23/11/2024

Përshkrim

NGA NDUE DEDAJ

Dibrri është një dhé që do të donte një roman për t’u kënduar për letër, çka nuk dihet se kur do të ndodhë, aq më tepër që nuk e pati bërë as Edith Durhami, kur kaloi këtyre anëve, njëqind vjet më parë. Por një vend jo pak e parathotë lumi i tij, e Dibrri ka pasur fatin të ketë një lumë të çuditshëm, ndryshe nga gjithë të tjerët, pasi ai rrjedh në të kundërt, dmth nga perëndimi në lindje. Në vend që ai të bëhej një lumë i nëndheshëm, të shponte Kreshtën e të derdhej në Zadrimë, nuk ia hyri asaj aventure, por krijoi shtratin e vet duke rrjedhur drejt Fanit si një lumë fushor i bindur…

Ka kohë që kam dashur të shkruaj për këtë lumë-përrua një poemë, jo vetëm për arsyen e ekzistencës së tij, por kryekrejet nga shtysa vetjake, pasi në sytë e mi ai ka qenë gjithmonë një lumë e jo një përrua, bile duke mos pasur një lumë në fshatin tim, kam huazuar pikërisht atë, që është kund njëzet minuta larg me shtëpinë tonë, ngulur në një shpat Shëngjergjas, mbasi nuk ka kuptim fëmijëria pa një lumë, ngaqë lumi ka ca mistere që nuk i has askund tjetër, as në dete, vahe për të kaluar njerëzit dhe kuajt e ngarkuar, hurdha për t’u larë, krepa për t’u hedhur e zhytur në ujë, kofna për të zënë peshq, hepe ku mund të fusësh dorën e të nxjerrësh ngjala përdredhake, ura të varura që i përlanë ujët e turbullt çdo dimër etj.

Nuk është se nuk kisha njëfarë tagri mbi këtë lumë, pasi shtëpinë tonë të vjetër te Rrasa e Zezë e ndante vetëm një kurriz kodre nga Përroi i Dibrrit, që unë e njihja dhe si Zalli i Kalorit, ngaqë atë pjesë kisha eksploruar, duke mos i dashur marenat, shkurret parazitare bregut. Mezi prisnim të na çonin te dajat, edhe për faktin se atje na priste lumi për t’u larë e zënë bërcakë nga Limja te Hurdha e Jamllit. Ai ishte lumi i nënës sime, Gjelës së Zef Çup Prenglalës, ku dhe sot e kësaj dite më bëhet se ndjek gjurmët e saj udhës për tek dajat, që e kishin shtëpinë në Zall të Poshtëm. Gjatë katër viteve të Fillores lumi u bë imi, apo nuk ta vriste fytyrën thëllimi dimërak gjithë brymë, teksa nxitonim ta gjenim mësimin pa filluar. Zor se kishte fëmijë në republikë që ta kishte shkollën më larg se ne, nga njëri katund në tjetrin, pjesën më të madhe nëpër zallin e Dibrrit, që i pëlqente të hapej andej e këndej brigjeve, a thua se ishte Buna.

