22/12/2024

Malësorja  fisnike – viktimë e  pafajshme e bombardimeve të NATO-s

0
Pashke-Juncaj

Me rastin e 25 – vjetorit  të vdekjes  tragjike  të Pashkë Junçaj në Shipshanik, afër Tuzit

Nga Gjekë Gjonaj

28 prilli i vitit 1999 për familjen e Mark  Kolec Junçajt  nga fshati Drume të Hotit ( Malësi e Madhe),  ishte një ditë e trishtë. Atë mesditë bashkëshortja e  tij Pashka  u vra në moshën 61 vjeçare,   në lagjen Shipshanik,  në afërsi të një tuneli të atëhershëm të vjetër  ushtarak për avionë luftarakë, afër  Tuzit,  nga sulmet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së atëhershme të  përbërë nga Mali i Zi dhe Serbia, e cila kishte për qëllim të detyronte presidentin jugosllav,  Sllobodan Millosheviq,   t’i jepte fund represionit ( dhunës) të tij ushtarak ndaj popullsisë civile me  shumicë shqiptare në Kosovë. Me këtë rast u plagos,  afro 50  metra larg  shtëpisë familjare djali i saj , Atoni, të cilin  trauma e shkaktuar nga sulmi  e përndjekë ende.

Rrëfimi i dhimbshëm i  Lucë Junçajt

Lajmi i hidhur se  Pashkë Junçaj    humbi jetën tragjikisht,  në momentin kur  ajo me djalin  e saj përdore , Antonin, u përpoqën të kalonin në panik  gardhin  me tela  me gjemba   në pronën e tyre,  ndërsa avionët e NATO-s atë paradite  të muajit prill  zhurmonin në qiell më shumë se ditëve të mëparshme,  trazoi zemrat e familjarëve, farefisit dhe të gjithë atyre  që e kanë njohur këtë grua malësore, nënë dhe  bashkëshorte  vlerash të larta fisnike dhe bujare.  Dy dekada e gjysmë  më vonë  nga kjo ngjarje tragjike   Lucë Junçaj,  kujton me dhimbje  dhe trishtim të madh   vdekjen e pafajshme,  të papritur  dhe të parakohshme  të nënës së tij të dashur e të shtrenjtë.

“Më 28 prill 1999, babai Marku, nëna  Pashka dhe vëllai  Antoni, që nga mëngjesi kishin bërë punët e zakonshme, si çdo ditë në fermën e tyre modeste. Në kohën e bombardimeve atë mesditë, në shtëpi dhe në objektet përreth ndodheshin  Pashka me djalin e saj, Antonin. Nga fillimi  u vërejt   se atë ditë  bombardimet do të  jenë  më intensive dhe më afër  shtëpive private.  Ndërkohë filluan të  bien objekte ndihmëse ( copëza predhash – granatash ) përreth, të cilat krijuan  tym e pluhur. Në këtë situatë frike e paniku  ata e thirrën njëri-tjetrin, u bënë bashkë dhe filluan të ikin ne drejtim të lagjes. Afro 50 metra larg shtëpisë sonë duhej kaluar  një gardh  me tela me gjemba, i cili ndante pronën tonë nga ato të komshiut. Derisa vëllai Antoni  po mundohej t’i  ndihmojë nënës Pashkë  të kalojë gardhin , ajo goditet në kokë   nga një pajisje metalike dhe mbetet e vdekur  para djalit të saj , Antonit ,  23 vjeç. Fatmirësisht, falë ndihmës së Zotit,  Antoni mbetet i plagosur në këmbë dhe i mbijetoi  këtij rasti tragjik. Këtë fat  dhe këtë ndihmë nga Zoti do ta  dëshironte çdo nënë për fëmijët e  vet.  Edhe  nëna jonë e dashur tashmë e ndjerë  Pashka,   po të ishte pyetur  se cili  do të  duhej të vdes atë ditë , do të  kishte zgjedhur  vetveten.  Edhe sot e kësaj dite mendojmë  se vetëm Zoti e shpëtoi vëllain tim që u plagos atë ditë”, thotë  Luca, i vetëdijshëm se,   siç thonë,  koha shëron gjithçka, por disa nga këto plagë mbeten përgjithmonë.

Kush ishte  Pashkë Junçaj?

Ajo u lind  në vitin 1938, në Kojë ( Malësi) , në familjen Kolçaj. Ishte  e bija e Prekë dhe Mri Kolçaj. Në vitin 1958 ajo u martua me Mark Kolec Juncaj nga Drumja e Hotit, një burrë  bujar e punëtor, i devotshëm për familje dhe i dashur me shok.  Çiftin Mark  dhe Pashkë Junçaj Zoti e kishte bekuar e lumturuar  me 6 fëmijë,  tre djem  dhe tri vajza. Në vitet 70-të  të shekullit të kaluar, ata  blenë një pronë modeste në fshatin  Shipshanik, afër Tuzit, ku edhe u shpërngulen  për një jetë më të lehtë në vitin 1991. Meqë  4 fëmijët e mëdhenj,  Maruka, Gjergji, Lizja dhe Marija kishin krijuar familjet e veta ne Malësi e Diasporë,  çifti bashkëshortor , Mark dhe Pashkë Junçaj,  me dy djemtë e vegjël, Lucën dhe Antonin  filluan një jetë te re ne Shipshanik,  ku punonin në bujqësi dhe blegtori.  Gjithçka , sipas rrëfimit  të Lucë Junçajt, shkoi mirë, deri në vitin 1999, kur  humbi jetën  “ zemra” e kësaj familjeje atdhetare, Pashka,   si pasojë e  bombardimeve të NATO-s  ndaj forcave serbe    në ish  -Jugosllavi. “ Edhe familja jonë ,  si çdo familje shqiptare, mendonte dhe shpresonte se intervenimi i NATO-s,  do të ishte  një shpëtim,  një kthim dhe një shkëndijë e rendit për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.  Mirëpo nga Zoti ishte shkruar që ky intervenim  të ketë  edhe viktima të pafajshme, në mesin e të  cilave  ishte  edhe nëna jonë Pashka, të cilën do ta kujtojmë brez pas brezi”,   tregon me dhimbje të thellë  Junçaj.

Shpërngulja nga Drumja në Shipshanik

Junçaj më pas tregon për shpërnguljen e kësaj familjeje nga Drumja e  Hotit në Shipshanik, afër Tuzit për arsye ekonomike . Prona jonë   ndodhet  rreth 800 metra nga , siç theksuam ,  reparti e atëhershëm  ushtarak serb, një kodër ku tani ndodhet  një bodrum i madh vere, më i madhi në Ballkanin Perëndimor dhe Plantacioni i mrekullueshëm “ 13 Korriku”, 9 kilometra nga kryeqyteti i Malit të Zi-Podgorica. Me fillimet e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë,  më 24 mars 1998,  një pjesë e familjes sonë  vendosi  që mos të largohej nga prona e vet, sepse  tek popullata shqiptare ishte   përhapur lajmi i keq se  forcat ushtarake dhe ato para ushtarake   serbe  do të  shkatërrojnë dhe do të marrin çdo gjë  që kishin përpara. Prandaj Marku me bashkëshorten  Pashkën  dhe djalin Antonin  qëndruan  dhe u përkujdesën  për pronën e tyre  gjithë kohën e bombardimeve   prej  78 ditësh.  Rreziku për banorët civilë  të këtij lokaliteti shtohej nga dita në ditë, sepse   forcat  ushtarake serbe në Shipshanik ,  javëve  të fundit të  sulmeve ajrore të NATO-s.  kishin maskuar mjetet e tyre ushtarake mu  në afërsi të pronave private”, rrëfen Junçaj.

Grua  e ndershme,  fisnike e atdhetare

Me rastin e  (për)kujtimit  të kësaj viktime të pafajshme të bombardimeve të NATO)-s duhet theksuar   se  ajo   njihej në Malësi si  një grua   fisnike e atdhetare  dhe si një    nënë   e përkushtuar  për familjen. Fatin e saj tragjik  nuk mund ta imagjinonte askush. As  ajo vet  nuk kishte kohë të meditonte për fatin  dhe  për vitet e pleqërisë, sepse    nuk e lejonin sfidat dhe vështirësitë e jetës  së saj në fshat për të rritur dhe edukuar 6 fëmijët e saj  në frymën e traditave  shqiptare (malësore).  Imagjinoni pak, sa punë fizike ka pasur Pashkë Junçaj gjatë jetës së saj, duke jetuar shumicën e viteve, si shumë gra të tjera  malësore në fshatrat e  Malësisë së Madhe, pa rrymë elektrike,  me kandila vajguri,  pa rrobalarëse, pa pampersa, me pak rroba, pa dush e pa ujë  në çezme  e shumëçka tjetër e nevojshme për një jetë normale.

Pavarësisht  vështirësive  të kohës, kur  në disa familje fshatare malësore ndarja e produkteve ushqimore bëhej me racion për frymë, Pashka ia  ka dalë të bëjë një punë të respektueshme, si bashkëshorte dhe si nënë, duke ruajtur nderin dhe krenarinë e familjes së saj  dhe duke pritur e përcjellë  mysafirë,  që në malin e Hotit  nuk mungonin kurrë. Të gjitha këto, Pashka  i ka bërë me dinjitet e krenari, me fjalë pak e punë shumë,    si më të mirat malësore.  Malësorët  do ta kujtojnë   përherë këtë malësore  të ndershme me respekt e mall të pashuar. ( Koha Javore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok