14/10/2024

MBAJENI SHËNIM: SERBIA MBAN ANËN E PUTINIT NË AGRESIONIN KUNDËR UKRAINËS, JO TË PERËNDIMIT!

0

Nga Frank Shkreli

Serbia dhe Bjellorusia janë të vetmet vende evropiane që refuzojnë të vendosin sanksione ekonomike kundër Rusisë, si masa për të dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë, ashtu siç kanë bërë shumë vende anë e mbanë botës, por sidomos ato evropiane. Serbia është prononcuar se nuk do të vendos sanksione kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj një vendi të pavarur e demokratik.  Por këtë javë në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia votoi me 141 vende të tjera për të kërkuar ndalimin e agresionit rus në Ukrainë. Siç dihet, kjo është një votë vetëm simbolike, si shumë vota të tjera në të kaluarën në organizatën botërore të kësaj natyre, që nuk do të ketë asnjë ndikim mbi zhvillimet ushtarake e poilitike në terren, në Ukrainë.

Megjithëse jam i sigurt se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e di mirë se kjo vote në Asamblenë e Përgjithëshme nuk ka asnjë rëndësi sa i përket gjëndjes në Ukrainë — as nuk i prishë hiç punët e Moskës me Beogradin dhe se vota të tilla në OKB nuk kanë asnjë vlerë përveçse mund të shprehin qëndrimin e vendeve anëtare mbi një subjekt të veçantë. Por, çuditërisht, është Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i vetmi që mendon se vota e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme që “dënon” Rusinë për agresionin në Ukrainë, tregon, sipas tij, se, Serbia ka bërë një këthesë, se “Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, sipas një shënimi të Z. Rama në rrjetin social.  Serbia nuk ka ndryshuar aspak qendrimin e saj në lidhje me sulmin barbar të Rusisë kundër Ukrainës, pasi janë të mjaftueshme deklaratat e Beogradit zyrtar që tregojnë se e kundërta është e vërtetë. Por edhe zyrtarë të lartë perëndimorë janë shprehur se Serbia është përcaktuar në krahun e Moskës dhe se agresioni i Putinit kundër Ukrainës së pavarur e demokratike gjatë ditëve të fundit, është i njëjtë, një kopje me të njëjtat justifikime — e luftës së Millosheviçit kundër Kosovës 20- e sa vjet më parë.

Kjo është e qartë, por ajo që po habit njerëzit, sidomos shqiptarët kudo, por edhe disa zyrtarë të lartë perendimorë, është fakti se pse e ndjenë si obligim Kryeministri i Shqipërisë të lëvdojë e të mbrojë votën e Serbisë në OKB, si një kthesë, si shenjë se Serbia me votën e saj “kundër” Rusisë, po “unifikon Bashkimin Perendimor me Perendimin”.  Sipas disa mediave, Beogradi zyrtar është shprehur një ditë a dy pas votës në Asamblenë e Përgjithëshme se Serbia votoi në favor të 5 pikave të para, nga 13 pikat gjithsejt që kishte rezoluta kritike ndaj Rusisë dhe jo për rezolutën në terësi. Hajde merre vesh tani se si dikush mund të arrij në përfundimin se vota gjysmake e Serbisë në OKB (në favor të 5 pikave dhe jo në favor të rezolutës së plotë) kundër Rusisë, “unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, kundër pushtimit të Ukrainës nga diktatori Putin.

Qëndrimi Serbisë është një politikë jo vetëm dyfytyrësie, por edhe pafytyrësie nga ana e Beogradit zyrtar si dhe nga ata që shprehen pozitivisht për këtë politikë dhelpërore të Serbisë, duke e cilësuar atë si “unifikuese” me Perëndimin.  Sepse, po të ishte Serbia e disponuar seriozisht për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo do duhej të dënonte më së pari agresionin dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.  Presidenti serb Vuçiq, i përkëdheluri i disave, mbron gjithnjë agresionin kundër Kosovës dhe krimet e kryera atje ndaj mijëra shqiptarëve të pafajshëm, viktima të regjimit fashist serb. Gjithashtu, Serbia jo vetëm që  nuk njeh, por bën ç’mos për të minuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe së bashku me Rusinë, për vite tani, vepron kundër njohjeve ndërkombëtare të shtetit të  Kosovës,, në entet ndërkombëtare dhe rajonale.

Udhëheqsit e Serbisë sot, disa prej të cilëve kanë qenë bashkpuntorë të Millosheviqit, përfshir Vuçiqin, nuk ka sesi të dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia sepse diktatori kriminal Putin në Ukrainë po kopjon, pothuaj me përpikmëri, veprimet barbare të Millosheviqit në Kosovë, siç u shpreh Kryeministri britanik, Boris Xhonson, javën që kaloi në parlamentin britanik duke folur rreth sulmit rus në Ukrainë. Udhëheqsi britanik krahasoi agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviçit në Kosovë në vitet 1998/99.  “Unë mendoj se njëra nga gjërat më impresionuese se çfarë Putin po bën është sa i përafërt është krahasimi midis veprimeve të tij dhe atyre të Sllobodan Millosheviçit. Ekzaktësisht i njëjti nonsens i përdorur mbi lidhjen mistike mes Kosovës dhe Beogradit dhe Kievit me Moskën. Ekzaktësisht i njëjti agresion dhe kujtoni se Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit”, ka thenë Boris Johnson.

Ndërsa javën e kaluar, një zë nga Amerika, ish-ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Filip Kosnet dha alarmin në lidhje me qendrimin e Serbisë në lidhje me sulmin barbar të Rusës kundër Ukrainës: “mbajeni shënim”, ka shkruar ai, “Vuçiq mbajti anën e Putinit, jo Perëndimit.”

“Pra, duket se presidenti i Serbisë, Vuçiç ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – ndërsa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës (ortodokse). Kjo nuk është udhëheqje; është moral frikacaku. BE, SHBA ju lutem mbani shënim’, ka shkruar ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett në rrjetin social.

Unë do t’përfshija në këtë porosi të Ambasadorit Kosnet — drejtuar SHBA-ave dhe BE-së — edhe Tiranën zyrtare, në krye me Kryeministrin Rama dhe mbarë klasën politike shqiptare që – para se të bëjnë deklarata të tilla pro-serbe në lidhje me tmerin që po ndodhë sot në Ukrainë  — të kujtojnë mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, pak më shumë se 20-vite më parë, por edhe të mos harrojnë — në euforizmën e tyre, në mbështetje të “Ballkanit të Hapur” — se çfarë qëndrimi zyrtar vazhdon të mbajë Serbia dhe pasardhësit e Millosheviqit në lidhje me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi.

Mos harroni vitin 1999. Mos harroni deportimin në masë e me dhunë nga trojet stërgjyshore të afër një milion shqiptarëve të Kosovës.  Veçanërisht, ju lutem mos harroni aq shpejt vrasjen e mbi 12.000 viktimave civile të pafajshme dhe të pa-armatosur, të vrarë nga regjimi terrorist serb, qindra masakra dhe varrezat masive e pa shenjë si dhe ata të cilëve ende nuk u dihet fati. Kujtoni gjithashtu edhe përdhunimin e 20.000 femrave të Kosovës. Serbia ende nuk i njeh as nuk i pranon këto krime të fund shekullit 20-të kundër shqiptarëve!  Mendoni mirë se ç’po bëni dhe njëherazi kujtoni — është lutja dhe porosia ime drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë dhe Tiranës zyrtare në përgjithësi – këto viktima, të gjalla e të vrara nga Serbia, jo më larg se dy dekada më parë – para se të hidheni në prehër të Serbisë, duke u bërë avokat i politikës së Beogradit ndaj agresionit rus në Ukrainë.  Bota e di tashmë, se Vuçiqi është në anën e Putinit dhe jo të Perëndimit!

Në përkujtimin e 578-vjetorit të “Besëlidhjes së Lezhës”, (2 mars 1444 -2 mars 2022), dhe duke pasur parasysh gjëndjen ndërkombëtare në Evropë– Kombi shqiptar ka nevojë për bashkim, bashkim idesh e interesi. Situata aktuale që po ndryshon, mot pas moti, kërkon vepra bashkimi dhe dashuri vëllazërore, jo përçarje. E kam thenë shpesh se diplomacia dhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Beogradin zyrtar, duhet të kalojnë nepërmjet Prishtinës! Kam drojë se kini humbur drejtimin, të nderuar vëllëzer shqiptarë! Është momenti historik për një Besëlidhje të re Shqiptare – në bashkpunim me miqtë perendimorë në krye me Shtetetet e Bashkuara të Amerikës — në mbrojtje të ideve dhe interesave kombëtare afatgjata.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok