LUTJE PËR TË SOJSHMIT E KOMBIT
Puntorie Ziba
(Në gegnishten e fshatrave të Strugës)
LUTJE PËR TË SOJSHMIT E KOMBIT
Në shtat kat flokë meduze deri n’vithe derdhur,
nën hijeshi fijesh floku
kam me ju ruajt
tue ju tundur n’djep druni
tue ju këndue
tue i lut lehonat e mundueme
t’i nxjerrin gjinjtë qumështor
ta bëjnë prehërin
ta ngrohin prehërin
që t’mbështetni kryet
e të rroni
n’hoje tambla
e mos t’u mashtrojë uzdaja;
se lëmekur fjetët
se lëmekur mbetet
të mefshtë n’zgrip të natës
të shkathët n’zgrip të jetës,
ndër mallkime sehirxhinjsh
që thershëm rropaten rreth dritës së kandilit
e thershëm ngulmojnë.
Sojnikët e mi,
ua marrtë ligësinë
njajo zgafellë krimbash
e të prishen menç
tue lshu gjamën
tue pshty qiellin
tue pshty koshere t’huaja
tue grry tokën e huaj me thonj
tue rras turinjtë n’guva të zeza
tue na thanë s’ju duam
sa me na thanë s’ju duam.
Ndër shtat kat flokë meduze
dal nga nana e detit
kam me ju mëkue
e do të mbetem mëndeshë
derisa t’më përgjaken thithkat e gjinjve
derisa t’më këputen thithkat e gjinjve,
e kam me ju dashtë
e kam me ju urue
me pëshpërima t’lehta
e kam me ju mlue
e kam me ju shplue
e kam me ju shpëtue nga mynxyra.
Sojlit e mi,
ju gjerbni ajër n’fusha tuaja
e bani hije në një zgjua
e s’shkapetni mendjet
për tjera dete
për tjera dhera.
N’shtat kat flokë meduze mbetshi naltue
e n’pikë të gjumit
gdhendshi ëndrra lavdesh
në shendime ngjitur,
e mos mbetshi në degë të epura
e mos dergjshi n’vullnete të epura .
Jetoni jetën sojnikët e mi
e qofshi ngjitur me shendin
e mbetshi ngjitur me shendin,
për inat atyne që me gozhdë t’ndryshkun
u grryenin në nishane lëkurore.
Ah, mbetshin zë llahtarisur
dhe vdekshin fytyrë llahtarisur
tue na thanë s’ju deshtëm
tue na thanë s’ju duem.
***
Me gjithë zylyfe do të futem n’synin tand
do ta rrëmbej dritën e mungueme
do ta përqafoj dritën e mungueme
do ta rrok për krahu dashninë e mungueme
do ta rrok për zemre dashninë e mungueme
e do të ngrej mur në sy,
njaty do të ndërtoj shtëpi.
N’vatër syni do të qash për mua
unë do të qaj për ty.
N’hije qerpikësh kur do shkrep dashnia
do ta nisim frytin njaty,
e n’dritë të derdhun,
shtatzanë do t’përmendem
do t’lindi foshnjen nën lotët e tu
do mëkoj foshnjen nën lotët e mi.
Eh, do ta ruajmë njat fëmijë
në ninëzën e synit,
në atë vend hojmë.
Njaty ka ajër
njaty hana e verdhë ndezun rri
dhe fëmija, e mira e synit
do rrit shtat
e, s’do t’merr udhët e shtrembta
se do çel sytë, në synin tand.
Me çelës kam me e mshel at sy hallkë harkuar
njaty do t’rri ndej biri ynë
ai bir sojnie
ai njomja e nanës,
e në të ngrohtin prehën syni
do e rrëmbejë i uruari gjumë.
Fragment
***
Një jetë t’lume herr fijëza drite
e, i pastroj nga egjra
e, i hedh n’lomë gruri
e, i shi me kal race pullali
me thundër race.
Eh, pastaj
prej kah mesdita
deri n’dritë t’sabahit
i bëj tufëza, tufëza
si palëza mëndafshi
e, i nxjerr nga një birë zemre
për me dal ndritë, ditë e mote
për me shkrepti si vetëtimë
e me na bo ditën, dritë
me na e la syrin n’dritë
me na e mbyt syrin n’dritë
me na ruajt nga t’ligat e dynjas
se mos t’na zbehet ndriçimi
e mos t’hamë kashtë kënetash
e mos t’ham potkonj kovaçhanesh
mos na bëhet jeta lëmë
e t’mos marim lemerinë
e t’dalim nga një birë gjilpone.
NË DALSH NË ATË MEJDAN
Armiku jem,
kur po don me dal
n’atë shesh të gjerë
e me ta pa dhimtën
e me ta pa të zezën e synit
të zezën e namit,
e me, ma pa të bardhën e synit
të bardhën e namit,
me të mbikëqyrur
në skuqesh a zverdhesh
a, e ha turpin
a, e ha ndjenjën,
e me t’i numërue dhëmballët
e me ta ngrënë guallën e kafkës
e me t’i numërue plumbat
e me ta marr hakun
n’bujë të madhe.
Armiku jem,
në dalsh në atë fush mejdani
nuk ke me pa dregëza n’plagë
se mua nuk më thonë Gjergj Elez Alia
as ti s’je Baljozi i dal nga deti,
unë jam Puntoria që ta ngjeth mishtë
që ta pjek mishtë,
unë t’lidhi si bollë me flokët e gjata
t’vë verige me fjalët e thukëta
t’plasi si thi shkurresh
t’i djeg hundët
me germat e mia t’athta,
jam mal zemërak
me një det llafe t’helmoj
në krahnor mëkatet t’i vulos
që t’pështyjnë burrneshat
sapo t’murosin historinë
që s’mehet për ty.