08/10/2024

Nga Edison Ypi

Manjola kalonte rrugës dhe nuk kuptohej nëse vinte apo ikte, ecte apo vraponte, vallzonte apo fluturonte.

Manjola nuk ishte shtatlartë, me sy të jeshilta, me gjoks të kërcyer, këmbë të drejta, fytyrë vezake, tipare të rregullta, dhe të tjera si këto. Manjola ishte mpleksje qiellore e një pafundësie hiresh femërore. Manjola ishte e bukur e tëra. Manjola ishte vetë bukuria.

Shkollari, studenti, nëpunësi, inginieri, profesori, doktori, oficeri, ushtari, polici, pensionisti, komunisti, disidenti, spiuni, pijaneci, kur kalonte Manjola u ndalte fryma, u ngadalësohej zemra, mpiheshin, ngrinin, gurtësoheshin.

Manjola ishte një Circe që kush i dilte para e nguroste në çast.

Para Manjolës nuk e dalloje dot komunistin nga disidenti, ishullarin nga spiuni, injorantin nga akademiku.

Manjolën e lakmonin të gjithë. Por askush nuk e kishte të qartë çfarë priste nga Manjola, pse i duhej Manjola.

Manjola nuk i duhej askujt për ta bërë, ta zemë, shoqe. Manjola s’kishte asgjë prej shoqe klase, shoqe konvikti, shoqe pune, shoqe aksioni, shoqe ideali, aq më pak shoqe armësh, e kurrën e kurrës shoqe partie.

Ta bëje Manjolën mikeshë, as kjo s’mund të pretendohej. Atëhere s’kishte miq e mikesha, kishte vetëm shokë e shoqe.

Të synoje ta merrje për grua, Manjola eterike nuk mund të përfytyrohej duke larë kova dhe legena, trazuar groshë, tëhollur petë, shtruar byrek.

Për ta pasur të dashur po. Por me një kusht: Si meritonte Manjola ! Si nëpër libra, si nëpër filma. Këtu sharra ngecte. Ku ta sajdisje, t’i flisje, ta puthje, ta përkëdhelje Manjolën eterike ? Lokale s’kishte. Kinematë ishin plot me zhulsa. Rrugët plot me ulçerozë që mburreshin se ishin “klasë në fuqi”, spiuna që të ndiqnin këmba këmbës, ushtarë që të ngjiteshin e s’të shqiteshin. Pra Manjolën e fundbotshme s’mund ta kishe as të dashur.

Megjithatë nuk epeshin. Secili betohej se një ditë Manjolën do ta kishte, një ditë Manjolën do ta gëzonte, një ditë Manjolën do ta puthte. Sado të larta të ishin pengesat, sado e vështirë të ishte rruga, sado i gjatë të ishte kalvari. Në mos, do ta rrëmbente. Do ikte përtej diellit për ta gjetur një skutë në fund të botës, një lokal, një kafene, një shetitore, një park të gjelbër, një stol për tu ulur, një rast për ta përkëdhelur, një moment për ta puthur Manjolën mjegullore.

Një ishullar thoshte; Do arratisem. Do më vrasin mbi telin me gjëmba. Do ma flakin kufomën e mbytur në gjak “jashtë shtetit” matanë telave me gjëmba në një hendek. Do ngrihem natën nga hendeku me baltë varri nëpër trup. Do pastrohem në një krua. Do kthehem “brenda shtetit” ta rrëmbej Manjolën si vëllai i vdekur motrën e gjallë…

Kot e lodhnin mendjen. Për ta patur Manjolën nuk ishin problem rrethanat materiale, ishte problem koha.

Ta bëje Manjolën tënden “tani” ishte e pamundur. Manjola e fundbotshme nuk mund të mos kishte një të dashur.

Manjolën nuk mund ta kishe as “pak më vonë” kur Manjolës s’dihej si mund t’i vente filli.

As “shumë më vonë” kur ta gjeje me ment çfarë do ndodhte më pas imagjinata nuk mjafton.

Kohët për ta pasur Manjolën, mbeteshin dy; Para se të lindëte, ose pasi të vdiste. Pra Manjolën nuk mund ta kishe, Manjolën nuk mund ta dashuroje, Manjolën vetëm mund ta ëndërroje.

Adhuruesit e Manjolës, pasi këtë Fat të zi e pranonin, pasi këtij destini të kobshëm i nënështroheshin, arratiseshin nëpër qiejt e ëmbël të vetmjaftueshmërisë që Perëndia ja fal çdo mashkulli që një femër e dëshiron por nuk mund ta ketë.

Kishte dhe të paduruar që fill pasi shihnin Manjolën fluide u vërsuleshin nënave të kalamajve të cilave pasi ua mbulonin fytyrën me Zërin e Popullit i mbarsnin mes gulçeve duke lexuar habere mbi fitoret, tejkalimin e planeve, urratë e turmave.

Të tjerë, në mungesë të gruas, iknin për të rënë përmbys ku të mundnin, mbi zuska, kurva, jevga, lavire, putana.

Një i marrosur pas Manjolës, pasi u rropat disa muaj mbi regjistrat anagrafikë, doli në përfundimin mahnitës se një numuri të konsiderueshëm datëlindjesh po t’i zbrisje nëntë muaj koincidonte me datat e daljeve të Manjolës shetitje. Çka do të thoshte se bijtë dhe bijat në fjalë ishin ngjizur me pasionin e babait për Manjolën, ndërsa nënat e tyre kishin qënë thjesht kontenitore të spermës dhe fetusit.

Hulumtuesi, duke i lënë me gojë hapur, ja kishte treguar këtë fakt disa miqve duke cilësuar me emra dhe mbiemra etër të lumtur që bijtë nuk i kishin me gratë por me Manjolën, si dhe bij dhe bija të ngazëllyera nga fakti lumturues se nuk ishin bastardë të ngjizur me shurrë mëngjezi por bij pasioni të babait me Manjolën drithëruese. Nënat ndjeheshin gjithashtu të lumtura që nuk ishin mbarsur nën duhma fërneti të skaduar rrëkëllyer te barraka e lagjes, por nën gulçe me përfytyrim Manjole.

Më llaftarisëse se udhëtimet me të vdekur të gjallë, më makabër se Zëri i Popullit mbi fytyrën e gruas gjatë mbarsjes, ishte diçka tjetër që bënte djemtë të vajtonin fshehtas dhe burrat të ftoheshin me gratë; Pamundësia absolute për ta shkurtuar distancën me Manjolën. Manjolën, sa më tepër ta lakmoje aq më qartë shihje se një tjetër bënte të njëjtën gjë. Që do të thoshte se kishe zbuluar hasmin. Të cilin edhe mund ta vrisje. Por nuk ishte 1. Në gjysmën e Tiranës nga bulevardi në Kino Studio ku Manjola ishte më e magjishmja, hasmët ishin mijëra. Nuk i vrisje dot të gjithë. Çfarë të mbetej të bëje ishte të qaje, të ulurije, të çirrje fytyrën me thonj, ose të vazhdoje të ëndërroje brenda ndonjë bunkeri.

Ku ndodhet tani Manjola ?

Ca thonë përtej shtatë deteve me dallgë. Ca tetë male kaptuar. Të tjerë, nëntë qiej një mbi një. Ka dhe që thonë se është e kotë ta kërkosh. Ishte një mjegull që duket kur ikën dhe zhduket kur vjen, një flu’ e pakapshme, një rënkim i ëmbël, një dhimbje e pafundme, një ankth i bukur që ke qef ta vuash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok