22/12/2024

Madhështia e një Presidenti!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Vrapimi i njerëzve për interesa personale pas politikanëve të veshur me petkun e pushtetit, ka bërë që të harrohen vlerat e vërteta dhe të pastra kombëtare. Me përjashtime të vogla, ngritjet në pushtet dhe karrierë politike të politikanëve nuk janë bërë sipas meritave për kontributin për shtetin apo çlirimin e vendit, por sipas lidhjeve nepotike dhe aferave korruptive.

Ngritjet në karrierë politike përmes lidhjeve nepotike

Deri më sot, shërbëtor apo vozitës në qeveri dhe përfaqësitë diplomatike nuk është emëruar askush pa e pasur një lidhje nepotike apo pa e nxeh “Defin” mirë, e të mos flasim për zgjedhjen e ministrave e zv. ministrave, përderisa këshilltarët politik janë kategoria e dytë e familjarëve të zyrtarëve qeveritarë dhe militantëve partiakë që marrin paga nga buxheti i shtetit pa e bërë asnjë punë, për faktin se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të “gjithdijshëm” dhe të pakëshillueshëm.

E njëjta situatë ndodh edhe në përfaqësitë tona diplomatike, ku stafi diplomatik nuk zgjedhet me konkurs shtetëror dhe as më vlerësim të aftësive dhe përvojës diplomatike, as në bazë të kontributit atdhetar të dhënë për vendin, por gjithnjë caktohen njerëz pa kritere profesionale, duke i përzgjedhur njerëzit servil ndaj pushtetarëve për interesa meskine personale apo lidhjeve tjera intime.

Meqë njerëzit e veshur me petkun e pushtetit janë sinonim i shtetit, qytetarët dhe mërgimtarët, pa ua njohur mirë vlerën dhe as të kaluarën e tyre, me të (pa) drejt i respektojnë dhe vrapojnë pas tyre sikur të jenë engjuj”

Madje, mërgimtarët të prirë nga dashuria për vendin i bëjnë më nga qindra dhe mijëra kilometra rrugë vajtje-ardhje për t’u takuar me zyrtarët e lartë shtetërorë, liderët partiakë apo deputetët që vijnë për vizita dhe ekskursione në Diasporë.

Disa herë në aktivitetet e mërgatës jam takuar me ministra, ambasador dhe konsuj, ka ndodhur shpesh kur blici i aparatit apo syri i kamerës së ndonjë fotoreporteri të më ketë fokusuar afër ndonjërit prej tyre, por unë asnjëherë nuk kam vrapuar për të bërë foto me ta, dhe atë për një arsye të thjeshtë, sepse asnjëri prej atyre që i kam takuar në mërgatë nuk ma ka mbushur mendjen që është më i përgatitur dhe as më vlerëmadh për lirinë e vendit sesa unë, andaj pse ta nënçmoj vetën, pse ai është i veshur me petkun e pushtetit apo pse është më i pasur materialisht sesa unë.

Takim kortezie me presidentin

Nga të gjithë politikanët, deputetët, ministrat, liderët partiak kryeminstrat dhe predidentët që kam takuar, vetëm njëri prej tyre më ka lënë përshtypje të mira dhe mbresa të pashlyera në kujtesën time. Ai për mua është më i madhi dhe më i veçanti prej të gjithëve.

Ky është ish presidenti i dytë i Republikës së Kosovës, shkelqësia e tij, Dr. Fatmir Sejdiu.

Ishte muaji Mars i vitit 2016, derisa po shëtisja me vëllaun Ismetin, nipin Leonin dhe mbesën Loenën në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në anën e kundërt po vinte presidenti me një shoqërues. Në momentin që unë e përshendeta nga një distancë prej 5-6 meshtash, ai pa më takuar asnjëherë në jetën e tij, ma ktheu, o përshendetje Florim, u nda nga shoqëruesi i tij dhe erdhi tek ne, na e zgjati dorën dhe u përshendet me ne sipas zakonit, nipin dhe mbesën e vogël i mori në përqafim ngrohtësisht sikur të ishin fëmijë të familjarëve të tij.

Përderisa unë, sikurse çdo bashkatdhetarë tjetër, e njihja dhe e respektoja Dr. Fatmir Sejdiun nga largësia si president të shtetit tim, asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja, se edhe ai më njihte mua nga largësia si analist politik përmes shkrimeve autoriale të botuara në të përdishmet tona!

Pa dashur të lëshohem tutje në përshkrimin e gjatë të bisedës dhe ndjenjave nga takimi i parë dhe krejtësisht të rastësishëm më presidentin e shtetit tim, tek Dr. Fatmir Sejdiu më bëri përshtypje ftesa që na bëri për kafe, sjellja e tij njerëzore dhe dashuria vëllazërore ndaj një qytetari të Republikës, në këtë rast të një mërgimtari, i cili edhe nga largësia mendon dhe punon pa ndalur për vendin e vet.

Para dhe pas takimit me presidentin, kam takuar edhe figura tjera të larta shtetërore, por nga asnjëri prej tyre nuk kam qenë i nderuar dhe respektuar sikurse nga Fatmir Sejdiu.

Madhështinë e presidentit Sejdiu e vërejta tek sjellja njerëzore, modestia dhe respekti për njerëzit e zakonshëm të vendit!

Ndjehem me fat, i nderuar dhe i privilegjuar që e kam takuar këtë njeri, që rrallë sot gjendet në trojet tona etnike. Zoti e bekoftë me shëndet dhe jetëgjatësi presidentin Fatmir Sejdiu, njërin prej politikanëve më të dinjitetshëm dhe më të përgjegjshëm në historinë më të re të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok