26/12/2024

LURA, VATRA E VLLAZNIMIT

0
u6_Lura

NGA MEVLUD BUCI

Kur më ftuan lurianët me 25 gusht të këtij viti,  ndjeva një emocion të veçantë,  se do të udhëtoja drejt kësaj treve magjepsëse  për herë të pestë pas më shumë se dyzet viteve.Lura,  përveç bukurive natyrore që ende mbahen pas stuhive të shkatërrimit prej motosharrave zhurmuese, është mbi të gjitha vend i njerëzve të mirë, bujarë, të mençur dhe të zgjuar e krenarë.Këtë radhë,  nuk shkova më këmbë si atëhere para katër dekadave:Katër Grykët, Muhur, Zall-Dardhë Lanë –Lurë e Lurë, por te Rruga e Kombit u nisa drejt Rrëshenit.E për të arritur deri këtu, përmes një agimi që lindte prej majë malesh kisha ardhur me një mikrobuz të Lurës.Sapo kaluam Perlatin,  te vendi i quajtur Livadh i Turkut filloi rruga e “ferrit”, gropa- gropa,  për gati 70 km, dëshmi e indiferencës makabre të të gjitha qeverive të cilat sa herë kanë gënjyer për rregullimin e kësaj rruge aq të rëndësishme.Ish-deputetë të listuar e të votëbesuar, politikanë papagalllë që i shqyejnë paratë me dhëmbë e dhëmballë,  sa herë kanë gënjyer.

Pasi kalojnmë Perlatin e Epërm ndodhemi në të djathtë të Selitës, së bashku me Ndrec Dedë Rajtën, shofer, nga Krej Lura dhe Enver Dedën nga Gur Lura dhe e shohim të arsyeshme të pushojmë pak në Kurbnesh.Duke parë me përmallim nga  Zajsi e Valmari,  shoferi më thotë me shaka:-Përse çuditesh  or mik, këtej i thonë tokë e shenjtë, toka e këngëve ;ndërkohë më erdhi ndërmend Gjok Beci, bir i Zajsit, korife i teksteve të bukura të këngëve popullore.Ai,  si Naim Plaku i Dibrës dhe Lefter Çipa i Labërisë , bëri epokë me tekstet e tij aq të qëlluara.Në shembëlltyrën e tij më kujtohen edhe krijues të tjerë si Ilmi Kolgjeca e Arif Buci,  Ali e Sherif Peka .Shkëputem një çast nga ky shirit i shkurtër i kujtesës dhe më duhet të shoh Enver Dedën i cili vjen çdo vit për festë në Lurë,  edhe pse është 58 vjeç dhe ka 42 vite që jeton në Kodër Balldre të Lezhës.Ai se ç`do të më thotë, sikur unë i kërkoj  një kujtim,  një mendim, dhe sikur ta ketë kuptuar këtë shprehet:”E kam amanet nga babai të mos i harroj kullat.Prandaj edhe e rregullova shtëpinë në Gur Lurë.Një përrua  që harron burimin, thonë çidhnakët, shteron”.

Enver Deda është i 12-ti vëlla  e me dy motra.Të 14 fëmijtë e Bajram Dedës çanë  me djersë udhët e jetës, ngritën vila e pemëtore në Balldre, por kurrë nuk harruan kullën malësore.Në bisedë flasim për Gafur Dedën, intelektualin Abaz Deda, për heroin e punës Sali Deda që ra në kryetë detyrës më 1985 i përfshirë nga orteku i borës…Jeta ka gjurmët dhe rrjedhat e veta…

+++

Jemi në Mërkurth.Në të djathtë të rrugës automobilistike , rrugë e rrënuar, ndodhen kullat e shembura të Lleshajve, ja, ajo e rregulluara është e Luan Lleshit, ndërsa ajo e shembura e Sandër Lleshit , e gjeneralit ministër…

Pas qafës së Mërkurthit  na u shfaq pllaja e bukur mes malesh, Kodra e Halleve, Kodra e Kaçorrit, Krej Lura me kullat e malit.Bakullemes, Kësula e Lurës  më  pas,  lura e Vjetër.Dielli po perëndonte në Fushë Lurë, vend me bukuri të rrallë.Në të djathtë vjen Nezhda e Lurës, Kurora me liqenet e kaltër, përballë,  Runja e Lurës e në të majtë Lanë Lura.Të parin takuam Faik Bucin, këngëtar i Lurës.Ai na drejtoi te lokali i tij, aty ku ishin artistw  qw   kishin kurdisur tingujt e çiftelisë  me gjëmimin e lodrave kushtrim.

Zef Doçi me shokë, Mendi Buci prisnin njerëzit sipas Karareve të Lurës.Me ne ishte edhe krijuesi mirditor Fran Laskaj.Nezir Çupi, biri i Çup Alisë citon me dashamirësi Demir Lushën e Çidhnës përpara vezirit të Shkodrës:I nderuar Fran, të mendoja një burrë të madh dhe jo kaq të shkurtër, prandaj po  u përmend  Lushën e  Çidhnës që rrëzoi Vezirin e Shkodrës…

Por Fran Laska ka shkruar mjaft tekste për grupin artistik”Lura”, këngë për Ilmi Kolgjegjën(Thimi Mitkon e Dibrës) dhe  për këngëtarin Arif Buci të cilët nuk jetojnë më.Ai ka krijuar këngën”Tri mijië vjet jam Oroshian”, lirika, këngë epike, është pedagog  dhe redaktor në një shtëpi botuese në Lezhë.Janë mjaft këngëtarë si Mendi e Trëndëlina Buci, Ludovik Rajta e Hamit Batalli, Ibrahim Haldedja e Zaim e Arif Tollja, Skënder Mena e plot të tjerë që i japin tonin artistik grupit “Lura”.

+++

Pyeta për kullën e të paharruarit Halil Peka, i cili, para 40 viteve,  ishte 104 vjeç  dhe më ndihmoi për një studim timin lidhur me qëndresën e Lurianëve e Katër Grykëve kudër  Malit të Zi  në betejën e Kakarriqit në në nëntor 1912.Dy djem,  Hazis e Indrit Peka  ishin kushërinjtë e tij;më prinë përpara…Te kulla e tyre,  gjetëm kushëririn Xheladinin, 75 vjeç, ardhur nga Tirana që  uronte kushërinjtë për festën e Shënmërisë.Aty u bisedua edhe për tri të papriturat e Lurës,  për të cilat shkruan poeti e studiuesi Gëzim Dule Loka në librin “Lura perla e Europës”, fq 135.E papritura e parë:Toka takohet me qiellin, e dyta, mikpritja, e treta dendësia e ngjarjeve.

+++

Pasi bëmë foto para bustit të heroit Gjok Doçi  dhe i Nikollë Kaçorrit, në podium u ngritën këngëtarë e valltarë.Janë 45 artistë.Përmes flladit të Kurorës jehonë vargjet dhe meloditë përcjellë nga artistët Ludovik Rajta, Mendi Buci, Trëndëlina Buci, Hamit Batalli, nip i Gjok Becit, Ibrahim Haldeda, Zaim e Arif Tollja, Skënder Mena, Sherif Dervishi e të tjerë, si dhe vallet e bukura e burrërore të koreografit Bujar Goranxa, vallja e “treqind nuseve me duvak” që korrin një stuhi duartrokitjesh…

+++

Pas programit artistik bëjmë foto me artistët, me Katriot Rajtën e Ri, nipin e Kastritot Rajtës që ra për humanizëm më 1985.Pastaj nisemi te kullat e gurta të fisit Rajta  , aty ku shkëlqen uniteti i fisit dhe drita e bujarisë.Në sofrën e madhe me dhjetra kushërinj,  është Viktor Rajta, ish-ushtaraku  e komandanti i kufirit detar e komandant në Kurbin, tani me banim në Florida të SHBA, kushërinjtë Iliri, Genti e kryemiku i kullës,  Fran Gjoni(Margjini) i Mirditës.Nga Florida telefonon vëllai i madh i Viktorit, Pjetër Rajta.Artisti dhe organizatori Ludovik Rajta e ka mbushur oborrin e kullës trekatëshe me kushërinj e miq.

Të fundit nga Krej Lura u përfalëm  me Sokol Rajtën e ri, birin e të paharruarit Nin Rajta, tregimtar e publicist, ndjesë pastë;me intelektualin  Bardhok Rajta.

Kurora e bjeshkëve, malet e blerta po shkriheshin, bëheshin një me perëndimin e diellit.Gjurmët e mbresave në Lurë janë të pashlyeshme, ato rrezatojnë përmes zemrës dhe fjalës së njerëzve të mirë, perms artit e  këngëve, janë shenja të forta vëllazërimi.Ndaj nga shpirti burojnë vargjet:

Lum çka le toka lurajne

Lum ç`petrita përkundi djepi,

Dritë lirie dhe tramundane,

Bij të besës,  sokola shkrepi.

Nëpër mote në fole t`barotit,

Për atdhe e dritë të betimit ,

Lurë moj bijë e Kastriotit

,

Lurë moj vatër e vllaznimit…

Gusht 2019, Lurë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok