Marie Zojzi Deda- një jetë e flijuar për liri dhe dinjitet

Nga Msc. Kristinë Oroshi
Historia e grave shqiptare është histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë. Në çdo kohë dhe rrethanë, ato kanë qenë shtylla të qëndresës kombëtare, duke mos u përkulur përballë padrejtësive. Sidomos gjatë regjimit komunist, një periudhë e errët që shkaktoi vuajtje të pamasë, gratë shqiptare u shndërruan në simbole të dinjitetit dhe rezistencës. Me shpirt të pathyeshëm, ato sfiduan frikën,duke ruajtur vlerat dhe u bënë ze i fuqishëm, i lirisë.
Një autor i panjohur me të drejtë thotë: “Historia ka treguar se gratë që luftojnë për liri nuk vdesin kurrë; ato jetojnë në kujtesën e një kombi të lirë.”
Marie Zojzi Deda, ishte e bija e Shtjefën dhe Pina Zojzit e lindur në vitin 1916 , në një familje fisnike shkodrane. Rruga për emancipim, zhvillim dhe kulturë e familjes së saj do ta çonte në bankat e shkollës së Motrave Stigmatine duke u edukuar edhe me ndjenjat dhe besimin fetar si anëtare e shoqatës “Bijat e Zonjës”. Sipas të afërmëve të saj, ajo lexonte shumë shkrime fetare dhe patriotike të At Gjergj Fishtës, At Vinçenc Prenushit etj., duke u brumosur me ide atdhetare dhe patriotike, me ndjenjën e bukur të lirisë, me dëshirën e madhe për të jetuar e lirë dhe me besimin tek i madhi Zot, shkruan në librin “Bijat e Rozafes, gra të shquara të hapësirës shkodrane ” studiuesja Zenepe Dibra .
Familja Zojzi ka luajtur një rol të rëndësishëm në kulturën dhe historinë shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme. Marie Zojzi Deda ishte motra e etnografit dhe studiuesit të njohur Rrok Zojzi, i cili i kushtoi jetën kërkimeve mbi traditat dhe kulturën popullore shqiptare. Ajo ishte gjithashtu kushërira e inxhinier Ludovik Zojzit, arkitekt i varrezave të Rrmajit në Shkodër dhe një profesionist i talentuar në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës. Inxhiner Ludovik Zojzin e vranë forcat komuniste në Tiranë pa gjyq më 15 shtator 1943.Kjo familje, e rritur me vlera të forta atdhetare dhe intelektuale, ka lënë një trashëgimi të vyer në historinë e vendit.
Në familjen e njohur të Dedëjakupëve, Maria martohet me Pjetër Shan Dedën. Nga kjo familje atdhetare e me tradita të qytetarisë shkodrane kanë dalë intelektualë të shquar, duke kontribuar në lëmi të ndryshme: si klerikë, tregtarë, zyrtarë, oficerë dhe mësimdhënës.
Kështu pra, kur erdhi regjimi i egër komunist, tek kjo shtëpi fisnike, atdhetare, e pasur dhe me kulturë, do të gjente një ndër objektet ma të plotësuem për luftën e vet. Plot dhjetë burra të kësaj shtëpie do të bishin viktimë, prej të cilëve gjashtë, përfshirë edhe një femën, do t’u vritshin, ose të vdisëshin ndër tortura, kurse katër të tjerë, të vuejshin vite të shumta burgu e internimi. Dhe i gjithë ky gjenocid i tmerrshëm mbi një familje të vetme, mbi një shtëpi që, në mënyrë të mrekullueshme, kishte pasur kombinue traditën me emancipim shoqëror,- thotë autori Ahmet Bushati, në librin e tij:” Në gjurmët e nji ditari: Shkodra në tri vitet e saj të parë nën komunizëm në sigurim ndër burgje dhe kampe”.
Maria, ishte një vajzë e dashur dhe fisnike, u rrit në një familje me vlera të forta heroike duke mos u trembur përballë sfidave, atdhetare duke e dashur dhe mbrojtur vendin e vet, fetare duke qëndruar besnike ndaj besimit dhe parimeve shpirtërore, dhe liridashëse duke luftuar për lirinë dhe të drejtat e të gjithve. Këto parime u thelluan edhe më shumë kur u bë pjesë e familjes Deda, ku ndjenjat atdhetare dhe besimi fetar ishin të rrënjosura thellë.
Për këtë arsye, më vonë, familja e saj do të përballej me një persekutim të egër nga regjimi komunist, i cili mori përmasat e një krimi të rëndë njerëzor ku Keli dhe Koleci vdiqën në hetuesi bashkë me nipin e tyre Simon Daragjatin. U pushkatuan dy vëllezërit Dom Nikolla dhe Gjushi ndërsa Lini, Guljemi, Zefi, Toni, Deda dhe Shani u dënuan me 30 vjet burg dhe 48 vjet internim.
