22/12/2024

“MALLKIMI” I FUQISË SË MUJIT

0
Ndue-Dedaj

(Varacion satiriko-politik)

NGA NDUE DEDAJ

1

Rrojmë në një vend ku të gjithë bëjnë të fortin, cubin, horrin, në rrugë, në qeveri, në familje, në skenë, në prapaskenë. Ministri i Brendshëm tha para pak ditësh se gjatë katër muajve të parë të vitit janë raportuar në Polici 629 raste dhune, që shpesh përfundojnë në vrasje, si ajo e dy të moshuarve në Dropull. Nga bullizimi mes adoleshentësh te tritoli, që së fundi iu vu banesës së një gjyqtari në Shkodër. Çfarë mund të presësh më shumë. E kemi “mallkim” forcën që nga Muji i kreshnikëve, që ishte “çoban lopësh” dhe i tillë ka mbetur dhe sot që nuk është më kreshnik e nuk ka zana që t’i japin “tamël gjiu”.

Rapsodia e famshme thotë:

“A don forcë, Mujo, me qindrue?

A don luftë, Mujo, me luftue?

A don gja, Mujo, a don mall?

A don dije, Mujo, a don gjuhë?”

Edhe pse zanat e pyesin “a don dije… a don gjuhë”, Muji lyp veç forcë me rrah shokët, me ua kalue atyre, me i mund e me i koritë:

“Shpesh po m’ngucin çobanija,

Shum inad çobajt si më kanë,

Paj me forcë me jau kalue un due”.

Ja kështu përgjigjet Muji ynë legjendar, nuk don forcë me qëndrue e as me luftue, nuk don gja e as don mall, nuk don me qenë i ditur, as njeri i gjuhës e i fjalës, i duhet veç forcë me “ua kalue” çobanëve të tjerë… Edhe në kohë moderne është po ai, idhnak, inatçor, i “papërkulur” në të veten. Ai e s’ka tjetër. Tridhjetë vjet në llogore e istikam pa iu dridhur qërpiku. Kanë ikur “kreshnikët” e “krajlive” të tjera, në Europë e Amerikë, pasi kanë qeverisur një a dy mandate vendet e tyre, dhe sot rrojnë në paqe me veten, me kohën, me historinë, pa u tunduar për të qendruar gjithë jetën maje kalit…

2

Kemi një kryeministër që kërkon mandatin e katërt, pa dhënë llogari për tre mandadet radhazi, dhe pse ministrat e tre qeverive të tij gjysma janë në burg e në SPAK. Dhe pse drejtorët e bashkisë më të madhe të vendit, thënë ndryshe të “qeverisë” së kryeqytetit janë pas hekurave dhe në shkallët e saj protesohet nga opozita, madje me “molotov”. Kemi një lider legjendar të PD-së që thotë përnatë “psallme” demokracie nga baxha e naltë e banesës së tij, pa u ndierë kurrë i kryer në atë që ai e quan mision të tijin për demokracinë. Kemi një ish-president republike që kërcënon përditë publikisht kreun e SPAK-ut dhe ndëshkon pa dhimbtë armiqtë (familjarë) në Partinë e tij të Lirisë. Kemi një kryetar tjetër PD-je, që vërtetë ka vulën e partisë, por për shumëkënd ai ka “çelësat e kashtës”. Grushti është simboli ynë i djeshëm në totalitarizëm dhe sot në demokraci. Edhe nëse në kohën e sotme nuk është më nëpër logo, shihet në dhjetëra qëndrime e fjalime të liderëve politikë, është grusht dhe kur nuk duket, është gisht që iu tundet të tjerëve, sepse kjo është psikologjia e mbartur nga udhëheqësia shqiptare, që në jemi të epërmit. Të gjithë këta bëjnë si të fortë, a thua se pa ta në fron ky vend nuk bën. Keni dëgjuar ndokund për ndonjë dorëheqje? Jo, të fortit e politikës tek ne nuk e njohin këtë fjalë. Ata sikur kanë lindur për të vdekur në politikë!

Kaos politik gjithandej, dhe pse vetëm pas një viti kemi zgjedhjet e përgjithshme. Pas 11 vitesh në pushtet të socialistëve, lajmi do të ishte fuqizimi i opozitës dhe përgatitja për rotacionin politik. Po e thotë këtë një qytetar, që do ta thoshte në do rast tjetër të ngjashëm. Por nëse këtu ujërat rrjedhin në të njëjtat gjërize si tash tridhjetë vjet dhe me të njëjtët partiakë, ndonjë lajm i mirë vjen nga jashtë vendit, ku disa të rinj shqiptarë bëjnë manifestime në kryeqytetet europiane e deri në Kuvendin e Shqipërisë, duke kërkuar që t’iu njihet e drejta e votës emigrantëve. Këta i drejtohen forcës së ligjit! Tjetër gjë për t’u shënuar është ai dokumentari i RAI 3 për Shqipërinë, që thotë ca gjëra të dhimbshme që na e mërzisin qeverinë dhe kreun e saj, por që në thelb na duhet ta mirëkuptojmë, njëlloj si ato reklamat e mediave të huaja pozitive për turizmin shqiptar në ngjitje. Ja që e vërteta i ka të dy anët e medaljes në këtë rast, në vend të të kishte vetëm njërën, atë që na bën nder.

Të krijohet bindja se sot qeveriset me gjuhën e forcës, ani se veprimet shpesh bien në kundërshtim me ligjin. Por a njihni ndonjë akt “rebelimi” të ndokujt nga ministrat, nën-ministrat apo zyrtarë të tjerë të lartë, ndaj shefave të tyre më të mëdhenj në këto dhjetë vjet? Asnjë për be! Nëse kjo do të kishte ndodhur, sot do të kishim më pak klientë nga radhët e qeverisë në Prokurori. Ju ka pëlqyer vartësve të përdorën nga eprorët! Jo nga ndonjë dobësi e tyre karshi shefave, porse ata kanë synuar, nëse perifrazojmë Volterin te “Zadigu”, që atë kokrrizën e rërës ta shndërrojnë në diamant. Rrëfenja thotë na ishte njëherë një kokrrizë rërë që ankohej se ishte një grimcë e panjohur në shkretëtirë dhe se pas disa vjetësh ajo u bë diamant dhe tani është stolia më e bukur e kurorës së mbretit të Indisë. Po si ndodhi “metamorfoza” e saj? Na e thotë vetëë ajo:“Fillova të vidhja dy kuaj; u bashkova me ca shokë dhe tani isha në gjendje të plaçkitja karvane të vegjël… pata dhe unë pjesë në të mirat e kësaj bote, bile filluan të më nderonin shumë. U bëra hajdut me vulë”… Si duket Volteri nuk paska ikur me shekullin e tij të 17-të, por ka vazhduar të rrojë e të “përgjojë” këndej nga ne, ku diamante të “hajdutëve me vulë” janë inceneratorët, aferat me pronat në bregdet, dosjet 5D etj. Është kjo një tjetër lloji “force” e njerëzve me pushtet, pra, që me anë të korrupsionit të ngrënë mirëqenien e tyre ekonomike.

E si mund të ishte ndryshe në kohë moderne “mallkimi” i Mujit? E kemi prej tij dhunën. Ajo është kryetema e përhershme e ditës dhe e natës, sepse gjatë njëzet e katër orëve raportohen ngjarje të dhunshme, në rrugë, familje, në zyra. Ne nuk bëjmë dot pa lënduar të tjerët fizikisht e psikologjikisht. Në një tokë të fortish asgjë nuk është normale, e qetë, e sigurtë. Përkundrazi është e frikshme. “Unë të sfidoj” është një shprehje politikanësh, por çuditërisht dhe e ndokujt në media. Çfarë do të thotë unë të sfidoj? Që jam më i zoti se ti? Po ku është dëgjuar kjo ndonjëherë në njerëzit profesionistë? E kush e sfidoi kë, në këtë Shqipërinë tonë. Me zbulimin e ndonjë “Uotërgejti” shqiptar nga gazetaria investigative?…

3

Nëse në asgjë që ka të bëjë me qytetarinë europiane nuk kemi diçka për t’u shënuar, jemi ndërkohë kampionë të lëndimit të tjetrit, të dhunës gjithëfarëformëshe, që shpesh shkon deri në hakmarrje. Thuhet se kështu janë ballkanasit, gjaknxehtë, që grindën për pak e pa shkak. Kjo sikur e zbeh disi atë retorikën e epikën heroike. Kot që qenkemi mburrur me Mujin, që e kemi kthyer në mit, ai paskësh pasur vetëm “kultin” e forcës, ani se në kohë duelesh kalorsiake apo barinjsh në male. Mbase kështu duhet shpjeguar Muji në shkolla, që zanat kanë bërë “gabim” të madh që i kanë dhënë forcë me u ndesh me shokët, se Muji e ka shpërdoruar dhuntinë e tyre gati hyjnore, ai mbasi ka rrah shokët, ka kthyer e ka vënë dorë si harbut bash mbi ato që i kanë dhënë forcë, zanat e malit…, përndryshe, ka dhunuar nënën, gruan, motrën, gjithë graninë e këtij dheu. Është treguar cub e shkuar cubit ai që ishte kreshniku i kreshnikëve, që mund të bënte gjithë ato trimëri e sojni në Lugjet e Verdha e kudo tjetër, si vëllau i tij Gjergj Elez Alia, që e përdori forcën për të shpëtuar nderin e së motrës dhe atdheun nga bajlozi i zi që kishte dalë prej detit.

Nuk duam asesi ta bëjmë “tokësor” Mujin, mbase mundja e shokëve ishte vetëm një çast dobësie e tij, por si t’ia bëjmë me këta “Mujët” e sotëm të shekullit XXI që kanë zbritur nga logu i bjeshkëve veriore e jugore e kanë hyrë në Kuvendin e Shqipërisë si burra trima, që mund të luajnë me duar dhe me gratë deputete… e poete!? Dy të tillë i kemi parë njëherë t’i hiqnin mikrofonin e t’i tresnin dosjet nga tavolina drejtueses së komisionit parlamentar të Edukimit dhe Medias, bash si Muji atëherë që nuk donte dije e gjuhë, por “grusht” me u rrah me shokët…

Eh, “sindroma” e Mujit, me i mund shokët me çdo kusht e me çdo mënyrë, kundërshtarët politikë, ata brenda llojit, apo të profesionit!…

Ndjesë i papërsëritshmi, legjendari Mujo që të “trazova” paksa aty në guvën ku fle prej pesëqind vjetësh, po vetë e kishe lyp forcën atëhere, or mik!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok