LUTJE GJERGJ KASTRIOTI- SKËNDERBEUT
Gjergj Kola: Dy shenjtër të shqiptarëve, Skënderbeu dhe Nënë Tereza…
– me 2 piktura në ditën e lindjes së Tij
dhe në ditën e Shën Gjergjit –
Nga Visar Zhiti
Në përjetësinë e Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, sot në ditëlindjen e 619 të Tij, ndërkohë dhe Dita e Shën Gjergjit, e ç’mund të them unë, kur janë thënë shumë e lavdishëm e vazhdimisht do të thuhen?
Që Heroi ynë Kombëtar farkëtoi Arbërinë dhe ndërgjegjësimin heroik se jemi bij të saj dhe vërshoi si krojet dhe gjaku dashuria e madhe për dheun amë… Që Gjergji ynë krijoi shtet, u bë kreu i tij dhe mbrojtësi i tij, frymë e rilindjes dhe emblemë e ardhërisë shqiptare…
Por ai u bë Luftëtari i Madh i Europës, “Mbrojtës i paepur i qytetërimit Perëndimor” dhe i krishtërimit… pra duket si vizionar i Europës së Bashkuar, por mbase “dhe Amerika do të ishte ndryshe”, – ka thënë një kongresmen amerikan, por mund të shtojmë kështu se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu është dhe kryemonandanti i parë i esëmidhjes që do të formohej shekuj më pas, NATO-s, – kështu thashë në një takim zyrtar në Romë, kur Shqipëria u pranua në NATO…
Duke qenë dhe Dita e Shën Gjergjit, në datëlindjen e Skënderbeut po sjell një lutje timen, që e kam lexuar mes shqiptarëve në Miçigan, SHBA, në një jubile të madh:
GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL
– Nga Visar Zhiti –
Gjergji ynë, që je në Qiell,
Atë i Kombit tonë
dhe Bir i popullit tonë,
u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullnesa jote
nga Qielli në tokën,
kudo ku ka shqiptarë,
të bashkuar të jemi,
se kështu bëhemi më të fortë,
që të fitojë e mira.
Porositë e tua si bukën e përditëshme
na i jep sot.
Të duam AtDheun dhe njëri-tjetrin
dhe punën dhe virtytet
t’i bëjmë tonat. Na i fal fajet tona
dhe mos lejo faje
të të tjerëve mbi ne.
Me shpatën tënde të godasim urrejtjen,
me mburojën tënde të mbrojmë dashurinë,
kali yt të bëhet Pegasi i muzave
dhe mos na lërë të biem në tundimet
e egoizmit dhe korrupsionit shtetëror
dhe na liro nga i keqi
brenda vetes e përreth nesh,
me ndihmën e Zotit, o Zot!
Kurora paqeje me lule zemre
të vëmë mbi veprat e njeriut
ja, ashtu si sot në statujën tënde
dhe bekime bashkatdhetarëve të tu
kudo e përgjithmonë!
Amen!
***
Me mijëra janë veprat e artit në botë që i kushtohen Skenderbeut, poema, që nga Naimi unë e deri te Longfellow në SHBA, romane, oratori, këngë e valle, opera… Vivaldi… skulptura, në metropolet e botës, emra rrugësh e sheshesh, altoreliefe, piktura pambarim, që nga fëmijët e deri te Rembrandi, etj, etj.
Po unë solla një lutje, prandaj zgjedh dhe pikturat fantastike të një piktori dhe miku, që ka emrin e Gjergjit, është Gjergj Kola, nuk mund të zgjidhja tjetër sot, shën piktori që me guximin artistik bën bashkë Shën Gjergjin tonë me Shenjten tonë Nënë Tereza. E tillë mund të ishte dhe titulli i pikturës, diçitura, ndërkaq arti bashkon kohë ashtu si tokën me qiellin dhe na bën bashkëkohës me të përjetshmen dhe duket se kjo duhej të ishte dhe porosia qiellore për veten, që do të duhej të kujtonim shpesh e më shpesh ne, shqiptarët…
Gjergj Kola: Qielli i mrekullive tona, kaq fantastik!…