Si njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Postribës, Pjetër Shan Deda luajti një rol kyç në këtë kryengritje sepse e mobilizoi popullin e zonës së Gurit të Zi. Pas shuarjes së Kryengritjes së Postribës, regjimi komunist ndërmori masa të rrepta, duke përfshirë arrestime, ekzekutime dhe burgosje të pjesëmarrësve. Familjet e tyre u persekutuan me konfiskime pasurish dhe ndalime në arsim e punësim. Kjo periudhë shënoi shtypjen e çdo kundërshtimi ndaj regjimit.
Maria ishte një grua që kurrë nuk u përkul përballë padrejtësive. Por as dhuna, as kërcënimet nuk e thyen shpirtin e saj. Së bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Dedën, ajo iu bashkua rezistencës kundër regjimit, duke u bërë simbol i qëndresës së pamposhtur. Ata gjetën strehë mbi fshatin Rragam, në vendin e quejtun “Hija e Madhe” në Meshkallë. Për tre muaj në lagështi e në të ftoftë, të ndjekun çdokund prej Sigurimit, u mbështetën nga fshatarët trima të asaj zone.
Rezistenca heroike dhe vrasja e Marie Zojzi Dedës bashkë me burrin dhe përcjellësin e tyre
Rreth vrasjes kanë qarkulluar disa versione por versioni më i detajuar është ai i studiueses Fatbardha Saraçi Mulleti e cila kur e përshkruan qëndresën dhe vrasjen e Marie Zojzi-Dedës do të paraqet këto argumente: ” Burrë e grua gjetën strehë në vendin “Hija e Madhe” në fshatin Mëshkallë. Për tre muaj me rradhë jetuan në lageshtire e në te ftohtë, te ndjekur kudo nga sigurimi i shtetit komunist… U mbështetën dhe u ndihmuan nga fshatarët e zones. Në një ditë dhjetori, me tradhëti zbulohen. Pylli rrethohet. Ishte ora katër e mëngjezit. Terr. Ndriçonte pak sa drita e hënës. Rrethohen, ndihen krismat e pushkëve dhe Maria mbetet e shoshueme nga plumbat e sigurimsave. Burri i saj Pjetri plagoset rëndë dhe vdes, mbetet varrhumbur, ndërsa kufoma e Maries nuk iu dorëzue familjes dhe s’u lejua te varrosej në varrezat e fshatit. Shtëpia e saj e perjetshme u be pylli, ai e struku persëri… “
Edhe sigurimi komunist per vrasjen e heroines Marie Zojzi Deda e pranon faktin se ajo është vrarë në përpjekje me forcat komunste. Në këtë raport Major Mihallaq Ziçishti në shkresën dërguar Komandës së Sigurimit,në Tiranë njoftoi: “Në ora 5 të natës së sotme forcat e këtij qarku rrethuan dhe kapën kriminelët e arratisur Pjetër Deda dhe Gaspër Zefi, të dy nga Shkodra, në kodrat e katundit Rragam. Gjatë perpjekjes, ka deklasua për arsye politike. mbetur e vrarë Maria, e shoqja e Pjetër Dedës.” F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB, Fondi DMP, v. 1946 D. 62. Edhe studiesi Fritz Radovani një intelektual shkodran verzionin e vrasjes e spjegon përafërsisht njejtë. Në shkrimin e tij: ” Po kur të marohen burrat” e sqaron në këtë mënyrë vrasjen: “Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme… doli nga çadra e vendosun prej Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marie, se nuk të vrasim!”… Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena….!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve… Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen përdhe… “
Nata e Shën Kollit dhe kulti i rezistencës në trojet shqiptare
Shën Kolli është një festë tradicionale katolike shqiptare e cila festohet në shumë familje shqiptare. Rreth kësaj feste kanë ndodhur shumë ngjarje por edhe rezistenca kundër pushtuesve osmanë siç është rasti i Ndoc Mark Gegës ku kënga popullore shqiptare tregon qartë se atdhetari Ndoc Mark Gega nuk ishte lanë i qetë që të festoj natën e Shën Kollit por ishte rrethuar nga policët e Qaushit ku në këngë nder të tjera thuhet : ” Dul Ndoc Marku në derë të oborrit/ndihmo Zot Qiri i Shën Kollit,/ natë e madhe ka qëllu/ prej Qaushave gjallë me pshtu./ ” Historia tregon se Ndoc Mark Gega ishte i detyruar që në natën e Shën Kollit të bëj luftë heroike dhe ta vret Qaushin me ushtrinë e tij që e kishte rrethuar duke u ndihmuar edhe nga baba i tij. Për fyerjet dhe sharjet që bëheshin në këtë natë të Shën Kollit na tregon edhe rasti i vrasjës se Brahim Ages së Anadollit që po e shante natën e Shën Kollit.Në këtë rastë trimit Qerim Delisë si mbetët gja tjetër përveç që fillimisht të siguroj ushqimet e familjes për festën e Shën Kollit dhe me pas ti jep plumbin ballit Brahim Agës së Anadollit por që kishte një brengë se i kishte mbetë Pasha marak që nukë i kishte dhënë edhe atij plumin ballit.Të njejtin veprim sikurse pushtuesit turq e kishin kryrer edhe pushtuesit komunistë. Në këtë rast Zoji Themeli, Togër Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi , Zenel Cani e Major Mihallaq Ziçishti qe kishin organizue rrethimin dhe të pafetë e tjerë komunistë që i kishin ra mohit e atdheut e rrethojnë dhe në pabesi i vrasin tre atdhetarët shqiptarë pikërisht në natën e Shën Kollit. E Pina nëna e Marie Zojzit,kur ndëgjoj për këtë lajm tragjik ajo nanë e shkretë, në atë moment të vështirë në familjen e saj, gjeti forcë me iu thënë katër fëmijeve, të shtangur nga lajmi: “Të lutemi, vetëm të lutemi, mos qani, Marien e ka thirrë Shën – Kolli, në bahçen e vet.” Tamam si në epopetë e maleve tona. Varri i Maries i braktisur prej komunistëve, por shumë i afërt për fshatarët hallemëdhenj, u hijëshua nga një rrasë shtufi, ku një bari skaliti fjalët: ” Vdiq besnike Marie Shtjefën Zojzi. “ Nuk ishte shënim i zakonshëm – Ishte thirrje për kujtesë:
“Një gjysëm shekulli gati shkoi,
Por atë varr kush se harroi
Kush kalonte aty pari
Vuni lule e degë lari.” do të shkruan në studimin e saj studiueusja Fatbardha Saraçi Mulleti në përshkrimin “ Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”.
Pra,më 6 dhjetor të vitit 1946, pas disa muajsh përndjekje dhe sakrifice, ajo dha jetën në një përpjekje tragjike, por nuk e dorëzoi kurrë shpirtin e saj të lirë. Historia e saj dhe e shumë grave të tjera shqiptare mbetet dëshmi e forcës dhe guximit të pashoq – një frymëzim për brezat që vijnë.
E poeti do t´u kushtoi vargje këtij heroizmi të burrit dhe gruas që nuk u dorzuan por se bashku qëndruan deri në vdekje:
” Së bashku në luftë ata ranë;
Me pushkë drejtue barbarit.
Ma e ambël asht vdekja”, thanë,
Se gjallë dorëzue tradhtarit.”
Këto vargje popullore, që u krijuan pas 6 dhjetorit 1946, pasqyrojnë sakrificën sublime të Marie dhe Pjetër Dedës. Ata e dinin se liria është e shtrenjtë dhe e papërkulshme, prandaj e dhanë jetën për të, duke mbetur të pavdekshëm në zemrat e atdhetarëve. Kjo kujtesë e nderon sakrificën e tyre dhe do t’i mbajë gjithmonë të gjallë, si simbole të luftës për liri dhe dinjitet.
Rikthimi i heroinës
Shpeshherë në histori heronjtë dhe heroinat e vërteta nuk shkojnë varr humbur ato ngjallën nga dheu dhe bëhen frymëzim për brezat e rinj. Marie Zojzi Deda u bë frymëzim për besnikëri ndaj tokës së atdheut ,u bë frymzim për besnikërinë ndaj burrit dhe u bë frymëzim për luftën kundër te keqës. Varri i saj u ruajtë për 45 vjet në fshatin Meshkallë. Besnikët e varrit të Marie Zojzi Dedës dhe të gjithë fshatrave të Sheldisë , Rragamit, Gurit te Zi, Jubanit etj., ju bashkuan karvanit të qytetarve shqiptarë që me dinjitetin e një heroine po rikthehët për tu varrosur në varresat e Rrmajit. Në këto varresa ku pushojnë eshtrat e shumë atdhetarve,intelektualve dhe shumë ikonave te shqiptarizmës. Heroinat nuk vdesin ato përjetësohen.Vepra e tyre është një kandil që ndriçon rrugët e lirisë dhe tregon qartë se trupi mund të vritet nga plumbat shpirti shkon në qiell mirpo ideali për liri pavarsi shtet e dinjitet kombëtarë do të mbetët i shënuar në historinë tonë shqiptare.
Literatura
- Zenepe Dibra,”Bijat e Rozafës gra të shquara të hapësirës shkodrane”, Camaj- Pipa,Shkodër, 2004 , fq. 88-89;
- Fatbardha Saraçi -Mulleti,”Dhimbje 2″,shtëpia botuese ” Ilar “Tiranë, 2008,fq.215-217;
- Fatbardha Saraçi Mulleti, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit,Tiranë,2017,fq.12-13;
- Hamdi Bushati,”Shkodra dhe motet “Vëllimi i II-të ,Shkodër 1999”, shtëpia botuese “Indrumrno”; fq.153,268;
- Ahmet Bushati, “Në gjurmet e nji ditari:Shkodra në tri vitet e saj të parë nen komunizëm në sigurim ndër burgje dhe kampe “, Camaj- Pipa, Shkodër, 2001 ,fq.131-134;
- Fritz Radovani-Zemra Shqiptare.net
- F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB Fondi DMP, v. 1946 D. 62.;