21/12/2024

Masakra e Mejës – Rrugë e Kalvarit – Ditë flijimi dhe sakrifice, ditë vuajtje dhe pikllimi por mbi të gjitha ditë ngadhënjimi dhe krenarie…

0
u1_Masakra-e-Mejes

Nga Marjan Sebaj-SOPI

Çmimi i lirisë gjithmonë është tejet i lartë, sepse liria fitohet me shumë flijime, dhurime, vetëmohime, deri te dhënia e jetës dhe asgjësimi i vetvetes me një qëllim të veçantë: që të tjerët të jenë mirë dhe të lirë, që ta shijojnë bukurinë e përgjegjësisë dhe përcaktimeve, zgjidhjeve. Për këto dhe shumë arsye tjera historia e shkruar me gjak për liri, pamvarësi dhe demokraci, e vukosur me atdhedashuri, është e shenjtë dhe duhet të bartet prej brenie në brezni si “testament” për të tashmen dhe për të ardhmen.

Kaluan pesëmbëdhjetë vite nga masakra e Mejës, nga kjo Rrugë e Kalvarit, Rrugë e Kryqit dhe Golgota e Dukagjinit – Mejës, ditë e sakrificës, vuajtjeve të mëdha, ditë e pikëllimit por edhe ngadhënjimit ndaj të keqës, ditë e krenarisë kur përkujtojmë njerëzit baballarët, nënat, vëllezërit e motrat tona më të dashur të cilët derdhën edhe pikën e fundit të gjakut të tyre për lirinë e vendit tonë, për të ardhmën tonë.

Nuk ka gjë më të madhe, më të ndershme, më të lavdishme, më shenjte sesa të ipet gjëja më e çmuar për të jetuar të tjerët, të ipet jeta për tjetër kënd, për të ardhmën, rininë dhe lirinë e vendit. Të flijosh jetën për të mirën e vëllaut e motrës njeri, sakrifica e dhënia e jetës për lirinë e vendit tënd është vepra më sublime që mund të bëjë njeriu.

“Ditët e hershme të pranverës më kanë qenë më të bukurat në jetë, mirëpo nga kur ndodhi masakra e Mejës, masakra e njerëzve të pafaj por vetëm pse ishin shqiptarë dhe e donin atdheun e tyre, që nga atëherë këto ditë kur lulëzon e gjitha, kur zbukurohen fushat me lule por tanimë këto livadhe (fusha), lëndina të ujitura me gjak të shqiptarëve të shumtë të pafaj, më janë ditë të vështira, sepse gjithmonë pyes; çfarë të keqe bënë këta njerëz, të pafaj? Çfarë të keqe i bëri kujt babi im i cili edhe sa ishte gjallë flijoi tërë jetën në edukimin e mirë të rinisë, të ardhmën?! Gjithnjë e tërë jetën bëri vetëm vepra të mira e të dobishme, duke u flijuar për familjen, për gjenerata e gjenerata të tëra në edukimin e mirëfilët njerëzor, human! Ai nuk dinte të urrej kënd, të flas keq kundër askujt, ta sulmoj kënd, ta ofendoi apo lëndoi kënd e prapë e munduan, e vranë!!! Pse të vritet një  qënie e tillë që ishte plotë dashuri për gruan, dhe fëmijtë e tij-ne, për rininë me të cilën ishte shumë i lidhur, për popullin e tij shqiptarë pa dallime? A është dashur në këtë mënyrë të jap edhe jetën për ne?”

Janë këto pyetje që i shtron çdo pranverë, çdo ditë e muaji prill, Ardita Pajaziti kjo e cila ishte e lidhur shumë me babën e saj dhe e pandashme deri atë ditë të kobshme kur edhe ndodhi masakra në Mejë, kjo e cila nga dashuria ndaj babës së saj edhe ndjeku rrugën e tij si pedagoge dhe edukatore e gjeneratave të reja, kjo e cila gjithnjë pyet dhe me mallë e kujton çdo fjalë, çdo gjestë, buzgjeshjen e fundit të babës, prof. Zenel Pajazitit ky ndër të vrarët me tre vëllezër (dhe 9 kusherinjë tjerë) në Mejë.

Mëngjesi i hershëm i 27 Prillit sipas të gjithë dëshmitarëve (atyre që i shpëtuan kësaj masakre) i gjasonte rrugës së Kalvarit, rrugës e cila shpiente drejtë Golgotës së Dukagjinit – Mejes. Këtë mëngjes të hershëm policia serbe me gjithë njesitë e saja paramilitare, ushtarake e paraushtarake së pari bëjnë spastrimin etnik në tërësi të fshatërave në mes të Gjakovës dhe Junikut. Pra, duke filluar nga ora 07. e mëngjesit forcat serbe me dhunë e forcë dëbojnë të gjithë banorët e fshatit Necaj, Nivokaz, Dobrosh, Sheremet, Jahoc, Ponoshec, Racaj, Ramoc, Madanaj dhe Orize…, e pastaj në udhëkryq, aty ku gërshetohen rrugët, pra aty ku bashkohen rrugët u bashkua edhe gjaku i pafaj i shqiptarëve të këtyre anëve. Pikërisht këtë ditë, me 27. prill shuhen jetët e shumë shqiptarëve, u vranë e masakruan 377 veta (23 burra e të rinjë ende konsiderohen të zhdukur). U vranë e masakruan vetëm pse ishin shqiptarë dhe e donin lirinë, jetën, e donin ardhmërinë e lumtur…

Çdo jetë njeriu është e çmuar, çdo jetë ka vlerën e vet, por edhe më tepër të dhimbsen njerëzit e pafaj, njerëzit e të ardhmës së shtetit tonë, kështuqë edhe në mesin e këtyre burrave pati shumë intelektual, mjek, profesor…,dmth njerëz të shkencës dhe dijës, kështu kjo e bënë këtë masakër edhe më të dhimshme kur mendoj sesa flijuam që të krijojmë këta njerët të dijës e të cilët na i zhdukën mbrenda disa orëve sikur të mos ishin. Por, jo me këtë armiku vetëm tregoi ligështinë e tij, kurse burrat tanë madhështinë, të mëdhenj ishin gjatë jetës, të mëdhenjë u treguan në momentet e fundit të jetës së tyre, treguan forcën, treguan gadishmërinë, treguan trimërinë dhe guximin, i treguan armikut dhe botës se janë në tokë të tyre, në tokë të etërve, në tokë të shenjtë e cila jo vetëm tash, por dha gjakun e do jep saherë ta kërkon atdheu, e që nuk do të dorëzohet askurrë para asnjë sfide e vështirësie, para asnjë të keqe…Pra, pikërisht ky qëndrim i tyre sublim vepra e tyre apo binomi; “Japim jetën që të jetoni e të keni juve jetë”, edhe i bënë të gjithë këta njerëz të Mëdhenjë dhe të pavdekshëm e gjithë neve krenar që i patëm dhe i kemi në mendjën dhe zemrat tona përgjithmonë.

Dëshmitarët tregojnë se u dëgjuan rafalët e gjakpirësve por jo edhe zëri i të vrarëve e të masakruarëve, nuk u dëgjua zëri i tyre meqë ata e dinin pse vriteshin, pse vdisnin dhe pse jepnin jetën, e dinin pse flijoheshin meqë kishin ideal lirinë e vendit, kështuqë ata shkuan të qetë në amshim, shkuan e pushojnë duke parë tanimë falë gjakut të tyre, vendin e tyre-vendin tonë të lirë. Prehen të qetë meqë shohin rininë, djemtë e vajzat e tyre, vëllezërit e motrat e tyre, gjithë ne, duke u shkolluar, duke përparuar… Shohin neve të lumtur në liri, për të cilën ata ishin qengja flijimtar të cilët shkuan në therrtore.  Janë këta qengja të butë e të pafajë, antarë të familjeve tona, të cilët nuk harrohen askurrë. Sakrifica e tyre, flijimi i tyre për të ardhmën tonë i bënë ata të pavdekshëm dhe gjithnjë prezent në jetën tonë.

Të gjithë këta i kujtojmë me mallë por edhe krenari, ja si e kujton babin e saj Zenel Pajaziti-n, bija e tij, Antoneta Pajaziti, atëherë një vajzë e vogël e sot studente e sukseshme, e cila shkruan; “Nuk ka fjalë që mund të shprehë dhimbjen, mungesën tënde në jetën tonë. Ishe bashkshort dhe baba shembullor. Fjalët e tua të ëmbla, zemërgjerësia, mençuria, besnikëria dhe sinqeriteti ishin virtytet e tua më të larta që po na përcjellin gjatë gjithë jetës. Do të mbetesh përherë në zemren dhe mendjen tonë! “.

Kurse djali i vëllaut të Zenelit, Zeqiri (i cili poashtu ka babën e tij të vrarë në masakrën e Mejës) për axhin e tij Zenelin shkuran: “Eshte i pa vdekshem xhaxhi im…. Ne çdo herë të kujtojmë me mall…”.

Njerëzit e mëdhenjë dhe të sakrificës nuk mund t’i harrojnë askurrë as kolegët e tyre, kështu e kujton prof. Zenelin, shoku i klasës dhe kolegu i tij Ismeti;  Prof. Zenel Pajaziti gurë i çmuar në themelin e shtetit! Me prof Zenel Pajazitin e ndjer’ jemi bashkëfshatarë, kemi mësuar 4 klasët e para të fillorës në të njejten shkollë në Sheremetaj në të cilen, pas shkollimit poashtu kemi punua, unë si mësues ndërsa ai disa gjenerata më vonë si profesor dhe drejtor shkolle… Zenel Pajaziti është dalluar për shumçka nga të tjerët dhe me shembullin personal i ka bërë që edhe të tjerët të sjellen ashtu si i ka hije një edukatori. Kam shumë e shumë për të thënë për këtë njeri të mirë i cili popullit dhe vendit të tij i ka bërë shumë të mira, dhe po e përfundoj me këtë: Lotët e njerëzve të mirë nuk biejnë në tokë, por shkojnë përpjet kah Qielli. Njerëzit e mirë e meritojnë një Qiell këtu e një Qiell Atje! T’ua lëmë të vdekurve lavdinë e përjetshme“.

Poeti dhe publicisti z. Dedë Preqi ndër të tjera shkruan; „… keni shkruar për vëllaun tonë të paharruar dhe prof. Zenelin, i cili ka lënë gjurmë të pa shlyera në historinë e flijimit dhe sakrificës të njerëzve më të denjë për atdheun, arsimin dhe kombin. Një lojë të ndytë që luajti fashizmi serb me shqiptarët, nuk do të harrohet, por falë zotit, populli shqiptarë do arrijë formulën e vet të vetëbesimit, duke e mos kthyer kokën mbrapa, duke shikuar të ardhmën e vet përpara.“

Të gjithë këta shkuan në amshim të liruar nga ankthi, friga, trishtimi, shpresa, pritja dhe siguria që e mirja, e Drejta dhe e Vërteta së fundi do të ngadhënjejnë.

Neve duket se nuk jemi duke bërë shumë për më të dashurit tanë, të cilët flijuan jetën për ne, mirëpo dr. don Lush Gjergji kështu shkruan për të rënit dëshmorë; „Heshtja është më e fortë se fjala, jeta është me e madhe se vdekja, liria është më e fuqishme se robëria, dashuria është fituese ndaj urrejtjes… Jeta, flijimi, gjaku i tyre gjithnjë u kujtoftë dhe kurrë mos u harroftë!  Ata tashmë jetojnë në Zotin në amshimin e lumtur, ndërsa neve na mbetet që nga kjo Histori të mësojmë shumë për kultivimin e nderimit dhe të falënderimit, për bashkëpunim dhe vëllazëri, për të jetuar dhe qenë të mirë dhe të lirë.

Marjan Sebaj-SOPI

Rostock

Prill’2014

Zemra Shqiptare, 28.04.2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok