MASAKRA E STUDENICËS VAZHDË E KRIMEVE MAKABRE SERBE

Screenshot
Lapidari kushtuar viktimave të Masakrës të Studenicës
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Edhe pse ka kaluar tej një çerek shekulli, nga masakra e 13 prillit të vitit 1999, zemrat e familjarëve të viktimave mbetën fort të lënduara. Atë ditë të kobshme prilli, soldateska serbo-sllave masakroi dhe i hodhi kufomat e viktimave në një pus (bunar) të thellë, duke hedhur një masë gurësh sipër, për të mbuluar gjurmët e krimit makabër. Ai pus u bë varri i përbashkët i dy brezave, të moshuar dhe rinorë: bacë Sali Sokol Zeqiraj, Nezir Lipaj, të gjysheve dhe nënave: Sala Lipaj, Hajrije Lipaj, Fatime Lipaj, Sabrije Lipaj dhe rinoret Qëndresë Lipaj, Njomzë Lipaj, Mirdonë Lipaj dhe Lindihanë Lipaj, të gjitha nxënëse!
Ishte kjo Masakra e Studenicës, ku ishte vendosur edhe SHTAB-i i UÇK-së për komunën e Istogut, njëra nga 420 masakrat e bëra anekënd Kosovës, përgjatë luftës aktive 16 mujore të Kosovës.
Poeti i mirënjohur kavajas, Hasan Korbi, autor i një duzinë labrash, Masakrës të Studenicës, ia ka kushtuar librin “Prilli kurrë nuk vdesë”, për viktimat të pafajshme, të Familjes Lipaj dhe Zeqiraj, duke e shprehur dhimbjen tragjike, që nga gjyshi e deri ke nxënëset:
“U tund fort Studenica,
Trupi i Atdheut mbushur me mornica.
Gjyshi Saliu me deje trimërie,
Bashkë me ju në vite pleqërie,
Studenicë sa emër të dhanë martirët,
Shkollës Vrellë i bënë historinë,
Heshtën bangat në lëndinë,
Dhjetë jetët rënë nënshkruan lirinë”.
Është një dhimbje, që therë si heshtë zemrën e vëllait për të motrën, “trëndafil i këputur” në lulën e rinisë:
“Vij tek ty Qendresa ime, me mall se 26 vitet ikën, ikën,
Dhimbjen lanë gjurmë në zemër të vëllait,
Vij tek ty motër e shpirti fort me liget,,
Trëndafil këputur ike ti, pa hapur petalet”.
Penda e poetit shpërfaqë trishtim e dhimbje të skajshme:
“S`të kam harruar jo, Njomëza ime,
Petalet gjysmë të hapura,
Jetën tënde të pa filluar,
Kafshoi serbi gjakatar.
Njomzë ti, e pa koritur,
Motërzo ti martire”.
Në renditjen e radhës vargjet rrjedhin për rinoren Mirdonë:
“Aty tretën ëndrrat e tua të bukura vajzërore,
Tretet një histori e një lastari femëror,
E ndjej aromën tënde motër, kur prek dheun e varrit,
E ndjej aromën tënde të urrejtjes kur ndjej erën e gjakut”.
E reja Lindihanë frymëzim i pendës të autorit Korbi:
“Librat po shkruhen me penën e lyer me gjak, sa madhështi,
Sfidave jetën për plagë të dhimbjes, martirja fëmijë,
E mbetur ndër vite e dekada një lule lëndine,
Vijmë gjithnjë me mall e marrim aromën tënde”.
Autori Hasan Korbi i përjetëson në vargje edhe nënat krenare dhe viktima – njëherësh:
“Sa herë që nisë pranvera udhën e saj,
Vijmë tek ty nanë e të puthim në ballë,
Lotët e nxehtë të syrit motra t`i fshijnë,
Rrudhat e ballit flasin heshtur pa fjalë”.
Me gjithë përballjen e guximshme dhe rënies së lavdishme të dëshmorëve, Kosova u mund në fushë-betejë, sepse raporti i forcave ndërluftuese ishte, fatalisht, i pabarabartë. Në luftën e Kosovës kishte luftëtarë trima, pa përrallëzuar me legjendarë dhe epopera të paqena. Sepse një luftë-epope, siç e përcakton fjalori historik, nënkupton përmasën e gjakut, në mos deri në zog të këmbës, të paktën, një opingë po, nga të dy palët ndërluftuese, gjë që në Kosovë kjo nuk ka ndodhur përgjatë luftës së fundit.
Përkundrazi, janë shënuar 420 masakra, dhe përgjakja masive të mijëra viktimave shqiptare, nuk është shpaguar as për së afërmi. Dhe, pikërisht, për plojën makabre të viktimave të pambrojtura, ka dërguar Apaçet e NATO-paktit, kundër soldateskës serbo-sllave.
Përfundimisht, ndërhyrja humanitare e botës demokratike ndërkombëtare, përzuri nga Kosova jonë ushtrinë pushtuese serbo-sllave, duke e çliruar Kosovën më 12 qershor 1999. Të gjitha datimet tjera, kinse, çliruese, të para dhe pas kësaj date, janë fiktive, super të rrejshme.
Populli i Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, do t`i nderojmë përjetësisht bijat dhe bijtë luftëtarë të lirisë, dëshmorët e rënë në fushë-betejë dhe mijërat viktima të vrara, ngeshëm e me sadizëm unik, në përmbyllje të shekullit të shkuar.
Lavdi dhe nderim të thellë, për të gjithë të amshuarit, dhunshëm e përgjakshëm, përgjatë dhe pas luftës së fundit, në Kosovën tonë të përgjakur nga pushtuesit dhe argatët e tyre shqip-folës.
Në kujtesën tonë individuale dhe kolektive, do të mbesin përjetësisht dëshmorët dhe viktimat e terrorit të armikut pushtues dhe të veglave të tyre, të etur për pushtet dhe pasuri, me ekzekutimet kriminale të kundërshtarëve politikë, duke ia shtuar Kosovës jetimët edhe në liri! E tmerrshme, deri në skajmëri!