22/12/2024

Lumenjtë e dashurisë mërgimtare

0
u1_Preqi-Lume-dashurie

Nga Baki Ymeri
Poeti është misionar i fisnikërimit të shpirtit dhe zbukurimit të gjuhës. Kjo vlen edhe për poetin dhe publicistin e frymëzuar që jeton dhe krijon në brigjet e mërgatës shqiptare, Zt. Dedë Preqi. Vargjet e tij kanë perfeksionim, risi, ndjesi, pavarësi, muzikalitet, tinguj dhe jetë. Poezia e Dedës lind nga energjia dhe shpirti i vrullshëm që shpërthen në shpirtin e poetit.
Sipas Friedrich Schlegelit, ajo krijon lidhje me shpirtin e të gjithë atyre që e lexojnë dhe adhurojnë. Pa qenë të dashuruar, vargjet nuk mund të kuptohen, ndjehen apo pranohen nga shpirti. Në vargjet e tij zotëron dashuria ndaj vendlindjes: “Nuk do harrohet pallati im, kasolla e vjetër/ Aty ku etja e malli nuk shuhen me asgjë tjetër.” Ç’është kjo dashuri magjike, pyet poeti. Poeti e hymnizon zanën e tij që është muza e frymëzimit: „Askujt s’i përngjaje ngase unë të dashuroj/ Edhe kur rrëshqas pa shkas me hapa mbrapa.” Pse? Sepse: “Vetëm në prushin e dashurisë/ Do ngrohet damari i mallit të saj,/ Fatin e vet e gjenë dikund/ Të fshehur si argjend në një skaj.”
Poezia e mërgimtarëve tanë i hapë lexuesit një dritare të re ndaj botës. Përmes aventurës së saj nëpër oqeanin e fjalëve, përmes forcës së saj të jashtëzakonshme, poezia është një nga portat më të sigurta për dalje nga vetmia. Poeti noton ndërmjet ëndrrës dhe realitetit. Ai din të joshë vëmendjen e lexuesit duke u dhënë vargjeve të veta shpirt, mendim, kuptim dhe ndjeshmëri.
Dhe jo vetëm kaq! Deda e përshkruan për mrekulli ambientin e vendlindjes së tij. Ai din t’i japë lexuesit një copë nga jeta fshatarake: „Frytet e tokës rreshin përrreth sofrës/ Vjeshta e ngarkuar zbrazet në truall,/ Arat e mbjellura me fryte të derdhura/ Vezullon balli fshatarit si drita e fanarit.” Pa një dhuratë të këtillë shpirtërore, bota zakonisht duket e mbyllur. Sipas autorit të kësaj vepre vlerash adekuate lirike dhe meditative, jeta është një copë kohe me copëza shpirti. Koha nuk ndalet, thot poeti: “Ajo nuk na fal/ As nuk pret,/ Ecën si uji nën urë/ Nuk kthehet kurrë.”
Në vargjet e Dedë Preqit nuk mungon imagjinata, origjinaliteti, bota ritmike e hijeshisë, e vërteta dhe vetëdija, vlerat ideatike dhe estetike. “Nga largë vijnë rrezet e tejdukshme/ Si unë dhe zjarri diellin e galërojnë,/ Mjegullat e mendafshta i zë më dorë/ Me krahët e bjeshkës si zog fluturon.” Autori na jep fjalë të gjalla, për besim, shpresë dhe dashuri. Shpresa është fryti i durimit, i thjeshtësisë dhe modestisë.
Te poetët dhe teologët, fjalët ende kanë kuptim dhe jetë. Ata ende besojnë se në fillim ka qenë Fjala. Fjala e gjallë e Zotit të përjetshëm. Kurë kemi nevojë për Poezi? Kur heshtja e shpirtit është më rëndë se sa ajo e objekteve, kur vetëm poezia mund të na përkëdhelë dhe ngushëllojë nga humbja e përkohshme e dashurisë, besimit shpresës, paqartësive dhe dyshimeve. Unë kam lindur poet, thot një ëndërrimtar nga Malësia e Madhe dhe shton: Poezia ma shpëtoi jetën. Poezia kështusoj, na ndihmon për shpëtimin e shpirtit: “Qetësia/ I takon mbrëmjes/…/ Por edhe atëherë/ Kur flejnë fëmijët/ Është qetësia e shpirtit.”
Vargjet e Dedës janë të ngarkuara me ndjeshmëri dhe metafora, me ide dhe porosi, me dritë dhe emocione, me ngrohtësi dhe mirësi. Në vargjet metrike me rima klasike jehojnë tingujt e muzikës hyjnore: “Muzgjet e molisura/ Zgjohen me etje e uri,/ Nënë Tereza shqiponjë/ E prrushit me dashuri.” Dhe më tej: „Edhe tempujt e mykur/ Qëndrojnë pa zë e gojë,/ Në etjen e kësaj flake/ As thneglat s’bëjnë lojë.” Ritmi dhe rima e poezisë krijojnë kuptimin e harmonisë. Ritmi i poezisë gërshetohet me ritmin permanent të jetës. Jeta e poetit shëmbëllen me muajin e mjaltit. Poeti është engjëll vetëm kur i vjen frymëzimi, pastaj kalon në kategorinë e njerëzve të thjeshtë: si unë dhe si ti, si ai dhe si ajo, si ata dhe si ato.
Muza si simbol frymëzimi e viziton autorin e kësaj vepre vetëm atëherë kur shpirti i tij është i pregaditur me meditime dhe përjetime të thella. Vargjet respektive kanë kuptim të dyfishtë. Në njërën anë takohen dy shpirtëra për të krijuar një tërësi. Në anën tjetër takohet natyra me natyrën: “Dy rrjedha takohen në një ujvarë/ Përqafohen nën kurorën e blinit,/ Lotët e lumit në krah të fluturave/ Treten mbi valët e mallëngjimit.”