*

Nuk e di pse në terminologjinë ekologjike europiane ka hyrë termi “lumë i egër”, si në rastin e Vjosës, kur i egër nuk është asnjëherë lumi me trillet e veta, por njeriu me sjelljen e tij harbute karshi lumit. Përroi i Dibrrit do të ishte ku e ku më i egër se lumenjtë e mëdhenj, që herë – herë përshkonin edhe qytete, kurse ai kishte zënë fill në një mal të Kashnjetit e ishte këputur poshtë She-Gropës, i gllabëruar nga një lumë tjetër më i bëshëm se ai, Fani i Madh, pra pa e parë detin, çka është ëndërra e çdo lumi. Se kjo puna e lumenjëve është si ajo peshqve, që për të mbijetuar, qëllon që një më i fortë kullufit një më të vogël, që nuk i ngecet në fyt. Që nuk ishte një lumë i egër, por paqësor, e dëshmoj unë që ia pata provuar njëherë egërsinë e tij, kur isha në klasën e parë, kah fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar. Lumi i fryrë nga rreshjet e dendura ishte bërë i pakapërcyeshëm. Ura e vogël prej druri, në skaj të Fushës Paparëdhok, ishte fundosur dhe ne fëmijëve të shkollës po na nxirrte me radhë, duke na marrë në krahë, Gjergji, një burrë nga Zalli i Epërm, me tipare si të gdhendura e mustaqe të prera hijshëm. Unë nuk paskësha pas pritur dhe kisha dashur vetë ta kaloja lumin, por ky nuk kishte pranuar ta sfidonte një picirruk, ndaj më kishte përlarë teposhtë, aspak për shaka, por përnjimend. I kujtoj dhe sot ato pak sekonda disi të përgjumura, përkundjen e trupit mbi dallgë, që ende nuk më kishin përpirë brenda tyre. Kishte qenë vigjilenca e Gjergjit shpirtmadh që më kishte shpëtuar. Ai sa hap e mbyll sytë ishte zhytur me gjithë rroba në rrjedhën e turbulluar për të më nxjerrë mua, që në njërën dorë mbaja këpucët e në tjetrën çantën e librave, që herë tjetër e mbaja krahaqafë, si pushkatarët pushkët e tyre të gjata. Nuk di a e falenderova apo jo shpëtimtarin e jetës sime, por ka gjasë që jo, pasi tashmë mendjen e kisha se si do t’iu thosha në shtëpi se isha mbytur në ujë. Edhe po të mos tregonte motra, me të cilën ishim bashkë në shkollë, do të tregonin fëmijët e lagjes. E, pra, a mund të ishte i egër një lumë që mua më kishte falur?… Çka jo gjithnjë kishte ndodhur! Edhe Përroi i Dibrrit kishte gllabëruar jetë. Një gjimnazist që po lahej në verë në Hurdhën me Trungj. Një zborist me gjithë pajime në shpinë, që po përpiqej të zinte shokët gjatë një duhie. Dajë Marku im kishte marrë aty skulificën, një ftohje të pashërueshme, paçka kurimit dhe në Sanatoriaum, që do ta shuante pa i bërë pesëdhjetë vjeç. Personazhet e lumit ishin thuajse të njëjtët. Rasti e solli që me të fismin Gjergj të punoja në të njëjtën sondë në gjeologji, por as atëherë nuk besoj ta kem falënderuar për gjestin e tij të epërm, pasi as ai e as unë nuk donin ta zinim në gojë atë rast. Ai ka kohë që ka ndërruar jetë dhe prehet në Lakun e Shupmerit, ku shushurima e lumit mbase nuk dëgjohet, por fërshfërimia e luleve po, dhe ditën më të parë do të jem aty për t’i këputur ato e hedhur mbi varrin e tij.

Kurrë nuk e kisha menduar se duke shkuar e ardhur atij zalli si shkollar i vogël do të burrërohesha aq shpejt. S’kishte si të ishte ndryshe, përderisa, kur isha veçse nëntë vjeç, më 1966, unë do të këndohesha në një dasmë me emër e mbiemër, aty në Kalor, as njëqind metra larg lumit. “Kush asht ai që vjen me dash / Ky filani (përmendej emri im) bylykbash!” Unë, pra, i gjithi. Kisha hyrë në këngë. Martohej Nikolla, djali i vetëm i Preng Marka Bibës, që e kishim mik shtëpia dhe në dasmë kishim shkuar unë dhe gjyshja ime Dilë. Unë isha burrë dhe sipas zakonit i kisha prirë asaj. Më kishin vënë në anë të oxhakut, më kishin sjellë përpara kafen dhe pasi e kisha pirë kisha vënë gjithë solemnitet mbi filxhan një pesëqindlekshe të re dhe kisha uruar dhëndrrin, duke i thënë për hajr nusja. Me siguri sytë e gjyshes më vëzhgonin nga jashtë se mos unë do të bëjë ndonjë gabim, por s’kishte sesi, m’i kishin përsëritur sa herë ato që duhej të thosha aty në anë të oxhakut. Eh, jam kënduar dhe ndonjëherë tjetër në dasmë, por nuk është se kjo gjë ngjiti. Në sofra gjithandej s’këndohesha unë, por Nu Nufi i katundit tim. Radio – Tirana transmetonte këngët e rapsodit të njohur të anëve tona Simon Tuci. S’e hasa emrin tim më vonë as në librat e folklorit, ku përmendej Gjergj Elez Alia, Zef Jakini, Halil Gashi, Rexha që e mbyti kali në shkelm ditën e dasmës e plot të tjerë, por jo unë. Ama atë këngën “Kush asht ai që erdh me dash”, ku isha kënduar me emër si sojli, s’e harrova kurrë…

*

Doemos që secili nga ju ka lumin e tij dhe mbase kërshëria për lumin tim, ani se të huazuar në fillim, nuk është aq e madhe, por pritni t’i shkojmë këtij rrëfimi deri në fund. Artani, njëri nga idhtarët e lumit, që e kishte shijuar atë në pjesën e fundme të tij, pak pa shkuar në Cekaj, më thoshte një ditë se Përroi i Dibrrit është për peshqit si Saragaso për ngjalat! Peshqit dyndeshin urdi që nga lumi i Matit, ngjisnin përpjetë Fanin, për rreth pesëdhjetë kilometra, dhe vinin e i lëshonin vezët në këtë këtë përrua të mësheftë, që rrëshqiste ngadalë, krejt i kristaltë, nëpër një grykë të ngushtë. Ujërat e tij ishin të ëmbla si musht rrushi hafuzali dhe mbase peshqit ashtu e donin. Njerëzit e dinin këtë zakon të peshqëve dhe nuk i trazonin gjatë kohës së shumimit në pranverë. I këqyrnin natën me elektrik dore dhe i linin të flinin në paqe, pa i bërë lëmsh në kosh apo në rrjetë. Nuk ua nxirrnin gjumin atyre krijesave të vogla ujore as topat që bënin të oshëtinte gjithë ajo luginë, ku ishte njëri nga poligonet e qitjes më të mëdhënj të vendit e ku vinin e bënin stërvitje divizionet që nga Tirana.

Mirëpo sa gjëra ndryshojnë në botën e kafshëve si pa e kuptuar, pasi njeriu nuk do t’ia dijë për njeriun jo më për peshqit e ngjalat. Për çfarë nuk flitet sot në këtë botë të larme, por askush nuk e thotë një fjalë se ky rit i peshqëve për të shtegtuar nga afër detit e për t’u shumuar në këtë strofull idilik zalli është ndërprerë nga diga e Qafë-Mollës njëqind e ca metra e lartë! Duhet ta kenë vajtuar peshqit atë digë të stërmadhe betoni, por ç’të bënin! Dikur, ndokujt që nuk donin t’ia jepnin një gjë që i takonte, i tregonin bërrylin, duke i thënë me ironi: “Hip këtu e shih Stambollin”. Dhe peshqit atë duhet të kenë parë, që kur nuk mundën më ta kapërcenin digën për t’u shumuar aty ku e kishin oazin e tyre si një copë parajsë. Atëherë, më thoni, kush është i egër, lumi apo prishësi i tij?…

*

Epilog. U rrita me lumin e Udhës së Madhe në sy, që më pas do të më shpiente te të tjerë lumenj, thuajse të gjithë më të mëdhenj se ai, por asnjëri i ngjashëm, pasi ai rridhte në të kundërt me të gjithë… dhe këtu qëndron simbioza…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok