04/12/2024

LUIGJ GURAKUQI – DORË E DJATHTË E ISMAIL QEMALIT

0
Luigj-Gurakuqi

NË 110-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

“Shqiptari dëshiron të jetojë i lirë dhe i lumtur”

“Pak ndër prijsa e udhëheqës janë ata që mundohen t’a zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që t’i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen t’a drejtojnë në udhë të mbarë. Ka, mjerisht, ma shumë asish që thonë se vullneti i popullit nuk duhet marrë parasyshë, e që ndonëse e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lihet e të drejtohet prej atyne, pse ata vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me e përgatitun për fatbardhësinë e tij.” (Luigj Gurakuqi, Ora e Malevet, Nr. 37-sipas Revistës Shëjzat)

Nga Frank Shkreli

Në vigjilje të 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria osmane le të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit — dorën e djathtë të tij — parlamentarin dhe opozitarin shqiptar, “par excellence”,  njërin prej figurave më të shquara të Kombit shqiptar, i cili për sa jetoi, ”Nuk ka pasur ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, sipas historianit Stefanaq Pollo.  Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “Po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Megjithëse është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të Kombit shqiptar, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues. Profesor Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën ”Shëjzat”, nënvizon për lexuesin, fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit, si njeri dhe si politikan:  ”S’kam pa ndër Shqiptarë… një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aq të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëreshë, e të huaj që interesoheshin për Shqipëni, qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…besonin në përpjekjet e tij, të çdo lloji…”, ëshët shprehur Koliqi.

Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkëpunëtor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, kujtonte se Luigj Gurakuqit, i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas tij, vetia që e dallonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij: “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi njerëzit me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë klerikësh të ndryshëm, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qëndronte”!

Parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë sot, pozitë dhe opozitë, po t’ia donin të mirën Shqipërisë dhe Kombit shqiptar, do bënin mirë të marrin shembull tek Gurakuqi: “Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shenjtë që ia kishte besuar populli”.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tija duke shkruar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, (zëra) të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës kundërshtonte me matuni:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuese jo rrënuese…”, ka shkruar Ernest Koliqi për Guralkuqin parlamentar.

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe.  Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.

Megjithëse vlerësimet e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të Kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, fjalë të cilat sikur jehojnë edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime themelore politike, shoqërore dhe ekonomike në Shqipërinë e asaj kohe, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, se si përfaqësues të shqiptarëve, “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam (si popull) bani ligjet themelore që të mund të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”

“Të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar!”, janë fjalët e Luigj Gurakuqit, që pasqyronin atëherë dhe sot dëshirën e mbarë popullit shqiptar, dëshirën ende të parealizuar plotësisht, që më në fund shqiptari të rrojë në shtëpinë e vet, “I lirë dhe i lumtur”, të mos marrë rrugët e botës në kërkim të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe lumturisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin  2022, fjalët e tija edhe sot tingëllojnë si largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, nëqoftse vërtetë do të bëhet Shqipëria, si fjalë udhëzuese. Ai këshillon që në këtë “Ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një”, ndërsa ka paralajmëruar se, “çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës” dhe botës.  (Luigj Gurakuqi: “Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913).

Ndonëse fjalët dhe këshillat e Luigj Gurakuqit janë folur ose shkruar më shumë se 100-vite më parë, ato për fat të keq, tingëllojnë aq aktuale sot, kur të marrim parasysh aktualitetin politik në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë. Në prag të 110-vjetorit të Shqipërisë, Luigj Gurakuqi bën thirrje për reflektim dhe për pendim. Një thirrje kjo që politika shqiptare, në përgjithësi, do bënte mirë po të reflektonte se ku e ka çuar Kombin, pas 30-vite tranzicioni “post-momunist”, ku shumica dërmuese e shqiptarëve e kërkojnë jetesën – “lirinë dhe lumturinë” në perëndim – duke zbrazur kështu trojet shqiptare, si rrallë herë në historinë tragjike të Kombit shqiptar.

Luigj Gurakqui i bën thirrje sot klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare për reflektim dhe për pendim serioz, për faktin se në çfarë gjëndje politike dhe ekonomike është sot fisi i shqiptarit: Në një artikull që Gurakuqi shkruante nga Parisi në prag të 28 Nëntorit  të vitit 1919, këshillonte: “E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut.  T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Po i sjell këto citime të Luigj Gurakuqit në këtë 110-vjetor të Pavarsisë së Shqipërisë, jo se kam ndonjë iluzion se klasa politike aktuale do reflektojë dhe të “pendohet” siç këshillonte dikur Luigj Gurakuqi, sepse me të bëmat dhe të pa bëmat e tyre gjatë tre dekadave të fundit, na kanë bindur se nuk janë as reflektues as të penduar. Por, besoj se ia vlen të kujtohet Luigj Gurakuqi jo vetëm në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, por gjithmonë, sepse ai ishte dhe mbetet njëri ndër më të Mëdhenjtë e Kombit shqiptar, një shembull i një patrioti të flakët dhe një demokrat i përkushtuar pro-perëndimor.  Fjalët e Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por edhe për të tashmen dhe për të ardhmen – do duhej të shërbenin si një fuqi frymëzuese për të gjithë, sidomos për klasën politike shqiptare të shekullit XXI, e veçanërisht në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok