me një shërbim shumë dashamirës nga ana e kamerierëve.
Pas ushqimit, kryetari i Shoqatës dhe stafi i tij na morën në makinë dhe pas 15 minutash udhë, shkuam te restoranti i z. Naim Kurti. Aty biseduam lirshëm, rrëfyem barcoleta, thjesht u krijua një atmosferë e këndshme, siç vetëm mund të imagjinohet.
Në mëngjes para hotelit erdhi z. Dehari, që të na dërgojë në aeroport. Par kontrolleve në aeroport, u përshëndetëm me z. Deharin dhe pastaj vijuan kontrollet e parapara. Edhe pasi u ndamë z. Resuli, si edhe z. Florimi, z. Bukurimi e z. Deari na kërkonin dhe interesoheshin se si kemi udhëtuar dhe si i kemi gjetur familjarët.
Me atë që pashë atje, mund të krenohem se komuniteti kërçovar është një shembull eklatant i punës dhe dinjitetit. Ata sot përfaqësojnë jo veten tonë, por edhe familjet tona dhe vendlindjen tonë. Ajo që më gëzon më shumë është se ata qëndrojnë shumë bashkuar dhe e mbajnë gjithmonë gjallë një dëshirë të madhe – që lidhja e tyre me vendlindjen të forcohet sa më shumë brez pas brezi. Motoja e tyre ishte që kujtimet e tyre t’i përcjellin te brezat e rinj, që ata t’i njohin rrënjët e tyre, ta flasin gjuhën e bukur shqipe dhe ndjehen krenarë për prejardhjen e tyre nga Kërçova.