Poeti shkruan për urat e dashurisë, për albumin e jetës, për krahët e kohës dhe kufinjtë e imagjinuar, për mullirin që e bluan vetëveten në ballafaqim me ujin, për zjarrin e fshehtë „Që shpërthen e nuk shuhet,/ N’heshtje kallet e nuk soset/ Si argjendi n‘flakë farkohet.” Ai shkruan për maskat i ngjajnë perdeve të zeza: „Hija e tyre e kyç derën përbrenda,/ Në teh të shpatës ëndërra po vdes/ E mbulon turpin me kokën në thes.”
Poeti shkruan për flamurin dhe dëshmorët, për çelësat e fatit, për guximin dhe vetëmohimin, për fjalamanin dhe premtimet e shterura, për varfërinë, për dhimbjen që djeg, për fëmijët që ylberin e prekin me dorë, për heshtjen e kallur nën lëkurë, për buzëqeshjet e kohës, për dhimbjen që djeg. Ai është një shqiponjë që vjen dhe ik, ngase shëmbëllen me kohën. Hëna është pasqyra e kohës, ndërsa koha dimensioni i përjetësisë.
Sipas Paul Valery-t, poeti nuk ka funksionin për ta rindjerë gjendjen poetike. Kjo është një çështje private e tij. Ai ka funksionin të krijojë te të tjerët këtë gjendje. Një poet i mirëfilltë njihet sipas faktit të thjeshtë kur e bën edhe lexuesin të frymëzuar. Kritika letrare i vlerëson meritat e fuqive dhe dhuntive që i posedon poeti. Lexuesi është ai që i kërkon dhe gjen në vargje mrekullitë e mrekullive artistike të botës poetike.
Dedë Preqi- poeti i indinjatave
Shpirti i poetit është i pranishëm kudo, dhe ai është një sihariq i bekuar që mund të të frymëzojë! Përmes kësaj vepre të re, kemi dëshminë lirike të disa bredhjeve shpirtërore në botën magjike të ndjenjave dhe mendimeve. Dedë Preqi preferon rrugën e drejtë, nga fjala në ndjenjë, nga shprehja në meditim, përmes një përvoje prej një krijuesi të mirëfilltë. Sipas Luçian Bllagës, «Dhuntia më e madhe të cilën shpirti i aka prurë tokës, është konvertimi i kuptimit të vuajtjes: nga negativja duke e shdërruar në pozitive». Në kuadrin e kësaj vepre, Dedë Preqi vjen para nesh me disa subjekte atraktive, interesante dhe mbresëlënëse: Familja si një Altar i vogël i shenjtërisë, Dëshmi morale dhe shpirtërore, Kosova si Altar i Shenjtë, Shtatë kështjellat shqiptare të Kosovës historike…(Dimitru Velea)
Vargje për freskimin e shpirtit
Cilat janë temat e inspirimit në këtë vepër të re poetike? Shpirti i fshatit, vendlindja, mërgimi, atdheu, kombi dhe heronjtë. Dedë Preqi na dhuron vargje për frskimin e shpirtit dhe të memorjes. Poezia duhet të ketë diç të shenjtë dhe misterioze në vargun e saj. Poezia është një makinë metaforike për qepje fjalësh. Para nesh kemi një poet sensibil dhe sublim, që përmes vargut shpreh ndjenja , die, mendime dhe qenjën e vet. Ku qëndron forca magjike e vargut të tij? Te qëndresa shqiptare dhe dëshmorët e lirisë « që i ngjajnë botës së engjujve me yje».
Vargjet e Dedës kërkojnë shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim. Në vargjet e tij nuk mungon muzika e sferave të dashurisë dhe idealit kombëtar. Arma e poezisë është kujtesa, thekson Josif Brodsk. Bota e fëmijërisë së shpirtit është bota e poezisë, bota e shpirtit të hapur. Përmes këngëve të dashurisë ndizet flaka e vargut të kënduar. Këtë e thekson edhe Lucian Gruia, kur bënë fjalë për Dedë Preqi, dhe lotët e bekuar të universit kosovar. Tek-tuk, apo herë-herë, autori na befason me disa poezi të ngarkuara me një elektricitet lirik ku shpërthejnë shkëndija, sepse një nga shanset e poetit të ditëve tona është ta konsiderojë letërsinë si një fakt paraekzistent, një materje të cilës nuk i mungon metafora dhe indikacionet kirarkike, duke na prurë një informalitet vital dhe frytëdhënës. (Baki Ymeri)
Bibliografi letrare:
«Jeta frymon përsëri» (poezi Gjakovë 2004) « Kur zgjohet dielli» (poezi për fëmijë, Gjakovë 2004) «Jam unë»(poezi për fëmijë Gjakovë 2007) «Jeta është agimi»(poezi, Gjakovë 2007) «Ti ishe një prosi»(poezi Gjakovë 2008) « Fashati im Balldrin» (poezi Gjakovë 2011) «Gjyshi dhe Adonisi» (poezi për fëmijë,Gjakovë 2011) «Etje e ngjyrave» (poezi, Gjakovë 2011) «Bekimi i lotëve» (poezi, Bukuresht, 2012) «Lot atdheu» (publicistikë, Bukuresht, 2013) «Meditime mërgimtare» (publicistikë, Bukuresht, 2013) « Kushtrime nga mërgimi» (publicistikë, Bukuresht, 2013) «Einsamkeitserfahrung» (poezi në gjuhën gjermane, Bukuresht, 2014) «Një lum dashurie shterret për një etje» (poezi, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2018).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok